Shtëpia “me llambë”

16 July, 2011

Që kritikët e artit janë raca më e hidhët e species njerëzore, këtë e kam mësuar që në vitet e para të jetës.

Jo, jo, mos qeshni, kjo që po them është krejtësisht e vërtetë. Nëse do shihnit fytyrën time në këto çaste do kuptonit edhe gjithë serio-dramacitetin e çështjes në fjalë.

Ja ç’më ndodhi një ditë në kopësht në njërin nga ato vite të parë.

Kisha vizatuar një shtëpi. Kisha vizatuar muret, tjegullat dy ngjyrëshe; kafe e pjekur dhe një nuancë tjetër; e kafenjtë e çelët. Kisha vizatuar një mal, hënën që kishte nxjerrë kokën përgjumur mbi majën e tij, të mprehtë, me pak dëborë mbi krye që shndriste prej rrezeve të saj, të mekura, rrugicëzat përgjatë portës me kangjella, të gjitha të mbjella me lule përanash, një liqen brenda në oborr, disa varka prej letre që lundronin të pa-shqetësuara mbi ujin e tij, të qetë, të kthjellët në një ngjyrë midis së gjelbërtës dhe blusë, koliben e qenit, një kolovajzë, e pastaj një llambë që ndriçonte fort në mes të shtëpisë. Unë kisha qenë tepër e kujdesshme ta jepja qartë këtë ide duke i vizatuar edhe rrezet e dritës që shpërndante llamba andej-këtej brenda dhomës.

Kështu, pasi isha bindur se kisha bërë një kryevepër të mirëfilltë arti, (për këtë, askush prej shoqeve dhe shokëve të mi të kopështit nuk ma kalonte, ata  nuk dinin të kishin aq elementë në vizatimet e tyre) ja ku me erdhi edhe zhgënjimi. Plumb i rëndë, i cili pat qëlluar shumë shumë herë më i madh se atherë kur mësova që Plaku i Vitit të Ri nuk egzistonte dhe se qe vetëm një shpikje tinzare e të rriturve.

Pikërisht njëri prej këtyre të sipër-përmendurve, i cili vuri re rastësisht vizatimin tim, (ah këta të rriturit që s’pushojnë së shpikuri pafund gjëra), pasi e kqyri mirë e mirë nga të gjitha anët, e pasi e ktheu dhe letrën mbrapsht, sikur kushedi se ç’desh të zbulonte atje në faqen e pasme, më shprehu mendimin se vizatimi në përgjithësi i dukej i mirë, plot fantazi dhe ngjyra, vetëm se atij i dukej i pa-kuptimtë një element i tij.

Unë, padyshim hapa veshët dhe sytë fort për të mësuar se ku çalonte vizatimi. Pastaj ai më shpjegoi ngadalë, duke u përtypur, me atë cinzimin tipik prej të rrituri; të hidhët dhe kritik arti, se vendosja e llambës në vizatim i dukej krejt e pa-përshtatshme. Ai u nxitua të më bënte të qartë se unë kisha vizatuar pamjen e një shtëpie nga jashtë saj dhe jo nga brenda, pra, – në fjalë të thjeshta – tha ai, – nëse ti sheh një shtëpi vetëm nga jashtë, nuk ke si ta vësh re dhe llambën atje brenda, pasi nuk të lejojnë muret, dhe ti nuk ke vizatuar as dritare…

Ёshtë e tepërt të shpjegoj tronditjen dhe kapë-matjen prej gjithë asaj hidhtësie, por nuk e dhash veten. Me sytë e përshkëndritur prej inatit, dhe duke e parë të rriturin drejt e në sy, pa m’u dridhur qerpiku, ia ktheva me një ton shpërfillës se; “shtëpia ime i ka muret transparente”…

Pastaj shtova se “muret transparente lejojnë të duket gjithçka brenda shtëpisë”, – madje edhe rrezet që shpërndan llamba, – nxitova ta përforcoja mendimin, pas një çasti të vetëm pasigurie.

Unë doja të vazhdoja t’i shpjegoja atij, se në shtëpinë e vizatuar bënte shumë ngrohtë, paçka se dëbora e paktë në majën e malit vazhdonte të shndriste nën dritën e hënës. Por pastaj ndërova mendje. Ai nuk do e kuptonte dot këtë. Kur vjen fjala për çështje ngrohtësie këta të rriturit e hidhët dhe kritikë arti nuk janë gjëkundi. Ata se si ngatërohen, ashtu vetë, me këmbët e tyre brenda asaj llogjikës së tyre akull të ftohtë.

Menjëherë pas përgjigjes sime mbi muret transparente, i rrituri bëri një nënqeshje nëpër buzë, me shpupuriti flokët, pastaj shqiptoi nëpër dhëmbë; – e di që qenke “rafinato” ti…

Unë sigurisht që atherë nuk e dija ç’do të thoshte ajo fjalë, por nuk e dhash veten kurrsesi ta pyesja. Krenaria e “artistes së lënduar në sedër” prej faktit se “masa nuk ia kupton artin” nuk më lejoi ta pyesja.

-Po ti mos u shqetëso, – iu drejtova me mendje me një ton hakmarrës. – Unë  këtë do e mësoj në rrugë të tjera.

Ama për një gjë isha e sigurt, që ajo fjalë duhej të qe, mbase, si një si urë lidhëse midis diçkaje të mirë dhe diçkaje të keqe për mendjen time fëminore. Nuk e di pse ma dha atë ndjesi. Mbase qe thjesht instiktive. Është gjithmonë ajo shqisa e tepërt që më bën t’i marr me mend gjërat pa qenë fare e nevojshme të m’i shpjegojnë më parë.

Në një nga ditët në vazhdim, pasi pyeta të rriturit e tjerë se ç’do të thoshte fjala; “rafinato”, e pasi ata më dhanë ca shpjegime që nuk ma mbushën mendjen fare, pasi më pyetën më parë se ku e kisha dëgjuar, gjë që una refuzova t’ua pohoja se ma kishte thënë një kritik i hidhët, arti, sytë më shkuan aksidentalisht mbi nje etiketë shisheje, atje ku unë arrita të lexoja me mënyrën e rrokjëzuar, të një kopështareje që sapo ka mësuar të lexojë vetëm fjalë me shkronja shtypi ; “vaj i rafinuar me përmbajtje…” etj etj etj.

E lexova dhe e ri-lexova fjalën me mendje dhe me zë, pasta vrava e vrava mendjen se ç’lidhje duhej të kisha unë me vajin, i cili, ashtu si edhe unë ishte; “i rafinuar”….

Përpjekjet dështuan të gjitha, m’u duk se nuk kisha asgjë prej vaj ulliri, as prej atij të fabrikës dhe aq më pak prej atij të shtypurit me këmbë.

Më pas, në ditët në vazhdim, u duk se e harova zhgënjimin që pësova. Bota ime qe e mbushur plot me lojëra e ngjyra, dhe një qiell të bukur mbi krye, çdo herë që kthehesha dhe e shikoja apo i shkelja syrin.

Vetëm se ai më ri-kthehet herë pas here, netëve në formën e një ëndrre të çuditshme.

Atje, brenda ëndrrës, jam unë… E rritur… Brenda ëndrrës jam bërë një piktore e madhe… Jashtë saj, jo, të kuptohemi për këtë…

Sapo kam hapur një ekspozitë. Brenda sallës ka shumë njerëz; vizitorë që hyjnë e dalin, që flasin njëzëri, që diskutojnë.

Unë kam qëndruar në një cep dhe kundroj vëmendshëm gjithçka, por më shumë shprehjen e tyre, të fytyrës. Por nuk kuptoj pse pikturat e mia, janë vendosur të gjitha mbi ca mure të pa-suvatuar…

Ah po, me duket se harova të them më të rëndësishmen, nëpër muret e pa-suvatuar është varur e njëjta pikturë, në të gjitha ato. Ёshtë pikërisht vizatimi i shtëpisë me liqen, mal, hënë, varka letre dhe një llambë në mes.

Vizitorët vijnë e më përshëndesin. Ata më përgëzojnë më japin përshtypjet e tyre, pastaj vjen ai; çasti i tmerrshëm që më rraskapit e më bën ujë në djersë, teksa përpëlitem në shtrat, ndërsa ëndrra e pa-mëshirshme vazhdon.

Është ai çasti kur vizitorët, të gjithë, më bëjnë në fund të njëjtën pyetje; – pse është vendosur llamba në pikturë, në një kohë kur aty duket vetëm pamja e jashtme e shtëpisë?…- Si ka mundësi që ajo është aty, muret nuk e lejojnë të duket, dhe ti (këtu toni bëhet akuzues) nuk ke vizatuar as dritare…

Dhe unë e lodhur, u kthej të gjithëve aty për aty të njëjtën përgjigje inatçore; – se; “shtëpia që kam vizatuar unë i ka muret transparente”…

Pas kësaj ata tundin kokën në shenjë mosbesimi teksa vazhdojnë të vijnë vërdallë nëpër sallën me mure të pa-suvatuar.

Unë mbetem përballë pikturës, ndërsa shoh vazhdimisht nga dera me një ankth që më ngjitet deri në grykë e me shtërngon fort.

E kështu, edhe në epilogun ëndërr-përmbyllës, unë vazhdoj të shoh e lodhur nga dera me të njëjtën dilemë mbytëse në fyt, nëse ndonjëherë, në ndonjë çast, atje do të shfaqet dikush, një njeri që do t’arrijë ta kuptojë pikturën; “shtëpinë time, me llambë”, pa qenë e detyruar që më parë t’i jap shpjegimin tim, kryeneç mbi muret transparente…

6 Responses to “Shtëpia “me llambë””

  1. unica Says:

    Tashme jam ketu.
    Per te soditur me kenaqesi cdo tablo tenden, me mure transparent, qe masa art-kritikuese nuk ka sy ti shohe.

  2. flokënaja Says:

    miresevjen unica!🙂 me ke munguar

  3. flokënaja Says:

    Jo jo as mos e mendo kete, ju lexuesit me stimuloni te shkruaj, perndryshe te gjitha do mbeteshin vetem ne mendjen time e as do e merrja mundimin t’i shkruaja

  4. baci Says:

    fantastike!!!.me duket se jeni shkrimtare e pjekur! libri “princi i vogel” fillon me shprehjen ” te gjithe kemi qene te vegjel por pak e mbajne mend”.ju me nje tregim shum te bukur sintetizon ne menyre perfeto kete shpreje. “koliben e qenit” nje jete qe se degjoja.urime.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: