Ti qesh… e hareshëm, më sillesh përqark,
buzë greminës ku unë kam ndalur këmbët,
e shoh fikurazi atje poshtë, në humbëtirë…
ku pres të rrëzoj veten time…
 
po ti, menjëherë ul prej qiellit një diell të kuq,
e ma sjell para syve…
 
dhe përreth bëhet kaq dritë…
dhe përreth bëhet kaq ngrohtë…
dhe hareja jote e shpenguar,
mbështjell si kuvertë e butë dimrat e mi…
 
pastaj qesh…
e qesh…
e qesh…
 
…e hareshëm vazhdon të më sillesh përqark…
 
më largon prej buzëve,
bishtin e cigares që unë përtyp bashkë me humbjet,
dhe cipën e përgjakur të buzëve,
dhe… e lëshon atje poshtë…
në greminë… ku unë dua të shkoj pas saj…
 
por ti, m’i shkatëron gjithë planet,
e unë,
nuk di, si përfundoj ngatëruar nëpër flokët e tu,
që lëshohen poshtë si lule-dredhëza,
për të më shpëtuar…
 
oh, une nuk di…
e them se as ti nuk di,
pse kërkon të më shpëtosh me çdo kusht…
 
di vetëm që kam kaq frikë nga kjo lehtësi e papërballueshme,
dhe ky diell i kuq…
 
më lër të rrëzohem atje poshtë,
mirë?
të copëtohem atje bashkë me humbjet,
është më pak e frikshme,
se ky shpëtim i bukur…
 
Arlinda G.
Advertisements