Njeriu kërmill

30 August, 2008

Në ekranin e televizorit, një femër meksikane e lyer vesh më vesh, me të kuq buzësh, të ndezur, shtrembërohej në fytyrë në perpjekje të dëshpëruara për të nxjerrë një kokërr lot.

Ajo i çirrej një burri, i cili i kishte kthyer shpatullat.

– Fernando… Fernando…! –  thërriste ajo.

Ndërkohe kishin dështuar edhe përpjekjet e burrit për të bërë të njëjtën gjë.

Skena i kujtoi atij një gabele që e kishte ndaluar në rrugë dy ditë më parë, duke i thënë: – Më fal ca lekë të dhëntë Zoti shëndet… se i ngjake shumë Fernandos…! Ai kishte shkundur mëngën e xhaketës tek vendi ku e kishin kapur gishtat e gabeles dhe pa i ndalur hapat, e kishte pyetur se kush ishte  Fernando – ja.

– Uaa… nuk njihke Fernandon ti…  qënke mbrapa bote mor humameno… ik se nuk dua lekë nga ty…  – i kishte thënë shpërfillur gabelja e re.

Ndërkohë brenda ekranit, i ashtuquajturi Fernando, ishte kthyer më në fund nga gruaja, e cila, gjithsesi vazhdonte të qurravitej. (asaj i kishin spërkatur më në fund ca pika uji nëpër faqe)

– Gabele e dreqit… – mendoi ai me vete, –  me këte mustaqe-fshesën më paske krahasuar… !

Ai nxori nje birrë nga frigoriferi.

Pikërisht në atë orë, një “i krisur” (kështu e quanin fqinjët) nga blloku tjeter, e kishte bëre zakon të hipte në majë të tarracës së pallatit njëmbëdhjetë katësh dhe të kërcënonte se do të hidhej poshtë.

Ditët e para njerëzit dilnin me dysheqe, duke iu lutur e stër – lutur të mos hidhej. Më vonë (si gjithmonë e vonuar në raste të tilla), mbrrinte edhe  policia…

I thërrisnin me megafon të zbriste që andej…etj etj…

“I krisuri” nga ana e tij, çirrej se njerëzit nuk e kuptonin.

Më pas njerezit u lodhën duke i shtruar dyshekë, e duke i thirrur me megafonë sepse “i krisuri” asnjëherë nuk hidhej.

– Mor po… do hidhet ky apo si e ka hallin… se do iki t’u jap ujë pëllumbave… – shfryu një ditë fqinji i tij, një kat më lart.

Gjithsesi ngjarja mbaronte gjithmonë me happy – end, me aktin final ku, “i krisuri” përmes duartrokitjeve të “sehirxhinjve”, më në fund zbriste prej tarracës.

Ai i përshëndeste “sehirxhinjtë” duke u tundur dorën nga lart.

Mungonin vetëm titrat poshtë :

“ fine ”.

Këtë gjë ai e përsëriste përditë pasditeve, në të njëjtën orë. Me sa dukej kishte zgjedhur atë orë, sepse pikërisht atherë, shumica e banorëve ktheheshin nga puna, kështu ai kishte mundësi të jepte shfaqjen e rradhës në prani të spektatorëve të shumtë.

Ai mori edhe një birrë të dytë nga frigoriferi.

Sandra më në fund i kishte marrë sendet e saj. Ajo i kishte lënë edhe kopjen e çelësit mbi televizor.Vetëm pak ditë më parë ai i kishte dhënë fund bashkëjetesës me të.

Sandra punonte si psikologe në një qendër sociale, e cila kishte grumbulluar fëmijet që lypnin rrugëve. Pjesa dërmuese e tyre ishin fëmijë me ngjyrë.

Ai e urrente punën që bënte Sandra.

Madje një ditë nuk kishte duruar dot… ata të dy kishin qenë duke shëtitur qetësisht në bulevardin kryesor… kur papritur i kishin rrethuar dhjetë – pesëmbjedhjetë fëmijë gabelësh, fëmijët përqafonin Sandrën e i thërrisnin në emër gjithë gëzim. Ata kishin tentuar të përqafonin dhe atë,por ai i kishte larguar si të ishin lebrozë.

Në shtëpi tek lavamani i banjës ai i linte Sandrës gjithmonë një dizinfektues për duart.

Sa herë ajo kthehej nga puna dhe tentonte t’i ulej në prehër, ai e shtynte e i  thoshte  të lante duart njëherë. Shumë herë e kishte këshilluar madje  të ndëronte punë, por Sandra nuk e dëgjonte. Asaj i pëlqente puna që bënte.

– Si nuk të vjen ndot që i përqafon ashtu…? – i thoshte shpesh ai.

– “Kërmilli” im, çlirohu nga gjithë ky negativitet… – ia kthente ajo duke qeshur, – të përqafosh njerëz qofshin këta edhe femijë gabelësh, të bën mirë për shëndetin mendor.

Ai nuk e kuptonte dot Sandrën.

Nuk e kuptonte dot as kur ajo ulej mbi tapet përballë televizorit e hante me duar…

Ndersa ai hante gjithmonë me thikë e pirun…

Nuk e kuptonte dot as kur ajo një ditë vjeshte ndërsa ecnin në breg të detit, kishte hequr rrobat dhe ishte larë në det…

Ndërsa ai kishte ngritur jakën e xheketës, prej eres së ftohtë…

Sa gjëra nuk kuptonte dot prej Sandrës edhe pse në mënyrën e tij, ai e donte…

Ora po kalonte nga katër dhe ai nuk po dëgjonte të çjerrat e “të krisurit” mbi tarracë. Çuditërisht “i krisuri” nuk kishte munguar asnjëherë për “spektaklin” e tij të përditshëm.

U shtri për gjumin e drekës, por as gjumi nuk e zuri…

Mungesa e të çjerrave të “të krisurit” sikur i kishte çrregulluar agendën e ritualeve të tij të përditshme.

U përpëlit një farë kohe mbi shtrat, pastaj u ngrit si t’a kishin shpuar gjembat. Shkoi te sirtari të merrte një hapje gjumi, por as atë nuk e piu…

Doli ne ballkon dhe instiktivisht hodhi sytë nga tarraca ku hipte zakonisht “i krisuri”.

Nuk e pa mbi tarracë. Asnjë fqinj nuk dukej në ballkon. Siç dukej të gjithë bënin gjumin e drekës.

Ai hodhi sytë poshtë dhe… nuk iu besoi syve. Përtokë sytë i zunë “të krisurin” që zvarritej duke rënkuar.

Ai ishte hedhur.

Çuditërisht nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim serioz, vetëm sa kishte nxjerrë kaviljen.

Më vonë mësoi se në pamundësi për t’u hedhur nga tarraca e katit të njëmbëdhjetë, “i krisuri” ishte  mjaftuar me hedhjen nga kati i dytë.

Fqinjët e kishin humbur shfaqjen, se ai ishte hedhur një orë më parë (“i krisuri” nuk e kishte marrë vesh që atë ditë ishte ndëruar ora ).

Ndërkohë “i krisuri” sa pa kokën e tjetrit që u përkul, i thirri për ndihmë.

Ai uli tendën i bezdisur  dhe u rehatua në shezlong.

– Sikur të ishte Sandra… – mendoi me vete, –  tani do të kishte qenë duke zbritur shkallët me rrëmbim, në përpjekje për t’i ardhur në ndihmë…  Sa mirë që tani nuk ishte më me Sandrën…

Ai ndjeu rehati…

U zhyt më shumë në shezlong, por nuk e ndjeu një glasë që iu ul mbi flokë, (dhuratë nga pëllumbi i fqinjit një kat me sipër)

… Vazhdoi të krekosej mbi shezlong, duke shpërfillur të çjerrat për ndihmë të “të krisurit”…

Glasa e pëllumbit, krekosej mbi kokë, gjithashtu…

@Arlinda G.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: