Kohë për të vrarë

18 July, 2009

painted-woman-window-frame.jpg
 
Po bëhet vonë,
më duhet të të vras tani,
qyteti meit, përgjon pas dritareve,
fjalët e fundit…
 
ka kohë që projektoj vdekjen tënde,
shënoj me mend një nyjë në tëmthin tënd, të djathtë,
atje ku duhet të mbështes armën,
që të të vras…
 
 e pastaj të iki…
se nuk kam kohë të të mbyll sytë,
se nuk kam kohë as të të qaj…
 
e ti, ti nuk ke si ta dish ç’përtyp në mendje,
unë, xhelati yt ,
ti vetëm ngre supet pafajësisht,
e po aq pafajësisht,
më sy-qesh…
 
po unë kështu nuk të vras dot…
i haroj në çast planet e ekzekutimit,
dhe shprish me buzë nyjëzën mbi tëmth,
gjaku çlirohet nga ngërçi,
e ç’mpiket prej ngrohtësisë…
 

e megjithatë, sonte më duhet të të vras,
patjetër…
ç’pres akoma ?
katedralet e kumbuan gongun final,
erdh’ koha ta shkrep këmbëzën,
ndaj, të ndaloj të më qeshësh…
 
erdh’ koha të të vras,
pa zhurmë… pa bujë…
me slienciator të harresës…

© Arlinda G.

Advertisements

…..

6 July, 2009

456.jpg

Kinema e vjetër

3 July, 2009

 Ismail Kadare
 
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur,
Ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
Ku në pushimet e seancave
S’shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
Megafonët prishur,
Stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
Nga dera e vështroj
Plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
Kinema e rrëmujës,
Kam parë aq vende,
Kam parë aq salla,
Por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë,
Sa tek ti,
E shtrenjta barakë,
E rralla!
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani.
 
Për të njëjtin film tek njëra afishe
Shkruhej titulli ndryshe,
Te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s’i prishte.
 
T’i falnin ty të gjitha,
E dashura,
E vjetra.
 
Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore.
 
Bota fund s’kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.
 
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane.
 
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola ku janë ulur varg
Ditët e fëminisë,
Cicëronjëse gjithmonë
Si një rresht zogjsh
Mbi një tel telefoni.
Kinema e vjetër,
 
Kinema e braktisur,
Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
Në çdo vend që të vete
Si hamall këto stole
Do t’i marr me vete.
 

Nën shi…

2 July, 2009

 pl004.jpg

Po ç’të të them tjetër, mikja ime ?…
ti vazhdimisht kërkon lajme nga unë,
si të duash të mbushësh me to,
humbëtirat tona, siamese…

E unë s’di ç’të them më…
përveç faktit që sot,
pemëve tek Rruga e Liceut,
rrebeshi ua shqeu krahët…
( nesër punëtorët e bashkisë do t’i fashojne, e hedhin në allçi
ndërsa ato do klithin heshturazi prej dhimbjes… )

…piktori i portreteve “me çmim të arsyeshëm”,
kish braktisur ca telajo, rrëzuar sëmbueshëm mbi trotuar;
( një sy të mjegulluar gruaje që pikonte bojë,
dy buzë fëmije,
e një kurriz plaku… që tretej e tretej… nën shi… )

Ah… po… për pak harrova…
sot, një i panjohur,
më ndihmoi të kapërceja rrëketë e frikshme mbi asfalt,
pasi unë kisha pritur gjatë… shumë gjatë… para tyre,
duke matur e stër-matur me sy, vendin ku duhej të shkelja,
oh… ti e di… që unë nuk shkel kund pa llogaritur më parë…

Ç’të them tjetër ?…

Në mbrëmje,
fletët e votimit, si pëlhura Penelope,
do vazhdojnë të numërohen, përtueshëm…

ndërsa une do vë kokën në jastëk,
pasi të kem dëgjuar edhe lajmet e fundit,
duke psherëtirë për të fundit herë,
për sandalet e mia, të këputura, ngjyrë rozë…

pastaj do mbyll sytë,
pa ëndra…
si një ekran bosh që nuk merr asnje stacion,

…ëndrat… u shitën të gjitha… te shumica…

© Arlinda G