American Democracy
15 April, 2009
Delja,
rënkoi bark-gërryer,
grahmat e fundit… shuhtaz…
Buzë – dridhur, bariu i vogël, i mbylli sytë,
e kokën, mënjanë e ktheu, shpirtlëshuar,
kur ajo, për të fundit herë, përpëliti këmbët…
peng-mbetur… që shkoi pa u bërë nënë…
Qengjin,
një predhë, ia shqeu prej plaçentës, pa mëshirë…
Një predhë……e ardhur… prej andej,
nga ku, dikur… vinin dallëndyshet…
një predhë… sipër së cilës shkruhej me bojëra optimiste;
American Democracy…
©Arlinda G.
Krater
15 April, 2009
Qielli u plak,
zogjtë ikën pa përshëndetur…
pemët çelën sythe të ligur, ngjyrë tymi…
e kollitën në ajër, aromë baruti…
shkrumbi iu mpik brenda palcës,
si reumatizëm e vjetër, në kockat e pleqve…
Qielli u thinj,
u lodh,
u mpak,
…u bënë kohë që njerëzit nuk ia drejtojnë vështrimin…
©Arlinda G.
Kuadrat
5 April, 2009
Jeta,
e ndarë në kuadratë…
si një çokollatë…
ca të ëmbël.. ca të hidhur…
… ndonjë,
e kapton fare pa pertypur…
©Arlinda G.