KRUSPULL

25 August, 2008

jg0222135.jpg

Sikur ëndrat të mund të nisnin prej fundit… përgjatë numërimit të shkurtër të count down-it, unë lehtësisht do të mundja t’ua ndryshoja fillimin.

Brenda ëndrës, më ndodh të jem e vetëdijshme për konvecionet ëndra-shpjeguese. Kështu, kur shoh ujë të turbulluar, gjarprinj, flokë të prerë, apo ndonjë gjë tjetër si këto, menjëherë lëviz muskujt, përpelis qepallat dhe përpiqem të dal jashtë saj. Në këtë mënyrë, arrij t’i ndryshoj asaj, rrjedhën e papëlqyer.

Të gjitha këto janë “ligësht” – mërmërin e ulur në sofa, me një pale shtiza në duar… gjyshja ime. Nuk di përse qëndron e ulur atje… ajo ka vdekur përpara shumë vitesh. Nuk ka rrudha në fytyrë. Duket e qetë. Sytë i mban ulur mbi sythet e një trikoje, të cilën është duke e punuar me merak të madh. Nuk i ngre asnjëhere të më shikojë.

Por nuk shqetësohem dhe aq për « ligështinë »…apo shfaqjen papritur të gjyshes, pasi jam e sigurt që edhe ky është një konvencion. Në të vërtetë është diçka tjetër që më sfilit. Pa dyshim që është një ëndër… për të jam duke folur sot.

Ja ku jam, e mbledhur kruspull, e ulur ne verandën e shtëpizës sime, të vjeter…jam duke qarë… ky është edhe fundi i ëndrës sime… prej këtij fundi, do të nis të rrëfej fillimin e makthit tim të përnatshëm…

Jam në klasë të gjashtë.

Po kthehem nga shkolla e kënaqur. Jam duke mërmëritur nëpër buzë një këngë të cilën e kam mësuar në orën e muzikës. Jam e kënaqur se këngën e kam kënduar bukur. Kam marrë notën dhjetë. Jam e paduruar t’ua tregoj këtë prindërve të mi, jam e sigurt se im atë, me këtë rast, do të nxjerrë nga xhepi i brendshëm, i xhaketës së tij, të errët, ndonjë dhuratë të vogël për mua. Kështu bën gjithmonë kur unë i them se kam marrë dhjetë. Por mua më duket se ai mezi pret t’a bëj këtë gjë edhe kur unë nuk marr ndonjë notë. Unë jam vajza e tij, e adhuruar. Ai është krenar për mua, po aq sa unë jam krenare që kam një baba kaq perfekt.

Është maj.

Gjithçka shkon mirë përreth meje. Jam e lumtur për këtë. Me mesimet jam mirë. Çdo mëngjes, shokët dhe shoqet e mia, të klasës, mblidhen të gjithë te banka ime. Qeshim… luajmë… grindemi. Ndonjerit apo ndonjërës i vizatoj një portret. Mua më pëlqen të vizatoj për ta. Jam gjithmonë në qendër të vëmendjes së tyre, kjo gjë përgjithsisht më pëlqen, por së fundmi, më tepër ka nisur të më bezdisë.

Kam dy prindër që më adhurojnë, kam gjithashtu edhe një motër. Ajo është e martuar. Gjithçka shkon mirë edhe përreth motrës sime. Ajo ndihet e realizuar… jo vetëm kaq… ajo është e bukur, i ngjan nënës sime, edhe nena ime është e bukur, edhe ajo duket se ndihet e realizuar…

Për t’i rënë shkurt, duket se jemi një familje e bukur…

Ja ku kam hyrë në derë. Kam zbathur sandalet e mia, ngjyrë qumështi, kam mbathur një pale shapka çfarëdo (më rrinë pak të mëdha) dhe jam futur në kuzhinë. Aty nuk ka njeri, por nga kthina e aneksit, e cila të udhëheq për në ballkon, dëgjohen disa zëra.

Unë hyj fytyrëqeshur atje, nuk më durohet t’u tregoj të gjithëve për dhjetën, (edhe pse një dhjetë në muzikë, prindërve të mi u duket më pak e rëndësishme se një dhjetë në matematikë).

Fjala më mbetet në buzë kur shoh motrën time duke qarë me kokën të mbështetur në prehërin e sime meje. Motres i jane skuqur sytë nga të qarët Supet i fërgëllojnë. Është hera e parë qe e shoh në atë gjëndje time motër.

Aty pranë qëndron edhe tezja ime. Ato ende nuk më kanë vënë re… është duke folur vetëm nëna ime. Ajo i përkëdhel flokët motrës dhe i pëshpërit shpirt-lëshuar : – … por ndoshta… ashtu të duket moj bijë… ndoshta nuk është e vërtetë

– Çfar mund të ketë ndodhur…? – pyes veten unë në heshtje – vetëm vdekje të mos jetë

– Është e vërtete… – e siguron nënën time, ime moter duke u ngashëryer – është një femër tjetër në mes, të gjithë e dinin… vetëm unë jo…! Ajo hesht pak. – Do t’i kërkoj divorcin… – thotë më pas. Nuk më duket e kthjellët. Hmmm… tani nuk jam më as unë

Kam mbetur në këmbë në derë të aneksit, me frymën që më merret Askush nuk më shikon. Askush nuk merret me mua. Për to jam bërë e padukshme. Përpiqem të nxjerr ndonjë tingull, por zëri më ka braktisur.

– Çudi si përsëritet historia – shpërthen pas pak tezja ime, – e mjera ti – i drejtohet ajo sime mëje, – e mjera ti, dhe kjo bashkë me ty, ç’hoqe ti, duket se do të heqë edhe kjo…

Sytë më janë zmadhuar, ende nuk nxjer dot tinguj. Jam e pafuqishme. Gjunjët dhe trupi fillojnë të më dridhen. Përpiqem të lëviz duart, t’i ngre lart e të zë veshët me duar, por ato vazhdojnë të më dridhen. Bëj edhe një përpjekje tjetër, kësaj here ia arrij. Marr frymë thellë. Sa mirë që tani nuk dëgjoj më.

Ato ndjejnë lëvizjen e duarve të mia. Kthejnë kokën të treja nga unë. Nga shprehja që duhet të kem marrë në fytyrë, ato kuptojnë se i kam dëgjuar të gjitha çfar kanë qenë duke thënë.

Nëna ime më merr për dore dhe më nxjerr në ballkon. Më lë atje dhe futet përseri në aneks. E shtyn tezen për nga dera duke e qortuar nëpër dhëmbë, në të njëjtën kohë, duke u kujdesur që unë të mos i dëgjoj qortimet e saj.Tezja proteston, nuk ka dëshirë të dalë, këmbëngul se mund t’i jetë e vlefshme sime motre me disa keshilla në lidhje me meshkujt.Nëna ime e shtyn përsëri. Më pas kthehet tek unë dhe me pyet me një qetësi të nderë në fytyrë, si dola në shkollë.

– Mirë.. – përpiqem t’i them unë, por zë nuk kam ende. Ajo eshte kaq e përhumbur. Ende nuk e ka kuptuar që mua më ka ikur zëri. Një çast më rrëmben ndër krahë dhe nis të qajë me ngashërim. Më pas përmendet, fshin lotët, përpiqet të nderë përsëri atë shprehjen e qetë në fytyrë. Madje, madje guxon të më buzëqeshë

Unë ende nuk kam zë.

– Ti mos beso asgjë nga ato që dëgjove sot… mire shpirt i nënës ?

Unë e shoh ankueshëm. Ajo nuk i perballon dot më sytë e mi dhe me rrëmben sërish kokën mes kraharorit.

Qan përsëri.

Ndërkohe dëgjohet zëri i tezes sime që nga kuzhina, duket se ka hyrë sërish, stoike se keshillat e saj në lidhje me meshkujt, do t’i jenë të vlefshme sime motre. Diçka flet me time motër, më pas hyn në ballkon ku jemi unë dhe nëna. Nëna ime kafshon buzën sërish dhe i bën me shenjë të heshte. Por ajo nuk dëgjon. Nis të rrëfeje me zell diçka nga e kaluara e prindërve të mi. Nuk më nevojitet rrëfimi i saj, për te kuptuar që dikur, im atë e ka tradhëtuar nënën time.

Tezja nuk pushon së treguari. Ajo është shumë më e vjetër në moshë se nëna ime.

Më këputen këmbët, jam gjithnjë e më shumë pafuqishme ndaj rrëfimit të saj.

I mbledh edhe një herë forcat dhe vendos duart në vesh. E kotë, rrëfimi i saj arrin të hyje brenda veshëve të mi. Bëj edhe një përpjekje tjetër.

– Mjaft… – klith unë me zërin tim të humbur. Ajo nuk më dëgjon, ajo vazhdon të flasë.

– Mjaft… – më në fund ngrihem nga kolltuku ku jam ulur, derdhem drejt saj dhe i zë gojën me duar. Duart e mia janë tepër të vogla për të mbuluar gojën e saj të madhe.

Rrëzohem në krahët e sime mëje.

Nuk mbaj mend ç’ka ndodhur më vonë.

Kanë kaluar disa orë. Është errur. Une jam ende në ballkon… e mbledhur kruspull në kolltukun e vjetër, me një batanije të hedhur nga këmbët.

Motra është larguar, ka ardhur dhe e ka marrë i shoqi. Duket se janë pajtuar. Duket se nuk ka patur asnjë femër tjetër në mes tyre.

Im atë është kthyer nga puna. Që nga ballkoni ku jam ulur, dëgjohet dobët zëri i tij, ndërsa është duke biseduar diçka me nënën time.

Të dy flasin me zë të ulet.

Edhe tezja duket se është larguar.

Nuk kam dëshirë ta shoh tim atë, nuk kam dëshirë të flas me të, nuk kam dëshirë t’i tregoj që sot kam marr dhjete. Përse ma bëri këtë ?Sot më shkatëroi tablonë më të bukur… tablonë e familjes sime perfekte. Kisha kohë që mendohesha ta pikturoja. Ku të gjej një familje perfekte tani ? Më nevojitet kaq shumë…

Ja ku jam… përsëri në ëndër…

Shoqja ime e ngushtë, ka ardhur të flejë në shtëpine time. Jemi strukur të dyja në krevatin tim dhe shfletojmë albumin e fotografive. Qeshim të dyja, kur na del para syve, një foto e imja, kur kam qenë një vjeç, më pas, vjen një foto e prindërve të mi, kur kanë qenë të sapofejuar.

– Uou… sa të bukur prinderit e tu… – thotë shoqja ime me admirim, – ngjajnë si aktorë filmash…

– Hmmm… po… ke te drejtë, janë të bukur… hmm… ne të gjithë jemi të bukur, nuk ka si ne….

– Po… – thote ajo me naivitet, – nuk ka si ju…

Une kam shtrirë pëllëmben mbi foton e tyre, ndërsa ajo përpiqet të ma mënjanojë, pëllëmba ime ka lënë zbuluar vetëm fytyrën e nënës sime, fytyrën e tim eti… e ka mbuluar të gjithën… Shoqja ime përpiqet të ma zhvendosë dorën, por unë nuk e largoj… – Shiko nënën time… – i them pas pak, – shiko…

– Po vërtet… -thote ajo mirësjellshëm, – por edhe babai yt…

– Jo, jo… nëna ka dalë bukur… – këmbëngul unë, ndërsa pëllëmba ime, vazhdon t’ia mbulojë fytyrën tim eti.

Jam sërish në ballkon.

Më ka zënë gjumi pa ngrëne darkë.

Libri i biologjisë më është rrëzuar nga duart. Mësuesja kujdestare ka thirrur në një takim prindërit e mi. Ajo është e shqetësuar për mua. Kohët e fundit kam rënë nga mësimet. I dukem e papërqëndruar.

Im atë afrohet pa zhurmë. Unë i ndjej hapat e tij. Ai më merr në krahë dhe më çon në dhomën time, më shtrin në krevat dhe më puth në ballë.

– Më fal vogelushe… – mërmerin ai pa zë.

Unë vazhdoj t’i mbaj sytë mbyllur. Gjumi më ka dalë plotësisht.

Ai largohet i krrusur, ndërsa tërheq derën pas vetes.

Tashmë i kam hapur sytë.

Lufta ime me të, ka vetëm pak që ka filluar.

©Arlinda G.

2 Responses to “KRUSPULL”

  1. Maratonomak Says:

    E gjalle dhe prekshme.
    Nje stil qe te karakterizon tashme.
    Dashur pa dashur e ndjen veten personazh te shkrimeve te tua.

    – Me fal vogelushe… – mermerin ai pa ze.

    Per nje cast m’u mbushen syte……

  2. flokenaja Says:

    Hi maratonomak!

    Mireseerdhe ne blogun tim te ri…

    Te falenderoj qe e ndjen veten personazh te shkrimeve te mia.

    Te pershendes


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: