Lumturia

13 June, 2011

Dikush duhet të lajmërojë kur vjen lumturia…
të paktën,
një pusullë e ngrënë cepash,
një telegram i rronitur,
“lajmërohet ardhja”,
ti, dil prite ne stacion,
merri valixhen,
sajdise,
pyete: – si të shkoi udhetimi?

Dikush duhet të lajmërojë patjetër…
se ti ke kohë që e ndjek siç ndjek një balonë harrakate,
që filli t’i ka bërë duart gjak,
prej përpjekjeve për ta mbajtur përgjithmonë mes pëllëmbëve…

Dikush duhet të lajmërojë kur ajo vjen e të ulet tek pragu,
se ti s’mund t’ia hapësh derën kaq lehtë,
se ti, që andej nga brenda,
sheh dyshimtaz vragat në pëllëmbët e shëruara të duarve,
prej frikës se mos sërish t’i përgjak,

oh… lumturia… është fare e pa-takt…

Advertisements