Rrëfenjëza me autobuz…

4 September, 2009

( Një foto çasti shkrepur Tiranës, pa fotoshop e ngjyra të stisura… )

I

Jam ulur në ndenjësen e autobuzit. Shikoj vazhdimisht nga dritarja. Është një lloj imuni për ta zhvendosur vëmendjen prej gjullurdisë së zakonshme përbri meje. Njerëz që shtyhen, bërtasin, shajnë ; qeverinë, Ramën dhe fatorinon.

Unë nuk e kthej kokën për asnjë çast nga ata, e kam urdhëruar veten të mendoj për gjëra të bukura. Dhe një ndër këto gjëra të bukura është një libërth të cilin mezi pres ta shfletoj.

E nxjerr librin nga çanta dhe e zhvendos  shikimin prej dritares.

Pemët vazhdojnë të zhvendosen përtueshëm. Po aq pertueshëm përtypet dikush pas veshit tim. Ai po ha një misër. Por nuk ia shkërmoq kokrrat që pastaj t’i fusë në gojë. Kthej kokën përgjysëm, ashtu si pafajshëm dhe e shoh se si e çapëlen gojen e se si është lyer vesh me vesh me të zezën e misrave.

E mbyll librin dhe e fus sërish në çantë. Në çast më ka ikur dëshira për ta shfletuar.

Misri ndërkohë ka fluturuar nga dritarja.

Nëse doni ta dënoni me vdekje një shkrimtar, shfletojeni librin e tij në prani të dikujt që mbllaçitet, rezultati është mbrëselënës. Sa herë që do dëgjoni për këtë autor nëpër media, do t’iu kujtohet shfletimi i parë me personin që mbllaçitej në sfond dhe nuk do iu bëhet më të lexoni asnjë rresht prej tij…

Përbri meje tani është ulur një zonjë në moshë. Ndoshta është gjashtedhjetë vjeç ose shtatëdhjetë. Më pëlqejnë shumë zonjat që nuk e tregojnë moshën. Kanë një lloj klasi qe u mungon të rejave të sotme.  Në këmbë thuajse ngjitur me ne qëndron një vajzë e re, e bëshme.Të gjitha këto unë i shoh shkarazi, shikimin ia kam ngulur dritares sërish.

– Ejani uluni këtu- i drejtohet me një zë të druajtur zonja në moshë vajzës së bëshme

Vajza e sheh e habitur, nuk flet fare.

– Jeni shtatzënë apo jo ? – i thote zonja me zë akoma më të mekur. Vajza buzëqesh dhe mohon me kokë. Edhe unë buzëqesh. Zonja në moshë ndihet keq. Kthehet nga unë dhe më thotë me një vështrim të përulur që më çarmatos por edhe më pikëllon shumë… nuk di pse…

– Çfar… bëra gabim… po une kujtova se qe shtatzënë… të më falni se nuk doja ta fyeja.

Shikimi i saj eshte aq i përulur, aq delikat, aq i sinqertë, sa unë seç ndjej një dëshirë ta përqafoj. Në fakt nuk bëj asgjë nga këto. Maska  që përdor shpesh për të fshehur emocionet më është bërë tashmë një fytyrë e dytë. Mezi nxjerr një kompliment.

– Jo zonjë, përkundrazi – ia kthej, – sikur të ishin të gjithë kaq të vëmendshëm sa ju.

U duk se nuk e priste komplimentin. Më vështroi një copë herë drejt në sy me vështrimin e saj, të drojtur që mua vazhdoi të më pikëllonte edhe më shumë, pastaj më falenderoi me gjysëm zëri.

Kur u afrua stacioni, u ngrit me gjeste të kujdesshme të mos shkelte njeri dhe zbriti. Ecte ngadalë, sikur të kishte frikë se lëndonte pllakat e trotuarit.

E ndoqa me sy derisa humbi në një kryqëzim.

Dua te plakem si ajo !

II

Jam sërish në autobuz. Ka shume pak njerëz. Gjë e rrallë. Diku andej nga fundi dëgjohet një e qeshur e fortë. Kthej kokën; tre gra që duhet të jenë rreth të pesëdhjetave ose ndoshta më pak, padyshim duhet të tregojnë me shumë se ç’jane, ( nuk është faji i tyre në fakt ), ia kanë kërcitur bisedës me zë të larte, flasin në dialekt verior. Po japin shfaqje për të gjithë autobuzin

– Të n’a hajë m**** Edi Rama, të n’a e hajë edhe socialistja. Ne të veriut kemi sunduar e do sundojmë gjithmonë. Ju të tjerët jeni m****…  n’a drejtohet ne pasgjerëve. Nuk jeni të zotë hiç, ne erdhëm që nga ana e anës dhe iu vumë pistoletën në fyt. Ua morrëm tokat dhe po ju komandojmë. Jemi te zote s’keni ç’na bëni.

Ajo vazhdon të qeshë me zë të lartë e të thërrasë si e ndërkryer.

E pasojnë në kor të tjerat.

Unë zbres një stacion përpara.

III

Është mëngjes. Sërish në autobuz. Në ndenjësen përpara meje është ulur një burrë i moshuar me borsalinë dhe me disa qeska në dorë. Duhet të ketë dalë që me natë për t’ i bërë pazarin gruas.

Autobuzi ndalon papritmaz dhe fatorino, një biond flokëdjegur, me një model flokësh asimetrik, fillon të bërtasë fort.

–       Hajde zbrisni shpejt, shpejt, hipni tek autobuzi tjetër se ne do kthehemi, deri këtu jemi…

Njerëzit fillojnë të zbresin me nxitim, të gjithë kokëulur. Askush nuk proteston. Të fundit çohemi unë dhe burri i moshuar me borsalinë. Ai mbledh qeskat me kujdes por gjithashtu është aq xhentil sa të mos harojë të më lërë mua të kaloj më parë…

Unë e falenderoj me kokë.

Zbresim.

Ndërsa flokëdjeguri vazhdon të thërrasë; – Shpejt, shpejt !… Dhe mua nuk di pse e thirrura e tij më bëhet; – Shnel, shnel !…

Befas ndaloj këmbët m’u përpara tij dhe i them ;

– Po mirë mor zotëri ( këtu e teprova e di ) , po ç’kusur kemi ne të shtypemi se të ndërohet mendja ty ?

– Po unë për mirë e kam, që të mos vonoheni, – thotë ai, – pa të jetë për mua, hajde rri me mua tek autobuzi bosh…

Sytë i marrin një dritë të shëmtuar. Unë vuvosem, nuk e di pse nuk arrij t’ia kthej, mbase prej faktit që duhet të shpejtoj se mos më ikë dhe autobuzi tjetër.

Por burri me borsalinë i cili e ka dëgjuar të gjithë dialogun tonë kthehet nga fatorinua dhe i thotë;

–       Apo ç’je dhe fytyrë e bukur ti !…

Njerëzit në autobuz qeshin të gjithë. Ajo e tyrja është një e qeshur çliruese, dukej se prisnin një sinjal, është një lloj hakmarrje ndaj mënyres kafshërore me të cilën trajtohen kur marrin dhe paguajnë shërbimin e transportit publik.

– Ç’ia bëre mirë – i thotë një zë nga fundi.

Autobuzi niset dhe lë pas fytyrën e ngërdheshur keqaz të fatorinos i cili nuk ka mundur të replikojë burrin me borsalinë.

Sa keq që përditë e më pak gjen gra si zonja elegante në autobuz, dhe burra, si burri me borsalinë. Duket se vendin e tyre po e zënë pijanecët me sy të kuq që të shohin neveritshëm, që të drejtohen pa pikën e respektit me ; “oj teee” ose “na mi ti”, etj etj.

Unë nuk dua të di nëse gruaja elegante dhe burri me borsalinë votojnë për partinë komuniste apo për atë fashiste, unë nuk dua te numëroj as  tabutë e tyre ( nëse kanë ), unë nuk dua të di as se në ç’shkolla të Lindjes kanë studiuar, më mjaftojnë gjestet e tyre, të lëmuara, elegante,  për të shkruar këto rreshta… dhe për t’u thënë një faleminderit të madhe…

Faleminderit që ekzistoni… edhe për pak….

© Arlinda G.

5 Responses to “Rrëfenjëza me autobuz…”

  1. un Says:

    Arlinda,
    Nuk do ta komentoj shkrimin, ndoshta njehere tjeter. Por nese deshiron, e nese ke kohe, mund te lexosh nje tregim shume te bukur, te shkurter, te autorit te njohur amerikan William Vollmann. Gjendet diku ne shqip. Nese deshiron, me shkruaj dhe ta dergoj.
    Tregimi i Vollmann ka te njejtin kuader me tendin : nje baba me nje vajze te vogel jane ne nje tren, ne Los Angeles. Befas, ne tren ngjiten ca zezake. Dhe aty ndodhin gjera. Dhe qe eshte mire te lexohen, thjesht per krahasim.
    Ne lidhje me ndonje keqkuptim, ato jane te pashmangshme nganjehere, por e rendesishme eshte te dihet te kalohet persiper tyre.
    Te uroj suksese, dhe nje dite te mbare.
    un

  2. xhenius Says:

    E dashur!

    sa shume te kuptoj,por,shoqerite e vemendeshme nuk egzistojne me,

    “le buone maniere” jane theeeeeeeeeeelle ne pusin e indiferences:( ciao!

  3. peshperitesi Says:

    Eh moj engjellore

    I kam dy tre gjera per ti shkruar ketu.
    Se pari me duhet te te them se keto dite kam botuar ne blogun tim nje shkrim pak a shume te te njejtit format. Rastesi e cuditshme vertet, sepse vetem tani po e lexoj shkrimin tend.

    Dy tre gjera per shkrimin :
    Me pelqen fjala borsaline
    Kete bjondin flokedjegur me duket se e kam parasysh. Eshte tek autobuzi i unazes dhe quhet Blerim. Kemi biseduar nje here gjate e gjere per bilardistet nga Hondurasi. ( Ok edhe une e urrej 😛 )

    Tani gjeja me e rendesishme ( dhe ketu po flas seriozisht ) per mendimin tim, nuk eshte vete personazhi qe ti krijon ( ose thjesht rrefen ), por moskokecarja per ta bere nje gje te tille.
    Pra aftesia per te qene paragjykuese, ose gjykimi perselargu. Dikur me kane kryqezuar per paragjykim ndaj taksisteve, por ja qe une ende i kam inat ( paragjykim padyshim )

    Me pelqeu !

  4. flokenaja Says:

    Prato, mua me kryqezuan tek peshku per kete shkrim, dmth me kryqezuan eshte pak te them, lexo pak ketu, por disa postime jane fshire;

    http://www.peshkupauje.com/2009/08/rrefenjeza-me-autobuz

    gje qe me beri ta mbyllja njehere e mire llogarine nga peshku por me sherbeu te shkruaja kete:
    http://flokenaja.shqipo.com/2009/08/17/kenga-e-pakenaqur-e-bulkthave/

    prato, e di c’me beri nje dite vaki ketu tek puna, nje taksist idiot i cili kishte marre vesh qe isha nga “ana e tij”, vjen dhe me thote; te te jap kartvizitat dhe me gjej kliente meqe paska shume te huaj ketu.. Ia kthej ; jo mor zoteri nuk merrem me ate pune, kur me duhet taksi per vete kam ke therras, e cfar beri ai thua ti? me keputi pesqind e nje ne sy te te gjitheve; turp te kesh qe me ke “nga ana” e nuk me ndihmon etj etj… njeri me te trashe nuk me kishin zene syte… nese do beja nje shkrim per te do isha po aq me e pameshirshme sa me shkrimin ne fjale… e ne mos me shume…

    Puna eshte se une nga natyra jam kritike, edhe veten time e shoh shpesh me sy kritik… ndonjehere neper festa familiara me qellon te bej edhe ironi me te kaluaren e gjysherve e stergjysherve te mi :P, keshtu jam une :P, dhe kjo nuk ka te beje me paragjykimin, por me c’mitizimin… apo me gjetjen e nje pasqyre qe te thote te verteten… ne shqiptaret vuajme shume prej fenomenit “struc”… te te futurit te kokes ne rere…

  5. peshperitesi Says:

    Ok i hodha nje sy te shpejte komenteve ne PPU ; kuptohet u mjaftova me 10 apo 15 te paret per te kuptuar ( paragjykuar ) vazhdimin 😛
    PPU ka kohe qe eshte ne degradim e siper…ke bere mire qe ke hequr dore.

    Per kete historine me taksistin te falenderoj. Ne nje fare menyre ndihem i perkedhelur kur paragjykimet e mia gjejne argumenta reale.
    Haha…megjithese me duhet ta pranoj, eshte pak weirdo te jesh “taksistofob” 😛

    Se fundmi po te them se jam aq i “paskrupullt” sa te ironizoj edhe une me cdo gjysh dhe gjyshe por duke perjashtuar te mite ; qe me kenaqin me histori partizanesh 😀


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: