Don’t be ready, Top-i…

21 December, 2011

                                                                                                                            Botuar tek: “Gazeta”; 07/12/11
 
 
Besoj të gjithëve ju kujtohet Tirana e viteve 2000-2001.

Jo? Po? Me siguri ti lexues je duke bërë tani atë tundjen e çuditshme të kokës, nga e majta në të djathtë ose anasjelltaz, e cila vetem në Shqipëri përkthehet si një “po”.

Pra të kujtohen kioskat ndanë Lanës, pemët e prera cung, përçudnueshëm, Rama me blu jeans-e në fushatën elektorale për kryetar bashkie, pijanecët që të ndiqnin me sy të përkuqur tek ish-parku si të ishe femra e vetme e mbetur në rruzull, shoferët e furgonave që bërtisnin sa kishin në kokë; – hajde unazaaaa, fëmijë të ngazëllyer që dilnin eskursion ditën e Shën Valentinit, një reklamë e pazakontë që kish filluar të shfaqej tek-tuk nëpër televizione, e që në dallim nga të tjerat nuk promovonte asnjë produkt të skaduar, por që thoshte, – mjaft – herë pas here, stacionet e panumërta televizive që transmetonin pa fund e piratisht gladiatorin, aq shpesh sa çdo banor i Tiranës kish filluar të ndihej ngapak gladiator kur vinte kokën në jastëk.

E besoj se ju kujtohet të gjithëve se si lindi në mes të gjithë këtij absurdi e çmendurie frenetike, një stacion televiziv, fillimisht muzikor, i cili herë pas here nxirrte në cep të ekranit në fund, togfjaleshin; “prova teknike”.

Ato kohë më kishte bërë përshtypje një këngë, e cila transmetohej shpesh tek ky stacion; – lufto çdo ditë/lufto me veten – qenë nja dy vargje nga teksti i këngës, – ku do të arrish – dhe pastaj disa sekuenca nga Shqipëria e kohërave të komunizmit dhe Enver Hoxha që u fliste nxënësve të shkollave një anglishte me theks gjirokastrit; – Are you ready? – Are you ready? – You must be ready!

Kështu lindi Top Channel; një televizion që nuk pranoi t’i qëndronte gati qeverisë në pushtet.

Vajza dhe djem të veshur bukur, disa me nga një piercing në hunde apo ndokund tjetër që dukej sikur i thoshin kryeqytetit; – ne jemi ndryshe!

Vajza dhe djem të rinj që për hir të këtij ekzibizioni, kësaj ere ndryshimi, filluan ta sakatonin e masakaronin pamëshirmshëm gjuhën shqipe duke e mbytur atë pafund dhe krejt panevojshmërisht me fjalë të huaja.

Po mbase edhe kjo vinte në emër të këtij rebelizmi. Ose të paktën kështu dua të besoj unë, atherë të flisje pastër shqipen nuk quheshe dhe aq trendy dhe as mjaftueshëm i europianizuar. E pastaj sërish ajo reklama e çuditshme që nuk promovonte asnjë produkt të skaduar; – mjaft, ti nuk je për t’u shitur!

Po sikur të mjaftonte një reklamë… sikur të mjaftonte një piercing… me këtë të fundit emancipimi do t’kish një kosto krejt t’ulët e lehtësisht të përballueshme nga shqiptari i mesëm.

Por jo, pastaj ty të ndodh të thellohesh pak më shumë në ligjëratat e këtyre prezantuesve televizive (dhe jo vetëm), e të kuptosh zhgënjyeshëm se gjithçka ka filluar dhe mbaruar tek piercing-u.

Sepse të vendosësh një piercing në tru është ca më tepër e mundimshme se dhimbja fizike gjatë procesit.

– Po nejse, – siç themi rëndom nëpër tavolina vegjetuese, kafenesh, – pak pushim këtu; sot dëgjova diçka rreth falimentimit të një librari-kafeje këtu në Tiranë. Sa keq që këtë e mësova ditën që e zbulova këtë librari. Më thanë se ngjitur me të ndodhet një restorant i mirë, i cili frekuentohet shpesh nga qeveritarët.

Po mos e dhëntë Zoti që ata të frekuentojnë librari-kafenë, as kjo nuk hyn në trendin e kohës. Politikanëve nuk u del koha të lexojnë libra. Shumë, shumë, ata, vetëm sa mund të begenisin e t’i shkruajnë.

Por më mirë të vazhdojmë më tej, se as mua nuk më del koha t’u jap vëmëndje politikanëve.

Ti si thua lexues? Po? Je dakort? Po tund kokën tani… nga e majta në të djathtë apo anasjelltaz, për të më thënë, ashtu shqipërisht, se je dakort me mua? Po kur do e mësosh një herë e mirë se në të gjitha territoret jashtë Republikës së Lumtur të Shqipërisë, një tundje koke e tillë përkthehet si një “jo”? Ah, po ti je i pashpresë (bashkë me mua), kështu siç e ke nisur s’ke për t’u integruar kurrë në bashkësinë e veseve luksoze të Europës së Bashkuar.

Shumë ujëra kanë rrjedhur që atherë kur në cep të ekranit shfaqej togfjalëshi; “prova teknike”. Shume analistë kanë pranuar ofertën e rradhës për t’u hedhur në x- kamp, në favor të y- politikani. Të tjera media kanë filluar të përvetësojnë me vuajtje moralin e asaj proverbës që unë e kam haruar se kujt kombi i përket, që thotë se; “të përkulesh është më mirë se të thyhesh”. Ndonjë rebeli që nuk ka ditur ta përvetësojë si duhet proverbin në fjalë i është treguar dera, ndërkohë që thjesht është ndëruar kurs, për shkak se dallgët e kanë shtrembëruar direkun.

Po mbase ka ardhur koha për një proverb të ri, të shpikur kushedi se prej kujt kombi tjetër; të lumtur natyrisht; – “të ndërosh kursin e lundrimit është më mirë se të të thyhet direku”.

Mund të qëllojë që ti lexues që po më ndjek tani nëpër rreshta, të jesh punonjës i këtij televizioni, e ndoshta përgjigja që do të duash të më japësh tani mund të jetë dhe kjo; – ehh, e dashur shkruese, atherë ishim më të rinj, pak idealistë, tani kemi familje për të mbajtur dhe kredi për të shlyer, nuk mund t’ia lejojmë vetes luksin…

Por qëllon gjithashtu që ti lexues që po më ndjek tani nëpër rreshta të jesh ndonjë drejtues i këtij televizoni, e ndoshta përgjigja që do të duash të më japësh tani mund të jetë fare mire edhe kjo; – por ti nuk e di nuk e di se ç’do të thotë të jesh i detyruar të paguash një gjobë me shifra marramendëse…

Mund të qëllojë që të fërkosh duart, ti, lexuesi tjetër, që nuk e ke fare qejf këtë televizion, natyrisht për arsye objektive… – Të paktën të jesh më objektiv – thotë kënga e Lakos. I vetmi rresht që më stonon në tekst dhe që më ngjan si i shkëputur nga ndonjë fjalim pleniumi partie

Po nejse… Dreq! Sërish ky zhargoni vegjetues!

Sic thash, shumë ujëra kane rrjedhur qysh atherë. Ndonjë funksionar i opozitës i ka hyre publicistikës, pasi ka bindur (veten me vuajtje dhe ky) se të duash të fitosh ca zgjedhje me “fair play” në një vend si Shqipëria, është si të duash të japësh një koncert për piano dhe orkestër përpara një salle të mbushur plot e përplot me kanibalë, ku përpara se dirigjenti t’i bëj shenjë orkestrës të fillojë të luajë, ata (kanibalët) ndërkohë e kanë ngrënë orkestrën me gjithë dirigjent.

Ah, po! Ca gjera nuk kanë ndryshuar vërtet qysh atherë; Sinani vazhdon të bëj videoklipe e Tirana vazhdon të jetë po aq e pistë sa më parë, edhe pse në lajmet e këtyre televizioneve që kanë përvetësuar mirë proverbin e përkuljes është thënë bombastikisht se policia bashkiake ka kapur disa individë të rrezikshëm që po prisnin pemë nga liqeni.

E natyrisht, në gjithë këtë erë ndryshimesh e përkuljesh, edhe Top Channel është bërë më “soft”. Pak e nga pak po largohen temat “e rënda” që trajtohen nëpër emisione. Më kujtohet përpara një viti me sa nerv filloi emisioni; “Pasdite në Top Channel”, kronikat që përqëndroheshin kryesisht mbi tematikat sociale, varfërinë e tejskajshme, fëmijët pa mbrojtje, ndërkohë që vetëm përpara disa ditësh, në të njëjtin emision, një vajzë e re që kishte bërë operacion plastik, u përlot “live” me një mallëngjim skenografik, teksa kirurgia plastike rrëfente se sa shume e kishte mbështetur vajzën i ati për hundën e re. (!)

E sigurisht në gjithë këtë përkulje kaq të softëzuar (i vetmi i mbijetuar tek pasdite duket një gazetar terreni i cili një ditë po u bënte nja dy miss-eve disa pyetje pikante, të cilat ,ato, natyrisht qe s’i kuptonin… e kur ndonjëherë miss-et i kanë kuptuar pyetjet?), nuk ka vend më për gjithë ato vajza të tjera që nuk e kanë fatin të jetojnë nëpër metropole e që kanë probleme shumë herë më të rënda mbijetese e që as qe ia kanë idenë e as luksin e operacioneve plastike në hundë e më gjere…

Për të shkuar pastaj tek emisioni; “E diellë”.

Emisioni hapet me një tufë individesh të mbledhura bashkë që marrin nëpër gojë veshjet e njerëzisë nën sloganin; “Asgjë personale” (këto së bashku me një tip me ca syze, të mëdha si syze palombarësh i cili më kujton personazhin e atij irlandezit tek filmi; “Notting Hill”).

Besoj të gjithëve ju ka qëlluar ndonjë ditë kur ndiheni të veshur tmerrësisht keq e luteni me vete që të mos hasni në rrugë ndonjë të njohur, apo ndokënd tjetër, ndonjë individ të rëndësishëm për vëmendjen tuaj, në sytë e të cilit nuk doni kurrsesi të ngjani si dordolecë. Nëse nuk ju ka ndodhur dhe keni shpëtuar paq, tashmë keni këtë rubrikë tek; “E diellë” nga e cila nuk keni se si të shpëtoni pa u përgojuar e përçudnuar mirë e mirë, apo si të them… më saktë; pa u dorodolecëzuar.

Dhe e gjithë kjo “alamet” gjetje, pasohet pastaj me intervistën në pishinë, qëllimin e së cilës asnjëherë nuk e kam kuptuar plotësisht, me tepër se intervistë mua me ngjan si reklamë rroba banjesh apo peshqirësh.

Pastaj më tej një rubrikë tjetër që për hir të së vërtetës më duhet të them se duket disi interesante, një rubrikë e cila drejtohet nga një aktor i ri, i cili përveç të tjerash, qetëson vajzat anë e mbanë se Mark Darsin e famshëm mund ta gjejnë edhe në realitet. Hm… nëse do më duhej të thosha mendimin tim, krejt “bruto” për këtë tematikë do t’i thosha aktorit të mos lodhej dhe aq se për këtë kemi Cohelion, dashurinë morboze të lexuesit shqiptar kundrejt të cilit, unë asnjëherë nuk e kam kuptuar.

Po nëse do më pyesnit si shikuese se cila është fjala që më cingëris më shumë nervat nëpër ligjëratat e prezantuesve, e cila më bën të kem një dëshirë të përligjur ta qëlloj me vezë ekranin (apo me ç’të kem në dorë), kjo është fjala; “puntatë”.

  Takohemi “puntatën” tjetër, – në “puntatën” e shkuar kemi thënë se – , – qëndroni pranë ekranit se kjo “puntatë” do jetë e jashtëzakonshme – etj, etj.

Dhe ç’është më e keqja; sa bëhesh gati të qëllosh ekranin, ty të kalon vetëtimthi nëpër tru një “info” e dëgjuar shkarazi nëpër shkallët e pallatit se çmimi i vezëve është rritur.

E ja, kështu, ky “çmimi i vezëve” n’a mban dorën për shumë gjëra që nuk shkojnë në këtë vend.

Ёshtë e tmerrshme të mos e kesh luksin t’i thyesh dikujt mbi kokë një vezë! Duhet të jetë pikërisht ky çmimi i shtrenjtë, i cili duhet t’u mbajë dorën gazetarëve kur retushojnë lajmin, drejtuesve që i heqin kryq kur ky lajm i retushuar kalon nëpër duart e tyre, drejtorëve, ministrave…

Nëse do kishim ndonjë aparaturë e ndonjë njësi matëse për të matur frustrimin në një vend kaq të pa-lirë kundrejt aktit të gjuajtjes me vezë, aparatura tani mbase do t’ish çmendur fare.

E ja kështu të dashur lexues, ja kështu të dashur gazetarë, ja kështu të dashur drejtues.

Sidoqë, më duhet të them për të qenë e drejtë deri në fund me ju, se me gjithë cingërisjen e nervave nga agresioni i fjaleve të huaja e masakrimi i gjuhës, me gjithë softëzimet e përkuljet e imponuara, unë ende vazhdoj ta ndjek këtë stacion. Sepse nuk di pse ende vazhdoj ta shoh si shpresën e vetme, të vagullt, të mekur, të zëdhënëjes së fjalës së lirë, apo më saktë; atë që ka mbetur nga fjala e lirë…

Prandaj të dashur gazetarë, të dashur drejtues, bëni diçka…

 -Çfar?- do pyesni ju

Po ndoshta do të tingëllonte patetike sikur t’iu përsërisja këto kohë; -lufto çdo ditë/ lufto me veten. Sepse dihet se këtë betejë, përditë nga pak, të gjithë po e humbasim në këtë vend.

Por të paktën… me gjithë çmimin e shtrenjtë të vezëve, “don’t be ready” për askënd. Don’t be ready, Top-i!

(thirrje lehtësisht e ngaterueshme me një mbiemër të njohur… po s’ka gjë… s’do bënte keq të mos qëndronte gati për askënd, edhe ai- (presidenti)…)

8 Responses to “Don’t be ready, Top-i…”

  1. baci Says:

    Nuk banoj ne Shqiperi dhe nuk e di cfar programesh ka TV.Perdorimi i fjalve te huaja? Doja te nenvisoj qe edhe Ju i perdorni ne kete shkrim , dhe me vjen keq!

  2. unica Says:

    Pershendetje!
    Ke goditur fuqishem kesaj rradhe flo, mua me pelqeu.
    Boshtmendimi yt, perputhet cuditerisht e persosshmerisht edhe me boshtmendimin tim mbi dukurine ” Top, only on top” (sic them une, vetepandehshem, always on top). Arroganca e atyre pircing mbajtesve me ka acaruar e irrituar vazhdimisht gjate ”rritjes” sime perballe televizionit, (tek shijoja buken me veze prej te ciles nuk heq dot dore akoma🙂, betohem se nese mamaja ime do me jepte akses te plote ne kuzhine, sdo ti kisha dhene kohe vetes te llogarisja rritjen e cmimit te vezeve. Kesaj i thone ‘ti e meriton nje veze ballit’.
    Po sa bukur mi kishe nenvijezuar pseudokonferencieret e programit qe tenton te mbushe orarin televiziv te se dieles. Asnjera nuk eshte, sic thuhet ne shqipen dialektore te shqiperise se mesme , sakllam. Aty, perballe nesh, cdo te diele na del nje gjoks i madh, mase e levizshme gjìthnje, qe duket sikur ka ngaterruar vendfutjen e ndonje prize, e flet sikur si kishte dale koha ta pertypte capen e fundit dhe transmetimi e zuri me gojen plot. Nje shendetlige tjeter, me nje pale floke foshnjetrembes, te kuqe flake, le nam tek nuk di cte thote. Po cnuk ka aty, velina te shnderruara ne yje, vajza qe ne backgroundet e te cilave gjenden tentativa publike te shkesberjes neper rruget e tiranes.
    Sa keq! Pati nje bum ato kohe. Nje bum te marresh me frena difektoze.
    Po sot?! Sot, gjenerimi progresiv drejt fukarallekshes ne transmetime, i mban e nde krenare. Per mua ende ”pseudokrenare”.
    Me ke pelqyer Flo!
    Si gjithmone me ngacmon, e me fut ne te thella. Mire ben.

  3. b Says:

    Flo,

    Urime për blogun. Po të shkruaj këtu sepse nuk gjej gjëkundi tjetër ndonjë mënyrë për t’u lidhur. Do të doja të ofroja ndihmë për anën teknike. Të lutem ta fshish këtë postim, meqë është jashtë teme dhe, nëse dëshiron, ta vazhdojmë përmes email-esh.

  4. flokënaja Says:

    Faleminderit unica! Faleminderit dhe ty “b” (“ç’është ky b-ja me korba”-zonja nga qyteti :)) për urimin edhe pse tashmë u bënë 4 vjet që nga dita që e kam hapur blogun. Ndërsa bacit do t’i thoja ta lexonte edhe njëherë shkrimin.

  5. unica Says:

    @flokenaja
    ooooo Flo-ja!!!
    Po nga je me çupe???
    Mendova mos na ke lene per fare:)
    @ b
    Po ja qe na pelqen ne te kooperatives fjalimi i ndaluar i kryetares, shoku _b_. Mos do ta denoni per agjitacion e propagande apo qe eshte tradhetar i idealeve te partise???? Po jemi ne 2012 dhe me sa dime ne, secili ka te drejte te shprehet sipas deshires, e te vendose per vendin, kohen e kontekstin e cilesdo gje qe thote. Problem i madh qe su rri ju per shat ky shkrim, ja qe ne na rri sic duhet.
    Fshirja e ketij postimit, personalisht do me ofendonte, ashtu sikur do te ofendonte cdo vizitor te ketij blogu.
    P. s: Tani qe po e mendoj, mos je CELOS ti re???

  6. b Says:

    Flo,

    Po të vësh re tek etiketat e blogut, (Tags, djathtas sipër), do të shohësh që, për çudi, numri më i madh i postimeve të tua gjenden nën etiketën “Pa Kategori”. Që kjo nuk ka kuptim besoj e kupton. Si ndreqet? Duhet t’u rikthehesh krejt postimeve që ke bërë gjatë kohës dhe, për secilin, të heqësh shenjën nga etiketa me të cilën ke abuzuar padashur. Kaq desha të të sugjeroja.

    Me shpresë se këtë përgjigje nuk do të harrosh ta fshish.

  7. flokënaja Says:

    Po pop, e kam vënë re, faleminderit b, e di si bëhet, por kohët e fundit, për arsye objektive futem në internet vetëm nëpërmjet celularit, prandaj i kam të pamundura modifikimet, fshirjet e postimeve gjithashtu, shpresoj të më mirëkuptosh. @unica, b dhe baci janë dy njerëz të ndryshëm.


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: