Manual për “çadër-mbajtje”

27 January, 2011

 

Shfryva ca nëpër dhëmbë, kur sot në mëngjes mbrrita në punë, si zakonisht, teksa kërkoja dhe nuk gjeja çadrën që kisha lënë poshtë sirtarëve, një ditë më parë. Ç’është e vërteta, çadra nuk ishte dhe aq e re, por ama, as aq e vjetër nuk ish. Kështu që më erdhi vërtet keq që nuk po e gjeja, por jo për arsyet që mund të vërtitësh ndër mend ti lexues.
Ti me siguri do më përgjigjesh tani: – ku e di ti ç’mendoj unë? Dhe ke të drejtë, ka mundësi që të mos e di, por ama asgjë nuk më pengon mua të hiqem sikur e di. Ne këtu në metropol, gjithmonë hiqemi sikur dimë dhe marrim me mend gjithçka.(vë bast se edhe për këtë që thash, ti tani do tundësh kokën dhe do thuash shpërfillës: – e di, e di… dhe s’ka gjë se vetëm sa do hiqesh sikur…)
Pasi kërkova e kërkova, me minuta të tëra, ende pa pirë kafen e mëngjesit, u ula në karrigen time të punës, dhe siç më është bërë zakon së fundmi, u përpoqa t’i gjeja një anë pozitive kësaj humbje.
Është kjo një mënyrë përshtatje me “të keqen”, e kam shpikur vetë. Funksionon gjithmonë. Të këshilloj ta përdorësh dhe ti.
Që të sqarohem njëherë e mirë; unë fare mirë mund ta zëvëndësoja atë me një çadër të re. Por nuk e kam bërë deri tani, pasi kam një lidhje, gati të sëmurë, me sendet e mia, të vjetra. E kam tmerrësisht të vështirë t’i hedh, apo zëvëndesoj ato me të reja, pasi çdo-njëra prej tyre më duket se ka nga një copë ditar, pak histori modeste nga jeta ime e deri-tanishme, e cila, së fundmi ka filluar të më trembë nëse tentoj ta marr seriozisht…
Tirr e tirr, me mendjen time të freskët dhe ende të pa-kafeinizuar… më në fund i dhash dum: nga kjo humbje unë dal e fituar. Madje, madje, në gjithë këtë klimë ambientimi, arrita deri aty sa të mendoj se personi që ma kish vjedhur: “vetëm sa më paskesh dashur të mirën”. (kujdes “paskërkajorja”!).
Sepse nëse ti lexues jeton në Shqipëri, duhet ta dish mirë se ç’ngarkesë emocionale mbart këto ditë fjala; “çadër”.
Të mbash çadër, kohët e fundit është bërë shumë, po shumë herë më e rrezikshme, se të mbash; të themi: një snajper.
Me një çadër në dorë ti mund të jesh i aftë të kryesh lloj-lloj veprimesh që më parë mund të të jenë dukur të pamundura. Ajo mund të të shërbejë ty në vend të qilimit fluturues, anijes kozmike, apo, për të kryer një atentat, live, në “high definiton”. Dhe menjëherë pasi ta kryesh atentatin, të rrish po aty, në vendin e ngjarjes dhe ta përdorësh bishtin e çadrës si shkop për t’u mbështetur nëse të dhëmbin kockat nga pleqëria.
Ditët e fundit, fëmijët e vegjël nuk i trembin më me; “gogolin”, por me “burrin me çadër”.
Tani më vjen ndër mend, një skeç, gati filozofik, diku andej nga fund-vitet e socializmit të zbutur. Nga ai me kujtohet një batutë: “Gjermanët u maskuan si gjermanë”.
Ehh, po ç’nuk mund të ndodhë tjetër po pate një çadër ndër duar, o njeri! Përveçse ta hapësh kur bie shi, kuptohet, funksion i cili këto ditë e ka humbur krejtësisht kuptimin…
E ke vënë re sa është shtuar këto ditë numri i njerëzve që pranojnë të bëhen qull në shi, vetëm e vetëm që të mos mbajnë çadër?
Për mendimin tim, ka ardhur koha që çadrat të jepen vetëm me leje të posaçme, si armët e gjahut përshembull. (sugjeroj që fantazia të mbahet nën fre aty ku përmendet fjala “gjah”).
Ja pra, sa shume ma paskesh dashur të mirën hajduti i çadrës, mua. E meqë ra fjala: – pastë dorën e mbarë!
Siç thash më lart, unë kam mënyrat e mia të të ambientuarit me “të keqen”.
Ja përshembull: këto ditët e fundit, ku çdo metropolitan: rishtar dhe den-baba-dens, komenton pa-fund ngjarjen e së premtes me; komentet e komenteve, të komenteve, qetësisht ose jo, borgjezisht ose jo, pas një flixhani kafeje apo gotë konjaku, unë jam duke sugjestionuar veten së jam duke jetuar; një ditë normale, në një shtet normal, me çadra normale.
Dhe më beso, që kam filluar ta besoj vërtet këtë auto-sugjestion të frytshëm. Gati them, se pastaj vjen mbrëmja dhe të gjitha këto siguri më përmbysen krejtaz, pasi fillojnë ambientime të tjera.
Ambientimi im me të keqen e për-mbrëmshme, fillon me lajmet.
Kështu ditën e premte, dikush në facebook, i cili jeton jashtë Shqipërise, lutej e përgjërohej t’i gjenim një link, televizioni, “të pa-anshëm”(epo, kësaj i thonë të kërkosh dëborë në gusht, nuk të duket?). Ai nuk po merrte vesh asgjë nga ajo që po ndodhte: lajmet e dy televizioneve kryesorë të vendit, kundërshtonin pa fund njëri-tjetrin.
Për ta vazhduar më tej këtë ambientim, me ligjëratat e opininion-bërësve nëpër showe-t përkatëse, mediatike, të cilët, ashtu brishtësisht, me pak grim; pudër nuancë pjeshke përmbi mollëza, diskutojnë vazhdimisht, këmbë mbi këmbë, për rënien “aspak skenike” që bëri të premten që kaloi, njëra nga viktimat e demonstratës. Në të njëjtën kohë kur prezantuesi i emisionit, nga ana e tij, nuk përmbahet dot së hakërryeri, për faktin se vdekjen live, e transmetoi më parë, një tjetër media që thotë se ajo është lajmi dora vetë.
Asgjë për t’u çuditur, jetojmë në epokën e “high definiton”, kur ndodh një aksident, më parë e filmojmë se sa thërrasim ambulancën.
Unë nuk e di nëse është ndikimi i pudrës apo i ndonjë substance tjetër, narciztike, por këto ditë opinion-bërësit, kane filluar të merren gjerësisht e gjatësisht, me analizën e objektit: çadër. Ata analizojnë ngjyrën, formën, sofistikimin e butonave.
Përfundimi? Nëse keni hem çadër, hem në ngjyrë të roztë, thjesht, ia keni bërë vetes. Keni dy të keqija njëherazi.
Në mënyre që të qëndrojnë komodshëm tek nuancat e ndërmjetme, edhe opinion-bërësit betohen të japin shembullin e tyre, personal, që do të thotë se zotohen të mos mbajnë kurrë çadra. Madje, edhe atherë kur do i’u duhet të bëjnë në këmbë ndonjë copëz udhë, nën shi, ndërsa do dalin nga makinat e tyre, të  ngrohta, luksoze, blerë me honoraret e studiove përkatëse, televizive.
Por në këtë sakrificë unë nuk besoj dhe aq. Imagjino si do tretej pastaj, pudra ngjyrë pjeshke në mollëzat e tyre, të brishta… Si do varej poshte në rrëpira, e do zgërlaqej e gjitha, nëse ata do i ekspozoheshin shiut.
Por, e ka një zgjidhje edhe për këtë. Për të evituar gjithë këtë pa-rehati, aspak skenike, është e këshillueshme që opinion-bërësit të mbajnë një lloj tjetër, çadre, pikërisht ate llojin e çadrave “të lehta”, e të pa-dëmshme, plot ojna e tantella, që mbanin dikur “madmazelat”, diku andej nga shekujt e 17-të, 18-të, gjatë shëtitjeve nëpër puhizat lozonjare që u ledhatonin fytyrat e përskuqura me të njëjtën nuancë. Ca çadra delikate, të lehta; pupël, që do harmonizoheshin edhe me nuancën pjeshkë të pudrës mbi mollezat e opinion-bërësve.
(Ndërsa qeshë duke shkruar rreshtat e mësipërm, më kaloi përpara syve një sekuencë nga një video-clip i një kënge të Pink që tani po jepet në televizor. “Stupid girls” titullohet kënga. Dhe fabula e sekuencës është pak a shumë kjo: Personazh/ja shtyp një njeri me makinë dhe duket se më pas kërkon t’i vije në ndihmë. Ajo ndalon makinën, drejton pasqyrën, dhe… lyen buzët… kjo është ndihma)
Por le të vazhdojmë më tej.
Përtej gjithë harmonizimit skenografik, të lart-përshkruar, opinion-bërësit sidoqoftë, përpiqen të jenë gjakftohtë e të pa-anshëm, ashtu siç thuhet se duhet të jetë një profesionist i vërtetë në lëmin publicistik, i cili nuk përzihet kurrë emocionalisht me lajmin, apo me viktimën, sidomos kur kjo e fundit ka kryer “rënie jo-skenike”…
Sepse kohërat e profesionalizmit modern nuk lejojnë asnjë emocion. Në këtë pikë ata janë të gjithë profesionistë. Madje, për këtë punë kaq të vështirë, unë jam gati të propozoj që ata të marrin edhe “extraordinary”, (pagesë shtesë) përveç honorarëve… ndërkohë që ambientimi im me të keqen vazhdon…
Diku, në një libër të Leo Buscaglia-s, kam lexuar një fragment të bukur; një pjesë ku autori tregon se si nëna e tij hiqte mënjanë rezerva të tëra, ushqimesh, dhe i ruante për ditët e urisë kur familja mbetej trokë. E pikërisht në ato dite të vështira ajo gatuante  gjellët më të mira në mënyrë që fëmijët të mos i ndjenin as psikologjikisht efektet e urisë.
Diçka e ngjashme kjo me auto-sugjestionin tim.
Por, vetëm se unë tani kam frikë se një dite do më mbarohen të gjitha këto rezerva… Kështu, pastaj do detyrohem ta lë këtë vend, i cili kushton më pak se një honorar opininon-bërësi, në show-n e rradhës.
Ta lë, e te iki diku tjetër, atje ku njerëzit ndihen të lire të ecin, të këndojnë, të bërtasin, të kundërshtojnë, të qajnë, të përqafohen, poshtë çadrave të tyre.
Këtë mendoj në ditët e javës…
Pastaj vjen e diela… dhe ti sheh se si të rrëzohen përpara syve të gjitha skenat e imagjinuara.. Të dielën ti ndjen se duhet të bësh një vizitë në varreza, të vendosësh atje një trëndafil të bardhë, për të qetësuar turbullirat brenda…
Sepse ti mund të ikësh, mund të harosh, mund të mbartësh në krahë, gjithë jetën tënde; kujtimet, fotografitë, lodrat e fëmijërise, por nuk mund të mbartësh me vete ata që nuk janë më…
Sepse atdheu… është aty, ku ti, ke “të rënët e tu”…
 
        
          shënim:
1-     kush e ka gjetur çadrën, le ta mbajë… le ta përdorë si anije kozmike…
2-     ky nuk është shkrim për gazetën: “Tema”,  lutemi të mos e “vjedhë”, ajo, le ta kërkojë gjetkë shtatë përqindshin e saj.
 
© Arlinda G.

5 Responses to “Manual për “çadër-mbajtje””

  1. eldi Mar Says:

    Si gjithmone jeni e vecante ne shkrimet tuaja kaq te goditura dhe shume reale… edhe nje here ju pergezoj sinqerisht , do ishte mire qe ky shkrim te lexohej ne shkalle me te gjere nga te gjithe, kuptohet duke u rrespektuar e drejta e autorit… por ne admiruesit e tu e kuptojme stilin dhe menyren tende e nderuar Shkrimtare!
    Suksese dhe presim te tjera shkrime te bukura nga Ju.

  2. flokenaja Says:

    Faleminderit, me shkrime te tilla, nen simbolike, une kam gjithmone ankthin nese arrij te kuptohem nga lexuesi.

  3. unica Says:

    Nen simbolike. Ashtu na pelqen dhe ne. Ashtu i kuptojme me mire, i ndjejme me mire, i perjetojme me mire. Ashtu, “troc” nen simbolike. Nen simboliken e mprehte qe te shpon. Cte shpon te djeg. E cte djeg, djeg jo simbolikisht.
    Je e lutur qe tjeter here, kur te ti vjedhin shkrimet, na trego. Jo se kemi forcen te bejme dicka, po jam kurioze te shoh nese e ndryshon llojin e shkrimit, nese heq ndonje fjali a shton ndonje tjeter, e mbi te gjitha ne e ka marre mundimin, apo ne ka ditur ti vere nje titull tjeter.
    Se historikisht, keto ” bletet koniviktoro-punetore” qe kushedi kur do mund ta marrin ate te shkrete diplome, as te vjedhin nuk dine. Kur vjedhin dosje ne sirtare lene ndonje thua te pangjitur mire, apo qe eshte prishur nga ndonje veprim i shpejte e i dhunshem ne zyren e shefit a ne hotelin me te afert (nese shefi i vlereson aq shume sa ti coje ne hotel). Kur vjedhin shkrime, pervec nje morali teresisht lakuriq tregojne mungese te theksuar profesionaliteti.
    Po une them se gjykata nje padi prej teje, kundrejt ketyre pseudo-gazetareve, do ta mirepriste. E kushedi, sndodh me te te vjedhin. Cirrua masken. Nxirrua felliqesiren qe fshehin nen maska, ashtu sic e kane, lakuriqe. Brenda te gjitha normave, qe soji i tyre ka caktuar.

    po une pse revoltohem kaq fort??????!!!!!!!:)

  4. flokenaja Says:

    Hahaha, sa me bere te qesh.
    Qe te jem e drejte kjo e temes nuk eshte tamam “vjedhje”, pasi ajo i ben copy paste nga saktivista(shih ne te majte tek lidhje) me gjithe emrin tim, por ama i boton pa me thene gje mua fare, pa me kerkuar leje, dhe ceshtja eshte se une nuk kam ndonje simpati per Temen, nuk dua as te figuroj atje
    nejse, kur pash nje replike te nje militanti nga peshku, e binda veten qe shkrime te tilla jane shume larg “mases”, me pare asaj duhet t’i shkruash nje manual per te kuptuar ironine…

  5. ajzberg Says:

    Ndaj te njejtin mendim me ty per cadergjetjen e politikes,se ç mu kujtua nje thenie e Ismail Kadarese per menyren se si i mbajne çadrat shqiptaret,kaq turbulluese ishte cadergjetja politike ,sa qe fillova ta shikoj me dyshim komshiun tim,kur doli nga shtepia me nje goxha cader burrash sa per tre vete[domosdo cader e madhe arme me e madhe]imagjino sikur te ishte kohe plazhi se ç do te flitej per ato lloj cadrash,me siguri qe do te thonin se jane arme te vjetra ,jo shume te sofistikuara pasi kane dale disa cadra qe vendosen ne gotat me limonate ato jane sa nje cakmak me gaz[jo nga ato qe ndezin sobat,por cigaret]………keshtu nuk dua te flas per stilolapsat dhe mjetete tjera marrje jete pasi pasi nuk dua te ndikoj tek studentat ne klase[sa qejf do te ishte sikur te qelloja mesuesin e matematikes me nje stilolaps te mbushur ……….me caraca………….


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: