Requiem për një natë…

23 December, 2009

Botuar tek “Gazeta”, dt.23.12.09

Duhet të kenë qenë Krishtlindjet e shtatë viteve më parë.
Ato kohë ishte bërë e modës që nëpër gazeta e revista të flitej dendurazi për të dashurën e re të kryeministrit të athershëm. Gazetat shkruanin me një zell të ethshëm për hollësira nga më të habitshmet, ato përshkruanin me imtësi ngjyrën e flokëve, modelin e fustanit, madje edhe perimetrin e pulpës së saj.  
Ato kohë ishte bërë gjithashtu i modës, festimi i Krishtlindjeve “me aheng” prej disa të ashtuquajturave “elita” të kryeqytetit… ndonjë zhvillohej pikërisht me zërin e Altin Shirës në sfond, ky i fundit, në gjithë atë përndezje elektrizuese, dukej më politikisht korrekti me festën, pasi qe i vetmi që mbante në trup një veshje në ngjyrë të kuqe siç e kërkon tradita ( më saktë këmishë sintetike, të kuqe, së cilës i ishte nxjerrë jaka sipër xhaketës së zezë ).
 
Duhet të ketë qenë ora nëntë e mbrëmjes ose diçka më shumë se aq, e diku, në një ekran të madh qe duke u transmetuar live urimi i presidentit.
Ishte një natë e kthjellët me një të ftohtë therës nga ai që të shkon deri në kocka. Ishte dhe një hënë rrezëllitëse atje lart… që shndriste me një bukuri të çmendur, e që në netë të ftohta si ajo, nuk di pse e urrej e nuk dua ta sodis, pasi sa më e bukur bëhet, aq shumë ftohet ajri përreth teje….
Golfi im ishte ngjitur deri lart tek buzët, e mëngët ishin tërhequr mbi kurrizin e duarve të cilat ishin bërë akull të ftohta e gati-gati nuk i ndieja.
Neonët… dhe ata kontribonin në atë miksim perfekt elementësh dimërorë, ndriçimi snob i tyre, ajo drita e largët, fekëse, sikur më ngjante me nga ato ofertat e llojit: “merr tre e paguaj vetëm një”.
 
Teksa përshpejtoja hapat në trotuarin pranë ish-piramidës, këpuca ime u pengua diku. Ula sytë menjëherë dhe pash një karton të shtruar përtokë, mbi të clin qenë shtrirë dy fëmijë. I madhi kishte mbështjellë të voglin në një mënyrë të tillë sikur të donte ta ngrohte. Pa dyshim qenë vëllezër.
Flinin.
I vogli duhej të ishte jo më shumë se gjashtë vjeç, ndërsa i madhi aty tek tetë.
Nuk kishin hedhur asgjë përsipër, asnjë mbulesë, asgjë prej gjëje.
Flinin të përqafuar nën qiell.
Kishin në trup ca rroba të vjetra dhe këpucë të shtrembëruara.
 
Njerëzit kalonin me nxitim, ndonjë shpejtonte për të blerë dhuratat e fundit, ndonjë tjetër për të shkuar “në aheng”…
Askush nuk ua hidhte sytë…
 
Qëndrova disa çaste, pa lëvizur, në këmbë përpara tyre, sikur të kisha frikë mos i zgjoja, ndërsa një adoleshent me kufje në vesh që u shfaq befas përbri meje, e gjuajti me këpucë shtrojën e tyre prej kartoni…
Ata nuk u zgjuan. Vazhduan të flinin, ashtu; njëri-tjetrin, mbështjellë fort.
 
Qe një pamje që të shkulte kraharorin.
Por skena nuk mbaroi aty, diku më tej pash të ndalonte një makinë. Një grua e veshur bukur e qe e spërkati rrugën, të gjithën me parfum, zbriti vrulltaz prej andej dhe drejtoi hapat drejt hyrjes së televizionit Top Channel.
Ajo më kishte rënë në sy edhe më parë, nëpër emisione, ku tregonte me pathos rreth bamirësive që kryente fondacioni të cilin ajo drejtonte.
 
Edhe pse thonë se nuk është mirë t’i shohësh fëmijët kur flenë, i hodha edhe njëherë sytë mbi fytyrat e tyre. Ata vazhdonin të flinin… dhe qenë pranë…fare pranë rrugicës ku duhej të kalonte ajo; “zonja mediatike”, e cila u ecjak hijerendë me gjithë pellushin e saj, të ngrohtë e të shtrenjtë, pa e kthyer kokën nga fëmijët që flinin përtokë (një zot e di se si ata arrinin të flinin në atë të ftohtë …) dhe një derë që u hap e u mbyll menjëherë, e gëlltiti “zonjëzën”brenda.
 
Vazhdova të ecja… duke e përfytyruar ndërsa hiqte pellushin ( poshtë tij pa dyshim duhej të kishte veshur ndonjë fustan prerë te stilistja, enkas për atë ditë ) e duke folur me të njëjtin pathos përpara kamerave mbi aktet e bamirësisë…
 
Ca orë më vonë banorët, besimtarë të kryeqytetit do të mbushnin rrugët ,në mesnatë, në ritualin e tyre të shkuarjes në kishë…
Por unë nuk e mësova dot nëse ndonjë prej tyre i drejtoi sytë mbi  fëmijët fatkeqë, apo ndonjë tjetër i qëlloi me këpucë…
 
Nuk mësova dot më asgjë mbi fatin e tyre…
Di vetëm të them që atë natë sikur më rëndonte diçka në kraharor, ndoshta qe pengu që nuk munda të bëja asgjë…
Di të them gjithashtu që të nesërmen, e kapa veten duke lëvizur nëpër duar, me nervozizëm telekomandën, ndërsa dëgjoja ri-transmetimin e urimit të presidentit, e gishtat u drodhën të tronditur, kur folësja u ndal tek lajmet e kronikës së zezë…
 
Ca vjet kanë kaluar që atherë…
 
Çdo herë që afrohen Krishtlindjet, mua më del përpara syve përqafimi i atyre fëmijëve, si një logo sarkastike që të mbrrin befas prej nënvetëdijes për të tejçuar një kumt e për të të shqetësuar të përditshmen…
 
Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, të mos ketë fëmijë të braktisur që flenë trotuarëve…
Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, “zonjëzat mediatike” të mos kenë asnjë fustan për të reklamuar…
 
 Le të shpresojmë… të paktën…
 
©Arlinda G.
  
Advertisements

 Botuar tek “Gazeta”, dt. 09/12/09

E nderuar Lartmadhni,

Pikësëpari ju kërkoj falje të përunjura pse mora guximin e pacipë t’iu shkruaj këtë letër e t’iu prish rehatinë këto ditë të trazuara, kur të gjithë ne, besnikët Tuaj, të devotshëm, kemi drejtuar vëmendjen dhe përkushtimin e pakursyer drejt Jush.

Edhe një herë më ndjeni për guximin, por këto ditë e pash t’udhës t’iu shkoqisja ca informacion të hollësishëm rreth disa ngjarjeve, në dukje sporadike, që po i ndodhin padenjësisht e në mënyrë të njëpasnjëshme Mbretërisë sonë.

Siç dhe Ju e dini fort mirë, një ndër shkaqet e shumta të trazirave të vazhdueshme e pakënaqësive në popull, është edhe shkrimi  i disa letrave të hapura prej disa shkronjësish, kopukë e sharlatanë, të cilët kanë vënë në shënjestër, Lartmadhninë Tuaj.

Këto letra të hapura, botuar nëpër gazetat kryesore dhe ato lokale, të distrikteve të ndryshme të Mbretërisë sonë, kanë ndikuar jo pak, në psikologjinë e individëve të thjeshtë.

Ato po i shkaktojnë jo pak dëme Mbretërisë, ndaj për këtë arsye, unë, si besniku Juaj, i devotshëm, ( nëse do më kërkohej edhe jetën do e jepja ), zhvillova disa hetime paraprake, të pavarura, e diskrete, në disa zona të rëndësishme, të Mbretërisë, të cilat janë quajtur me të drejtë nga zbulimet sekrete si vatra të revoltave.

Doja t’iu informoja se udhëtimin e kreva të gjithin në sajë të shpenzimeve të mia. Kisha hequr mënjanë për këtë ditë, disa të holla, ndaj mos u shqetësoni të më shpërbleni për këtë. Jo ! Këtë as që desha ta përmendja, pasi unë për Lartmadhninë Tuaj jap më shumë se kaq. Fundja për një ditë të madhe i kisha ruajtur ato të holla, dhe kjo e sotmja është me të vërtetë një ditë e madhe për mua.

Por që të mos zgjatem e hallakatem më shumë nëpër hollësira të vogla e të parëndësishme, të cilat ka gjasa të më largojnë nga qëllimi i shkrimit të kësaj letre, menjëhere po filloj t’iu rrëfej si më poshtë;

I

Në lidhje me letrën e hapur, botuar në të përditshmen, për fat të keq, prestigjoze e të shumë-lexuar, me titull; “Gazeta e qebapëve”, shkruar me aq mllef në adresë të Mbretërisë, prej shtetases me inicialet; D.B., unë zbulova disa detaje tepër  interesante, siç do të vijojnë në mënyrë të përmbledhur më poshtë;

Në sajë të zbulimeve dhe rrëfimeve të bazuara në fakte, ( të vërtetuara nga vetë unë ) thuhet se shtetësja D.B., gjatë zhvillimit të veprimtarive për festën tonë kombëtare, u është shprehur disa miqve të saj se kishte ditë që mendonte “të qëndiste” ( pikërisht kështu është shprehur ajo, me një pezm mjaft të dukshëm ) një letër të hapur drejtuar Lartmadhnisë Suaj.

Dhe kur informatorët e mi, të paguar jo keq, ( nuk doja ta përmendja këtë fakt ) e kanë pyetur për qëllimin e shkrimit të kësaj letre “bombë” ( kështu e ka cilësuar shtetësja D.B., ndërsa ka përfytyruar skenën sy-mbylltaz ), ajo ka rrëfyer se kohët e fundit ka qepur një fustan në ngjyrë të kuqe, të fortë, dhe që i rri mjaft mirë në trup, por që nuk ka patur asnjëherë ndonjë ngjarje mondane për ta veshur e për t’ia treguar botës.

Dhe kur informatorët  e mi, të paguar jo keq, ( ah, përsëri e theksova këtë fakt ! ) kanë ngritur supet dhe e kanë pyetur se ç’lidhje ka kjo me Lartmadhninë Tuaj D.B., ka  nënqeshur lehtaz, ka kruar zërin dhe ka shpjeguar se me shkrimin e një letre të tillë, “bombë” ( siç vazhdoi ta quante ajo ) shpreson të tërheq vëmendjen e televizioneve më të rëndësishme, të Mbretërisë, duke u ftuar nëpër emisione të ndryshme e duke dhënë intervista.

E në të gjitha këto, ajo mendon të shfaqet e veshur me fustanin e saj, të ri, të porsa-qepur, në ngjyrë të kuqe, të fortë, të cilin më në fund do ketë rast t’ia tregojë botës dhe në veçanti, dy meso-grave, gojëmëdha, fqinjave të saj, të cilat nuk paskërkeshin lënë gjë pa thënë në adresë të saj.

Për hir të së vërtetës më duhet të theksoj këtu që ngjyra e fustanit të shkronjëses nuk ka lidhje aspak me bindjet e saj, politike, pasi në të vërtetë, shtetësja D.B., nuk ka fare bindje të tilla, kjo u vërtetua një mbrëmje të vonë, kur ajo është parë nga dritarja, duke ndenjur gjatë… shumë gjatë… përpara pasqyrës, pasi ka provuar disa herë fustanin e saj, të kuq, e duke i thirrur vetes me zë të lartë; – Unë eksiztooooj…

II

Në lidhje me letrën e dytë, të hapur, shkruar nga shtetasi S.L., informatorët e mi do rrëfenin siç do vijojë, përmbledhtaz, më poshtë;

Shtetasi S.L., i cili kohët e fundit ka shkruar një letër të hapur, në të përditshmen tjetër me titull; “U-Turr-ima“,  së cilës në fundjavë i shtohet dhe një suplement me titull; “U-Tur-akë, mësohet se nuk ka shumë kohë që është divorcuar nga e shoqja…

Ndarjen ky individ duket se e ka përjetuar keqaz, pasi për nje muaj të tërë është mbyllur brenda të katër mureve të shtëpisë së tij duke folur me vete.

Hmm… e turpshme vërtet Lartmadhni… një dobësi e tillë… vetëm për shkak të një femre… por vazhdojmë më tej…

Informatorët e mi kanë zbuluar se pas një muaji të tërë, mbyllur brenda të katër mureve, pikërisht atherë kur të gjithë fqinjët mendonin që shtetasi S.L., nuk do dilte kurrë prej andej, apo dhe në se po, do dilte i damllosur krejt, S.L. është shfaqur befas në derë si kokrra e mollës. Me të dalë prej andej, ai i është shprehur dikujt se ka vendosur t’i shkruaj një letër të hapur Lartmadhnisë Suaj. Dhe kur ky dikushi, ( i cili më pas do bëhej informatori im, i besuar ) e ka pyetur se ç’lidhje ka divorci i tij me Lartmadhninë Tuaj, ai i është përgjigjur me të njëjtën fjali me të cilën është përgjigjur pak më lart edhe shtetësja D.B., dmth., që me anë të kësj letre ai shpreson të tërheqë vëmendjen e televizioneve të ndryshme, ftesave nëpër emisone dhe që andej… kujdes Lartmadhni, se këtu rrëfimi i tij ndryshon kryekëput nga ai i shtetëses D.B., pra dhe që andej, ai ka vendosur që në fund të intervistës, papritur e pakujtuar, t’i bëj thirrje publike ish-gruas së tij për ri-kthim pranë vatrës familjare.

Sipas informatorëve të mi, të besuar, ai i ka parashikuar të dyja anët e medaljes, nësë ajo do refuzojë, ai po njëlloj do t’u drejtohet kamerave duke e sharë si; bukëshkalë e të përdalë ( ç’është e vërteta ai ka përgatitur për çdo rast, një listë të gjatë me sharje ose lavdërime përkatëse, të shkruara në një flete të verdhë e të zhubrosur, të cilën e fsheh herë pas here në mëngën e xhaketës ).

III

Në lidhje me letrën e tretë, të hapur, të shkruar nga shtetasi M.M., informatorët e mi, do të shpjegonin siç më poshtë;

 

Edhe shtetasi M.M.,  i cili gjithashtu ka botuar një letër të hapur, në gazetën e përjavshme me titull; “Qejfi dhe qefini”, ashtu siç dhe shtetasit e mësipërm, thellë-thellë nuk ka asnjë lloj pakënaqësie kundrejt Mbretërisë apo Lartmadhnisë Suaj.

Informatorët e mi të besuar tregojnë se këtij shtetasi i është vënë nofka; shkencëtari, pasi thuhet se për vite të tëra, ai po përpiqet të kryejë një shpikje të rëndësishme.

Për fat të keq informatorët e mi nuk arritën ta zbulonin për çfar bëhet fjalë edhe pse i vizituan dhe i panë me sytë e tyre, imtësisht, të gjitha veglat e tij, të punës Por gjithashtu thuhet që eksperimenti i tij nuk ka dalë ashtu siç ai e parashikonte dhe kjo e ka bërë shtetasin M.M., të bjerë në një depresion të thellë.

E meqë sipas informatorëve të mi, tani që me shkrimin e asaj letre të hapur ai është bërë edhe person publik, ka vendosur që pas një ftesë në emisonin argëtueso-edukativ të fundvitit me titull; “Blungjill” ( blu+ ungjill )i cili pritet të jepet këtë ditë, në fund të intervistës të vrasë veten, live duke u hedhur nga dritarja…

Këto E Nderuar Lartmadhni, janë informatat që unë mblodha me përkushtim të madh në të mirë të Mbretërisë dhe Figurës Suaj, Të Nderuar.

Ju kërkoj ndjesë përunjësisht që po marr guximin t’iu sugjeroj t’i merrni parasysh, por theksoj edhe një herë që këto informata kanë shumë rëndësi për të ardhmen e Mbretërisë.

Tani po e përfundoj këtë letër, Lartmadhni… e në dallim nga kopukët, sharlatanë, e shoh të nevojshme të përdor zarf…

Ja tani do lag ngjitësen tek kapaku, jo me pështymë Lartmadhni, por me esencë trëndafilash, ashtu siç Ju e meritoni,  E Nderuar… që marrshi nga pështymat tona…

Ai u zverdh në fytyrë kur lexoi ç’i shkroi dora…

Nuk desh të besojë që në të vërtetë kishte shkruar; “marrshi nga pështymat tona”, në vend të; “marshi nga jetët tona”.

Por e mblodhi veten shpejt, pasi hodhi edhe një herë sytë rreth e rrotull dhomës, si të sigurohej që fjalinë fatale nuk arriti ta lexonte njeri, ( gruaja e tij po pastronte bishtajat qetësisht ).

Menjëherë pasi u sigurua që gafën nuk e vuri re njeri, i hoqi fjalisë një vijë me stilograf dhe e ri-shkroi atë, bukur dhe në versionin e duhur.

E mbylli zarfin, pasi e ledhatoi mirë e mirë me gishta, e puliti sytë përgjysëm me një shprehje prej ëndërimtari në fytyrë, duke përfytyruar veten përpara kamerave, ndërsa jepte intervista të ndyshme e njerëzia s’pipëtinte, duke e dëgjuar plot vëmendje, teksa ai rrëfente, jo pa krenari, se si me anë të asaj letre të mbyllur, ai kishte arritur të shpëtonte një mbretëri të tërë.

 © Arlinda G.

Sumbulla

2 December, 2009

 191c008f.jpg

Një ditë, ti do të duash të ikësh,
e unë do të kuptoj, sigurisht,
( ndonjëherë dhe unë dua t’ia mbath nga unë…)
 
pastaj do vijë një ditë e zakonshme,
e ftohtë, me shi, dhe pa poetikë,
si kjo e sotmja,
ku ti do më shpjegohesh
se vetëm sa të ra rruga këtej…
 
unë do t’ul sytë mbi pllakat e trotuarit,
e do gëlltitem lehtaz…
kur një currilëz e mekur,
do fillojë të pikojë prej një ulluku të ndryshkur,
mbi jakën e palltos tënde,
e që andej,
do përplas stërkala të sumbullta në qerpikët e mi,
(që do rraskapiten ankthshëm,
të friguara, se mos rrëzohen mbi mollëza…)
 
pastaj, të dy do gjejmë një strehë aty pranë,
ku ti do me pyesësh,
e pyesësh,
e pyesësh…
pa qenë i interesuar të dëgjosh përgjigjet e mia…
 
(dhe unë do të kuptoj, sigurisht,
ndonjëherë, as unë nuk dua t’i dëgjoj ato)
 
dhe do t’ikësh,
pa haruar të theksosh për të fundit herë,
ftohtësirën  vrastare që do mbjellësh në stomak;
“vetëm sa më ra rruga këtej”…
 
e unë do mbetem aty,
me sytë ngulur mbi pllakat e plasaritura, të trotuarit,
me shuallin e këpucës që do fillojë të fusë ujë,
e me sumbullat në sy…
 
ndërsa tej,
atje… në trotuarin tjetër,
një mace rrugësh, e bërë qull,
do jetë duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtët…
 
© Arlinda G.