Kënga e pakënaqur e bulkthave 2

10 June, 2010


 

“Gazeta” 10.06.2010

(Çdo përkitje me ngjarje e personazhe realë, është krejt, e parastësishme…)

Pothuajse në të gjithë territorin e prefekturës ( si rrethinë e së cilës, figuronte krenarisht ndër rregjistra edhe fshati P. ), ishin shpërndarë disa fletushka të verdha, mbi të cilat ishte skicuar me laps të ngutur, fytyra e një njeriu.
Flitej nën zë për një operacion tepër delikat, nën mbikqyrjen e vetë prefektit. Ai vetë ishte marrë edhe me pajtimin e piktorit, të cilit i ishin përshkruar deri në detajet më të imëta tiparet e të shumë-kërkuarit.
Piktori, i bërë ujë në djersë prej fytyrës autoritare të prefektit, e cila i rrinte vazhdimisht mbi krye, kishte skicuar disa portrete rradhazi, derisa prefektit dhe disa funksionarëve të tjerë, përgjegjës për rendin në qark, u ishte mbushur mendja për njërin prej tyre, pikërisht për një portret që piktori kishte vizatuar shkujdesur, të fundit, atherë kur dhe i kishte humbur shpresat se ata do zgjidhnin ndonjë prej tyre.
Ç’është e vërteta emri i piktorit kishte qenë një tjetër engimë për banorët e fshatit P., por kjo nuk i pengonte ata të kembëngulnin me një siguri bindëse se piktori qe krejt i pa-talentuar në punën e tij ( nëse ajo mund të quhej punë – do të shtonin ata ), pasi nuk kishte si të shpjegohej ndryshe fakti që fytyra e skicuar mbi fletën e verdhë nuk u sillte banorëve asgjë në mendje.
 
Thuhej se fytyra, sipas tyre e masakruar si mos më keq prej talentit të munguar të piktorit në fjalë, i përkiste një banditi tepër të rrrezikshem për komunitetin, kështu për një efektshmëri sa më të plotë të operacionit, instancat përgjegjëse kishin ofruar edhe një shumë të konsiderueshme të hollash për çdo banor që mund të kishte informacion për vend-ndodhjen e tij.
Por sidoqoftë pretendimeve për pa-aftësinë e piktorit, banorët e fshatit P.,  iu përgjigjën me një përgjegjshmëri aspak të qortueshme njoftimit mbi të kërkuarin. Sepse kur binte fjala për të mirën e komunitetit, ata dinin t’i linin mënjanë vogëlsitë.
Kështu ata menjëherë mobilizuan ndjeshëm vigjilencën, mprehën shikimin e dëgjimin, për të qenë sa me të efektshëm për operacionin në fjalë, në mënyrë që edhe fshati P. të kishte vendin e tij, historik, n. atë “kapje spektakolare” – ashtu siç parashikohej  nga disa fallxhore me emër në P.
Nuk ishte pak për ta të linin një gjurmë të atillë në histori. Para një gjurme të tillë, të hollat e vëna në dispozicion bënin përshtypje vakët
Fletushkat u ngjitën në vende të dukshme e strategjike. Merret me mend se ku. Ato u ngjitën mbi pasqyrat çudibërëse. (shih:Kënga e pakënaqur e bulkthave 1).
Kjo qe edhe metoda më e frytshme për t’i bërë të ditur popullatës atë që po ndodhte, sepse siç dihej, nuk kishte banor në fshatin P., që të mos kalonte të paktën një herë në ditë përpara këtyre pasqyrave çudibërëse për të marrë dozën e përditshme të autostimës që i dhurohej pakursyer, falë kreativitetit të pashembullt të kovaçit të fshatit.  ( kishte disa kohë që ky i fundit kishte marrë titullin; “Kovaç i Merituar”, me një votim unanim prej; 99.99 % ).
 Por si për të konfirmuar edhe më shumë devotshmërinë e banorëve të fshatit P. ndaj instancave shtetërore, nuk mjaftoi vetëm ngjitja e fletushkave mbi pasqyra. Çdo mbrëmje kur banorët mblidheshin në sheshin e fshatit, me këngën e bulkthave në sfond, për të dëgjuar bëmat e supozuara të banorit të rradhës, përpara se të recitoheshin vargjet,  poeti duhej të merrte në dorë fletushkën e verdhë, e të lexonte ç’thuhej aty për banditin e shumë-kërkuar, si dhe t’ua tregonte me rradhë fytyrën e skicuar atje, të gjithë banorëve të mbledhur në shesh.( Ç’ishte e vërteta, me përfshirjen e atij shërbimi ekstra, poeti kishte filluar të mendonte seriozisht për shtimin e një klauzole në kontratën e tij, të punës, rreth pagesës së orëve shtesë, të pa-parashikuara më parë nga hartuesit e kontratës ).
 
Në gjithë atë atmosferë përndezëse, pleqtë dhe gratë e reja, të fshatit dukeshin kategoria e banorëve, më e përkushtuar ndaj njoftimit.
Çdo herë që takonin ndonjë fytyrë të panjohur, ndërsa barisnin nëpër rrugicëzat e fshatit, ashtu të ngadaltë, mbështetur mbi shkop, pleqtë menjëherë nxirrnin shaminë prej xhepit e pastronin me të syzet, për të parë qartë, nëse fytyra i ngjante asaj të vizatuarës mbi fletën e verdhë.
Ndërsa, sa për gratë e reja, ato seç kishin një arsye më shumë për të qetësuar  ndërgjegjen, kur ngrinin sytë për të parë guximshëm, të parin, të panjohur, të pashëm e misterioz, me të cilin shkëmbeheshin nëpër rrugicëza, kur mbushnin ujë, kur qëndisnin apo thurrnin me shtiza, të ulura së bashku nëpër sofatë e përbashkët, në sokakun përpara portëve.
Sigurisht kishte patur edhe ekuivokë të pa-këndshëm, të cilët ishin justifikuar, aty për aty, nga vetë banorët, si të pashmangshëm në ato rrethana…
 
Për shembull, në ditët e para, ata, ashtu të papërvojë siç qenë, kishin denoncuar gabimisht një djalë, banor të fshatit, të cilin të gjithë e dinin se prej disa muajsh ishte duke kryer shërbimin ushtarak në një qytezë të largët. Djaloshi ishte shfaqur befas në udhëzën gjithë pluhur me flokë të shpupurisur e mjekrën një pëllëmbë. Ai ishte grindur keqaz me eprorët dhe  në inat e sipër e kishte braktisur ushtrinë. Për  ditë të tëra ishte endur rrugëve, gjë me të cilën shpjegohej edhe mjekra e tij, rritur frikshëm.
Sikur te mos kish mjaftuar e gjithë ajo ngatëresë, menjëherë pas saj, banorët  kishin denoncuar si njeri të dyshimtë e të maskuar, një murg të cilin nata e kishte zënë rastësisht në udhëzën që kalonte pranë fshatit P. Jo shumë larg fshatit gjendej një manastir i mbushur plot e përplot me murgjër fytyrë-zbehtë. Nuk dihej si, e kush, kish arritur ne përfundimin që ata ishin fytyrë-zbehtë, manastiri qe i rrethuar me mure të lartë, gjithë myshk e lule-dredhëza dhe banorët, asnjëhere nuk kishin arritur t’i shihnin fytyrën ndonjërit prej murgjve. Po ndoshta për përhapjen e atij thashethemi mbi pigmentin e lëkurës së tyre, duhej të kishin qenë shkaktare, si gjithmonë, gratë e reja, pasi ato, dhe vetëm ato, dinin të ishin të vëmendshme ndaj imtësive të tilla. Sythet e trikove apo kryqëzat ( pse jo, dhe kryqëzatat ) e qëndismave të tyre, duhej të qenë tej-mbushur me atmosferën vibruese të rrëfenjëzave të mistershme mbi jetën e murgjve.
 
Dhe natyrisht, ishin dashur disa orë të mira në kuesturë, në mënyrë që të vërtetohej se asnj
ëri prej të denoncuarve nuk ishte banditi i shumë-kërkuar.
Më pas kishte pasuar një qetësi  e pazakontë… deri atherë kur kishte ndodhur bëma.
 
Dhe ja ç’kishte ndodhur:
 
Atë ditë Trembësi i Korbave, kishte shkuar në punë, si zakonisht, si çdo pasdite tjetër, të kontrollonte arat e mbjella me grurë. Korbat grumbulloheshin atje tufa – tufa, pastaj uleshin e qëmtonin mbi të mbjellat si në një gosti të bollshme. Ai vishej si dordolec, qëndronte në mes të arës, lëvizte krahët vazhdimisht dhe u fërshëllente me forcë shpendëve të largoheshin. Ky ishte profesioni i tij.  
Ai i trembi korbat për orë të tëra, dhe kur ata morrën arratinë, e në qiell nuk pipëtiu asgjë, u kthye të merrte rrugën për në fshat.
Ndërsa çapitej i lodhur, duke gjuajtur me këpucë guriçkat e udhës, papritur buzë një kanali, sytë i zunë një trup njeriu të shtrirë përtokë.
Ai iu afrua gjithë frikë. Njeriu kishte rënë përmbys. U afrua edhe më shumë, e lëvizi trupin dhe e ktheu së parthi. Kur ç’të shihte ? Fytyra e njeriut i ngjasoi shumë me fytyrën e banditit të shumë-kërkuar. Menjëherë nxorri nga xhepi fletën e verdhë dhe dyshimet e tij u vërtetuan.
Ai i preku pulsin, i lëvizi kapakët e syve… Asnjë reagim…
Banditi duhej të kish vdekur. Nuk kuptohej nga se.
Ai u mendua për disa çaste, pastaj papritur i vendosi të vdekurit duart në fyt, e bëri një gjest sikur po e mbyste. Pastaj menjëherë u lëshua me vrap nëpër udhëzen që të çonte për në qytezë.
Zemra i rrihte fort. Po bëhej protagonisti i ngjarjes më të madhe, të ndodhur ndonjëherë në fshatin P. Të gjithë i madh e i vogël, do ta merrnin  vesh që ai ishte ndeshur me banditin e rrezikshëm dhe e kishte mbytur. Ekspertiza do ta vërtetonte më së miri këtë gjë, kur të gjente gjurmët e duarve të tij mbi fytin e banditit.
Ndihej si në qiell të shtatë. E vetmja kauzë për të cilën kishte luftuar në gjithë jetën e tij, qe ajo e korbave, aq sa kohët e fundit, klithmat e tyre i dukeshin  karshillëqe të hapura, e shume nota të çjerra, përçmimi, nuk kishte asnjë mëdyshje që i adresoheshin veshjes së tij.
Por mjaft më ! Këtej e tutje pas asaj që do rrëfente në kuesturë, ai do bëhej njeriu më i rëndësishëm në qark. Vetem t’i shihje si do ta përshëndesnin njerëzit më pas, plot respekt e mirënjohje për heroizmin e tij, të pashembullt… pasaj le të guxonin ta përqeshinin ata shpendë te shëmtuar…
Ai nxitoi edhe më shumë hapat.
 
Po atë mbasdite, e njëjta gjë ndodhi edhe me Armë-Punuesin e fshatit P.
Ai kishte dale të priste një ngarkesë me materiale, e cila duhej të mbrrinte prej qytezës. Edhe ai e gjeti trupin, edhe ai nxorri fletën prej xhepit dhe vështroi ankthshëm ngjasimin. Edhe ai u mendua një hop, siç bëri Korba-Trembësi, por në dallim nga ky i fundit, Armë-Punuesi nuk i hodhi të vdekurit duart në fyt. Jo. Armë-Punuesi u largua disa hapa, hoqi armën prej krahut dhe e qëlloi të vdekurin m’u në tëmthin e majtë. Me këtë rast provoi edhe armën e tij, të re, të punuar prej tij, së fundmi. Prova doli me sukses. Arma funksionoi për mrekulli.
Pastaj edhe ai, po njëlloj si Korba-Trembësi, u lëshua turrë-vrap nëpër udhëzën që të çonte për në qytezë, duke menduar lavdine e tij, të mëpastajme.
Edhe pse qe prodhues armësh, kurrë ndonjëherë në jetën e tij atij nuk i ishte dhënë rasti të shkrepte ndonjërën kundër ndokujt. Ky ishte një handikap që e mundonte vazhdimisht.  
Ai përfytyroi se si do hynte në histori menjëherë pas rrëfimit në kuesturë. Do thoshte se e kishte parë banditin të kalonte pranë një gardhi, e kishte njohur dhe e kishte qëlluar. Kushedi, mund ta bënin edhe hero pastaj.
Ai mbylli sytë nga kënaqesia, kur përfytyroi të gjitha këto.
 
Atë mbrëmje në kuesturë ndodhi diçka e çuditshme.
Brenda disa oresh, atje u paraqitën pesë banorë prej fshatit P., të cilët pretendonin të gjithë se ishin ndeshur me banditin.
Sipas dëshmive të nënpunësve, i pari kishte pretenduar se e kishte mbytur, duke u ndeshur me të, trup më trup, ndërsa të tjerët, rrëfenin se qenë ndeshur me të me armë. Madje ai që kishte mbrritur i fundit, kishte treguar edhe pulpën e plagosur, si provë për të vërtetuar ndeshjen me të.
Pas këtyre rrëfimeve të çuditshme, grupi i ekspertizës u nis menjëherë në vendin e ngjarjes, e pas orësh të tëra, pune e djerse të derdhur çurk, arriti në përfundimin se askush prej pretenduesve nuk thoshte të vërtetën, pasi me ekspertizen, rezultoi se i shumë-kërkuari kishte pësuar vdekje natyrale për shkak te një infrakti, disa orë përpara se trupi të gjendej nga banorët.
U lëshuan disa fletë arresti për dëshmi të rreme ndaj; Korba-Trembësit, Armë-Punuesit, e të tjerëve me rradhë, perfshi këtu edhe të plagosurin në pulpë, i cili rezultoi se qe vetë-qëlluar. ( Kësaj rradhe, për përgatitjen e fletëve të arrestit, nuk u nevojit ndihma e piktorit të pa-talentuar. )
 
Pas kësaj, banorët e fshatit P., të pezmatuar ekstremisht me këtë ngjarje të padenjë për imazhin e tyre, i hoqën plot zemërim fletushkat e ngjitura nëpër pasqyra. ( Natyrisht edhe bulkthat kontribuan sa mundën me këngën e tyre, të pakënaqur )
Por menjëherë e mblodhën veten shpejt, e njëzëri urdhëruan prerë poetin të stiste në vargje një ngjarje të madhe, sa më të madhe e të lavdishme të mundur, e me përmasa epike, që t’i kalonte kufijtë lokalë e kohorë njëherazi.
 
Të paktën në atë ngjarje, atje dhe vetëm atje, ndoshta do arrinin ta mundnin të vdekurin…i cili çuditerisht kishte arritur të dilte fitimtar… me gjithë egzekutimin…

 
©
Arlinda G.

2 Responses to “Kënga e pakënaqur e bulkthave 2”

  1. Fredi Says:

    Bravo..

  2. doriani Says:

    doriani:me pelqen intriga,konflikti deri diku edhe hartimi i subjektit por nder te tjera pershtypje jo te mira me la gjuha e varfer(nuk pretendoj gjuhe te larmishme). dhe se dyti,ritmi i narracionit teper i pershpejtuar dhe shpeshhere i pamotivuar,pa sheshpushime ngaku lexuesi mund te kete mundesi minimale reflektimi.


Leave a comment