Teatri absurd i ” Zonës së lirë”

1 October, 2009

( botuar tek “Gazeta” dt: 30.09.2009 )

Televizori ka mbetur në kanalin që transmeton emisionin: “Zonë e lirë”. Gishtat e mi bëhen gati të shtypin telekomanden e të ndërojnë menjëherë stacion, por diçka më ndalon, gishtat për disa çaste mbeten pezull mbi të, derisa dorëzohen dhe e lënë diku telekomandën.

Personazhi i parë, i ftuar në emision, është një regjisor i Tearit Kombetar, i porsa-pushuar nga puna. Prezantuesi i emisionit, vetëm sa e përmend këtë fakt, thuajse shkarazi, ai nuk bën komente dhe nuk ndalet gjatë në detaje.

Regjisori ulet në karrige, buzëqesh, pi pak nga kokteili që i ofron bujarisht prezantuesi i emisionit, buzëqesh sërish, por nuk e mban gjatë buzëqeshjen, menjëherë bëhet i menduar dhe ul sytë mbi tavolinë. Ndërkohë që prezantuesi i emisionit vazhdon të prezantojë,

personazhin e dytë;

Ajo është këngëtare. Vjen me një ecje triumfuese. Thuajse e zhveshur. Një veshje nga ato skeniket, disi e papërshtatshme për emisonin në fjalë dhe mbi të gjitha, për karriget tepër sportive, mbi të cilat i duhet një farë kohe të rehatohet. E kote të përmend këtu që ajo i ka dhënë një rëndësi të madhe look- ut; flokëve dhe grimit. E tradhëton peneli disi i rënduar, oriental, mbi kapakët e syve, por asgjë për t’u habitur, tek e fundit elementi oriental, është bërë si i shtëpisë këto kohëra, trendy i rradhës në muziken ( të themi, të lehtë ) shqiptare.

Ajo më në fund rehatohet në karrige e buzëqeshur, ndërsa prezantuesi i emisionit i ofron edhe asaj një kokteil, ndërkohë që vazhdon të prezantojë,

personazhin e tretë;

Ai është një personazh i çuditshëm, një njeri i cili pretendon se arrin të parashikojë motin. Edhe ai i papunë. Edhe ai rehatohet mbi karrige dhe rrëmben kokteilin e tij, ndërkohë që vjen,

personazhi i katërt;

Një tjetër këngëtare. Edhe ajo ka veshur një fustan mbrëmjeje, natyrisht, me një dekolte të guximshme. E si mund të mungonte ky element kaq i rëndësishëm në karrierën e një këngëtareje ? Kohët e fundit duket se këngëtaret shqiptarë dinë më mirë të këndojnë me to, se sa me zë. Ulet pranë regjisorit, ky i fundit e përshëndet me buzëqeshjen e tij, “flash”, që për dreq nuk i qëndron gjatë mbi fytyrë.

Ja ku vjen,

personazhi i pestë;

Një tip i palestruar, – “i cili vjen të promovojë video-klipin e tij” – thotë prezantuesi me një shprehje skeptike në fytyrë.

I palestruari ulet në karrige lehtësisht dhe menjëherë pas tij mbrrijnë edhe,

personazhet e fundit;

Ata janë disa këngëtarë të rinj, shqiptarë, nja dy, të ardhur nga jashtë Shqipërisë sa për garniturë. Edhe ata rehatohen mbi karrige… dhe, ja ku e kam të plotë skenën me të gjithë personazhet.

Fillon të flasë njeriu që parashikon motin, madje dhe më gjerë se kaq, meqë së fundmi në vendin tonë kanë filluar të bien shpesh tërmetet, ai ka menduar t’i shtojë edhe ato në curriculumin e tij. – E pse jo ? – duket sikur thonë pafajshëm sytë e tij, të gjelbërt.

Prezantuesi i emisionit e pyet “parashikuesin e motit dhe më gjerë” rreth metodikes së parashikimeve. Ai kruan zërin dhe fillon të japë ngadalë disa shpjegime me nuanca akademike, të cilat i bëjnë kontrast me dritën naïve që ka nderur në sy. Pak më tej thekson se është duke kërkuar një punë. Prezantuesi e pyet se çfar pune është në gjendje të bëj, ndërsa ai i përgjigjet: – Çfarëdolloj pune ! Këtu, nuancat akademike i rrëzohen përtokë të gjitha.

Qëndron i ulur pranë këngëtares gjysëm të zhveshur, hedh ndonjëherë, ( gati pafajshëm ) sytë mbi kurrizin e saj, pastaj rrëkllen gotën e kokteilit.

Tani prezantuesi i drejtohet pikërisht këngëtares. Ajo fillon të flasë rreth klipit të saj, të ri, të porsa-dalë në treg, por ka një peng të vogël; disa kanale muzikore nuk kanë pranuar ta shfaqin, pasi e kanë quajtur tepër “hot”. Prezantuesi e pyet këngëtaren për partnerin e saj, në klip dhe ajo i shpjegon se e ka njohur atë vetëm ditën e xhirimit të klipit, sqaron gjithashtu që, atë, së bashku me sendet e tjera, ia ka sjellë trupa prej 100 vetësh e ngarkuar për të xhiruar klipin. Unë ngre supet, nuk arrij të kuptoj ç’duhen 100 vetë për të xhiruar një videoklip për një këngë të llojit : unë të desha/ ti më ike… por le të vazhdojmë më tej…

– Është një klip erotik, – shpjegon këngëtarja ndërsa fillojnë të shfaqen disa sekuenca nga klipi, të cilat nuk duken aspak erotike, me përjashtim të faktit që këngëtarja është me bikini. Po ndoshta asaj i duhet një fjalor për të përkufizuar qartë këtë fjalë. A do e ketë vallë trupa ( prej 100 vetësh ) një të tillë ? Sigurisht që ajo duhet të ketë qenë një trupë që kujdesej për gjithçka, me përjashtim të këngës vetë. Sikur dhe asaj t’i kushtohej po aq vëmendje sa fustaneve dhe trukut…

Pamjet përfundojnë së shfaquri dhe këngëtarja pyet regjisorin e papunë: – Si t’u duk ? Regjisori ndalet një hop dhe thotë: – Fustani ishte shumë i bukur !!!!

Këtu ndërhyn sërish prezantuesi i cili e pyet ngacmueshëm këngëtaren për partnerin e saj në klip. Ajo vazhdon të këmbëngulë ( jo pa keqardhje ) që e ka takuar vetëm atë ditë. Dhe duket se ka të drejtë për këtë. Në klip dallohet mjaft qartë që trupa (prej 100 vetësh) e ka sjellë “sendin-djalë” së bashku me të gjitha sendet e tjera, vetëm për atë ditë, pasi lëvizjet e tyre kanë një lloj ngërçi, ngërçi tipik i dy të panjohurve në situata të sikletshme. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse të gjithë video-klipet shqiptare mbarojnë në fund me dy protagonistët që afrojnë kokat pranë njëri –tjetrit, por asnjëherë nuk realizojnë një puthje. E kane ende tabu këtë gjë këngëtaret tona, nuk u vjen për mbarë sponsorëve të klipeve apo ky ngërç është rrjedhojë e faktit që trupa i prezanton protagonistët e klipit vetëm ditën e xhirimit ?

Ndërkohë “parashkuesi i motit dhe më gjerë” është skuqur i gjithi. Duket se kokteili e ka turbulluar keqaz. Prezantuesi i emisionit e pikas menjëherë këtë detaj dhe këmbëngul djallëzisht që atij t’i mbushet edhe një gotë tjetër.

Kalojmë më tej. Tani flet këngëtarja tjetër, ajo e ulur përkrah regjisorit, të papunë. Këngëtarja ka një emër të huaj, me siguri, emër arti. Praktikë trendy, e njohur dhe e ndjekur nga këngëtaret me emra të pabukur.

Pasi nuk pushon së falenderuari të gjithë kabientin ministror i cili e ka lejuar të xhirojë në tunelin e Kalimashit, ajo vazhdon rrëfimin e saj në këtë mënyrë:

– Rryma ime, – i drejtohet ajo, autoritare dhe shpërfillëse, njërit prej këngetarëve të tjerë pranë saj, – është e ndryshme “na” rryma jote. ( ajo nuk thote “nga” ), videoklipi im, – vazhdon ajo, – është një “mini-filëm”,( ajo nuk thotë “film”)… etj, etj. Nëse këngëtares së parë i duhej një fjalor, së dytës i mungon leximi i klases së tretë.

Tani situata ka dalë fare jashtë kontrollit. Parashkuesit të motit i ka rënë telefoni, ai haron që është në një emision televiziv dhe fillon të flasë me zë të lartë, ndërkohë që kamera fokuson këngëtaren, ndërsa shkruan mesazhe. Duket si reklama e ndonjë kompanie telefonike.

Regjisori i papunë vazhdon të buzëqeshë lehtë, kamera e fokuson herë pas here fytyrën e tij, ndërsa ul sytë si të jetë duke thënë me vete : – ç’dua unë këtu !

I ka ardhur rradha tipit të palestruar. Prezantuesi e pyet rreth tematikës së klipit, ndërsa tipi i palestruar fillon të flasë. Nuk arrin të sqarojë gjë. Regjisori i papunë ndërhyn në çast dhe përpiqet t’ia rregullojë, konturojë e zbukurojë, paksa rrëfimin.

Ndërkohë parashikuesi i motit dhe tërmeteve, i bërë xurxull, ngrihet rrufeshëm nga karrigia dhe puth në faqe këngëtaren me emër trendy.

Të qeshura, duartrokitje dhe gotat e kokteilit që zbrazen me të shpejtë…

A është ky emision një mënyrë bukowski-ane e servirjes së realitetit ? Të gjithë e njohim Charles Bukowski-n, mjeshtrin e madh të letrave, shkrimtarin më të keqkuptuar nga lexuesit shqiptarë, shumica e tyre mjaftohen me gjuhën e ashpër të tij, për të nxjerrë përfundime të padrejta, pikërisht për faktin se nuk arrijnë të shkojnë më tej, tek ajo mënyrë lakuriqe e përcjelljes së realitetit, tek ajo mënyrë gërvishtëse, e cila përveçse ka nën mbështjellje shumë dhimbje dhe dëshpërim prej pamundësisë për ta ndryshuar, ka gjithashtu edhe një qëllim fisnik dhe emancipues; ta bëj lexuesin të reagojë e të mbajë një qëndrim. Sepse i tillë është misioni i letërsisë.

Po media ?

Thua të ketë qëllime të tilla, kaq të lartësuara, edhe prezantuesi i emisionit; “Zonë e lirë” ? Apo qëllimet e tij vërtiten vetëm rreth narcizmit, skupit, suksesit apo dëshirës së uritur për famë ?

Ndërsa unë, shikuesja aksidentale e këtij emisioni, ngre me vete pyetje të tilla, përpara syve vazhdojnë të më dalin gotat e koktejlit që i mbushen e mbushen pamëshirshëm, “njeriut të motit”.

***

Emisioni mbaron. Janë ulur perdet e një teatri absurd, pjesë e të cilit jemi të gjithë. Ngrihen nga karrigia; parashikuesi i motit, i kënaqur që ka puthur në faqe këngëtaren, i kënaqur, më shumë se për ofertën e punës, ngrihet kengëtarja e mini – filëmit, tipi i palestruar, këngëtarja e trupës prej 100 vëtësh, ngrihet dhe regjisori i papunë, të cilit, trupa prej 100 vetësh, ndoshta do t’i hynte në punë më shumë se këngëtares…

( shkruar nga një shikuese aksidentale )

© Arlinda G.

13 Responses to “Teatri absurd i ” Zonës së lirë””

  1. xhenius Says:

    melankonia e Migjenit vazhdon…tek shikuesja aksidentale:(

    keshtu e kane keto pune Flok,sa te mendohet i mençuri,budallai ka mbaruar pune:)

    con affetto!

  2. flokenaja Says:

    🙂

  3. Arza Says:

    Mjaft domethenes shkrimi madje i kendshem ,eshte nji tematike e cila duhet (mendoj un) qi kjo shoqeri te ballafaqohet e kjo ne nji sens intensiv .
    me pelqen formulimi satirik “Shikuse aksidentale”. Pershndetje.

  4. flokenaja Says:

    Pershendetje arza !

  5. peshperitesi Says:

    Sa personazhe te katerta kishte ?😀

    Tani per ti thene gjerat keshtu cope, shkrimi ishte i mire por une mendoj i panevojshem. Mendoj se i ke dhene me shume rendesi sesa duhet nje palo-emisioni qe nuk e meriton.
    Une nga ty pres shume me teper…ekzistencializem, pres erotizem ( pa bikini😛 ), pres hermetizem…deri tek obskurantizmi pres.
    Por jo me Canin e dashur. Lere Canin

  6. flokenaja Says:

    Prato, nuk flas per Canin aty, objektivi im jane kengetaret e bbf-se, te cilat sa here qe qepin nje fustan te ri, vendosin te bejne nje video klip qe t’ua shoh fustanin bota sa mire u rri. E vetmja kritike per Canin eshte fakti qe e dehu e beri tape ate te gjorin.Nuk kam dashur te merrem me tej me te.
    Ekzistencializmi ok, hajt mooo dhe obskurantizmi😛 por erotizmi dhe hermetizmi nuk jane “lenda” ime🙂
    Dhe ti o burre i dheut me sa vemendje e paske lexuar, e gjete me vrap gabimin.
    p.s
    po ti a shkruan tek kjo gazeta?🙂

  7. peshperitesi Says:

    Per gazeten e Arbrit e ke fjalen besoj.
    S’kam shume info ne fakt, thjesht ca kam pare ndonje njoftim facebooku. Por Arbri me pelqen kshuqe edhe mund te shkruaj

  8. flokenaja Says:

    qenke i mire-informuar🙂 e do adresen?

  9. peshperitesi Says:

    Ma jep.
    E perjavshme eshte gazeta ?

  10. flokenaja Says:

    Ta kam derguar tek bukinisti… gazeta eshte e perjavshme, del cdo te merkure.
    A.

  11. ujku i humbur Says:

    Oh, c’me shkrive me kete prurje!🙂

    Po ai regjisori i gjore a foli ndonjehere, apo ishte ftuar vetem per te pare batakun ku ndodhen “vip-at” e rinj shqiptare?

    P.S. Shume pak fjale the per videoklipin ” e ndaluar”, me zgjove kureshtjen. (Le qe edhe po te mundohem ta gjej, te gjithe keto kengetaret jane se s’ben me bikini ne nje pjese te videos).

    Na nje lexues i ketij shkrimi,😛

  12. flokenaja Says:

    Pershendetje Ujk ! Mirsevjen ne blogun tim!🙂 Me e forta qe te dielen ndersa levizja stacionet, shoh tek zone e lire keta cunat qe po promovonin gazeten😛 ( shkrimi im eshte botuar ne numrin 2 te saj ).😛

  13. vera Says:

    une e kam pare ate emision.me pelqen .bravo.ndoshta jane fjalet qe te gjithe i mendojme po askush nuk i shpreh.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: