Kapësa rrobash

25 January, 2009

42241650dsc_1147_3.jpg
Gruaja ka çikur lehtaz në bel
një kanistër rrobash …
 
Fillon t’i nderë kujdesshëm,
në telat që shtriqen nën aromëza lenor-i
 
mbi çarçafët rozë… mbërthen kapësa të rozta…
mbi peshqirët e bardhë… mbërthen kapësa të bardha…
Pastaj ngre kanistrën nga përtoka,
dhe tërheq pas vetes derën e ballkonit…
 
Sot… dhe ajo… ka luftuar për të ndryshuar boten…
e ka aromëzuar e mbështjellë… me zbutës rrobash…
 
© Arlinda G.
Advertisements

Sikur qentë…

20 January, 2009

–           Alo, Greta ?

–           Jo zotëri, nuk jam Greta, keni gabuar numër …

–          Ah… më falni… unë… kërkoja Gretën…

–         Nuk ka asnjë Gretë këtu zotëri… natën e mirë !…

–          Natën e m…

Receptori ulet në mbajtëse përpara se zëri i të panjohurit të mbarojë fjalën.

Gruaja zvarrit pantoflat ngadalshëm, lëshon perdet e rënda, shuan dritën dhe drejton hapat për në dhomën e gjumit.

Zilja e telefonit tringëllin sërish, sapo ajo ka hapur derën e dhomës së gjumit.

–          Uf… – shfryn e bezdisur, ndërsa zilja e telefonit është ndërprerë së rëni. Gruaja i ka ndalur hapat mëdyshas në korridor. Qëndron një grimë pa lëvizur, e gatshme për t’i ri – drejtuar hapat drejt dhomës së gjumit, por zilja e telefonit fillon të bjerë sërish. Kësaj here tringëllima është më këmbëngulëse. Gruaja i afrohet telefonit dhe e ngre me të shpejtë.

–         Alo Greta ? – pyet i njëjti zë i panjohur.

–         Jua thash njëherë zotëri, nuk jam Greta, keni gabuar numër…

–          Ah… nuk jeni Greta…  sa mirë që nuk jeni ajo… e dini, Greta është personi i fundit me të cilin dua të   flas sot…

Gruaja ulet në poltronë, ndërsa bën një gjest të paduruar me duar.

–         Po atherë… përse e kërkoni, kur nuk doni t’i flisni ?

–          Shikoni… është çështje pakëz e ndërlikuar… e gjatë dhe e ndërlikuar… a do të kishit pak kohë për mua, zonjë ? Nëse po… une do t’ua tregoja me qetësi si qëndrojnë punët…

–          Jo më vjen keq zotëri, nuk kam kohë të degjoj historinë tuaj, është ora një pas mesnate…natën e m

–         Zonjë, zonjë, mos e ulni receptorin… ju përgjërohem… jam në një gjendje tmerrësisht të keqe, kam nevojë të flas me dikë, ju duhet të më dëgjoni…

Gruaja e cila sapo është bërë gati të ulë receptorin në mbajtëse, mbetet me dorën pezull në ajër…

–          Ja, për të mos ju humbur kohë po nis t’ua tregoj shpejt e shpejt se si qëndrojnë punët… Kam nevojë të flas me dikë sot… Më kuptoni ? Përndryshe do çmendem… ju më kuptoni apo jo ? Jam i sigurt që po… përndryshe, do ta kishit mbyllur telefonin me kohë… Shikoni si qëndrojnë punët, zonjë… Fqinji im vdiq… dje…. Vdiq, më kuptoni ? Mbaroi sa hap e  mbyll sytë… Nuk kishte vuajtur më parë nga asnjë sëmundje, por vdiq… i vetëm, në apartamentin e tij të madh… E gjeta të ngrirë në kolltukun e lekurtë, përpara televizorit… krahët i ishin lëshuar të dorëzuara poshtë… trupi i ishte nxirë. Vetem qeni kuiste i trishtuar, me kokën mbështetur tek këmbët e të zotit, ( ato ende mbanin mbathur një palë pantofla shtëpie, zonjë )…  Kurse televizori i ndezur, jepte të reja nga bota e vipa – ve… Më kuptoni, zonjë ? Të reja nga bota e vip – ave ! Fqinji im jetonte i vetëm, nuk kishte të afërm dhe unë, nuk kisha parë asnjëherë ta vizitonte ndonjë mik. Sot u bë varrimi… Në varrimin e tij ishim vetëm unë dhe qeni i tij… Nuk është se e njihja shumë fqinjin tim, ishim takuar disa herë në tarracë, kur frynte ndonjë stuhi e madhe dhe antenat e televizorëve lëviznin prej vendit… Ai fliste pak, zonjë…  shumë pak… Në të vërtetë, edhe unë, nuk është se jam ndonjë orator i madh… por ai fliste me të vërtetë shumë pak, më pak se unë… dhe unë, siç iu thashë, nuk dija shumë rreth tij… Ah… nuk iu thash më kryesoren, edhe unë jetoj vetëm, zonjë… vetëm fare, natyrisht që flas me shumë se fqinji im, por nga ana tjetër, nuk kam as edhe një qen që të kuisë për mua, nëse papritur… ju më kuptoni… nëse papritur, pulsi im ndalon së rrahuri. Po ku e kisha fjalen ?

–          Te varrimi zotëri…

–          Ah po, shumë e vëmendshme zonjë, komplimentet e mia. Më falni se jam shumë i turbulluar sonte… Nejse… Unë dhe qeni shkuam të dy në varrim. Punonjësi i varrimit vërtiste nëpër gojë, i bezdisur, një çëmçakëz, më pas e frynte dhe e bënte tullumbace përpara fytyrës… unë ndërkohë i lexoja fjalimin qenit. Nuk e njihja mirë fqinjin tim zonjë, se siç iu thashë, ai fliste pak, dhe unë… nuk jam aq gojëkyçur sa ai, megjithëse nuk e  kam një qen… Megjithatë… fjalimin ia përgatita për të qenë, një fjalim si për një zotëri të vërtetë, sepse i tillë dukej fqinji im zonjë… edhe pse unë e njihja pak… shumë pak… Ndërsa une lexoja fjalimin, qeni i ulur përtoke mbi dy këmbët e parme, miratonte në heshtje gjithçka që unë lexoja për të zotin e tij. Sa mirë, zonjë, kur ke dikë që të miraton në heshtje gjithçka që thua… Punonjësi i varrimit shikonte herë pas here orën i paduruar… Ngutej… Nuk i vura faj për këtë, mësova se  pak me vone kishte një varrim tjetër… M’u dhimbs. Ajo e tij, sigurisht që nuk është një punë e lehtë, kështu une i shkurtova dy paragrafe nga fjalimi. Ju betohem që nuk ishin dhe aq të rëndesishëm zonjë, zotnillëku i fqinjit tim kishte dalë qysh në paragrafët e parë të fjalimit, pikërisht ato paragrafe që qeni i miratoi me sy. Qeni më shikonte me ca sy që i  lëngëzonin mirënjohje, duhej ta kishte dashur shumë të zotin e vet… kurse punonjësi i varrimit vazhdonte të me shikonte i bezdisur… edhe pse unë… për hir të tij  i shkurtova dy paragrafët… Ç’mosmirënjohje !

Pastaj tullumbacja e çëmçakëzit i plasi mbi fytyrë… Unë ndërkohë e kisha mbaruar fjalimin. Punonjësi i varrimit  filloi të hidhte rrëmbyeshëm, lopata dheu mbi fqinjin tim, ndërsa qeni kuiste mekur…

–           Më ndiqni zonjë ?

–          Po, po, jam duke ju ndjekur…

–          Sa ndryshoi zëri juaj, zonjë… u bë si i sfungjertë… Kam frikë se po hallakatem dhe nuk po iu tregoj atë më të rëndësishmen… Po vazhdoj rrëfimin më mirë, edhe pse më duhet ta pranoj që zëri juaj tani më shpërqëndron…  Në një copë letër, lënë mbi tavolinën e tij, të punës, ishte shënuar një numër telefoni dhe një emër përbri… Greta shkruhej aty. Nuk e di çfar e ka patur Gretën fqinji im, por druhem shume ta marr në telefon dhe t’i them që ai vdiq… Ndoshta është e bija, kam dëgjuar vagullt njëherë nëpër shkallë se fqniji im kishte një bijë të paligjshme, besoj se ju më kuptoni ç’dua të them me këtë, zonjë…

–           Po, po ju kuptoj fare mirë…

–           Nuk di si t’ia jap lajmin Gretës, pastaj, edhe qeni…

–           Çfar ka qeni ?

–          E kam marrë këtu në shtëpinë time, zonjë, por ai nuk pranon të hajë asgjë, hedh herë pas here vështrimin nga dera… Ka ca sy të trishtuar zonjë… që të pikojnë në shpirt. Për shkak të tij, sonte i kam kthyer disa gota. Po të mos i kisha kthyer, tani ndoshta edhe unë do të isha duke parë nga dera. Kaq shumë me dhimbset… Sikur qentë të pinin alkool, zonjë !…

–           Epo, ju duhet ta merni patjetër në telefon këtë Gretën  zotëri…

–           Po po jam i ndërgjegjshëm për këtë, por nuk është vetëm kjo zonjë… nuk druhem vetëm prej kësaj…

Zëri hesht një grime.

–         Pa shih sa u zbut zëri juaj, zonjë. Ju nuk e dini, kurrsesi nuk mundeni ta dini, që zëri juaj ka aromë … Unë e nuhas që prej këtej… ju duhet të jeni një grua e bukur zonjë, por mbi të gjitha, e ngrohtë… e ngrohtë, njëlloj si zëri juaj. Më lejoni t’ua them këtë dhe ju lutem, mos më keqkuptoni, mos mendoni se jam duke iu bërë korte… Jo… nuk më ka qenë asnjëherë e nevojshme t’i bëj korte një gruaje, zonjë. Po ja që e nuhas parfumin e zërit tuaj. Une di t’i dalloj me sy mbyllur këto gjëra, zonjë… Ah, më duket se nuk iu tregova që unë jam fotograf nga profesioni. Jam fotograf modelesh zonjë, thonë që jam i zoti në punën time, por më lejoni t’iu them që ju duhet të jeni krejt e ndryshme nga modelet që fotografoj unë…

–           Ashtu, e si qenkam unë, që qenkam kaq e ndryshme nga ato – ia kthen gruaja me pakëz pezm nazik në tonin e zërit.

–          Oh jo, më keqkuptuat, jua thash si kompliment këtë. Ju nuk i njihni modelet zonjë, janë të ftohta, akull… gjithmonë të uritura…  gjithmonë hundë e buzë. Modelet nuk dinë të dëgjojnë siç dini ju, zonjë… Për me tepër, ato kanë ca zëra metalikë që të gërvishtin tëmthat… njëlloj si aksesorët e e veshjeve të tyre… Unë e nuhas që ju duhet të jeni një grua në kuptimin më të vërtetë të fjalës… dhe për këtë keni të gjithë admirimin tim, ju po tregoheni kaq e mirë me mua, nuk po ma mbyllni telefonin… Siç iu thash zonjë, unë vërtet nuk e kam një qen, por tek-tuk e kam patur edhe ndonjë grua, natyrisht, asnjëherë nuk kam patur një grua si ju, me një grua si ju, patjetër që do të kisha patur një lidhje të gjatë, por kjo është tjetër gjë… E dini çfar më shkrepi në kokë kur u ktheva nga varrrimi, zonjë ? Më hipi një dëshirë e marrë, të dilja e të bleja një qen… por… nuk e kisha dhe aq të qartë çfar më duhej më shumë… nuk dija nëse më nevojitej një qen… apo një grua… ndoshta një grua… pse jo, të parën që do takoja. Tani që po e mendoj, ju jeni e para… por kjo, natyrisht, është një gjë krejt tjetër… sepse siç iu thashë, unë nuk jam duke iu bërë korte, zonjë… Ndoshta do të qe më mirë një qen. Po, po… një qen. Dreq, pse fillova të shoh edhe unë nga dera tani ?…

 

Zëri i panjohur nga ana tjetër e receptorit ka heshtur.

Dëgjohen disa zhurma të mekura, tik – taku i sahatit në mur, pastaj frymëmarrja e rregullt që tregon se të panjohurin e ka zënë gjumi.

Gruaja ul ngadalë receptorin, qëndron për disa minuta me vështrimin e ngrirë mbi një hapësirë pa trajtë, pastaj ndjen të ftohtë në shputat e zbathura… dhe ngrihet nga poltrona…

©Arlinda G. ( botuar në Gazetën Shqiptare )

 

 

 

 

 

 

                                 

 

 

 

 

Një fytyrë mbi re

15 January, 2009

face_clouds.jpg

Flokë të kërleshur, erërash,
angullijnë mbi parvazet e dritareve të mia…

ca fijëza këputen lëndimthi mbi to,
si luftetarë të papërvojë, rënë qysh në betejën e parë…

Një fytyrë mbi re,
me buzë të mbetura gjysëm-hapur,
vërtit pezullt nëpër shekuj,
një kumt të pathënë,
që nuk gjen prehje së fërgëlluari,
nëpër fytyra e trupa grash…

E unë… nuk di…
në cilin prej këtyre trupave kam jetuar…

nuk di, nëse më parë,
kam qenë një Doruntinë,
një Zhanë d’Ark,
apo një shtrigë përrallash…

Vështrimi i saj, i ftohtë, i largët,
më tret… më tkurr… më mbledh një grusht,
nuk dihet kur do ta çlirojë,
kumt-ngërçin e betontë, ngricëruar ndër buzë…

Edhe pak… dhe… si çdo natë,
muzgu do ta kaplojë të gjithën…

Sytë, flokët, kumti i padeshifruar,
do zhbëhen në një tymëz pluhuri të purpurtë
përreth një yllnaje trillane, binjakësh…

Ndërsa unë, këtu poshtë,
do rrëzoj kokën e përgjumur mbi parvaz…

Nesër,
fytyra mbi re, do t’më torturojë, sërish,
e unë… ndihem kaq e lodhur… së udhëtuari nëpër trupa të tjerë…

 

@ Arlinda G.

Pas xhamit

12 January, 2009

Ku do më lidhni ? – pyeti plaku me një zë të frikur, mërmëritës, teksa vështronte për nga një grimë, një e nga një, fytyrat e hakërryera të të rinjve. Vajzat qenë veshur të gjitha me fustan me pala dhe djelmoshat, qenë shumica me flokët e prerë shkurt, karrè. Ata qëndronin në karriget e rreshtuara pas tryezës së presidiumit, të gjithë, me nga një shprehje solemne në fytyrë.

Njëra nga klasat e shkollës fillore të qytetit ishte improvizuar, ashtu nxitimthi, në një sallë mbledhjesh. Ajo ishte mbledhja e tretë që organizohej brenda javës.

Mbledhja e parë ishte organizuar ditën e hënë. Edhe ajo kishte qenë e ngutshme. Shkak për atë ngutje, ishte bërë gjetja e një fotografie të pazakontë, të madhe, “sa një faqe muri”, në oborrin e shtëpisë së teneqexhiut të qytetit. Teneqexhiu e kishte shtëpinë përgjatë rrugës nacionale, në të dalë të qytetit S. Ajo qe një fotografi e çuditshme, krejt e ndryshme nga fotografitë apo pankartat, me parrullat tipike proletare poshtë si diçiturë, të cilat ato vite të pas-çlirimit, ngjiteshin rëndom nëpër muret që ende ruanin shenjat e predhave. Në atë fotografi të pazakontë, banorët e qytetit njohën portretin e hijshëm të Komandantit të Përgjithshëm. Komandanti qëndronte i hipur kalëqafë, mbi një turmë njerëzish të veshur me tirqe e opinga, këta të fundit qëndronin të gjithë me kurriz të përkulur. Ndonjë banor hokatar, ndoshta do të kish guxuar ta shpjegonte,  përkuljen e kurrizit të tyre, me peshën e rëndë të trupit të Komandantit… e ndoshta jo… Por kjo nuk qe e gjitha… Paçka se i hipur mbi ta, edhe kurrizi i Komandantit qe i përkulur, njëlloj si ai i njerëzve me tirqe… edhe mbi Komandantin qe hipur kalëqafë dikush tjetër, dhe dukej se ai dikushi tjetër, edhe ky i rëndë për nga pesha, qe dora vetë, Stalini, me fytyrën e tij, të qeshur e babaxhane. E kështu, në atë foto e cila të kënaqte sytë me ngjyrat e bollshme ( sytë e banorëve të qytetit S. qenë mësuar me fotot e zakonshme, bardhë zi, me një tis të lehtë, grije të tymtë ), Stalini qëndronte i hipur mbi Komandantin dhe Komandanti… mbi grumbullin e njerëzve të veshur me tirqe e opinga.

Organizata e Rinisë së qytetit, kishte lajmëruar me një shpejtësi të admirueshme, Degën e Punëve të Brendshme, kështu teneqexhiu i qytetit ishte arrestuar sa hap e mbyll sytë. Në të vërtetë teneqexhiu, fotografinë e stërmadhe në oborr, e kishte parë vetëm disa minuta përpara se të arrestohej, por kjo gjë nuk kishte kurrfarë rëndësie. Vendimi tashmë ishte marrë… nën parrullën e stër-përseritur, e cila përditë e më shumë fitonte siguri në artikulim; – Në emër të popullit !

Disa banorë bënin be e rrufe se në çastin e arrestimit, tenqexhiu kishte thërritur me të madhe se ishte i pafajshëm, se ai nuk kishte bashkëpunuar me asnjë grup armiqësor, se ai e kishte ndihmuar luftën me të gjitha llojet e teneqeve që dispononte, etj, etj, etj. Të tjerë rrëfenin se pasi deklaratat e pafajësise kishin rënë në vesh të shurdhër, teneqexhiu kishte rënë në gjunjë e kishte kërkuar mëshirë duke qarë me ngashërimë. Por e qara e tij, natyrisht nuk i kishte prekur aspak, shpirtrat e imunizuar ndaj shpërthimeve emocionale të të gjitha llojeve, të punonjësve të Degës së Punëve të Brendshme, ( Sofka, plaka njëqindvjeçare, e qytetit S., të cilën i madh e i vogël e nderonte dhe njëkohësisht i druhej, për shkak të gjuhës së mprehtë, e kishte bërë zakon ta quante “Dega e të Përbrëndshmeve” ), punonjësit e kishin rrokullisur si lëmsh teneqexhiun, në ndjenjësen e pasme, të makinës së tyre, pa ia vënë veshin stër-betimeve të tij.

Të tjerë banorë, llogjikëftohtë, kishin hedhur hipoteza, fshehtaz, përmes mërmërimash të druajtura, se ato fotografi, duhej t’i kishte hedhur një avion i huaj, i cili kishte kaluar në agim, mbi qiellin e trazuar të qytetit S. Avioni ishte i ngjashëm me avionët anglezë, të ndihmave që hidhnin ato kohë aleatët nga ajri. Gjetja në oborrin e shtëpisë së teneqexhiut, edhe e një pakoje me shiringa të ndryshkura, e kishte përforcuar edhe më shumë idenë se fotografia duhej të qe hedhur nga avioni anglez. Por ky fakt, në vend që ta çlironte teneqexhiun prej akuzave, dukej se ia bënte gropën edhe më të thellë. Përse avioni e kishte hedhur fotografinë dhe pakon e shiringave të ndryshkura pikërisht në oborrin e tij ? Mos vallë bashkë me të, anglezet kishin hedhur edhe ndonjë bashkëpunëtor të të akuzuarit ? Për punonjësit e “të përbrëndshmeve” kishte shume gjëra qe nuk shkonin në atë histori, duke filluar që nga cilësia e dyshimtë e teneqeve që kishte filluar të prodhonte i akuzuari kohët e fundit.

Mbledhja e dytë ishte kryer, ditën e martë në mbrëmje. Të rinjtë ishin mbledhur për të diskutuar e përshëndetur veprimin e guximshëm të Komandantit të Përgjithshëm, kundrejt vendimit “djallëzor” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ato vite të pas-çlirimit OKB-ja  i kishte akorduar Shqipërisë, si anëtare me të drejta të plota e kësaj organizate, një fond shpërblim, prej miliona dollarësh, për kontributin që kishte dhënë në fitoren mbi nazizmin.

Organizata e Rinisë së qytetit e kishte përshëndetur e mallëngjyer gjestin e refuzimit heroik që kishte kryer Komandanti i Pergjithshëm. Të rinjtë diskutonin të emocionuar  e plot pathos rreth çeshtjes në fjalë, ata rrëfenin se ndiheshin, thellësisht të frymëzuar prej atij gjesti të guximshem, i cili pa dyshim që do të linte gjurmë të pashlyeshme në historinë e botës.

 – Nuk i duam paratë e kapitalistëve – kishin shpërthyer të gjithë njëzëri, duke përsëritur të njëjtën fjali të kreut shqiptar. Më pas ishin ngritur nga karriget dhe kishin duartrokitur e thirrur me zë të lartë, emrin e Komandantit të Përgjithshëm.

E ashtu si pa kuptuar, brenda javës, kishin mbrritur tek mbledhja e tretë. Edhe në atë të tretën, njëlloj si në ato të mëparshmet, vendimi ishte duke u marrë njëzëri, nuk kishte asnjë kundërshtues, ndërsa abstenimi dukej se qe ende një fjalë e panjohur për modelet e flokëve, karrè.

Ato çaste që atje brenda qe duke u zhvilluar mbledhja, vogëlushja Aleksandër, ishte duke u ngritur mundimshëm në majë të gishtave. Që nga jashtë xhamave të dritares së klasës, ajo ndiqte vëmendshëm me sytë e butë e të mëdhenj lëvizjet e gojëve të oratorëve që flisnin autoritare nga tavolina e presidiumit, pikërisht në vendin ku disa orë më parë qëndronte tavolina e mësueses së saj.

Fjalët nuk arrinin t’i mbrrinin të gjitha në veshët e vegjël mbuluar me krrela, kështu për të zbuluar diçka më shumë rreth ngjarjes, vogëlushja kishte hedhur veshtrimin në fytyrën e plakut. Plaku qëndronte në këmbë me kokën e përkulur mbi gjoks, përpara tavolinës ku gojët nuk pushonin së hapuri e së mbylluri. Ai kishte një pamje të lodhur dhe supet dukeshin se kishin filluar t’i përkuleshin çuditshëm. Diku andej nga fundi, pikërisht atherë kur gojët kishin pushuar së hapuri e së mbylluri, ai e kishte kthyer vështrimin nga dritarja, pas xhamit të së cilës vazhdonin të qëndronin të puthitura, faqet e plota të vogëlushes. Vështrimet e tyre ishin takuar për një çast, pastaj plakut i kishte shpëtuar një rrekezë e njomë në cep të syrit, e cila nuk i ishte rrëzuar menjëherë poshte faqeve të fishkura, por, për një copë herë, i ishte vërtitur brenda bebëzave plot mëdyshje.

– Gjysh, gjysh, çfar po të bëjnë ? – kishte dashur të thërriste vogëlushja e alarmuar, por fjalët i kishin mbetur në grykë.

Pushteti i rëndë i gojëve, të cilat kishin fillur sërish të hapeshin e mbylleshin, me të njëjtin intensitet si më parë, nuk e kishte lënë të artikulonte fjalët. Ndjente një dhimbje të fortë në gjoks, por ishte kaq e pafuqishme të bënte diçka për të ndihmuar plakun, ndjehej e pafuqishme, veçanërisht prej njërës prej gojëve. Ajo ishte një gojë e stërmadhe me dhëmbë të ç’rregullt e cila hapej e mbyllej ca më shpesh se të tjerat. Pas çdo hapje dhe mbyllje të saj, supet e plakut përkuleshin edhe më shumë. Aleksandra nuk arrinte t’i dëgjonte fjalët që thuheshin atje brenda, por hapja dhe mbyllja kërcënuese e gojëve e kishte bërë të kuptonte se gjyshi i saj ishte në hall.

Vogëlushja kishte kaluar edhe disa minuta të tjera me fytyrën e ngjeshur pas xhamit, derisa atje brenda ishte marrë vendimi.

Plaku nuk kishte kundërshtuar, as ishte përpjekur të mbrohej, vetëm kishte pyetur me sytë përdhe se në ç’cep të sallës do ta lidhnin, atje ku disa minuta më pas, djelmoshat me flokë karrè dhe vajzat me fustan me pala do të ekzekutonin vendimin e marrë në unanimitet të plotë.

– Ta ndëshkojmë, ta ndëshkojmë… – kishte thërritur goja e stërmadhe – e pash vetë me këta sy sesi ia vodhi zilen, pelës së komandantit R. Në fillim i përkëdheli poshtë gushës, pastaj hodhi sytë përreth, dhe pasi u sigurua që nuk po e shikonte njeri, ia hoqi me të shpejtë atë.

– Ta ndëshkojmë – kishin thërritur të gjithë të tjerët njëzëri.- le t’i japim një mësim të mirë qenit.

Plaku i kishte vështruar në heshtje të gjithë, pa guxuar t’i kundërshtonte. Nuk shqetësohej për ndëshkimin se sa për fytyrën e shqetësuar të vogëlushes, që vazhdonte të qëndronte, ankthshëm, e puthitur pas xhamit të dritares. Gjëja e fundit që dëshironte, qe që vogëlushja e tij të bëhej dëshmimtare e asaj skene të papëlqyer. Ia kishte bërë me shenjë, me sy, të largohej, por vogëlushja nuk e kishte lëvizur fytyrën prej andej.

Plaku jetonte vetëm me të mbesen. I biri ishte vrarë në luftë. Ai nuk kishte arritur ta njihte të bijën, qe vrarë ca ditë përpara se të lindte vogëlushja. E si te mos mjaftonte kjo, vogëlushja kishte mbetur edhe pa nënë që ditën e parë që kishte dalë në dritë, e ëma kishte patur një komplikacion gjatë lindjes.

Plaku ishte munduar e stër-munduar që vogëlushes të mos i mungonte gjë. E ndihmonte Aleksandrën e vogël të bënte detyrat nën dritën e llambes se vajgurit, e zgjonte me fjalëza të ëmbla kur atë e zinte gjumi mbi detyra pa ngrënë darkë, i gatuante kujdesshëm gjellen e saj të preferuar, ( për fat të mirë thjerrëzat gatuheshin pa shumë shpenzime ), i plekste gershetëzat… dhe ja, pikërisht tani që gjërat dukej se kishin marrë për mbarë, ajo duhej të përballej me një skenë të tillë…

Të rinjtë u vunë të gjithë në rradhë, të gatshëm për të ekzekutuar vendimin e marrë. Rreshtin e kryesonte goja e stërmadhe, pikërisht ajo gojë qe e kishte denoncuar e i kishte çjerre plakut, maskën prej njeriu të mirë e pa vese. Plaku qëndronte i bindur në cep të salles, atje ku njëri prej të rinjve, ai më i zellshmi, ia kishte lidhur duart nga mbrapa me litar. Koka vazhdonte t’i rëndonte mbi gjoks, ndërsa të rinjtë, të paduruar, po bëheshin gati të ekzekutonin vendimin.

E para i kishte ardhur përballë goja e stërmadhe. Plaku e kishte ngritur vështrimin përgjysëm, ndërsa goja pa humbur kohë, i kishte shfryrë mbi fytyrë një shkulmë të madhe pështyme;  – Ptuu… turp të të vijë…plak i lig… – i ishte hakërryer goja gjithë perçmim. Pas saj u kishte ardhur rradha gojëve të tjera. Të gjitha, pa më të voglin hezitim, e kishin pështyrë plakun në fytyrë, kush me shumë zell, e kush me më pak, derisa rradha kishte mbritur tek një djalosh i imët, rreth të pesëmbedhjetave. Djaloshi qëndronte i heshtur në fund të rreshtit. Vetëm ai kishte mbetur pa pështyrë, por  nuk i bënte zemra t’i afrohej cepit të murit ku plaku qëndronte i lidhur. Djali përpara disa muajsh kishte punuar si çirak në shtëpinë e plakut, i kishte riparuar çatinë. Plaku kishte qenë tejet bujar me djaloshin dhe kjo, jo vetëm kur kishte ardhur fjala tek pagesa… Ndërsa ai i mendonte të gjitha këto, gojët e tjera, pa një pa dy, e kishin shtyrë brutalisht drejt cepit të murit. Ishte gjendur perballe plakut me nofullat e shtërnguara fort, dhe… vetëm sa i kishte lëvizur buzët, në përpjekje stërmunduese për të imituar zhurmën e pështymës… në të vërtetë nuk kishte patur asnjë shkulmë pështyme… Por gojës së stërmadhe, që kqyrte vëmendshëm gjithçka, nuk i kishte shpëtuar as kjo. Goja i kishte thirrur e zemëruar që nga presidiumi, më pas i qe afruar djaloshit dhe ia kishte pështyrë edhe atij, fytyrën hollake.

– Turp të kesh edhe ti që kërkon t’ia hedhësh partisë – i kishte bërtitur.

Sapo qe përmendur partia, djaloshi kishte ulur kokën mbi gjoks, njëlloj si plaku, dhe kishte heshtur… “me nje heshtje prej fajtori” do të pohonin më pas të rinjtë e tjerë.

Kur mbledhja “ia arriti qëllimit”, (kështu ishte shprehur njëri prej iniciatorëve, i cili qe edhe anëtar i organizatës së partisë së qytetit S.), të rinjtë, më në fund ia zgjidhën duart plakut.

– Tani je i lirë…  – i mërmeriti, i njëjti djalosh, i cili më parë, e kishte lidhur plot zell.

Pasi fërkoi lehtë kyçet e duarve, në vendin ku litari kishte thelluar shenjat mbi lëkurë, plaku hodhi sytë në xhamin e dritares, duke kërkuar ankthshëm atje, fytyrën e vogëlushes…

Por… nuk arriti ta shquante…

Arlinda G.