Fshati me beretë

23 August, 2008

Ai fshat i vogël ishte vendosur në rrëzë të dy faqe malesh, shumë afër rrugës nacionale…

Të moçmit rrëfenin se perënditë e kishin mbajtur me hatër kur e kishin krijuar, pasi atë nuk e rrihnin as erërat, e as murlanët.
Dimrit atje bënte ftohtë, por i ftohti nuk shoqërohej asnjëherë me thëllim, ndryshe nga ç’bënte poshtë, në qytetin, vetëm një kilometër larg, atje ku erërat, zyrtarisht, kishin folenë.

Historiku i qytetit ishte tejet i varfër në krahasim me atë të fshatit të vogël, hatërmbajtur, nga perënditë. Fshati i moçëm ishte themeluar disa dhjetra vite para se të krijohej ai qytet, i vobektë, për nga historia. Këtë e thoshin me mburrje banorët e fshatit, i madh e i vogël, të cilët, për hir të së vërtetës, duhet thënë se ishin të gjithë të çuditshëm. Çuditë i’u mëkoheshin qysh kur ishin në djep, së bashku me ajrin, ujin, qumështin e nënës, përrallat e ninullat. Flitej se gjatë kohës së sundimit të mbretit Zog, ai fshat kishte qenë fund e krye i shtruar me kalldrëm. Kalldrëmi më pas ishte mbuluar me dhe, e rërë, nga gurët që rrëshkisnin të lebetitur, prej sokëllimës luftarake: « Para partizanë… ! »
Për hir të së vërtetës, gjithashtu, duhet thënë se në « Ditët e Enverit » ( mbas vdekjes së udhëheqesit, ai përkujtohej çdo të dielë me punë vullnetare), banorët i nxirrnin të pastronin rrugët, në kërkim të kalldrëmit të humbur.
Përtej çudive, banorët nuk i’a bënin fjalën dysh Partisë, e cila, prej nuhatjes së mprehtë që e karakterizonte, ende nuk ishte e kënaqur prej banorëve të atij fshati…

…edhe pse ata gjithmonë kokëulur, e kërkonin kalldrëmin e humbur…

Ata banorë që kishin përqafuar idetë komuniste, ishin të gjithë, të ardhur në atë fshat. Banorët e vjetër i kishin qenë, të gjithë, indiferentë komunizmit, me të njëjtën indiferencë shpërfillëse, që i kishin qëndruar edhe fashizmit. Të moçmit e fshatit, rrëfenin jo pa krenari, se gjatë kohës së sundimit të mbretit Zog, gratë e atij fshati, dilnin shëtitje rrugëve të kalldrëmta, njelloj si nëpër sfilata, të gjitha me nga një kapele me pendë në kokë.

Me ardhjen e komunistëve në pushtet, grave i’u ishin sekuestruar të gjitha pendët, nayrisht, së bashku me kapelet.
E megjithatë, Partia, gjithmonë kishte qenë tejet e kujdesshme me këta banorë.
Edhe pse u kishte sekuestruar dyqanet, mallin e gjënë, (pa haruar pendët), ajo nuk i kishte quajtur asnjëherë « reaksionarë apo borgjezë », për faktin e thjeshtë, se asnjëri nga ata, nuk kishte « bashkëpunuar me fashizmin. ».

Në të vërtetë Partia nuk kishte dhe aq shumë skrupuj për të shpikur shkaqe, por ajo nuk e bëri këtë… sepse ende kishte shpresë se mund ‘i fitonte zemrën këtij fshati. Ky ndoshta ishte rasti më unik, i te gjitha “kohërave socialiste », por edhe fshati, për nga veçantia, nuk mbetej pas. Në një lagje që dhe sot e kësaj dite e quajnë “Shën Koll”, para sundimit turk, kishte ekzistuar një kishë. Thuhej se nuk kishin të numëruar, mrekullitë çudi – bërëse të ujit që rridhte afër kishës.

Me ardhjen e turqve, u shkatërua kisha dhe atje u ndërtua një teqe. Edhe mbas ndërtimit të teqes, banorët e fshatit vazhduan ta quanin atë vend: “Shën Koll.” Kështu në kohërat në vazhdim, ai vend u quajt: “Teqja e Shën Kollit.” Me ardhjen e komunistëve në pushtet, u shkatërua Teqja dhe në atë vend, nuk u ndërtua më, asgjë. Ndërkohë, mendjet e banorëve ishin bërë lëmsh. Disa e thërrsinin:“Teqja e Shën Kollit”, e të tjerë: “Kisha e Shën Kollit”.

Kur partia “bëri zbulimin më të madh të kohërave”, që Zoti nuk ekzistonte, të dyja emërtimet që i kishin vënë mendjet e hallakatura të banorëve, rezultonin një gabim i rëndë ideologjik. Kështu banorët, për të mos hyrë në të thellat e politikës, nga të cilat, vështirë se dilje më, u mjaftuan duke e quajtur vetëm :«Shën Koll ». Por hallakatjet dhe lëmshëritë nuk mbaronin me kaq. Një lëmsh i vërtetë, ishte bërë edhe me emrat e mbiemrat e atij fshati. Kështu, një banor i ardhur nga një fshat tjetër, i cili në rregjistrin e gjendjes civile, figuronte me emrin: Mahmud, e me mbiemër: Kristo, e kishte ndryshuar emrin në: Enver.

Qysh kur e kishte ndëruar emrin në Enver, atë e kishin ngritur në detyrë; nga lopçar ne brigadier kooperative. Ne vijim, si të mos mjaftonin lëmshëritë, ashtu si në të gjithë Shqipërinë, edhe në atë fshat të vogël nuk munguan të vendoseshin emra pa përkatësi fetare si: Republika, Proletare, Komuniste etj…

Ndersa me rrëzimin e diktaturës, nuk munguan emrat meksikanë si: Esmeralda, Paloma, Maria etj, pasojë e telenovelave, të cilat i ndiqnin me aq pasion, i madh e i vogël, burra e gra, së bashku.
Mbas rrëzimit të diktaturës edhe i ashtuquajturi Enver, u detyrua për herë të dytë, të ndëronte emrin, pasi jo vetëm që nuk e merrte njeri në punë, por në kohën kur sapo ishte rrëzuar busti i ish – udhëheqësit, gangësterët e fshatit e kërcënonin se do ti prisnin veshët.

Në fshat, historikisht, qysh nga koha e mbretit Zog, ekzistonte edhe zografi i fshatit. Si për çudi, qysh nga koha e mbretit Zog, ai ishte i vetmi që vazhdonte të quhej: «zograf ». Ky emërtim, nuk e kishte trazuar asnjëherë partinë… Ai kishte një detyrë të rëndësishme, të cilën kur plakej, ua transemtonte pas – ardhësve. Në një libër të madh, shënoheshin të gjitha ngjarjet që i’a vlenin të mbaheshin mend, të cilat përbenin edhe historikun e fshatit.

Banorët e vjetër të fshatit, e kishin shumë për zemër punën e historikut, pasi ata nuk kishin aspak dëshirë, të ngatëronin racën « e kulluar », prej banorësh të hershëm, me racën « e dyshimtë » të banorëve të ardhur rishtaz, në fshat.

Martesat e vajzave të fshatit, me «rishtakët », ndaloheshin rreptësisht. Libri i i zografit vigjilonte ditë e natë që kjo gjë të mos ndodhte. Kurse kur vinte fjala për nuset që merrnin djemtë e tyre nga krahina të tjera, kjo gjë edhe mund të ishte, e diskutueshme. Kur zografi i fshatit shihte që në mëngjes, ndonjë fëmijë flokëverdhë e faqekuq, të vraponte përmes dëborës për të mbrritur tek shtëpia e tij, ai, automatikisht, e kuptonte për çfarë bëhej fjalë.

Fëmija, i ngazëllyer që po i sillte një lajm të padëgjuar më parë, i thërriste te porta: « O zograf… o zograf… dil mor dil… se u çmend edhe filani…! » Mbas thërritjes, zografi hapte librin e madh gjithë dëshirë, (ai ishte i lumtur që ngjarjet ishin kaq të shpeshta, pasi profesioni i tij mbahej me të hollat e kontribuara vullnetarisht, nga çdo banor i fshatit ) dhe shënonte atje: « Sot më datë kaq e aq, vërtetohet se u çmend edhe një banor tjetër nga lagja e Shën Kollit » Më tej zografi vendoste firmën dhe e mbyllte bllokun me një shprehje të paqtë në fytyrë, duke thënë nëpër dhëmbë: « Ja edhe kjo punë, u bitis! »

Të çmendurin vinte dhe e merrte, ambulanca nga qyteti histori – varfër. Për shkak se në atë fshat, ambulanca dukej shpesh, shoferi ishte bëre mik me të gjithë banorët e fshatit. Ndonjëri, madje e qeraste me ndonjë teke raki, kurse plakat i jepnin ndonjë kokër vezë apo ndonjë ftua.

Banorët e përcillnin me sy ambulancën derisa ajo u zhdukej nga sytë. Midis grupit sy – përcjellës, e dorë – përshëndetës, dora e zografit binte në sy, më shumë nga të gjitha duart. Ajo nuk lodhej së përshëndeturi edhe kur ambulanca zhdukej nga pamja.

Ndërsa banorët përcillnin ambulancën, në mendjet e tyre vërtitej, gjithmonë e njëjta pyetje: “Kush do ta ketë rradhën pas këtij ?” .Tek e fundit, edhe për më të keqin rast, ata kishin zënë mik shoferin e ambulancës, të paktën ai, do tu siguronte një vend me mik… në çmendinë…

Nderkohe lista e banorëve të çmendur nga lagjja e Shën Kollit, bëhej përditë e më e gjatë. Për më tepër, zografit po i mbaronin edhe fletët e librit. Kush e di sa herë, nëpër mbledhje partie, ishte diskutuar puna e çmendurisë së banorëve të asaj lagjeje aq të shumë – përmendur. Kushedi sa herë, partia ishte zotuar se do të merrte masa të rrepta që të parandalonte çmendurinë. Por zotimi nuk pasohej me asnjë rezultat, banorët e asaj lagjeje, çmendeshin, pa pyetur fare për partinë.

Sekretari i partisë, aludonte se shkak ishin pikërisht ritet fetare, që banorët i praktikonin fshehurazi partisë. Pastaj ai kafshonte gjuhën, se me atë aludim vërtetonte se edhe ai vetë, kishte besim te perëndia.

Por banorët e mohonin këtë gjë me kembëngulje. Për tu mbrojtur nga akuzat, ata kundër – akuzonin, natyrisht, nuk ishin aq të çmendur sa të akuzonin partinë (në të vërtetë te çmendur ishin, por jo deri në atë pikë). Ata akuzonin ujin e burimit të Shën Kollit, sipas tyre, ai ishte « fajtori » për çmendjen masive. Ai “kopuk ujë », (kështu e kishte quajtur një ditë, njëri nga pleqtë e fshatit) zbukuronte nuset e reja, të ardhura nga krahina të tjera, ndersa çmendte, banorët e hershëm të fshatit, thua se këta të fundit kishin kaluar në mbi – dozë ujore !!

Por nuhatja e partisë nuk kishte qenë dhe aq e gabuar. Mbas rrëzimit të diktaturës, banorët e fshatit sy patrembur, dolën hapur me praktikimin e riteve fetare. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme… do thoni ju… prisni…Mbas rrëzimit të diktaturës, komuniteti musliman dhe ai i krishterë, mbasi u hëngrën me fjalë me njëri – tjetrin, e mbasi brodhën gjyqeve për një kohë të gjatë, për të gjetur se kujt i takonte leja për ndërtimin përkatës: të një teqje apo kishe, më në fund « i dhanë dum » që të ndërtonin në Shën Koll, kishë dhe teqe njëkohësisht.

Kështu fshati i vogël, u bë me një kishë të re dhe një teqe të re, gjithashtu. Banorët për të mos i’a prishur Zotit, ( për të cilin nuk ishin dhe aq të sigurt, nëse quhej Muahmed apo Krisht, e aq më pak të sigurt, në se quhej Enver ), tre ditë në javë faleshin në teqe, e tre ditë të tjera të javës, faleshin në kishë…

Të dielën, të gjithë njëzëri e kishin caktuar ditë pushimi ! E kështu, çuditë nuk kishin të mbaruar.

Përshembull, kërkimi i kalldrëmit të humbur nga banorët, bëhej me interesant e intrigues, kur atij i bashkohej mesuesja e fillores, një femër simpatike; « me biografii të keqe ». ( Keshtu kishin degjuar banorët për të ).

Seksioni i Arsimit të rrethit, çuditërisht, e kishte privilegjuar mësuesen me biografi të keqe, duke e dërguar pikërisht në atë fshat, shumë afër qyetetit ku ajo kishte edhe shtëpinë. Mësuesja u kishte hyrë në zemër të gjithë banorëve të fshatit, për faktin e thjeshtë se ditëve të ftohta të dimrit, ajo mbante një beretë në kokë. Siç dukej, bereta e mësueses simpatike, banorëve të moçëm të fshatit, u nxirrte mallin e kepeleve me pendë, të zonjëzave, që dilnin rrugëve të kalldrëmta njëherë e një kohë. Për këtë arsye ndoshta, ata e pëlqenin tej mase, mësuesen simpatike, madje ata i’a falnin edhe ndonjë ditë kur ajo nuk bënte mësim. Kjo gjë nuk ndodhte me edukatoren e kopështit, asaj nuk i’a falnin kur ndonjë ditë të ftohtë dimri, ajo mbyllte kopështin.

… E thjeshtë per tu kuptuar… ajo nuk kishte beretë…!

Por çudia më e madhe, ndodhi një ditë, kur auto – ambulanca erdhi të marrë vetë zografin. Shoferi i auto-ambulances ishte kujdesur ti gjente edhe atij nje vend me mik ne spitalin e te cmendurve. Tashmë, historikun e fshatit, vazhdon ta shkruajë pas – ardhësi i tij. Uji i Shën Kollit së bashku me çuditë, vazhdon të rrjedhë krenar edhe sot e kësaj dite, me të njëjtën gurgullimë.

… Me të njëjtën përpikmëri, pakësohen edhe fletët e librit, të pas – ardhësit, të zografit… Ndërsa ai shënon atje… gjithë zell… lindjet, vdekjet, mrekullitë dhe çmenduritë… të cilat, janë të gjitha me bollëk, në atë fshat…

Banoret e fshatit vazhdojne te falen si gjithmone, tre dite ne kisha e tre dite ne xhami. Ndersa Kisha dhe Teqja vazhdojnë ti thonë përditë, mirmëngjes, diellit që lind gëzueshëm në majën e malit, në fshatin hatërmbajtur prej perëndive, në atë fshat të fshehur, mes dy faqesh mali, ku dielli i rri mbi ballë, si një beretë e bërë me porosi.

scannedimage-21.jpg@Arlinda.G.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: