Big Brother-Ky triller intelektual(!)

12 April, 2013

Botuar më 9 Mars 2013, në gazetën “Shqiptarja.com”

Të urdhërosh veten të ndjekësh Big Brother-in nga fillimi deri në fund, (pa dëshirën e saj), është një vuajtje e madhe. Po, lexues, mos huto ashtu. Ёshtë një përvuajtje e tillë, si të ta shpjegoj? Ke parasysh atë këngën masterpiece te bbf-ja; kjo fatkeqesi që na ndodhi/na shkatëroi? Një melodramë e ngjashme. Sidoqoftë dhimbja sikur zbutet paksa kur prezantuesja deklaron se sheshet janë zbrazur të gjithë, se nëpër rrugë s’ka mbetur këmbë njeriu pasi të gjithë po ndjekin emisionin në fjalë, dhe ti më në fund kupton arsyen pse një protestë për qumështin e helmuar, e zhvilluar sot, ka grumbulluar aq pak vetë; njerëzit kanë shkuar të gjithë të shohin se si Big Brotheristët vazhdojnë ta pinë qumështin pa ditur gjë mbi helmimin. Tek e fundit kanë firmosur një kontratë ku u ndalohet të marrin vesh ç’ndodh jashtë, qoftë ky një apokalips apo sulm alien.

Por, me ç’të filloj më parë në këtë emision? Me prezantuesen që ngjan me ato mësueset e filloreve që kanë patur prindërit tanë dikur, dhe që u binin duarve me shkop thane kur s’mësonin? Ёshte aq intimiduese sa duket sikur do dalë nga televizori e do qëllojë edhe duart e mia. Duket sikur thotë gjatë gjithë kohës; unë jam më e mira, më inteligjentja, më e bukura, ju urdhëroj të më ndiqni, urdhri nuk diskutohet, përndryshe…(pastaj duket sikur mendohet pak dhe na bën një lëshim që nuk e meritojmë;-ok mund të mos jem më e bukura fare, por sidoqoftë, ju urdhëroj të më ndiqni). Vazhdojmë me psikologen me një barrë kualifikime që kandiset të bëjë profile psikologjike në Big Brother. Një rast i mirë për të veshur një fustan te kuq, mbase. (nuk kuptoj çfar i ka gjetur femrat shqiptare me këtë të kuqen e ndezur që bërtet? a ka ndonjë në këtë vend që pëlqen të kuqen e thjeshtë, atë të pabujshmen? Krasta do thoshte “të kuqen e tërhequr”, ndërsa komiteti për shpëtimin e tij do indinjohej sërish se mos po e kritikoj). Emisioni vazhdon, gjithmonë nën nota intimiduese, ndërkohë që ata të shkretë janë mbledhur si përpara zyshës (me thupër thane) dhe e shohin në dritë të syrit. Ja nje dialog intelektual (!) që zhvillohet midis një vajze bionde (flokët e së cilës të kujtojnë furkat e plakave qëmoti) dhe një djali;-Publiku mendon se ti e përdor E-në. Djali:-Jo, s’është e vërtetë! Kthehet nga vajza dhe i thotë:-Je viktimë ti E? Dhe E-ja, e cila duket se i ka lënë të gjithë neuronet në pasarelë, përgjigjet me bindje:-Jo, unë nuk jam viktimë! (e kështu, me këtë dialog brilant shuhen të gjitha dyshimet). E kur ndonjëherë viktima është e ndërgjegjshme për statusin që ka? Kalojnë disa minuta dhe i njëjti dialog zhvillohet midis një vajze dhe një djali tjetër, teksti, po i njëjti:-Ti po e përdor atë! -Kush unë? Ja ta pyesim:-Po të përdor unë ty? Dhe vajza ia kthen:-Jo ti nuk më përdor mua, unë të përdor ty! Teksa ndjek këtë dialog kaq të sofistikuar (ku secili shtiret sikur ka një strategji për të mos u dukur humbameno), ty lexues-shikues të duket vetja sikur je kthyer në fillore dhe po zgjedhon foljen “përdor”; t’përdor, m’përdor, na perdorin (m’fal per zhargonin, pasoja prej shkrimit për “lalin”).

Më tej, kamera fokuson një vajzë me origjinë veriore, dhe prezantuesja na drejtohet neve dhe asaj; asaj:-tani ti do përlotesh! (s’ke rrugë tjetër, për të mos thënë-të urdhëroj!), dhe neve:-teleshikuesit do emocionohen! (urdhri nuk diskutohet!). Ndërkohë vajza fillon të tregojë historinë e saj; vërtet prekëse, të cilën e shoqëron sukseshëm me lotë po aq të vërtetë (megjithëse, të vërtete apo fallco, detyrimisht duhej të qante për të mallëngjyer publikun). Ato emocionet njerëzore që përdoren për të rritur audiencën, por më e tmerrshmja nga këto, duket auto-përdorja e tyre nga vetë vajza për të ngjallur empati te publiku. Një lloj viktimizimi manipulues. Me tej prezantuesja na përmend një fakt që duket se e sheh me keqardhje, por që nuk i shpëton egzaltimit komercial; në filmin: “Falja e Gjakut” të ngujuarit ndiqnin Big Brother-in. “Oh boy”, asaj i duket kaq prekës ky fakt, në një kohë kur mundet që regjisori ta ketë përdorur si një figuaracion, një lloj paralelizmi, ironik e i hidhur; ngujimi primitiv dhe ngujimi modern; thelbi jo dhe aq i ndryshëm.

Ka mundësi që dhe ti lexues, njëlloj si unë, këtë punën e famës duke ngrohur divanin apo gromësirë nuk e kupton dhe aq. Këtë punën e famës në përgjithësi  unë nuk e kuptoj fare. Përshembull; fama mund të jenë edhe dhjetë gra llafazane poshtë pallatit që të ngulin sytë si projektorë kur ti lexues kthehesh në shtëpi. Ato të bëjnë një intervistë në formë pyetsori nëse ke qenë në ndonjë takim, dhe ti ua kthen se ke qenë te kepucari, bie fjala… Por jo, ato jane të bindura që ti ke qenë në një takim dhe jo te këpucari (i cili, nga ana e tij dhe ky të ka pyetur nëse vjen nga ndonjë takim? cila është pema jote, gjenealogjike? apo; nëse je i fejuar? nëse po; pse s’je i martuar? dhe nese je i martuar;pse s’ke fëmijë? dhe nëse ke një fëmijë: pse s’ke dy? etj), e ti, ashtu i sugjestionuar prej sigurisë së timbrit të zërit të tyre, ndërkohë që ngjit shkallet apo merr ashensorin, fillon dhe pyet seriozish veten se mos ke qenë vërtet në ndonjë takim dhe nuk e di, se siç i thonë një fjale:-I zoti e merr vesh i fundit!

E ke menduar ndonjëherë lexues se ç’të mirë do i sillte komunitetit sikur këta njerëz që parazitojnë gjithë ditën mbyllur në një shtëpi luksoze, t’i vendosnin në një punë të detyruar; të fshijnë rrugët apo të mbjellin pemë, përshembull? (nëse jo, shpresoj që ta kenë menduar ideatorët) Por le të kthehemi te mesazhet e pretenduara që Big Brother (ky triller kaq intelektual) u përcjell të ngujuarve nga gjakmarrja. Hm, po jo vetëm atyre, edhe një Shqipërie të tërë të ngujuar në boshësi. Këtu ndërhyn dhe psikologia, e cila s’kuptohet qartë se ç’kërkon të thotë (vështirë të të marrin seriozisht kur flet për gjakmarrjen e ngujuar në kolltuk, veshur me fustan ngjyrë të kuqe, të ndezur). Janë kaq mallëngjyes mesazhet e mbrritjes në majë, ndërsa gjatë rrugës, këtë mbrritje e shoqërojnë brryla e manipulime për të larguar të tjerët nga udha e fitores, pastaj këto mesazhe xhungle, të rinjtë i përcjellin në shkollë, në punë, në mardhëniet e tyre, personale. E kush nga ju nuk e ka provuar atë ftohtësirën që të lë në stomak përballja me një luftë të tillë, brrylash? Eveniment për t’u shënuar në CV (nën termin e vuajtur:”i aftë për të punuar nën presion”) në këtë Shqipëri të qorollepesur. Thua të jetë ky ai kapitalizmi sharmant siç na dukej nga reklamat e Rai-t? Dikur kemi patur një thënie idealiste në lëndën naïve të edukatës morale; kush i ben gropën shokut, bie vetë brenda, ndërsa në kohërat moderne kemi; kush i bën gropën shokut, fiton Big Brother-in. Ky është dhe ai morali aq i shumëpritur kapitalist (që ne lindorët ish-komunistë, mezi prisnim ta shijonim) me të cilin, duket se bota nuk është aspak e lumtur, deri te vetë fituesi i pasur në majë që ndërkohë i ka humbur të gjithë miqtë.

Po le të vazhdojmë me dramacitetin e folësve që reklamojnë çdo lëvizje si prej  shpikësish bombe bërthamore; X-i ka vënë beretë se tani po bëhet gati të lajë banjën! Suspence! Mbani frymën! Y-i ka shtrirë flokët se tani do gromësijë! Z- eta ka veshur taka dhjetë centimetërshe se tani do presë thonjtë!…

Ju ftojmë të zbrazni sheshet! Ju ftojmë t’i braktisni protestat! Ju ftojmë të ngujoheni!

© Arlinda G.

4 Responses to “Big Brother-Ky triller intelektual(!)”

  1. Arturo Says:

    Per shastisjen e njerezve nga “te famshit” thote dhe B.E.Ellis dy fjale, ne nje interviste:

    Interviewer: As someone who has chronicled our
    obsession with models, movie stars,
    and millionaires, what’s your guess as
    to why we’re all so fascinated with
    celebrities?

    B.E.Ellis: I have no idea. Though it’s true I’ve
    chronicled our interest in them, I haven’t
    found an answer. I haven’t really looked for
    one. Celebrities are projections of our own
    fantasies–what our ideal notion of our selves
    are: heroic, handsome, brave, cool, etc. and
    we react to them accordingly. I don’t have a
    problem with celebrities, but our blind hero
    worship of them is problematic. And the fact
    that so little of our infatuation has to do with
    genuine accomplishment–but with what’s
    basically known as “cuteness”–is ugly. The
    hypocrisy inherent in the media’s portrait of
    celebrity–magazine covers and 6,000 word
    profiles on a girl with a nice bod–is really
    hard to deal with. Lately I’ve been thinking
    that maybe countries with the most leisure
    time are the countries that have the biggest
    fascination with celebrity.

    Por, mike (mundem t’ju quaj keshtu?), une kam pershtypjen qe cdo vater ideali a principi eshte thyer ne qindra copa e nuk ka me njeri t’i ngjise. Nuk shoh ndonje drite shpetimi ne horizont.
    Ndoshta ju dhe disa te tjere beni perpjekjet tuaja me keto farat tuaj ne keto kohe me shtrengata pa mbarim e lutem qe ndonje anije t’i pikase e te mos mbytet. Fatkeqsisht, shumica jane mbytur. Rendesi ka qe drita mos te shuhet.
    Gjithe te mirat, mike.

    • flokënaja Says:

      Kënaqësi që të shoh sërish të vizitosh blogun tim, “Bandini”!🙂.
      Sigurisht që anija u mbyt(dhash dorëheqjen nga rubrika e përjavshme që kisha në gazetë, edhe pse pati një sukses të pa-parashikuar nga unë skeptikja).
      Dhe po, mund të më quash mike.

  2. Arturo Says:

    Mike, une ketu kam qene gjithmone, nje nga ata numrat e shumte paemer qe fluturojne neper faqje pa pakomentuar.🙂

    Me vjen keq qe je larguar nga gazeta por as s’mund te te pyes per arsyet pse u largove. Qe zgjedhja jote fundja. Por, te pakten, nga ketu mos hiq dore.

    P.S: Te lutem, mund te me tregosh kush e ka shkruar “Toka e Hijeve”, nese eshte liber.
    Te falemnderit paraprakisht dhe mirupafshim.

  3. flokënaja Says:

    Thënia është marrë nga një film i vjetër me titull “Shadowlands” me Anthony Hopkins. Pikërisht në atë sekuencën kur Anthony kap një student duke vjedhur një libër, dhe ky i fundit i përshkruan ndjesinë e të lexuarit


Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: