Dëfrimi i së dielës…

14 September, 2008



hirondelle-rustique-3768.jpg

Gruaja ndali duart mbi telin e rrobave kur dëgjoi të shoqin të thërriste me zë të lartë të birin. Ajo mbyti në kraharor një psherëtimë të mekur, pastaj nisi të palosë rrobat e porsambledhura e t’i vendosë në kanistër.

Dy dallëndyshe të vogla vërtiteshin të shqetësuara përreth folesë në cep të verandës. Djali mezi mundi t’i shqisë sytë prej tyre.
Ai i hodhi hapat përtuar deri në oborr, atje ku e priste i ati. Burri e pyeti nëse ishte bërë gati për dëfrimin e së dielës. Djali pohoi plogësht me kokë, pasi hoqi pantoflat e shtëpisë dhe mbathi ngadalë këpucet nën vështrimin qortues të të atit.

I ati e shtërngoi fort në zverk me dorën e tij të fortë, ndërsa djaloshi shkëmbeu një vështrim të fundit me të ëmën, e cila, që nga veranda, me kanistrën e rrobave në dorë, vazhdonte t’i ndiqte me sy që të dy.

Të dy, atë e bir, u nisën drejt fushës së dikurshme të sportit, e cila ndodhej vetëm disa metra larg shtëpisë. Atje i priste dëfrimi i së dielës.

Burri nuk haroi të zgjidhte e të merrte me vete edhe dy qentë e mëdhenj, të shtëpisë. Ai u shtërngonte fort zinxhirin që kishin ndër dhëmbët e mprehtë, ndërsa ata dihasnin rëndë.

Djali ndiqte me hapa të përhumbur të atin dhe qentë.

Ajo copë tokë, tashmë gjithë gropa e baltë, e mbushur me gjembaçë dhe e rrethuar me tela me gjemba, do të ishte arena në të cilën do të kryhej dëfrimi i së dielës.

Djaloshi u ul në shkallët e vjetra të ish-fushës, ndërsa në vesh vazhduan t’i gumëzhinin cicërimat e shqetësuara të dallëndysheve të vogla. Ato i ishin dukur kaq të pasigurta në fluturimin e tyre të parë, nga njëri cep i strehëzës së verandës, në tjetrin.

I shqetësuar, vazhdonte të vërtitej brenda fushës rrethuar me gjembaçë, edhe një krriç i vogël, i hirtë, me një pullë të bardhë në ballë.

Burri bëri një nënqeshje të kënaqur në cepin e buzës, pastaj tërhoqi qentë nga zinxhiri dhe i futi brenda në fushë. I lëshoi, pasi u hoqi të dyve zinxhirin nga qafa, dhe doli jashtë me nxitim, duke u kujdesur të mbyllte deriçkën e ngushtë nga kishte hyrë.

U ul me të shpejtë në shkallë përkrah të birit dhe hodhi sytë i kënaqur brenda fushës.

Qentë iu vërsulën menjëherë krriçit të vogël, i cili filloi të vërtitej i tmerruar rreth e rrotull fushës.
Djali uli kokën dhe e zuri me të dyja duart, por ndjeu papritmas mbi zverk shtërngimin e dorës së fortë të të atit.

– Ngrije kokën zemërpulë, nuk i ke lënë gjë sat’ëme !…

Djali ngriti sytë dhe i hodhi gjithë frikë brenda fushës.
Njëri nga qentë e kishte kafshuar krriçin e vogël në këmbë. Djali mbuloi sytë me duar dhe uli kokën përsëri.

Përsëri ndjeu mbi zverk dorën e të atit.

– Mos m’u qurravit si femër, ngriji sytë e shiko, ka ardhur koha të bëhesh burrë, mësohu me gjak, nuk duroj dot më të të shoh të zvenitur.

Ndërkohë të dy qentë e kafshuan krriçin në bark, krriçi u rrëzua mbi gjembaçë dhe nisi të pëllasë gjithmonë e më dobët.
Qentë u lëshuan të dy mbi të.
Ata nisën ta kafshonin pa mëshirë nëpër të gjithë trupin, ndërsa pëllitjet e krriçit sa vinin dhe bëheshin më të mekura, derisa erdhi një çast që u shuan plotësisht.

Krriçi mbeti i shtrirë në mes të fushës, me sytë e hapur përgjysëm.

Qentë u tërhoqën në një cep të fushës duke lëpirë buzët. Ata u ulën të lodhur përtokë, ndërsa burri e kapi djaloshin sërish në zverk dhe i pëshpëriti : – Eja të ikim, tani do jetë bërë dreka…

Djali e ndoqi të atin me hapa të përhumbur derisa mbrritën në shtëpi. Zbathi këpucet nën të njëjtën përhumbje, ndërsa përtokë gati sa nuk  i shkeli dy dallëndyshet e vogla, të cilat, dëshpërimisht, përpiqeshin të fluturonin deri lart në fole.
Djali i mori në dorë dallëndyshet, u përkëdheli krahët ngadalë si të kishte frikë mos i thërrmoheshin ndër duar, pastaj hipi mbi një karrige dhe i vendosi kujdesshëm brenda folesë.

Që nga brenda, i ati e thirri të ulej në tryezë, por djali kaloi më parë në tualet, atje volli sa nxorri zorrët… pastaj u ul në tavolinë…

 

©Arlinda G.

3 Responses to “Dëfrimi i së dielës…”

  1. pligg.com Says:

    Dëfrimi i së dielës……

    Gruaja ndali duart mbi telin e rrobave, kur dëgjoi të shoqin, të thërriste me zë të lartë të birin. Ajo mbyti në kraharor një psherëtimë të mekur, pastaj nisi të palosë rrobat e porsambledhura, e t’i vendosë në kanister.Dy dallëndys…

  2. enis Says:

    E lezetshme.

    Enis K. ketu🙂

    Uroj te jesh mire ,me mungojne bisedat tona.

    Ah po,nqs merr ndonje sharje banale nga ky account , injoroje. Ca debile me jane futur ne e-mail e po me cajne koken.

    Enis Kapo

  3. flokenaja Says:

    Hi Enisi!
    Si je? Si po te shkojne punet?
    Mireseerdhe ne blogun tim.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: