***

Kur ishim të vegjël
i shkruanim njëri-tjetrit nëpër avionë prej letre.
Tani avionët janë prej duralumini,
po të tërë janë bosh.

Je ftohur nga drurët, metalet dhe retë,
lartësive të mëdha.

Këto shpikje na ndanë;
Ishim aq mirë kur qemë të vegjël,
nuk na duheshin hapësirat dhe largësitë.

Bëje një letër, po jo prej duralumini:
Kam nevojë për ty, jo për metalet.

Ushtari i vjetër

Pash fëmijët në rrugë. Të qeshur,
të bukur dhe delikatë si vazot e çmuara,
ku nënat fshehin ëndrrat e tyre.

Më panë dhe u trishtuan. E kuptuan,
që unë nuk kam qenë kurrë fëmijë…

 Pasqyrim

 Çdo pasqyrë e ka një statujë timen brenda.

Statujat fshihen pas amalgamës.

Ne fshihemi pas statujave.

Natë

Flenë fluturimet mbi drurë
flenë rrufetë në thellësi të reve;
Fusha ul supin te era.

Gjithkush e ka një dhembje ku të mbështesë kryet.
Gjithkush e ka një mall që vizatohet si vinjete
mbi gjumin e botës.

Por vjen ti dhe më zgjon te supi
çdo natë me rrëmbim.
Ah, s’e dija që gishtat e kujtimit
mund të shndërroheshin kështu, në thikë…

Caku

Të vdekurve u veshin këpucë të reja,
se duhet të shkelin në udhë pa krye,
mirazh shkretëtire në rendje pa fund,
pa semaforë e vija të bardha e shtylla,
pa policë trafiku e manekinë mode,
pa kalimtarë në sens të kundërt si duna,
për gjetjen e orës, adresës së saktë.
Mbi kalldrëme shtruar me gurë sizifi
trokasin shojet e ngrëna si patkoj kuajsh,
ciasin gomat si në përplasje veturash,
thyhet njëqind copash pasqyra e lustrës.

O sa këpucë të reja u shitën sivjet!

Ata shqiptojnë një fjalë ndërkombëtare,
non stop-in rraskapitës me theks modern,
në maloren si thikë, pa ndalesa biblike,
pa pemë, pa zogj lajmëtarë si dekor.

Poshtë lart majtas djathtas para mbrapa – qiell,
me engjëj merramendës, me djaj rrëshqitës,
sipas rregullave të qarkullimit të Dantes.
Shohin dyzimin e tyre mbi pluhur këpucësh
që tingëllojnë si një kor antik në boshllëk,
gjersa lëkura çahet, këmba rri zbathur.

I largët është caku të mbërrihet tek Zoti,
me labirinthin e shpresës vetvetiu hapur.
 

Advertisements

Go Germany…

3 July, 2010

Gjermaninë mund ta duash ose ta urresh për vdekje.

Rrugë të mesme s’ka.

Si ata njerëzit me personalitet të fortë e me tipare të mprehta, të gdhendura mirë, që ngjallin reaksione të forta e që ndonjëherë të çmendin prej zemërimit kur nuk bien dakort me ty, por që po të gërmosh thellë-thellë brenda vetes, zbulon se i admiron fshehtaz për mënyrën dinjitoze se si shfaqen.

Ndeshjen e kaluar me Anglinë, me zuri syri disa tifozë anglezë që kishin veshur kapota naziskinësh, kishin vënë mustaqe nën hundë, (këto të prera shkurt, stil Hitlerian), e që shihnin si idhnakë me bisht të syrit, tifozët gjermanë përbri tyre, që me të drejtë gëzonin gëlueshëm për golat e njëpasnjëshëm që elektrizuan madje edhe komentatorët shqiptarë, të cilët, dukej haptaz që komentonin kundër Gjermanisë.

E megjithatë, megjithë ironinë elegante që tipizon thuajse gjithmonë anglezët, ata nuk e fituan dot ndeshjen.

Lojtarët gjermanë nuk u turbulluan e nuk u ndjenë dhe aq të prekur në sedër për aluzionin provokativ, kjo për shkak edhe të faktit që ekipi gjerman tashmë është një ekip globalist, mikpritës dhe i hapur ndaj etnive dhe kulturave të ndryshme.

Gjermania nuk kërkon më të sundojë botën… me përjashtim të Botërorit… atë po që po e sundon mençurisht…

Por më duhet të ndalem pakëz te ironia e anglezëve…

Duket se u ka mbetur  në vend ai sahati i tyre, i gërmuqur, Curchillian… në vend numëro, qysh nga koha e  Luftes së Dyte Botërore.

Ata nuk bëjnë më as para, as mbrapa. Thua se Historia gjermane ka vetem një faqe… për të cilën, sidoqoftë është kërkuar falje.

Por siç edhe është thënë tek një skenë e filmit: “Love Actually”, Gjermania vërtet ka një faqe të errët ne histori ( te cilën e pranon pa bërë ojna, spërdredhje apo pirueta), por ama është komb i madh. Gjermania është kombi i Bethoven-it, Goethe-s, Kafka-s, këmba e djathtë Beckenbauer-it, këmba e majtë e Beckenbauer-it, portreti si një skulpturë antike, greke, i Ballack etj, etj, etj.

Në rreshtat e mësipërm, u kujdesa të mos jepja nota melodramatike, siç u lëshua dramatikisht J-ja, a tek shkrimi i tij, i portokalltë, për Hollandën, por nëse duhet domosdoshmërisht t’i manipuloj pak lexuesit apo tifozët e lëkundur që abstenojnë për shkak se skuadra e tyre ka bërë valixhet, ja ku po e krahasoj Gjermaninë me atë femrën tejet dinjitoze e krenare, e cila të ka lënë….

Po, po, të ka lënë…  por që kur ti del në darkë me shokët dhe kërkon të flasësh e të shfryhesh pafund për atë që të ka ndodhur, përpiqesh t’i mbushësh mendjen vetes që vërtet Francesca apo Maria ( nuk e mbaj mend mirë emrin) të ka lënë, por ama, ishe ti që e vendose…

Jam e sigurt që do fitojnë (gjë qe do e bëjë Maradonën të shkojë sërish te parukierja e të dekolorojë edhe ca fije të tjera floku prej dëshpërimit, pasi dihen tashmë luhatjet emocionale, gati humnerike, të personaliteti të tij), por edhe nëse gjermanët humbasin, jam e sigurt se edhe në humbje ata do të dinë të jenë dinjitozë…