Drita jote, e butë

20 January, 2012

 
U nis të qe teksti i një kënge.
Volteri ka thëne se gjërat që tingëllojnë paksa “stupid” kur thuhen; këndohen.
Shpresoj të jem “budallepsur” mjaftueshëm aq sa të bëhet këngë.
Deri atherë, mbeten vetëm disa fjalë të hedhura nxitimthi;ashtu kuturu.

Ne jemi dy marioneta,

në këtë teatër kukullash,

nga salla, fëmijët qeshin me frikën tonë,

e n’a tregojnë me gisht,

tregojnë këtë dashuri,

që si zog i trembur na ka rënë në pëllëmbë…

…dhe kemi frikë t’i hapim, se mos ikën,

…dhe kemi frikë t’i mbyllim, se mos i marrim frymën,

dhe nuk dime ku ta lëshojmë,

dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të…

ah, ti…

dhe gjithë dritat e galaksisë që ke mbledhur në sy,

kur më sheh,

kur më flet:

fjalë kaq pa kuptim,

ndërsa drita jote, e butë,

rrjedh udhës së shpirtit tim.

…ti…

dhe kjo dëshirë e llastuar për të ndjekur me sy një re, të bardhë,

me kokën mbi supin tënd…

… dhe kjo trokitje hapash,

që pa e kthyer kokën pas, do ta njihja në njëmijë…

… ne jemi dy marioneta,

në këtë teatër kukullash,

në skenë n’a kanë ngjitur të luajmë veten,

nga salla, fëmijët n’a tregojnë me gisht,

kërkojnë një happy-end për historinë tonë…

për këtë dashuri,

që si zog i trembur n’a ka rënë në pëllëmbë,

e nuk dimë ku ta lëshojmë…

e nuk dimë si ta rrisim…

e kemi frikë mos e mbysim…

Arlinda G.

Advertisements