Botuar në Gazetën Mapo

 

Sa herë të ka ndodhur në këtë vend ta kesh me dy mendje atë dëshirën e papërmbajtshme për… t’i rënë murit me kokë?…

Ja ku u erdhi fundi lëkundjeve të tua! Sapo të lexosh këtë manual ti do të ndihesh më i vendosur se kurrë për ta realizuar me sukses misionin në fjalë.

Më ndiq me vëmendje dhe mos u huto rrugës;

 

Hapi i parë – Ke një takim? Të rëndësishëm pune? Vendin e takimit ta kanë lënë në kafe? (E ku tjetër? Po të ta linin në zyrë, kjo po që do qe blasfemi!) E ti, ashtu i përgjegjshëm siç je, mendon se duhet të shkosh pesëmbëdhjetë minuta përpara? Sa për të qenë korrekt? Dhe për dreq, paraqitesh njëzetë minuta përpara? Ndërsa kullot sytë nëpër tavolinat plot shtëllunga tymi? Ndërsa kamarieri të vjen për herë të dytë, të të marrë porosinë… e dytë? Dhe personi me të cilin ke lënë takim nuk duket? Asgjë për t’u alarmuar! Mos e humb toruan! Duhet ta dish se në një takim pune në Shqipëri (qoftë ky edhe i lënë në kafe), epërsia i takon gjithmonë atij që vjen me vonesë. Mos u qurravit! Mblidh forcat se… vërtet kanë kaluar njezetë minuta, por këto nuk janë asgjë krahasuar me ato njezetë të tjerat që duhet të presesh të kalojnë, derisa… në mënyrë që… dhe ja…. Hallelujah! Më në fund, ja ku po vjen ai; i shumëprituri, dora vetë, ai pra; personi me të cilin ti ke lënë takim.

Ai hedh hapat përtuar drejt tavolinës ku je ulur ti, të jep dorën, ndërsa telefonin nuk e heq nga veshi, duke vazhduar t’i japë disa udhëzime të prera personit me të cilin është duke folur, gjithmonë me pamjen e njeriut super të zënë me njëmijë angari, të cilit i është shtuar; si e njëmijë e një-të, edhe takimi me ty, mor i shkretë! Me ty, që për ta respektuar, njëzetë minuta përpara e ke bërë edhe telefonin shurdh-memec.  

Më në fund ai e heq telefonin nga veshi, këmben disa formula formale mirësjelljeje me ty, ndërkohë që ti fillon t’i flasësh për projektin, ndërkohë që ai s’e ka mendjen fare se diçka lexon në celular, ndërkohë që vjen kamarieri dhe ai porosit nëpër dhëmbë, ndërkohë që as kamarieri s’e ka mendjen fare për shkak se aty kalon njëra me thonj, buzë dhe qerpikë fallco (- po ama, veshët i ka te saj!- arrin në këtë përfundim kamarieri, i cili më në fund përqëndrohet dhe i lutet ta përsërisë porosinë), dhe ai e përsërit porosinë me ton të nervozuar pa i hequr sytë nga ekrani i celularit.

Ti tenton sërish të ri-nisësh atje ku i ke ndërprerë shpjegimet mbi idetë e projektit, por jo, s’është e thënë, atij i bie sërish celulari. Vë re se ai ka një kontraktim të ekzaltuar sa herë që i bie celulari, (kontraktim, të cilin, ti s’e ke hasur qysh në kohërat kur shqipëtarët blenë për herë të parë nga një celular në madhësinë e tullës), dhe një nevojë urgjente t’u tregojë të gjithë njerëzve që janë ulur atje rrotull, që ai është nga ata njerëz që japin urdhëra.

E kështu, ai mbaron bisedën, e ti, për herë të tretë ri-tenton ta vazhdosh atje ku e ke lënë rrëfimin tënd, por tashmë s’kupton më asgjë se ku e ke lënë, pasi një person i afrohet papritur tavolinës. “Njeriu që jep urdhëra” çohet e takon, dhe bën me të një bisedë të gjatë,  po aq të gjatë… (ndërkohë që telefoni vazhdon t’i bjerë vazhdimisht), sa ty të mjafton si kohë, të programosh me detaje, se si t’ia marrësh, t’ia hedhësh përtokë e t’i biesh me varé).

Më në fund ″njeriu që jep urdhëra” ndahet me të panjohurin, ulet, pastaj çohet me vrik, pastaj gati sa s’të jep dhe ty urdhër që t’ia dërgosh me e-mail idetë mbi projektin, të cilat ke tentuar t’ia ri-shpalosësh për herë të katërt… Këtu imagjinata jote pëson një kthesë të frikshme, se në vend të celularit, seç ke një dëshirë të papërmbajtshme t’i biesh atij me varé.

Në ikje e sipër, ai ka paguar me nervozizëm kamarierin, duke i lënë në dorë, në mënyrë arrogante, një bakshish po aq arrogant (gjysma e së keqes që s’të lë dhe ty bakshish), dhe ti nuk ke më asnjë lëkundje apo dyshim se, më në fund, duhet ta kryesh atë harakirin dhe të mbledhësh mendjen.

 

Hapi i dytë – Ndërpret atë programin me varé, ndërpret planet për harakirin, dhe vendos t’i japësh një shans të dytë. Ulesh përpara kompuiterit dhe vendos t’ia dërgosh vazhdimin e projektit tënd me e-mail, ashtu siç gati sa s’të ka urdhëruar. I dërgon një e-mail të qartë, shkruar pastër, pa gabime drejtshkrimore, dhe i shpjegon me hollësi vazhdimin. Në fund, kërkon edhe ndjesë për bezdinë që i ke shkaktuar, duke e pritur një orë përpara në bar, që telefonin tënd e ke bërë handicapat që të mos bëjë as gëk as mëk gjatë gjithë të ashtuquajturës bisedë që s’munde ta mbaroje për shkak të impenjimeve te tij, te shumta, krejtësisht të jusitifikueshme, prej një njeriu super të zënë me sukses.

Këtu aparati i matjes së frustrimit tënd çmendet fare, dhe është ai që planifikon të bëjë harakiri… apo të të bjerë ty me varé….

 

Hapi i tretë – Pauza e refleksionit! Heshtje totale. Ti fillon ta justifikosh me vete se mbase njeriu prej të cilit ti pret një përgjigje për projektin është tëpër i zënë, kështu që nuk është ndonjë gjë e madhe, (vazhdon justifikimet ti), se prite edhe nja dy ditë të tjera duke kontrolluar vazhdimisht e-mail-in, i cili duket sikur të nxjerr gjuhën përmes spamëve. Duhet patjetër pak heshtje, pak suspense për t’i dhënë rëndësi vetes apo çështjes në fjalë, e kanë përdorur të gjithë regjisorët që nga ata të telenovalave meksikane deri te Spilbergu, e pse dreqin të mos e përdorin njerëzit super të zënë me sukses? Por menjëherë pasi të mbarohen të gjitha këto justifikime të mundshme, vendos t’i shkruash dhe t’i thuash se je duke pritur përgjigjen.

Asnjë përgjigje! Vazhdon pauza e refleksionit!

 

Hapi i katërt – Ndërpret pauzën e refleksionit, përplas dosjen, usb-në me të gjitha planet e projektet e tua, fik kompiuterin, i cili të përqesh edhe njëherë ndërsa bën shut down, pështyn një çëmçakëz, mbytesh me një cigare, hap televizorin. Këtu do të budallepsesh totalisht, seç ke dëshirë ta dënosh veten me një telenovelë meksikane, apo, akoma më keq; me një turke, dhe ndërsa kalon me të shpejtë stacionet për të gjetur telenovelën më të keqe, në mënyrë që të të torturojë sa më suksesshëm iluzionet e tua, artistike, papritur gishtat të largohen nga telekomanda. Të duket sikur të bëjnë sytë, nga që pak më parë, ia ke drejtuar në mënyrë pyetëse qiellit dhe diellit të fortë, por jo, nuk të bëjnë sytë aspak, në një emision, në të cilin, të gjithë të ftuarit kanë hedhur këmbën përmbi këmbë në të njëjtin pozicion siamez, dhe të gjithë përsërisin në çdo fjali, fjalën; ″selfie”, në vend të fjalës; ″lali″, të zë syri atë; dora vetë; njeriun e zënë me sukses. E dëgjon të flasë dhe shtangesh; ai po flet me aq entuziazëm për projektin tënd! Ai është duke e sqaruar atë me detaje (duket se i ka mësuar përmendësh të gjitha shpjegimet që i ke dhënë ti), dhe ty të kap ngazëllimi se, më në fund, projekti yt qenka pranuar, dhe ti s’ditke gjë, dhe ty s’të kanë lajmëruar, ndoshta prej impenjimeve të shumta, kush e di. Kur të kap një ngazëllim i tillë, gjithçka që stonon përreth është e justifikueshme dhe lehtësisht; jashtë vigjilencës. Prezantuesja e pyet papritur;  – Po si ju erdhi kjo ide kaq origjinale? Ai heq këmbën nga mbi-këmba, rrotullon stilolapasin skenografik ndër duar, pastaj bën sikur bën një shënim në bllokun; po aq skenografik; të bardhë krejt, dhe thotë, si i zënë ngushtë, ngaqë duhet ta lërë modestinë mënjanë, se ideja… se ideja… se ideja ka qenë e tij!

Kupton mor i gjorë? E tij!

Prezantuesja e përgëzon dhe duket tejet e intigruar nga shpjegimet e parreshtuara të tij, ndërsa tani, është televizori, ai të cilit, ti do t’i biesh me varé.

Tani merri ato dosjet, usb-në, shpjegimet, dhe ditë-netët që ke punuar fort për këtë projekt, dhe bëhu gati të varesh veten te llamba, (me litar ose me kollare më mirë, se mbase të ngrenë dhe ndonjë këngë), duke u kujdesur më parë të sigurohesh se mos ke lënë gazin ndezur, rubinetin hapur, dhe kur t’i lësh në rregull të gjitha këto, të hipësh në karrige dhe…

Kështu, korri i këmbëve përmbi këmbë që nga ekrani, i cili, tani të duket sikur të hakërrehet përpara fytyrës; – Në litar! Në litar!, do të bëjë një emision të ardhshëm ku të diskutojë me bllok në dorë dhe stilolaps që nuk shkruan, se sa skenografik ishte  pozicioni i rrëzimit tënd…

Arlinda G.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Advertisements

Botuar në Gazetën Mapo

“Të vdekurve u veshin këpucë të reja

se duhet të shkelin në udhë pa krye”

Pak-kush e di se më 17 shkurt 2014 ishte 8-vjetori i vdekjes së poetit Frederik Rreshpja. Midis debateve ezauruese mbi Shën Valentinin komercial, statusit të tiranasit aristokratiko-autentik dhe stër-shfaqjeve bajate të politikanëve nëpër ekrane, nuk u gjend askund, as edhe një cep i vogël e i parëndësishëm, disa-sekondash, ku të përmendej emri i tij. Asnjë! Tek e fundit përvjetori i vdekjes së një rebeli të pakompromis nuk përbën lajm për turmën e konformistëve që di të gjendet gjithmonë në anën e duhur dhe më të volitshme.

Çdo herë kur dua të mbrohem prej agresionit që më dërgon realiteti i përditshëm, ndërsa kaloj bezdisshëm nëpër duar të gjithë librat në biblotekën time, pa ndalur askund dhe e alarmuar, si ai kuzhinieri që ka humbur aftesinë për të shijuar gatime të reja, kam një dëshirë këmbëngulëse për të shfletuar e ri-shfletuar poezitë e tij. Dhe çdo herë ndjej se pas këtij leximi  ndjesia e alarmit brenda meje zbutet dhe më jep sigurinë se shijet e mia kanë mbetur ende të paprekura, edhe pse më pas, kësaj sigurie ia zë vendin një pikëllim i thellë për faktin se e kam ndeshur kaq vonë këtë poet.

Nga dritarja e përrallës

arlekinët vështronin të trishtuar

tërë lotë…

Shpesh per fatalitetin që shoqëron talentet ekstreme, ka një lloj përligjje nga njeriu i rëndomtë, një lloj çertifikimi cinik (e pse jo, ndonjëherë dhe hakmarrës), për pamundësinë e menaxhimit prej tij të personalitetit të fuqishëm të këtyre talenteve. Si rrjedhojë, harresa dhe indiferenca duket se janë fatalitetet më të zakonshme për individë kaq të pazakontë.

Por ndonjëherë më ndodh të pyes veten, ashtu naivisht, nëse poetët e tjerë kanë patur ndonjëherë ndonjë ndjesi faji për faktin se në kohën kur glorifikoheshin bujshëm podiumeve të diktaturës, një poet i përmasave të jashtëzakonshme si Frederik Rreshpja dergjej në burg.

Nëse në kohën e diktaturës nuk guxonin ta përmendnin, përse tani heshtin dhe nuk e përmendin si të mos ketë ekzistuar kurrë? Si është e mundur të mos jenë të ndërgjegjshëm për përmasat e këtij poeti lënë në harresë nga të gjitha rregjimet?

Ca pronocime siperfaqësore snobësh insistojnë në idenë se artisti nuk duhet të përzihet me politikën. Të tjerë, kritikojnë artin e angazhuar…

Po si është e mundur të bësh art brenda një sfere kristali? Po si është e mundur të mundësh të mbetesh NJERI brenda kullës së fildishtë? Po si është e mundur që si individë, këta shkrimtarë e poetë të mos kenë kurajën fisnike dhe përgjegjësinë qytetare të thonë me zë të lartë, qoftë dhe tani, vonë, pas diktaturës, se Rreshpja është një poet i përmasave të jashtëzakonshme? Është detyra e tyre, para së gjithash; si individë, si pjesëtarë të kësaj shoqërie që shpesh demonstron një mungesë të theksuar ndërgjejeje sociale.

Dikur kam lexuar një shkrim të Moikom Zeqos, apo diçka të shkruar prej Vrion Gaçit kushtuar poetit, por emrat më me zë të akademikëve nuk i kam dëgjuar ta përmendin. Njëlloj sikur ai të mos ketë ekzistuar. Ka një lloj aleance të heshtur të të gjithëve për të mos e përmendur emrin e tij, apo është thjesht harresë e zgërlaqur, në këtë realitet po aq zgërlaqës, që as një godinë të Lidhjes së Shkrimtarëve nuk e ka më?

Është kjo një prej atyre cmirave dhe zilive tipike ballkanike, delirante, narçizësh që shtyhen me brryla për pak vend në diell, edhe pse në këtë vend diell kemi me shumicë? (aq shumë sa ndonjëherë na bie në kokë!)

Frederik Rreshpja duket sikur ka jetuar në një jetë tjetër, një jetë paralele;

Kur isha fëmijë, bisedoja me delet

që më flisnin gjëra të mençura

Çudi! Kur rritemi, dhentë nuk flasin më…

Në një kohë tjetër. Mbase ky ka qenë një lloj vetë-imunizimi krejt i ndërgjegjshëm për ta shpëtuar artin e tij. Ndoshta ky ka qenë dhe bekimi i vetëm dhe i madh që mundi të marrë nga jeta e pamerituar që pat. Sepse në artin e tij nuk ka pikë skematizmi, siç e gjen ngado në krijimtarinë e të gjithë artistëve të tjerë të asaj kohe. Një skematizëm, të cilit nuk i kanë shpëtuar as artistët disidentë; ata të ashtuquajturit apo vetë-quajturit kështu, e të tjerët me rradhë.

Kur e kam lexuar për herë të parë Frederik Rreshpjen, mendimi i parë që më ka ardhur në mendje ka qenë: – Ç’elegancë e përkorë!

Pastaj kam shfletuar të gjej datën e lindjes së tij. Isha gati, krejt e sigurt, se duhej të ishte poet i postdiktaturës. Por jo! Për habinë time mësova se Rreshpja kishte lindur në vitin 1940. Po si është e mundur kam pyetur veten, si është e mundur që në atë kohë kufizimesh e përçudnimesh shpirtërore dikush të mundte të shkruante kështu? Në mënyrë kaq të kristaltë, kaq të hijshme, kaq të shpenguar, kaq moderne, kaq delikate, kaq tronditëse, kaq të thellë?

Poezia e tij është si një ekografi ku ai vizaton hijshëm me dhimbjet e vrajave dhe lëndimëve të brinjëve të shpirtit të ciflosur.

Unë nuk kam hasur në asnjë poet tjetër të asaj periudhe një elegancë të tillë vargjesh. Unë nuk kam hasur as në këto kohë që jetoj një përsosmëri të tillë, artistike. Jo rrallë poetët shqiptarë e kanë groteskëzuar poezinë për hir të rimës, për shkak të cungimit apo kushtëzimit që mund t’i shkaktojë ajo vargut apo mendimit, ndërkohë që Frederik Rreshpja arrin të shkruajë persosshmërisht kështu;

Rrëzohet nga drurët trishtimi i dëborës

lugina me hënë e lyer

dhe drerët e erës vënë kujën në dhembje

me brinjët prej akulli thyer…

Teksa lexon këto vargje, të duket sikur të kalon përpara syve i gjithë peisazhi dimëror që Rreshpja ka pikturuar me ato pak penelata; të pikëlluara, po aq të sigurta për nga teknika mjeshtërore. Dhe rima nuk duket fare një kufizim për të.

Në një nga intervistat e tij, të pakta, dhënë përpara disa viteve, Rreshpja ka cituar Heminguejin, i cili pak a shumë thekson se një poet duhet të kalojë shumë vështirësi për t’u bërë një poet i mirë. – Po unë nuk jam Jezu Krishti! – thotë Rreshpja. Ndërsa në një intervistë tjetër është shprehur se shpesh i ka ndodhur të gdhihet në qiell të hapur, se ndonjëherë ka tentuar të vrasë edhe veten, se i duhej të bënte një operacion në zemër, i cili kushtonte, dhe ai nuk e përballonte dot financiarisht.

Me ç’duket, për qeverinë e atëhereshme (e jo vetëm atë) kjo nuk ka qenë një klithmë SOS-i. Çfarë duhej të bënte më tepër që shoqëria t’i suguronte së pakti disa vite dinjitoze të fundit të jetës?  

Nëse lexon me vëmendje intervistat e pakta që ka dhënë ai disa vite përpara se të vdiste, duket se ka qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për talentin e tij, prej të cilit, ashtu shpërfillshëm, nuk ka patur kurrfarë pritshmërie, sepse duket plotësisht i ndërgjegjshëm për kohërat absurde që jeton. Në këto intervista ai flet fare pa dorashka për; antologji poetësh promovuar bujshëm ku atë nuk e kanë përfshirë, për autorë të patalentuar që librat ua sponsorizojnë prindërit e pasur, për një mbrëmje poetësh në Durrës ku atë nuk e kanë ftuar. (e si mund të pretendosh ta përmendin në përvjetorin e vdekjes?) Flet për politikanë indiferentë, të afërm e miq që i ngulin thikën e fundit pas shpine, fjali të cilat ai i mbyll pikërisht me atë lloj shpërfillje prej njeriu që ka humbur gjithçka dhe nuk e impresionon më asgjë.

 I vrarë nga kjo pranverë e kotë

braktisur nga bota e tërë

Por çuditërisht, në atë jetën tjetër, paralele, ku ai bën art, dhe art të vërtetë, pa hile apo efekte sterile, Rreshpja është një impresionist. Rreshpja është Moneja shqiptar i fjalës, por jo vetëm kaq; Rreshpja është edhe një poet denoncues brenda galantësisë së tij, të përkorë dhe fjalorit poetik aq të pasur, mbushur tragjikisht me dhimbje të bukura.

Natyrisht që prononcime të tilla, të pakompromisshme, krijojnë armiqësi në këtë Shqipërinë tonë, të vogël, mbushur me njerëz po aq “të vegjël”, që ia numërojnë biografinë njëri-tjetrit një më një. Natyrisht që në një realitet si ky, që u pret krahët dhe i cungon përjetë shpirtrat e lirë, ai s’do të mundte kurrë të gjente rehati. – Shpirtrat e të vdekurve enden ajër- shkruan ai. Por unë dua shumë që në këtë përvjetor të tetë, turpshëm; të shurdhët, të kësaj humbje kaq të madhe për letërsinë shqiptare, shpirti i tij të ketë gjetur prehjen e merituar, pas jetës së pamerituar që pat.

Sot ndjeja se duhej të ulesha e t’i shkruaja të gjitha këto, sepse çdo herë kur e shfletoj poezinë e tij, seç kam një lëndim të madh në kraharor dhe një ndjenjë të vazhdueshme faji që jam pjesë e kësaj shoqërie pa ndërgjegje sociale, e cila nuk i siguroi një jetë dinjitoze këtij talenti te pazakontë.

Ndoshta ky shkrim do të botohet në ndonjë cep të vogël e krejt të parëndësishëm të ndonjë gazete, ndërkohë që ballinat do të vazhdojë t’i pushtojë politika dhe ideologjia, por, i dashur lexues rastësor që je ndalur aksidentalisht në këtë shkrim, nuk është asnjëherë vonë për të bërë një vepër të mirë për kulturën e vendit tënd. Nuk është asnjëherë vonë për ta korrigjuar sadopak këtë harresë të turpshme.

Rreshpja ka lënë dorëshkrime të pasura, romane, esse dhe poezi të pabotuara. Do të ishte në nderin e Ministrisë së Kulturës, apo të kujtdo që mund të kontribojë financiarisht t’i qëmtonte këto shkrime e te mos i lejonte më të dergjeshin në pluhurin e harresës, dhe nëse është e nevojshme, edhe të pajtohej një njeri i specializuar për të deshifruar shkrimin e tij, të pakuptueshëm, argument me të cilin justifikohet rëndom indiferenca ndaj veprës se tij.

Para disa vitesh, në fasadën e një pallati në Rrugën ″Bardhyl”, më bënë përshtypje fjalët: ″Faleminderit!”, “Mirupafshim!”, “Ndjesë!”, “Më fal!”, etj. Një nismë e shkëlqyer për të edukuar qytetarinë e ç’edukuar në kaosin post-demokratik, por ç’do të mendoje lexues, sikur në fasadën e njërit prej këtyre pallateve të shkruhej një strofë prej poezisë së tij?

Të vrarët i rreshtuan në sheshin demokracia

mbështjellë me çarçafët e dhëndërisë

por shtypi tha se zgjedhjet qenë të ndershme

të lira dhe korrekte

ashtu dhe TV-të

Pastaj lanë gjakun

te ullishtja me drurët e spërdredhur nga dhimbja…

 Dhe le të shërbejë kjo strofë si një denoncim për kujtesën tonë të shkurtër historike.

Rreshpja është ai monumenti antik dhe modern njëherësh, ku prej indiferencës sonë tani atje dergjen bagëtitë…

Rreshpja është i përjashtuari i madh nga tekstet mësimore mbushur plot me gabime drejtshkrimore (dhe jo vetëm) që në vend të edukojnë, ç’edukojnë frikshëm gjeneratën e re….

Rreshpja është ndërgjegjja inekzistente e shkrimtarëve të glorifikuar podimeve të diktaturës…

Rreshpja është denoncuesi tronditës i një shoqërie cinike që nuk ka veshë të dëgjojë…

Vendosjani një rruge emrin e tij! Një rrugice të vogël e të pabujë, ashtu siç qe vetë jeta e tij. Një rrugice me pemë, lule e zogj që aq shumë i desh.

Mësojuani fëmijëve poezinë e Rreshpjes!

Tregojuni atyre për jetën e tij. Është një mësim i vlefshëm që kur të rriten, ata të mos e gjejnë veten në anë të turmës konformiste…

 Duajeni këtë poet që i deshi njerëzit…. që s’ia kthyen dashurinë…

© Arlinda G.