Bujkrobër të lumtur në facebook

10 February, 2010

        
       Botuar tek “Gazeta”
 
– Nga facebook-u mësova që i kishe kaluar bukur pushimet.
– Nga facebooku u bëra merak…u bënë kohë që ti nuk poston gjë…
– Nga facebook-u e mora vesh që ata të dy u ndanë… dhe që u ndanë po në facebook…  
E ja kështu, u bënë thuajse dhjetë muaj që edhe unë i jam shtuar këtij revanshi të makthshëm postmodern, me gjithë rezervat e një njeriu që nuk e përqafon lehtësisht të renë pa u bindur mirë, e pas disa refuzimesh kryeneçe, të cilat më në fund u kandisën e u dorëzuan.
Pra u bënë dhjetë muaj që unë kam një adresë në facebook, e gjithë – gjithë, kam vetëm shtatëdhjetë e katër friends dhe dyqind e ca kërkesa grupesh, ftesash individësh, të cilave nuk u jam përgjigjur, e që shpesh i kqyr dyshimshëm, njëlloj si të jem duke përfytyruar një bombë të fshehur në trupin e një kamikazeje me fytyrë të mbuluar.
Përfundimisht është zyrtare, në komunitetin virtual unë duhet të jem njeri asocial.
E si të mos mjaftonte kjo, si natyrë e ndërlikuar që jam ( edhe kjo po bëhet zyrtare ), edhe nga ata të shtatëdhjetë e disa miq që kam, seç kam një dëshirë të pashpjegueshme t’i fshij nja dhjetë a njëzetë prej tyre. Të kuptohemi këtu, nuk kam asnjë qejfmbetje me ta, për më tepër, atyre nuk u ndihet zëri i gojës, rrinë urtë si shurdhmemecë e nuk shqetësojnë askënd. Problemi im qëndron vetëm tek sasia. Seç kam një lloj stepie të çuditshme e mos-besuese përballë sasisë. Kam një teori timen në këtë rast: nëse numri i miqve të kalon, e shumta nga pesëdhjetë, atherë duhet të marrësh automatikisht statusin e njeriut të dëshpëruar. Zyrtarisht të dëshpëruar.
E di që ti lexues që tani je duke më lexuar ( më lejo të të flas me ti ), do jesh duke ngrysur vetullat duke shprehur mos-aprovimin tënd  me këtë teori timen, por mos më kërko më tepër shpjegime, tek unë kjo është më shumë e  pavetëdijshme. Pavetëdije e koklavitur  e një njeriu të koklavitur, do e quaja unë, zyrtarisht e koklavitur !
Një element thelbësor në facebook është opsioni “like”. Ti mund të shprehësh mendimin tënd, të debatosh, të argumentosh, të kundër-argumentosh, duke përdorur këtë opsion. Për ta bërë këtë nuk është e nevojshme të formulosh fjali argumentuese sipas një rrjedhe llogjike. Jo ! Teknologjia ka përparuar aq shumë sa ti mjafton ta çosh “miun” tek fjala “like” dhe… “u kry”. ( të kuptohemi, me “miun”, nuk e kam fjalën për atë të pandehurin e pacipë që hëngri kabllin e stadiumit ). Në këtë mënyrë, vetëm me nje klik, ti ke dhënë një mendim intelektual, tepër të çmuar për shoqërinë E natyrisht për ta bërë këtë nuk të nevojitet asnjë neuron, lëri të digjen ata !
Së dyti: harmonia jote me miqtë e tu të facebook-ut, varet padyshim nga denduria e  “like”-ve që u dhuron atyre. Gjithçka varet nga parimi: “Bëj një të mirë që ajo të të kthehet mbrapsht”, që do të përkthehej: jep ndonjë “like” që dhe ty të të lajkosin me të njëjtin pathos. ( A nuk iu duket intriguese ngjashmeria e fjalës “like” në gjuhën angleze, me fjalën “lajka” në gjuhën shqipe ? )
Ja të marrim një shembull: dikush, një ditë kishte postuar në wall-in e tij, në facebook, një lajm mbi vdekjen e një regjisori të famshëm. Ky lajm rezultoi lajmi më i suksesshëm i ditës. – Pse ? – do pyesësh ti lexues,  po sepse rrëmbeu dhjete “like” përnjëherë, e kupton apo jo, ç’do të thotë të rrëmbesh dhjetë “like” që në gjuhën konkrete jo-virtuale mund të përktheheshin fare mirë: – Bëri mirë që vdiq !  
– Në facebook duhet të mendohesh mirë përpara se të bësh një koment në wall-in e ndokujt. Këtu e kam fjalën për ato komentet pa bojëra të stisura, ashtu siç të vijnë ndër mend ty. Që ta sqaroj më mirë, përpara se të bëni komentin, duhet të merrni parasysh, detyrimisht, ndjenjat e lënduara të qindra adhuruesve të individit apo individes, të cilët, të indinjuar nga komenti yt, janë gati të ngrihen e të formojnë: “Komitetin për Shpëtimin Kombëtar të të Dëmtuarit” prej opinionit tënd të drejtpërdrejtë…
Por ama në facebook mund të gjesh edhe shume “benefite” të tjera ( do shprehej “benefitikisht” një politkan i mirënjohur ).
– Të martohesh përshembull. Po si mund të ndodhë kjo ? Po ja, përveç flirteve të mundshme që ai t’i ofron bujarisht, nën sloganin: “Të gjithë flirtojnë me të gjithë “, ti mund të bëhesh fan edhe i ndonjë agjencie martesore, e cila është në gjendje të të organizojë gjithçka në lidhje me ceremoninë. Ajo merret me të gjitha, me të gjitha – me të gjitha, aq me të gjitha, sa ti edhe mund të mos jesh fare i pranishëm në dasmen tënde… ose, ose: mund të jesh i pranishëm vetëm virtualisht apo platonikisht…
– Të vdesësh komodshëm duke u bërë, po fan, i ndonjë agjencie funeralesh, edhe këtu prania jote mund të jetë e diskutueshme…
– Të botosh një roman sharlatan me ndihmën e një shtëpie botuese,  gjithashtu sharlatane, duke u mjaftuar me bërjen fan të saj, e derdhjen e pagesës në llogarinë bankare, e natyrisht, shtëpia botuese nuk e ka të nevojshme që me parë ta lexojë librin tënd. Në këtë mënyrë ti bëhesh VIP, e më pas u tag-on miqve të tu, intervistën tënde, të bujshme në gazetën Paloma. ( besoj ju kujtohet të gjithëve ajo e lajthitura… e mos u turpëroni që i keni parë çdo seri telenovelës në fjalë, sindromës sonë kolektive të atyre kohëve )
– Në facebook do gjendet patjetër edhe ndonjë “benefit” që të të shuajë etjen. Kujdes këtu, mos e shpartalloni fantazinë, fjalia e mësipërme ka vetëm kuptim të drejtpërdrejtë. Ja  përshembull:  një ditë lexova këtë fjali ( të drejtpërdrejtë ) në wall-in e dikujt që nuk jeton në Shqipëri; ” X-i  u be fan i  Alo Ujë”. Pastaj një fjali hakërryese që m’u drejtua mua me një ngarkesë emocionale inatçore:    – Po ti ç’pret ? Tundu ! Bëhu edhe ti fan i:” Alo Ujë”.
Sigurisht që është më se e kuptueshme për mua që jetoj në Shqipëri, të behem fan i “Alo Ujë”, dihet që në këtë vend uji dhe dritat mungojnë me orë e pa orë, po jam kurioze të di për atë që nuk jeton në Shqipëri; në ç’mënyrë do t’ia shuajë etjen kompania ? Ç’është e vërteta Kam haruar ta pyes… Po do kujtohem ta bëj këtë gjë në ditët në vijim
Sa për dritat, dini gjë eshte hapur ndonjë kompani me tirullin: “Alo OSSH” ? Nëse po, më dërgoni urgjentisht një ftesë për t’u bërë fan e saj.
 
Por çudia më e madhe ndodh me komentet që bëhen në fotot e anëtarëve:
– Oh, m’u morr fryma nga bukuria jote. – Ah, nuk gjej fjalë për të të përshkruar sa e bukur që je. – Eh, m’u prenë këmbët, rash përtokë, nuk mbaj më, ti qenke perëndi dhe jo grua, etj etj.
Duket se këta njerëz bëjnë shërbime fotografike ekstra, me qëllimin e vetëm për t’i vendosur në facebook. Për të mos përmendur këtu photoshop-in. Edhe pse ata duken të vetëdijshëm që në realitet nuk janë aq të hijshëm, saç i transformon photoshop-i, apo një shërbim i shtrenjtë fotografik, kjo nuk i pengon të ngazëllehen prej komenteve të komplimentuesve, të cilët, të shumtën e rasteve nuk i kanë takuar asnjëherë .Vetë-gënjeshtrim frytdhënës ? Ku i dihet, ndoshta dhe kjo gjë e ka një të mirë: Motivimin për të bërë foto edhe më të shtrenjta !
Për të mos folur pastaj për poetët. Uhhh… Një ditë më dërguan një ftesë për t’u bërë pjesë e një grupi me titull melodramatik:”Femra, romanca, letërsia”.  Më duket se themeluesja qe një vajzë, një tipe e cila ka vite të tëra që bën poezi në facebook e nëpër forume nën të njëjtën temë: “Unë të desha, ti më ike, unë qava, po nuk do qaj më, do dashuroj prapë dhe kësaj rradhe nuk do gaboj…” Nga kjo e ashtuquajtur autore mund të lexosh vëllime të tëra mbi këtë temë. Është si të shkosh deri në Kinë, të kthehesh sërish,  dhe atë, po duke qarë mbi urë do e gjesh. Por gjysma e së keqes do qe sikur të qe vetëm ajo. Facebooku gëlon nga poetët, ose më saktë, për të mos e fyer fjalën poet, dhe për të mos qenë diplomatike apo politikisht korrekte, siç unë adhuroj të jem, po i quaj me emrin e  tyre të vërtetë: po i quaj bejtexhinj.
Poezitë e pretenduara duket se nuk janë gjë tjetër veçse ca vargje ( edhe për këtë fjalë do rezervohesha) me rimë. AA. BB apo të alternuara AB. AB, asgjë më shumë se kaq. Të vjen të shkulësh flokët kur lexon komentet poshtë tyre.
– Ti qenke poet i vërtetë. – Ti ia kaloke edhe Majakovskit vetë. – Wow ne do bëjmë çmos të të sponsorizojmë që talenti yt të mos kalojë pa u vënë re.
Dhe bejtexhinjtë ngazëllehen e marrin hov për të bërë gjëra edhe më të hatashme. Thua se janë në një koopertivë bujqësore, thua se u është caktuar një normë për ta realizuar çdo ditë. Ata mbledhin forcat dhe e realizojnë atë 100 për qind,  me një fjalë nuk u ikën  asnjë ditë pa postuar, të paktën një bejte patetike në wall-in e tyre. E ndonjëherë edhe e tejkalojnë atë…
– Në facebook ti mund të bëhesh një  bujk i vërtetë; një bujk i lumtur në Farmville. Mund të kullotësh gjedhët, mund të punosh tokën, mund të prashisësh të mbjellat, mund të adoptosh dele të zeza e të vetmuara, mund të shkëmbesh punë vullnetare duke i kullotur gjedhët fqinjit etj etj. Vetem t’i shikoni fermat në Farmville; te gjitha të lulëzuara e me prodhimtari të mbarë, nga ato duhet të marrin shembull urgjentisht shqiptarët që kanë tokë dhe e lënë atë djerrë.
– Në facebook ti mund t’i demostrosh botës që ke njohje të rëndësishme e që nuk je njeri dosido. Përshembull: ti mund të bësh miq; aktorë, poltikanë, shkrimtarë, etj, etj.
Ja, këto ditë une kam ndër mend t’i dërgoj një kërkesë për friend Papës. Po, po ! Ne këtë mënyrë unë mund t’i krenohem njerëzisë që kam njohje me përfaqësues zyrtare të rrugëve qiellore, e pse jo, mbasi ta bëj friend, duke kqyrur mirë profilin e tij, ndoshta mund të gjej edhe Zotin ndër miqtë, kështu mund t’i dërgojë një kërkesë për ta bërë mik dhe atë. Uroj vetëm që atë ditë Zoti të mos jetë i zënë duke parë ndonjë ndeshje futbolli. Nëse po, uroj jo nga ato të kampionatit tonë, pasi ai di të jetë sarkastik ashtu siç vetëm ai.
 
E për ta mbyllur;
Këto ditë, një shkrimtar i shkëlqyer u nda nga jeta, një shkrimtar mit, i cili me një roman të vetëm u bë idhulli i adoleshentëve në të gjithë botën, një autori imi i preferuar: Jerom David Salinger. Ky njeri kishte vite i arratisur nga të gjithë; të njohurit, miqtë, të afërmit, e futur në një skutë larg të gjithëve. Ndoshta në atë skutë ku qe fshehur për t’u mbrojtur prej agresionit mediatik, të paskrupullt, të kohërave tona, moderne, i cili nuk merr parasysh asgjë kur vjen fjala per lajme që të dhunojnë e të shkelin pamëshirë privacy-në, ai nuk dëgjoi kurrë për këtë shpikje të re, të njerëzimit, facbookun, dukurinë-makth që i ka përpirë të gjithë.
Salinger vdiq i arratisur nga bota, i lënduar dhe i tradhëtuar nga të gjithë, po ndoshta vetminë e facebokut tonë jetësor, atij facebook-ut ku gjatë gjithë kohës je i rrethuar me njerëz që të flasin me zë të lartë, të qeshin gurgullueshëm përpara syve, qajnë  ose mundohen t’ia arrijnë… diçka e tillë, të rrahin shpatullat babaxhanërisht, e prapëseprapë, të bëjnë të ndihesh edhe më i vetmuar, thua të kishte vite që e kish kuptuar ?.
 
