Paul Celan
 
Pasi ke ndërruar çelësin
ti hap një shtëpi, në të cilën
fërfëllon dëborë heshtjeje
n’akord me gjakun që të rrjedh
prej syrit, prej gojës a prej veshit,
ndërrohet çelësi yt.
çelësi yt ndërrohet, ndërrohet fjala jote,
duke e lënë veten ta bartin bashkë me flokëboret.
n’akord me erën që ty të shtyn
bora e mbledh fjalën shuk.
 
Shënim: Do të kisha dashur të vendosja emrin e përkthyesit poshtë, por nuk e di kush është, nëse ndokush e di, është i ftuar ta thotë.
Advertisements

Pikëllim zëdhënësesh

12 August, 2010

 (Poezi, “prozaike”, “komunitare”, “e angazhuar”)…
 
U fik edhe një ditë në pallatin në formë U-je,
me mure si letër kalk,
ku fqinjët, me flet’za karboni,
nxjerrin, si modele çentrosh,
sekretet e tjetrit…
 
Aromë tavë peshku, stërpik një dritare,
me zërin e folëses së lajmeve të mbrëmjes,
që zemërohet keqaz me baluken jo-skenografike,
teksa lexon lajmin e vdekjes së një minatori…
 
Galeria është shembur sërish
e sërish, dora shkon te baluke’pabindur…
(ah, galeria,
kjo sabotuese’ tmerrshme, skenografish)
 
Tavë peshku,
kronikë e një vdekje të lajmëruar,
dhe duel në baltë, zëdhënesesh sensuale,
që as një presje nuk dalin prej skenarit,
teksa rrëzojnë njera-tjetrën brenda lyrës së llojit…
Ajo, sërish u kthye vonë-,
thonë gratë në bordurën e parukerisë,
tek limojnë themrat e plasaritura,
të pa-shqetësuara për baluket jo-skenografike,
e natyrisht, as për vdekjen e minatorit…
 
shënjestra ka mbetur tek ajo,
fqinja e re, trokth-trembur,
që: –sonte.. kishte qarë… më duket-…
 …
U fik edhe një ditë,
nëpër qepenat që ulen me vrik,
djemtë,
do shohin ndeshjen me çehre analistësh,
ndërsa vajzat,
do t’i ndjekin me pikëllim zëdhënësesh që nuk dalin dot pej skenarit…
 
Në pallatin në formë U-je…    
U, si: –Ule automatin e pompës Sanije!
 
© Arlinda G.