Pakt

15 October, 2009

aa008666.jpg

Ne flasim për motin,
ekspresin e mëngjesit…

shtojmë pak politikë,
sa për të trembur metaforat dhe retiçencat,
që flatrojnë turbulltaz nëpër fjalë…

pastaj heshtim…

unë gjithmonë shtirem se nuk i dëgjoj,
ato goditje të mbytura,
që të shurdhohen brenda kraharorit…

e ti, asnjëherë nuk më thua,
që aty,
brenda një poezie,
je duke më mbytur, e dashur, njëherazi…

kuptohemi kaq mirë, në heshtje ne të dy,
ndërsa vrasim ditët nga pak,
nën këte pakt të pashkruar…


Ne flasim… për motin,
trenat e humbur,
gështenjat e pjekura…

shtojme pak politikë,
sa per të zh’bërë ngrohtësinë e pasofistikuar të frymëve,
që veshin suprinën e akullt, të xhamit…

Pastaj heshtim…

e ashtu heshturazi,
une kam kaq frikë të të mbështes kokën në krahor,
e të mësoj ç’shkruan për mua atje brenda…

© Arlinda G.

Advertisements

Shteti i nënqeshur

14 October, 2009

( Botuar tek: “Gazeta”, 14.10.09 )

Zoti e kishte ngarkuar me një detyrë të rëndësishme. Detyra ishte sa e veçantë aq edhe delikate. Nga përmbushja e saj me sukses varej ngjitja e shkallëve të karrierës së tij, të ardhshme.

Ai kishte pak kohë që kishte filluar punë në Departamentin Qiellor. I kishin dhënë një vend pune modest, e të parëndësishem, por si fillim nuk ishte keq. Atë punë ai e kishte fituar me djersën e ballit, me mund, përkushtim, servilizëm ( ky i fundit, në Tokë, çante detrat, ndërsa atje lart; qiejt ).

Siç ndodh rëndom gjatë prezantimit të një punonjësi të ri, ( aq më tepër kur ky i fundit emërohet në një vend pune, aspak të rëndesishëm ) kolegët e kishin pritur ftohtë. Edhe në ajër ndihej shpërfillja e hapur ndaj tij.

Tek porta e hyrjes qe vendosur një tabelë e shkruar me gërma të mëdha e të ndritshme: ″ADMINISTRATA E PUNËVE QIELLORE″.

Kurrë nuk ia kishte marre mendja që Administrata e Punëve Qiellore të ishte aq e madhe në numër. Punonjësit e kësaj administrate punonin të gjithë me fytyrën fshehur pas kompiuterave, ( këta ishin të gjithë modernë, siç dukej edhe Zoti ia luante fenë  piraterisë qiellore ). Që nga dita kur kishte filluar punë në Departamentin Qiellor, ai nuk e kishte takuar asnjëherë Zotin. Për Të, flitej gjthandej, por ai thjesht nuk e kishte patur fatin. Sa zili i kishte disa syrsh që komunikonin gjithë ditën me Të.

Por çasti i shumë ëndëruar më në fund kishte ardhur.

Një ditë të lumtur për të, Zoti e thirri në zyre për t’i komunikuar detyrën delikate. Ai deshi t’i puthte duart, kësaj here jo për servilizëm, por për faktin që vetë  shefi i madh e kishte  begenisur, por ishte përmbajtur e nuk e kishte bërë.

Zoti kishte një fytyrë të palexueshme…

I komunikoi detyrën në mënyrë të qartë, e të koncentruar, pa lëvizur asnjë muskul në fytyrë. Do përgjonte ëndrat e grave. Sipas Zotit, atje në Tokë, disa krijesa ishin duke kurdisur lloj-lloj komplotesh. Departamenti Qiellor duhej të ishte gjithmonë i informuar rreth trilleve tokësore, e ato mund të mësoheshin lehtësisht, nëpërmjet ëndrave të grave të komplotistëve.

Ai hapi bllokun dhe mbajti shënim çdo fjale të Zotit.

Me një shprehje solemne në fytyrë ai shkruante në kllapa: “heshtje”, në rastet kur Zoti bënte pushim midis fjalive.

Më vonë doli nga zyra e Tij me kokën lart, duke u hedhur një vështrim shpërfillës të tjerëve që prisnin në rradhë përpara zyrës së Tij.

Filloi menjëhere nga puna. Shfletoi me vëmendje të gjithë materialin që i kishte dhënë njëri prej asistentëve të Zotit. Në materialin shumë-faqësh lexoi një listë të gjatë emrash femërorë. Ai vuri kufjet në vesh. ( Departamenti Qiellor kishte një program të veçantë për përgjimin e ëndrave ). Nga zelli i madh që e karakterizonte, ai filloi njëherësh përgjimin e dy individeve femra, në dy kontinente të ndryshme: Afrikë dhe Europe.

Rezultati e la gojë-hapur…

Të dyja ato individe, në dy cepat më të largëta të Tokës, ëndëronin të njëjtën gjë. Të dyja shihnin në ëndër një tavolinë të mbushur plot e përplot me gatime të bollshme. Ai mund të kuptonte individen që jetonte në Afrikë, ishte më se normale që ajo të shikonte një ëndër të tillë, dihej nga i gjithë Departamenti Qiellor (edhe ai që ishte i ri në detyrë, e kishte mësuar këtë gjë qysh në ditët e para të punësimit të tij ) që Zoti e kishte lënë disi pas dore atë pjesë të Afrikës. Por ai nuk arrinte të kuptonte individen që jetonte në Europë. ( Edhe për këtë kontinent, qysh në ditët e para të punësimit të tij, kishte mësuar që Zoti, në mënyrë sistematike, vazhdonte t’i kushtonte një përkujdesje te veçantë ).

Ai u thellua më shumë në detaje për të gjetur një shpjegim… dhe shpjegimi i ndriçoi në mendje si një meteor i beftë.

Individja që jetonte në Europë, kishte qenë vazhdimisht në dietë. Profesioni i saj, ishte modele. U lumturua. E kishte gjetur më në fund. Kjo e shpjegonte edhe babëzinë e hershme në ëndrat e të dy individëve, të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët në mënyrën e jetesës, me përjashtim të mos-ngrënies. Natyrisht shkaqet e mos-ngrënies ishin të ndryshme, por rezultati, sidoqoftë, ishte i njëjtë.

Por çasti i lumtur nuk i zgjati shumë.

– Çfar mund të zbulonte Zoti për komplotet e të pa-feve nëpërmjet babëzisë së hershme të këtyre dy individeve ?

Asgjë !

Zuri kokën me duar. Nëse nuk zbulonte ndonjë gjë bombastike, të paktën duhej ta shpikte, përndryshe i lante duart nga karriera e shumë ëndëruar. Ai vuri përsëri kufjet. Do ta gjente patjetër një komplot. Planeti Tokë, ishte i mbushur plot e përplot me komplote. Ato gëlonin gjithandej dhe ishin te gjithfarëllojshme. Nuk kishte si të ishte aq i pamundur zbulimi i një komploti, aq më tepër nga ana e tij, që ishte aq virtuoz kur bëhej fjalë për karrierë. Ai vetëm duhej të tregohej i shkathët në interpetim, i shkathët dhe i zgjuar, për të paraqitur një komplot çfardo, si një komplot të rrezikshem kundër vetë Zotit.

Gishti i ndaloi në një pikë të vogël në hartë.

– Shtetet e vegjël prodhojnë ëndra të mëdha – përsëriti me vete.

Në të vërtetë  këtë thënie e kishte dëgjuar nga një funksionar i rëndësishëm në Administratën e Punëve Qiellore, ndërsa kishte qenë duke pritur në rradhe para derës së zyrës së Zotit. Ai kishte hapur bllokun me të shpejtë dhe menjëherë e kishte mbajtur shënim shprehjen. Më vonë, kur ishte gjendur i vetëm në zyrën e tij, ia kishte përsëritur vetes shumë herë me zë të lartë, në mënyrë që ta mbante mend dhe ta shqiptonte me intonacionin e duhur, sikur ta kishte krijuar vetë.

Ai madje, kishte mbajtur shënim në bllok edhe shprehjen që kishte marrë në fytyrë funksionari i lartë, ndërsa ishte duke e thënë…

Afroi lupën, emri i shtetit vështirë se lexohej. I bëri përshtypje fakti që emri i këtij shteti mikroskopik, ishte më i gjatë se hapësira që zinte vetë shteti në hartë.

Shkrimi i emrit kishte kaluar ca kufij, ai ishte zgjatur pafajshëm dhe kishte rrëmbyer pak det të përbashkët nga shtetet fqinjë.

–         Shqipëria.

Sa herë që shqiptohej ky emër, nënpunësve qiellorë u përvijohej lehtë në buzë një nënqeshje shpërfillëse. Nënqeshja ishte e stilit të zhargonit qiellor. Asaj nënqeshjeje, edhe ai vetë ia kishte provuar shijen në fillimet e tij si nënpunës i thjeshtë në Administratën e Punëve Qiellore.

Ai kishte degjuar tek-tuk, nëpër zyrat që hapeshn e mbylleshin me shpejtësi, se Zoti ishte duke bërë një eksperiment shumë të rëndësishëm me këtë të ashtuquajturin shtet. Kishte dëgjuar gjithashtu se për shkak të mos-mbarëvajtjes së suksesshme të këtij eksperimenti të rëndësishëm, ishin pushuar nga puna disa titullarë, jo pak të rëndësishëm në Departamentin Qiellor. Por ai nuk e dinte me saktësi se për çfar bëhej fjalë.

Ai vendosi t’i përqëndronte kërkimet në këtë shtet. Vetë nënqeshja e nënpunësve, e grishte për ndonjë komplot të mundshëm. Tek e fundit, nga një vend i nënqeshur nga Administrata e Punëve Qiellore, padyshim që do mundte të zbulonte informacione të rëndësishme. Përderisa të gjithë nënpunësit e kësaj administrate e nënqeshnin këtë vend, fare pa drojë, kuptohej lehtësisht që Zoti nuk e kishte me sy të mirë. Natyrisht Atij, do t’i vinte shumë për shtat, nëse zbulohej ndonjë komplot i mundshëm prej këtij shteti.

Por sa vuri kufjet në vesh dhe në ekran u projektua ëndra e një shtetaseje të këtij vendi, menjëherë u pendua që kishte shpresuar se aty do të gjente ndonjë gjë interesante.

Shtetësja në fjalë nuk ishte duke parë në ëndër, as ndonjë tryezë gatimesh, siç shihnin dy të tjerat në dy koninentet e ndryshme, as ndonje sfilatë mode, e për më tepër, as që i bëhej vonë të kurdiste ndonjë grusht-shteti kundër Zotit. Shtetësja në fjalë nuk shikonte fare ëndra. Ekrani mbetej bosh që nga çasti kur ajo binte të flinte, e deri në çastin kur ngrihej nga shtrati. Duke pyetur veten se si ishte e mundur kjo, ai u fiksua me ditë të tëra, mbas shtetasve e shtetaseve të këtij vendi.

Asgjë. Asnjëri e asnjëra nuk shihte ëndra

Mbasi kaluan ca kohë ( njësia matje e kohës në Departamentin Qiellor ishte thjesht kohë… as orë, as minuta, as ditë…), ai iu ri-kthye përgjimit të ëndrave të shtetëses në fjalë.

Përsëri asgjë. Shtetësja, paturpësisht, vazhdonte të mos shikonte ëndra.

– E pamundur – foli me vete ankthshëm. – Ç’është kështu me mua… as një komplot çfarëdo nuk zbulokam dot ? Ç’ështe ky vend i çuditshëm që nuk prodhon ëndra ? Ç’dreq njerëzish jetojnë atje ? 

Në ato pak ditë eksperiencë si ëndër-përgjues, kishte zbuluar se edhe miliarderët, edhe njerëzit më të pushtetshëm të rruzullit, shihnin ëndra. Dhe ishte vërtet e çuditshme, ishin aq të thjeshta e të pa-ndërlikuara gjërat që ëndëronin këta njerëz.

– Po si ishte e mundur që shtetasit e shtetaset e këtij vendi, të mos shihnin ?

E mblodhi veten kur një mendim brilant, i shkrepi në kokë. Nxorri në ekran të gjitha ëndrat që kishte përgjuar deri atherë dhe për një kohë të gjatë, i kqyri me kujdes.

Fillimisht shikoi nga kreu deri në fund, ëndrën e modeles europiane, pastaj atë të gruas së varfër nga Afrika, më vonë shikoi vetëm fillimin e ëndrës së një ish-të burgosure kubane, e pastaj, vetëm fundin e ëndres së një kamikazeje.

Rrëmoi në arkiv për të gjetur ëndra të tjera…

Ëndra e një vogëlusheje amerikane që kishte humbur prindërit në 11 shtator, gjithashtu iu duk interesante, ndërsa atë të një ish-prostitute vietnameze, e futi përsëri në arkiv… në vend të saj, zgjodhi ëndrën e një emigranteje serbe, por dhe atë e futi në arkiv pasi e kqyri mirë e mirë, ëndra kishte disa mangësi.  Kuptohet qe ai duhej te kqyrte vëmendshëm dhe nivelin artistik te ëndrës.

Ai nuk kuptoi sa kohë qiellore kishte kaluar, ndërsa ishte duke rrëmuar arkivin e ëndrave të përgjuara, por sa bënte të ngrihej, diku në ndonjë cep, i shfaqej nje tjetër ëndër, tejet intriguese, gjë që e bënte të ulej përsëri dhe të ri-fillonte punën nga e para.

Për kohë të tëra u mor me arkivin e ëndrave të përgjuara, duke i parë e ri-parë me qindra herë, e duke i shoshitur me mendje, derisa në fund arriti të përzgjidhte top-listën e ëndrave më të mira.

Nga top-lista zgjodhi vetëm gjashtë ëndra të përgjuara me merak, ato, për nga ndërtimi ishin më cilësoret.

Mbasi i ri-shikoi të gjashta për të fundit herë, ai filloi të priste nga ato sekuenca të ndryshme ( programi ëndër-përgjues kishte një opsion  montazhi, tejet të sofistikuar ).

Ai preu fillimin e ëndrës së ish-të burgosurës kubane. Disa sekuenca të vogla i preu nga ëndra e modeles europiane dhe nga ajo e gruas afrikane. Nga ajo e vogëlushes amerikane që kishte humbur prindërit në 11 shtator, preu pjesën më të madhe të ëndrës. Disa detaje të parëndësishme ( sa për sfond ), i shtoi nga ëndra e ish-prostitutës vitenameze  dhe ajo e emigrantes serbe. Kurse nga ëndra e kamikazes preu finalen. Copat e ëndrave të prera me merak, ai “i qepi” në një ëndër të vetme.

Pastaj shtypi  play  dhe nisi ta shikonte veprën e tij me kujdes.

Iu duk se qe në kinema. Ëndra “e qepur” i rezultoi thjesht; e mahnitshme.

Për nga mjeshtëria me të cilën ishte “qepur” atë do ta kishte zili edhe vetë Spielbergu, atje poshtë në planetin Tokë.

Ndërkohë ishte brenda afatit që i kishte lënë Zoti për të dorëzuar ëndrën e përgjuar, kështu që pjesën tjetër të kohës qiellore, u ngroh në diellin qiellor, i qetë dhe i sigurt se kishte bërë një punë të paqme.

Zoti as që do arrinte të merrte vesh që materiali i dorëzuar, s’ishte gjë tjetër veçse një montazh ëndrash të prera. S’kishte se si ta merrte vesh… kurrsesi…“qepja” ishte perfekte…

Ai ndihej krenar.

Tashme dyert e karrierës Qiellore i kishte të hapura. Ishte i sigurt se rezultati i punës së tij do t’i impononte respekt edhe nënpunësve nënqeshës. Gjithë ajo shpërfillje, do të shndërohej në frikë, ankth dhe pasiguri, kur ai të emërohej shefi i tyre.

Gjatë kohës që ngrohej në diell, ai përgatiti në një file të veçantë në kompiuterin e  tij, fjalimin që do t’u mbante vartësve ditën e shumë-pritur të ngritjes në detyrë. Në fjalim shtoi edhe ndonjë shprehje të shënuar qyshkur në bllok, të dëgjuar aty këtu, nga titullarë të ndryshëm. Ata, pikërisht nëpërmjet atyre shprehjeve, gëzonin te vartësit admirim të padiskutueshem. Sa mirë që e kishte mbajtur me vete atë bllok ngado që kishte shkuar. Tashmë kishte ardhur koha që t’ia mblidhte frutat farës që kishte mbjellë.

Mbas disa kohësh qiellore, më në fund, Zoti e thirri në zyrë. Ai hodhi hapat i qetë nëpër korridor, i ndjekur nga shikimet kureshtare të nënpunësve nënqeshës. Rregulloi jakën e xhaketës dhe trokiti me klas, vetëm dy herë, në derën e zyrës së Tij. Sigurisht që klasin në trokitje ia imponoi siguria se Zoti do ta pëlqente punën e tij.

Derën ia hapi njëri prej asistentëve të Zotit… i cili doli menjëherë, pasi ai u fut brenda.

Zoti i bëri shenjë të ulej. Pastaj i tha buzë-gaz: – Të shohim çfar ke sjellë !

Ai hapi çantën me krenari dhe nxorri prej andej kryeveprën e tij.  E lëmoi për pak me gishta, pastaj i qetë, ia zgjati Zotit.

Zoti shtypi play, ndërsa ai i vëzhgoi fytyrën.

Zoti e pa ëndrën nga fillim deri në fund, pastaj e ktheu e ri-ktheu, duke parë, e ri -parë disa sekuenca, të cilat i ishin dukur interesante. Për një çast qiellor, ai pati dyshimin se mos Zoti i zbulonte trukun. Por dyshimi iu largua menjëherë, kur Ai, shend e verë, vuri buzën në gaz. Zoti e përgëzoi për punën e kujdesshme, pastaj i foli për emërimin në një detyrë të re.

Ai futi barkun brenda dhe fryu kraharorin, ndërsa i premtonte të njëjtin përkushtim dhe devotshmëri edhe për detyrën në vijim.

Ndërsa largohej me hapa të sigurt duke përfytyruar fytyrat e ziliqarëve nënqeshës, Zoti i thirri të ndalte.

– Harova të të pyes, se në cilin shtet e ke përgjuar këtë ëndër, kaq të frytshme për të gjithë Departamentin tonë.

– Në Shqipëri – i tha me zë të lartë ai, ndërsa hapi derën të dilte, i paduruar, për të parë fytyrat e nënqeshësve mbas gradimit të tij.

Në korridor shpërtheu një e qeshur me zë të lartë, kurse fytyra e

Zotit u nxi prej zemërimit.

– Je i pushuar ! – i ulëriti.

Ai nuk diti ç’të thoshte, nuk po kuptonte asgjë, një minutë më parë e kishin ngritur në detyrë, ndërsa tani po e pushonin !!!

Me këmbët që i dridheshin, e duke u mbajtur mureve të korridorit mbrriti në zyrë. Ndërsa mblidhte sendet e tij;( kapëse letrash, kapëse ëndrash, blloqe shumëngjyrësh, disqe, etj ) njëri prej nënpunësve nënqeshës iu afrua dhe i tha:

– Si nuk e dije ti… që Zoti atij shteti ia ka hequr funksionin e të ëndëruarit ? Si është e mundur që të paska shpëtuar kjo gjë, ty, virtuozit, të pazëvëndësueshëm ?

Ai e pa nënpunësin i hutuar, pastaj në çast iu kujtua eksperimenti i famshëm.

– Ky paskësh qenë eksperimenti i famshëm – mendoi me vete. Dhe ai budallai që shënonte çdo gjë në bllok, sa keq që nuk ishte thelluar të pyeste, ç’ishte ai eksperiment.

E kishin pushuar nga puna ditën që e kishin ngritur në detyrë.

Karriera e tij qiellore kishte zgjatur vetëm një minutë, pastaj ishte shkatëruar nga një detaj i vogël, të cilit, nuk i kishte kushtuar rëndësi.

E kishte pësuar prej një pike të vogël në hartë, prej një shteti të vogël e të parëndësishëm, i cili, për më tepër, ishte edhe i nënqeshur.

 
©  Arlinda G.

 

 

( botuar tek “Gazeta” dt: 30.09.2009 )

Televizori ka mbetur në kanalin që transmeton emisionin: “Zonë e lirë”. Gishtat e mi bëhen gati të shtypin telekomanden e të ndërojnë menjëherë stacion, por diçka më ndalon, gishtat për disa çaste mbeten pezull mbi të, derisa dorëzohen dhe e lënë diku telekomandën.

Personazhi i parë, i ftuar në emision, është një regjisor i Tearit Kombetar, i porsa-pushuar nga puna. Prezantuesi i emisionit, vetëm sa e përmend këtë fakt, thuajse shkarazi, ai nuk bën komente dhe nuk ndalet gjatë në detaje.

Regjisori ulet në karrige, buzëqesh, pi pak nga kokteili që i ofron bujarisht prezantuesi i emisionit, buzëqesh sërish, por nuk e mban gjatë buzëqeshjen, menjëherë bëhet i menduar dhe ul sytë mbi tavolinë. Ndërkohë që prezantuesi i emisionit vazhdon të prezantojë,

personazhin e dytë;

Ajo është këngëtare. Vjen me një ecje triumfuese. Thuajse e zhveshur. Një veshje nga ato skeniket, disi e papërshtatshme për emisonin në fjalë dhe mbi të gjitha, për karriget tepër sportive, mbi të cilat i duhet një farë kohe të rehatohet. E kote të përmend këtu që ajo i ka dhënë një rëndësi të madhe look- ut; flokëve dhe grimit. E tradhëton peneli disi i rënduar, oriental, mbi kapakët e syve, por asgjë për t’u habitur, tek e fundit elementi oriental, është bërë si i shtëpisë këto kohëra, trendy i rradhës në muziken ( të themi, të lehtë ) shqiptare.

Ajo më në fund rehatohet në karrige e buzëqeshur, ndërsa prezantuesi i emisionit i ofron edhe asaj një kokteil, ndërkohë që vazhdon të prezantojë,

personazhin e tretë;

Ai është një personazh i çuditshëm, një njeri i cili pretendon se arrin të parashikojë motin. Edhe ai i papunë. Edhe ai rehatohet mbi karrige dhe rrëmben kokteilin e tij, ndërkohë që vjen,

personazhi i katërt;

Një tjetër këngëtare. Edhe ajo ka veshur një fustan mbrëmjeje, natyrisht, me një dekolte të guximshme. E si mund të mungonte ky element kaq i rëndësishëm në karrierën e një këngëtareje ? Kohët e fundit duket se këngëtaret shqiptarë dinë më mirë të këndojnë me to, se sa me zë. Ulet pranë regjisorit, ky i fundit e përshëndet me buzëqeshjen e tij, “flash”, që për dreq nuk i qëndron gjatë mbi fytyrë.

Ja ku vjen,

personazhi i pestë;

Një tip i palestruar, – “i cili vjen të promovojë video-klipin e tij” – thotë prezantuesi me një shprehje skeptike në fytyrë.

I palestruari ulet në karrige lehtësisht dhe menjëherë pas tij mbrrijnë edhe,

personazhet e fundit;

Ata janë disa këngëtarë të rinj, shqiptarë, nja dy, të ardhur nga jashtë Shqipërisë sa për garniturë. Edhe ata rehatohen mbi karrige… dhe, ja ku e kam të plotë skenën me të gjithë personazhet.

Fillon të flasë njeriu që parashikon motin, madje dhe më gjerë se kaq, meqë së fundmi në vendin tonë kanë filluar të bien shpesh tërmetet, ai ka menduar t’i shtojë edhe ato në curriculumin e tij. – E pse jo ? – duket sikur thonë pafajshëm sytë e tij, të gjelbërt.

Prezantuesi i emisionit e pyet “parashikuesin e motit dhe më gjerë” rreth metodikes së parashikimeve. Ai kruan zërin dhe fillon të japë ngadalë disa shpjegime me nuanca akademike, të cilat i bëjnë kontrast me dritën naïve që ka nderur në sy. Pak më tej thekson se është duke kërkuar një punë. Prezantuesi e pyet se çfar pune është në gjendje të bëj, ndërsa ai i përgjigjet: – Çfarëdolloj pune ! Këtu, nuancat akademike i rrëzohen përtokë të gjitha.

Qëndron i ulur pranë këngëtares gjysëm të zhveshur, hedh ndonjëherë, ( gati pafajshëm ) sytë mbi kurrizin e saj, pastaj rrëkllen gotën e kokteilit.

Tani prezantuesi i drejtohet pikërisht këngëtares. Ajo fillon të flasë rreth klipit të saj, të ri, të porsa-dalë në treg, por ka një peng të vogël; disa kanale muzikore nuk kanë pranuar ta shfaqin, pasi e kanë quajtur tepër “hot”. Prezantuesi e pyet këngëtaren për partnerin e saj, në klip dhe ajo i shpjegon se e ka njohur atë vetëm ditën e xhirimit të klipit, sqaron gjithashtu që, atë, së bashku me sendet e tjera, ia ka sjellë trupa prej 100 vetësh e ngarkuar për të xhiruar klipin. Unë ngre supet, nuk arrij të kuptoj ç’duhen 100 vetë për të xhiruar një videoklip për një këngë të llojit : unë të desha/ ti më ike… por le të vazhdojmë më tej…

– Është një klip erotik, – shpjegon këngëtarja ndërsa fillojnë të shfaqen disa sekuenca nga klipi, të cilat nuk duken aspak erotike, me përjashtim të faktit që këngëtarja është me bikini. Po ndoshta asaj i duhet një fjalor për të përkufizuar qartë këtë fjalë. A do e ketë vallë trupa ( prej 100 vetësh ) një të tillë ? Sigurisht që ajo duhet të ketë qenë një trupë që kujdesej për gjithçka, me përjashtim të këngës vetë. Sikur dhe asaj t’i kushtohej po aq vëmendje sa fustaneve dhe trukut…

Pamjet përfundojnë së shfaquri dhe këngëtarja pyet regjisorin e papunë: – Si t’u duk ? Regjisori ndalet një hop dhe thotë: – Fustani ishte shumë i bukur !!!!

Këtu ndërhyn sërish prezantuesi i cili e pyet ngacmueshëm këngëtaren për partnerin e saj në klip. Ajo vazhdon të këmbëngulë ( jo pa keqardhje ) që e ka takuar vetëm atë ditë. Dhe duket se ka të drejtë për këtë. Në klip dallohet mjaft qartë që trupa (prej 100 vetësh) e ka sjellë “sendin-djalë” së bashku me të gjitha sendet e tjera, vetëm për atë ditë, pasi lëvizjet e tyre kanë një lloj ngërçi, ngërçi tipik i dy të panjohurve në situata të sikletshme. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse të gjithë video-klipet shqiptare mbarojnë në fund me dy protagonistët që afrojnë kokat pranë njëri –tjetrit, por asnjëherë nuk realizojnë një puthje. E kane ende tabu këtë gjë këngëtaret tona, nuk u vjen për mbarë sponsorëve të klipeve apo ky ngërç është rrjedhojë e faktit që trupa i prezanton protagonistët e klipit vetëm ditën e xhirimit ?

Ndërkohë “parashkuesi i motit dhe më gjerë” është skuqur i gjithi. Duket se kokteili e ka turbulluar keqaz. Prezantuesi i emisionit e pikas menjëherë këtë detaj dhe këmbëngul djallëzisht që atij t’i mbushet edhe një gotë tjetër.

Kalojmë më tej. Tani flet këngëtarja tjetër, ajo e ulur përkrah regjisorit, të papunë. Këngëtarja ka një emër të huaj, me siguri, emër arti. Praktikë trendy, e njohur dhe e ndjekur nga këngëtaret me emra të pabukur.

Pasi nuk pushon së falenderuari të gjithë kabientin ministror i cili e ka lejuar të xhirojë në tunelin e Kalimashit, ajo vazhdon rrëfimin e saj në këtë mënyrë:

– Rryma ime, – i drejtohet ajo, autoritare dhe shpërfillëse, njërit prej këngetarëve të tjerë pranë saj, – është e ndryshme “na” rryma jote. ( ajo nuk thote “nga” ), videoklipi im, – vazhdon ajo, – është një “mini-filëm”,( ajo nuk thotë “film”)… etj, etj. Nëse këngëtares së parë i duhej një fjalor, së dytës i mungon leximi i klases së tretë.

Tani situata ka dalë fare jashtë kontrollit. Parashkuesit të motit i ka rënë telefoni, ai haron që është në një emision televiziv dhe fillon të flasë me zë të lartë, ndërkohë që kamera fokuson këngëtaren, ndërsa shkruan mesazhe. Duket si reklama e ndonjë kompanie telefonike.

Regjisori i papunë vazhdon të buzëqeshë lehtë, kamera e fokuson herë pas here fytyrën e tij, ndërsa ul sytë si të jetë duke thënë me vete : – ç’dua unë këtu !

I ka ardhur rradha tipit të palestruar. Prezantuesi e pyet rreth tematikës së klipit, ndërsa tipi i palestruar fillon të flasë. Nuk arrin të sqarojë gjë. Regjisori i papunë ndërhyn në çast dhe përpiqet t’ia rregullojë, konturojë e zbukurojë, paksa rrëfimin.

Ndërkohë parashikuesi i motit dhe tërmeteve, i bërë xurxull, ngrihet rrufeshëm nga karrigia dhe puth në faqe këngëtaren me emër trendy.

Të qeshura, duartrokitje dhe gotat e kokteilit që zbrazen me të shpejtë…

A është ky emision një mënyrë bukowski-ane e servirjes së realitetit ? Të gjithë e njohim Charles Bukowski-n, mjeshtrin e madh të letrave, shkrimtarin më të keqkuptuar nga lexuesit shqiptarë, shumica e tyre mjaftohen me gjuhën e ashpër të tij, për të nxjerrë përfundime të padrejta, pikërisht për faktin se nuk arrijnë të shkojnë më tej, tek ajo mënyrë lakuriqe e përcjelljes së realitetit, tek ajo mënyrë gërvishtëse, e cila përveçse ka nën mbështjellje shumë dhimbje dhe dëshpërim prej pamundësisë për ta ndryshuar, ka gjithashtu edhe një qëllim fisnik dhe emancipues; ta bëj lexuesin të reagojë e të mbajë një qëndrim. Sepse i tillë është misioni i letërsisë.

Po media ?

Thua të ketë qëllime të tilla, kaq të lartësuara, edhe prezantuesi i emisionit; “Zonë e lirë” ? Apo qëllimet e tij vërtiten vetëm rreth narcizmit, skupit, suksesit apo dëshirës së uritur për famë ?

Ndërsa unë, shikuesja aksidentale e këtij emisioni, ngre me vete pyetje të tilla, përpara syve vazhdojnë të më dalin gotat e koktejlit që i mbushen e mbushen pamëshirshëm, “njeriut të motit”.

***

Emisioni mbaron. Janë ulur perdet e një teatri absurd, pjesë e të cilit jemi të gjithë. Ngrihen nga karrigia; parashikuesi i motit, i kënaqur që ka puthur në faqe këngëtaren, i kënaqur, më shumë se për ofertën e punës, ngrihet kengëtarja e mini – filëmit, tipi i palestruar, këngëtarja e trupës prej 100 vëtësh, ngrihet dhe regjisori i papunë, të cilit, trupa prej 100 vetësh, ndoshta do t’i hynte në punë më shumë se këngëtares…

( shkruar nga një shikuese aksidentale )

© Arlinda G.