Një fytyrë mbi re

15 January, 2009

face_clouds.jpg

Flokë të kërleshur, erërash,
angullijnë mbi parvazet e dritareve të mia…

ca fijëza këputen lëndimthi mbi to,
si luftetarë të papërvojë, rënë qysh në betejën e parë…

Një fytyrë mbi re,
me buzë të mbetura gjysëm-hapur,
vërtit pezullt nëpër shekuj,
një kumt të pathënë,
që nuk gjen prehje së fërgëlluari,
nëpër fytyra e trupa grash…

E unë… nuk di…
në cilin prej këtyre trupave kam jetuar…

nuk di, nëse më parë,
kam qenë një Doruntinë,
një Zhanë d’Ark,
apo një shtrigë përrallash…

Vështrimi i saj, i ftohtë, i largët,
më tret… më tkurr… më mbledh një grusht,
nuk dihet kur do ta çlirojë,
kumt-ngërçin e betontë, ngricëruar ndër buzë…

Edhe pak… dhe… si çdo natë,
muzgu do ta kaplojë të gjithën…

Sytë, flokët, kumti i padeshifruar,
do zhbëhen në një tymëz pluhuri të purpurtë
përreth një yllnaje trillane, binjakësh…

Ndërsa unë, këtu poshtë,
do rrëzoj kokën e përgjumur mbi parvaz…

Nesër,
fytyra mbi re, do t’më torturojë, sërish,
e unë… ndihem kaq e lodhur… së udhëtuari nëpër trupa të tjerë…

 

@ Arlinda G.