©Arlinda G.
 
 
 

10 Responses to “Bujkrobër të lumtur në facebook”

  1. eni Says:

    hahaha ndoshta ti nuk pret lavderime per kete shkrim por une do te bej.
    ky shkrim ka humor,ka satire,ka cinizem, tallje por edhe te verteta therrese.
    me pelqen qe ke zgjedhur satiren per ta hedhur bezdisjen tende , dhe jo ndonje menyre tjeter qe do ta kishte bere shume predikues kete shkrim.
    dhe eshte vertete per te ardhur keq kur mendon se cdokush nga ne rrembehet se paku nje nga ato budallalliqet e mesiperme ndonjehere:(
    flm per kete shkrim!

  2. flokenaja Says:

    Faleminderit Enka ! Nuk doja te tallesha me askend, e aq me pak te tregohesha cinike. Shpesh neper shkrime une jam ironike, madje edhe auto-ironike, por kurrsesi percmuese… kjo ironia ime neper shkrime eshte vetem nje forme e permbajtur, rebelimi, e meqe koha e kryengritjeve te armatosura ka kaluar sipas nderkombetareve :D, e vetmja arme per te protesuar sic di une alla flo, mbetet kjo…

  3. sirena Says:

    mireseerdhe ne “komunitet” Flo… 😀

  4. fajkoi Says:

    Shkrim i dobet , nuk duhet tju kete ec ne fcb , prandaj shkruani keshtu , keni komplekse asgje tjeter por me kohen them se do pernisoheni..dobet shume shume dobet !

  5. flokenaja Says:

    Po pra, nuk me ka ecur ( shkruhet “ecur”, jo “ec”, meqe i jepni vetes luksin te kritikoni shkrimet e dobeta, te pakten mos u shprehni dhe ju kaq dobet )

  6. keti Says:

    Shkrimi ishte vertet shume real dhe na pershtatet me se shumti.Jemi bere njerez asocial,pikerisht duke perdorur like,pa dhene mendime e pa kundershtuar.

    Thjesht po humbasim vlerat

  7. flokenaja Says:

    Me vjen mire qe e ke kuptuar mesazhin ashtu sic duhet keti,
    miresevjen ! 🙂

  8. NAIDA Says:

    Arlinda mirembrema megjithese ti nuk je ketu tani ,por une po bashkebisedoj me ty permes ketij shkrimi qe me ka “ngrire “para pc ne nje kohe ku agrepat shenojne 03;00 te mengjesit .Po kerkoja ca poezi doja te clodhesha mes vargjesh dhe po klikoja per Teoder Kekon poetin e ndjere ,dhe klikova ke ky linku ,mes leximesh u kenaqa ushqeva shpirtin sinqerisht me Fredrik Rrepishten e metej doja ti beja Favarite ketij blogu ,dhe nuk po ndahesha dot derisa syte me shkuan ke shkrimi i Fb ,ndalova pa ditur asgje me shume se kush e ka shkruar …rresht pas rreshti dhe pse kaq vone nuk u ndala dot ,me beri per vete sikur po lexoja nje novel apo rroman,,,doja te dija deri ku shkon e verteta e ketij shkrimi dhe pasi perfundon e bashke me te mbaroj dhe udhetimi im ne Fb :)) sekreti ishte se kush do ta kishte shkruar …pashe inicialet e tuja dhe per nje moment me “buzeqeshi FB “sepse fatmiresisht aty pata nderin ta njifja A.Guma dhe me shume deshire po shkruaj tek gjej rastin te falenderoj per nje rrealitet qe e ke qendisur mjeshterisht ne leter me gjitha ngjyrat e se vertetes .Nuk gjej fjale vetem te falenderoj ,pranoj gjithcka ke shkruar per anen e trishte te Fb. per pseodo poetet ..bejtaxinj ,per Like =Lajka sepse na lodhen ledhet dhe bla bla bla ,aq sa kemi humbur dhe rrealitetin kufiri mes genjeshtres dhe se vertetes nuk ekziston me ,biles na pelqen dhe pse e dime qe eshte genjeshter me brire serish e besojme :)) Jam shume pak prezente kohet e fundit me gjithese Fb personalisht me ka dhene dhe ndjesi te mrekullueshme nga nje grup miqesh qe pse nr tani i rreduktuar eshte ke 560 nder to une nuk quaj miq me shume se 20 vete ..por duke qene larg shqiperise me ka sherbyer per mire pjeserisht .Une para pak ditesh po shkembjea te njetin shqetesim me nje miken time dhe po i thoja eshte bere Fb tan si gazeta ndonese e dime qe eshte plot genjeshtra dhe serish nuk na rrihet pa e shfletosur :)) tani nuk dua te pergenjeshtroj gjithe shtypin e shkruar por pjeserisht :)).Ndaj duke e mbyllur them qe Fb nuk e di ne me dha apo i dhashe me shume ,si per ore te tera para tij ashtu sikurse dhe lule shpirti qe une i quaj ato vargje modeste ,ku rrima eshte gjeja e fundit qe bej :)) Mbase tek une personalisht ka qene shtyse te “shkarravis” me shume derisa u lodha nga tagged dhe komentet e frustruara dhe thashe ndal ,ka Fb por ka dhe identitet se tani u beme ca si shume :))))
    Te uroj nje dite te mbare Arlinda ,me shume kenaqesi pres shkrime te tjera ,kemi nevoje te zgjohemi nga ky gjumi te lexojme dhe ushqejme shpirtin me rrealitet se po harrojme qe vetem zgjuar jetohet ,se ne endrra dhe ne gjume ,,koha ndalet .
    Faliminderit .Sinqerisht Naida Milla !!

  9. voci Says:

    Arlinde,e lexova me shume kersheri kete shkrim duke u nis dhe nga sa kam lexuar me perpara dhe vertet qe me rrembeu .
    Nje realitet i facebook-ut e qe ne po e shofim perdite vet,duke qene me ore te tera ,duke shpenzuar kohen tone ne vend qe te merremi me nje lexim te nje libri a dicka tjeter me vlere.
    Eshte sikur shkunde pak pluhurat nga supet qe na kane rene nga ndenjja me ore para PC.
    Por mos harro dhe “njohurite e vlefshme “qe marrim nga ketu .Lum si na.
    Me pelqejne perhere shkrimet e tua,aq sa kam mund te lexoj .
    Te pershendes.

  10. flokenaja Says:

    Te pershendes dhe une.
    🙂


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: