Sikur qentë…

20 January, 2009

–           Alo, Greta ?

–           Jo zotëri, nuk jam Greta, keni gabuar numër …

–          Ah… më falni… unë… kërkoja Gretën…

–         Nuk ka asnjë Gretë këtu zotëri… natën e mirë !…

–          Natën e m…

Receptori ulet në mbajtëse përpara se zëri i të panjohurit të mbarojë fjalën.

Gruaja zvarrit pantoflat ngadalshëm, lëshon perdet e rënda, shuan dritën dhe drejton hapat për në dhomën e gjumit.

Zilja e telefonit tringëllin sërish, sapo ajo ka hapur derën e dhomës së gjumit.

–          Uf… – shfryn e bezdisur, ndërsa zilja e telefonit është ndërprerë së rëni. Gruaja i ka ndalur hapat mëdyshas në korridor. Qëndron një grimë pa lëvizur, e gatshme për t’i ri – drejtuar hapat drejt dhomës së gjumit, por zilja e telefonit fillon të bjerë sërish. Kësaj here tringëllima është më këmbëngulëse. Gruaja i afrohet telefonit dhe e ngre me të shpejtë.

–         Alo Greta ? – pyet i njëjti zë i panjohur.

–         Jua thash njëherë zotëri, nuk jam Greta, keni gabuar numër…

–          Ah… nuk jeni Greta…  sa mirë që nuk jeni ajo… e dini, Greta është personi i fundit me të cilin dua të   flas sot…

Gruaja ulet në poltronë, ndërsa bën një gjest të paduruar me duar.

–         Po atherë… përse e kërkoni, kur nuk doni t’i flisni ?

–          Shikoni… është çështje pakëz e ndërlikuar… e gjatë dhe e ndërlikuar… a do të kishit pak kohë për mua, zonjë ? Nëse po… une do t’ua tregoja me qetësi si qëndrojnë punët…

–          Jo më vjen keq zotëri, nuk kam kohë të degjoj historinë tuaj, është ora një pas mesnate…natën e m

–         Zonjë, zonjë, mos e ulni receptorin… ju përgjërohem… jam në një gjendje tmerrësisht të keqe, kam nevojë të flas me dikë, ju duhet të më dëgjoni…

Gruaja e cila sapo është bërë gati të ulë receptorin në mbajtëse, mbetet me dorën pezull në ajër…

–          Ja, për të mos ju humbur kohë po nis t’ua tregoj shpejt e shpejt se si qëndrojnë punët… Kam nevojë të flas me dikë sot… Më kuptoni ? Përndryshe do çmendem… ju më kuptoni apo jo ? Jam i sigurt që po… përndryshe, do ta kishit mbyllur telefonin me kohë… Shikoni si qëndrojnë punët, zonjë… Fqinji im vdiq… dje…. Vdiq, më kuptoni ? Mbaroi sa hap e  mbyll sytë… Nuk kishte vuajtur më parë nga asnjë sëmundje, por vdiq… i vetëm, në apartamentin e tij të madh… E gjeta të ngrirë në kolltukun e lekurtë, përpara televizorit… krahët i ishin lëshuar të dorëzuara poshtë… trupi i ishte nxirë. Vetem qeni kuiste i trishtuar, me kokën mbështetur tek këmbët e të zotit, ( ato ende mbanin mbathur një palë pantofla shtëpie, zonjë )…  Kurse televizori i ndezur, jepte të reja nga bota e vipa – ve… Më kuptoni, zonjë ? Të reja nga bota e vip – ave ! Fqinji im jetonte i vetëm, nuk kishte të afërm dhe unë, nuk kisha parë asnjëherë ta vizitonte ndonjë mik. Sot u bë varrimi… Në varrimin e tij ishim vetëm unë dhe qeni i tij… Nuk është se e njihja shumë fqinjin tim, ishim takuar disa herë në tarracë, kur frynte ndonjë stuhi e madhe dhe antenat e televizorëve lëviznin prej vendit… Ai fliste pak, zonjë…  shumë pak… Në të vërtetë, edhe unë, nuk është se jam ndonjë orator i madh… por ai fliste me të vërtetë shumë pak, më pak se unë… dhe unë, siç iu thashë, nuk dija shumë rreth tij… Ah… nuk iu thash më kryesoren, edhe unë jetoj vetëm, zonjë… vetëm fare, natyrisht që flas me shumë se fqinji im, por nga ana tjetër, nuk kam as edhe një qen që të kuisë për mua, nëse papritur… ju më kuptoni… nëse papritur, pulsi im ndalon së rrahuri. Po ku e kisha fjalen ?

–          Te varrimi zotëri…

–          Ah po, shumë e vëmendshme zonjë, komplimentet e mia. Më falni se jam shumë i turbulluar sonte… Nejse… Unë dhe qeni shkuam të dy në varrim. Punonjësi i varrimit vërtiste nëpër gojë, i bezdisur, një çëmçakëz, më pas e frynte dhe e bënte tullumbace përpara fytyrës… unë ndërkohë i lexoja fjalimin qenit. Nuk e njihja mirë fqinjin tim zonjë, se siç iu thashë, ai fliste pak, dhe unë… nuk jam aq gojëkyçur sa ai, megjithëse nuk e  kam një qen… Megjithatë… fjalimin ia përgatita për të qenë, një fjalim si për një zotëri të vërtetë, sepse i tillë dukej fqinji im zonjë… edhe pse unë e njihja pak… shumë pak… Ndërsa une lexoja fjalimin, qeni i ulur përtoke mbi dy këmbët e parme, miratonte në heshtje gjithçka që unë lexoja për të zotin e tij. Sa mirë, zonjë, kur ke dikë që të miraton në heshtje gjithçka që thua… Punonjësi i varrimit shikonte herë pas here orën i paduruar… Ngutej… Nuk i vura faj për këtë, mësova se  pak me vone kishte një varrim tjetër… M’u dhimbs. Ajo e tij, sigurisht që nuk është një punë e lehtë, kështu une i shkurtova dy paragrafe nga fjalimi. Ju betohem që nuk ishin dhe aq të rëndesishëm zonjë, zotnillëku i fqinjit tim kishte dalë qysh në paragrafët e parë të fjalimit, pikërisht ato paragrafe që qeni i miratoi me sy. Qeni më shikonte me ca sy që i  lëngëzonin mirënjohje, duhej ta kishte dashur shumë të zotin e vet… kurse punonjësi i varrimit vazhdonte të me shikonte i bezdisur… edhe pse unë… për hir të tij  i shkurtova dy paragrafët… Ç’mosmirënjohje !

Pastaj tullumbacja e çëmçakëzit i plasi mbi fytyrë… Unë ndërkohë e kisha mbaruar fjalimin. Punonjësi i varrimit  filloi të hidhte rrëmbyeshëm, lopata dheu mbi fqinjin tim, ndërsa qeni kuiste mekur…

–           Më ndiqni zonjë ?

–          Po, po, jam duke ju ndjekur…

–          Sa ndryshoi zëri juaj, zonjë… u bë si i sfungjertë… Kam frikë se po hallakatem dhe nuk po iu tregoj atë më të rëndësishmen… Po vazhdoj rrëfimin më mirë, edhe pse më duhet ta pranoj që zëri juaj tani më shpërqëndron…  Në një copë letër, lënë mbi tavolinën e tij, të punës, ishte shënuar një numër telefoni dhe një emër përbri… Greta shkruhej aty. Nuk e di çfar e ka patur Gretën fqinji im, por druhem shume ta marr në telefon dhe t’i them që ai vdiq… Ndoshta është e bija, kam dëgjuar vagullt njëherë nëpër shkallë se fqniji im kishte një bijë të paligjshme, besoj se ju më kuptoni ç’dua të them me këtë, zonjë…

–           Po, po ju kuptoj fare mirë…

–           Nuk di si t’ia jap lajmin Gretës, pastaj, edhe qeni…

–           Çfar ka qeni ?

–          E kam marrë këtu në shtëpinë time, zonjë, por ai nuk pranon të hajë asgjë, hedh herë pas here vështrimin nga dera… Ka ca sy të trishtuar zonjë… që të pikojnë në shpirt. Për shkak të tij, sonte i kam kthyer disa gota. Po të mos i kisha kthyer, tani ndoshta edhe unë do të isha duke parë nga dera. Kaq shumë me dhimbset… Sikur qentë të pinin alkool, zonjë !…

–           Epo, ju duhet ta merni patjetër në telefon këtë Gretën  zotëri…

–           Po po jam i ndërgjegjshëm për këtë, por nuk është vetëm kjo zonjë… nuk druhem vetëm prej kësaj…

Zëri hesht një grime.

–         Pa shih sa u zbut zëri juaj, zonjë. Ju nuk e dini, kurrsesi nuk mundeni ta dini, që zëri juaj ka aromë … Unë e nuhas që prej këtej… ju duhet të jeni një grua e bukur zonjë, por mbi të gjitha, e ngrohtë… e ngrohtë, njëlloj si zëri juaj. Më lejoni t’ua them këtë dhe ju lutem, mos më keqkuptoni, mos mendoni se jam duke iu bërë korte… Jo… nuk më ka qenë asnjëherë e nevojshme t’i bëj korte një gruaje, zonjë. Po ja që e nuhas parfumin e zërit tuaj. Une di t’i dalloj me sy mbyllur këto gjëra, zonjë… Ah, më duket se nuk iu tregova që unë jam fotograf nga profesioni. Jam fotograf modelesh zonjë, thonë që jam i zoti në punën time, por më lejoni t’iu them që ju duhet të jeni krejt e ndryshme nga modelet që fotografoj unë…

–           Ashtu, e si qenkam unë, që qenkam kaq e ndryshme nga ato – ia kthen gruaja me pakëz pezm nazik në tonin e zërit.

–          Oh jo, më keqkuptuat, jua thash si kompliment këtë. Ju nuk i njihni modelet zonjë, janë të ftohta, akull… gjithmonë të uritura…  gjithmonë hundë e buzë. Modelet nuk dinë të dëgjojnë siç dini ju, zonjë… Për me tepër, ato kanë ca zëra metalikë që të gërvishtin tëmthat… njëlloj si aksesorët e e veshjeve të tyre… Unë e nuhas që ju duhet të jeni një grua në kuptimin më të vërtetë të fjalës… dhe për këtë keni të gjithë admirimin tim, ju po tregoheni kaq e mirë me mua, nuk po ma mbyllni telefonin… Siç iu thash zonjë, unë vërtet nuk e kam një qen, por tek-tuk e kam patur edhe ndonjë grua, natyrisht, asnjëherë nuk kam patur një grua si ju, me një grua si ju, patjetër që do të kisha patur një lidhje të gjatë, por kjo është tjetër gjë… E dini çfar më shkrepi në kokë kur u ktheva nga varrrimi, zonjë ? Më hipi një dëshirë e marrë, të dilja e të bleja një qen… por… nuk e kisha dhe aq të qartë çfar më duhej më shumë… nuk dija nëse më nevojitej një qen… apo një grua… ndoshta një grua… pse jo, të parën që do takoja. Tani që po e mendoj, ju jeni e para… por kjo, natyrisht, është një gjë krejt tjetër… sepse siç iu thashë, unë nuk jam duke iu bërë korte, zonjë… Ndoshta do të qe më mirë një qen. Po, po… një qen. Dreq, pse fillova të shoh edhe unë nga dera tani ?…

 

Zëri i panjohur nga ana tjetër e receptorit ka heshtur.

Dëgjohen disa zhurma të mekura, tik – taku i sahatit në mur, pastaj frymëmarrja e rregullt që tregon se të panjohurin e ka zënë gjumi.

Gruaja ul ngadalë receptorin, qëndron për disa minuta me vështrimin e ngrirë mbi një hapësirë pa trajtë, pastaj ndjen të ftohtë në shputat e zbathura… dhe ngrihet nga poltrona…

©Arlinda G. ( botuar në Gazetën Shqiptare )

 

 

 

 

 

 

                                 

 

 

 

 

7 Responses to “Sikur qentë…”

  1. HenaBlu Says:

    Ate “bej korte” beje “vardisem” se korte ne shqip nuk ka kuptim dhe “komplimentat” beji “pergezime”.

    Sa i perket tregimit, e lexova me nje fryme. Konstatova se ke mberritur ne nje tjeter nivel. E kam thene dhe njehere, tjeter mirepo nuk eshte faji im qe niveli eshte gjithnje ne rritje. Pra Arlinde e dashur, kjo eshte proza me e bukur qe kam lexuar nga ti! Po te te kisha perballe do te te beja nje duartrokitje te gjate!

    Falenderoj per kenaqesine qe me dhe…
    -a-

  2. flokenaja Says:

    Hi henez, ku paske humbur ti ?
    Ke te drejte per ato fjalet e huaja, duhet t’i ndryshoj e t’i bej shqip, puna eshte se ajo korte sikur me venit ngarkesen emocionale kur perkthehet ne vardisem… por do e mendoj…

    Te falenderoj per vleresimet dhe qe me viziton.
    Arlinda

  3. eni Says:

    ke nje stil shume terheqes Flok.
    pergezime.

  4. flokenaja Says:

    Flm Eni!

    Me bej edhe ndonje vrejtje please… ja psh. nese ka ndonje fjale qe nuk tingellon shqip aty…. ma thuaj se me ndihmon…

    Mirese u ri-kthefsh🙂

  5. ledias Says:

    shume e bukur proza te pergezoj. kam lexuar shum nga ty flok. me terheqin shkrimet e tua shume elegante

  6. flokenaja Says:

    Te falenderoj Ledia !
    Cfar nicku ke te peshku ti ?🙂

  7. Vali Says:

    Nje refim i mbrekullueshem” korte” shkon shume mire dhe me lajka
    Gjendja dhe dialog i vecante me stil Mu duk sikur po lexoja Cvajg


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: