Kujtim Dashi

Nje roman qe duhet trajtuar me ndershmeri

Për shumëçka mund të shprehemi këtu e në analizat e tjera që, me siguri në të ardhmen do t’i bëhen romanit të Arlinda Gumës, na i ka qartësuar vetë autorja. “Dua të të rrëfej se teksa i afrohesha podiumit dhe mbërthehesha nga sytë plot kureshti të të pranishmëve, seç më erdhi një dëshirë t’i evitoja ato fjalimet standarde, që mbahen rëndom në raste të atilla: falenderime standard, komplimente standard, buzëqeshje standard” i shkruan në një e-mail shkrimtarja e njohur Siria Athanas gazetarit të kronikës rozë L.E.

Duke iu përmbajtur këtij “urdhëri” të saj si tekst e nëntekst, dua të them se shkrimtaren e talentuar Arlinda Guma, nuk kam patur rast ta njoh dhe, këtu në këtë promovim, e shoh për herë të parë. Porse më vjen mirë, që në fazën parapërgatitore, kur më është kërkuar mendim, kam ndikuar, – jo pa entuziazëm të papërligjur, – që t’i hapet udhë botimit të këtij romani.

“Romani “Bulevardi i yjeve” i autores Arlinda Guma, – i shkruaja redaksisë së “Toenës”, – mendoj se është interesant, intrigues, shkruar me kulturë, këndshëm, rrjedhshëm dhe ndjehet poetja e ardhur në prozë. Gjykoj se kemi të bëjmë me autore me përvojë e kërkesa të larta artistike e estetike ndaj vetes; me kërkime e realizime serioze në strukturën kompozicionale të veprës, me një stil të konsoliduar e modern, me tipizim e individualizim origjinal të galerisë së karaktereve jetësore dhe me një gjuhë të pasur, me prirjen pozitive për ta pasuruar atë. Në tërësinë e romanit titullimi i kapitujve të tij mund të mos çojë peshë, po kjo s’ka se si të mos bëjë përshtypje, pasi në të shumtën e rasteve ato janë poetikë, kuitesencë e, si kudo gjetkë, ndjehet poetja.

Fokusimi në mjediset, psikologjinë e njerëzve me probleme mendore dhe të afërmeve të tyre, ndërthurja e tyre në kohë dhe hapësirë me realitetin jashtë spitalit psikiatrik, paraqet interes dhe nuk është aq e trajtuar në letrat shqipe, përveçse në kinematografi, dhe këtu shkarazi. Faqet në vazhdim, me hyrjen në rrjedhat e romanit të shkrimtares Siria Athanas, autores së romanit “Kukullat” dhe të gazetarit L.E, e bëjnë romanin më intrigues e dinamik.” etj, etj.

Në këtë audiencë mikse, me lexues të romanit, shpresoj të jetë kështu, me miq, shokë e shoqe e të afërm të protagonistes të këtij eventi, me autorë, botues e njerëz të medias e ndjen të vështirë për të gjetur një rezultante se çfarë më parë duhet të vësh në spikamë, gjithsesi sipas “urdhërit” paraprak e të paralajmëruar “antistandard” të Gumës. Përkitazi disa gjëra janë thënë në shënimet profesionale, mendoj, që shoqërojnë botimin, në disa recensionime në media, ku nuk mund të rri pa e cekur “komplimentin” ndaj librit në një të përditshme, tekstualisht “Një roman i shkruar KUJDESSHËM”, pasi sado që e vras mendjen për të gjetur domethënien kontekstuale të këtij cilësori, sinqerisht nuk e kuptoj se ç’do të thotë “roman i shkruar KUJDESSHËM”.

Në fakt s’e kam krejt hallin te ky cilësor i çuditshëm që hyn këtu nga fusha kryesisht militare, ndërtimore etj, po te preokupimi që prurja të tilla si romani i Arlindës etj, duhen trajtuar me kujdes të veçantë, me ndershmëri e dashamirësi, me vëmendje, seriozitet e përgjegjësi, pasi e them me bindje të plotë se nuk janë të përditshme, se nuk janë aq të shpeshta këso prurjesh, përkundrazi. Edhe kur të ka ardhur një shans për të afruar lexuesin e ri të ftohtë, dembel e përtac me një letërsi bashkëkohore e modern, – jo për humor, Bio, – ku mund t’i shohë bukur e realisht problemet e tij jetike brenda ose jashtë një spitali psikiatrik, qoftë dhe në kuptimin metaforik a nëntekstual, – si te enët komunikuese, – është vërtet mëkat ta trajtosh si të zakonshme. E quaj të vlertë vlerësimin dhe këtë promocion të parë mirëseardhës në letrat shqipe, që i bën Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe “Toena”, i cili me siguri, do të pasohet edhe nga të tjerë.

Ç’më ka bërë përshtypje, që dua t’i vë në spikamë këtu?

– Liria brenda autores, natyrisht jo si slogan me të cilin po na i shurdhojnë veshët përditë, po si mishërim konkret në kuptimin e plotë të fjalës, e pakalkuluar; vetëm një liri e tillë brenda vetes mund t’ia mbërrijë suksesit në letërsinë ballkanike e shqiptare;

– finesa, përpjekja për të qenë gjithnjë vetvetja ajo, krijimi dhe personazhet e saja, për të mos i lënë shkas recensionuesve disa radhësh në median tonë, – gjendja e kritikës sonë letrare dhe posaçërisht e ndonjërit syresh, që bëhet “bashkëkohor” duke përshtatur terminologji të studiuesve të huaj të përkthyer (fatmirësisht) në shqip pa ndonjë lidhje adekuate me tekstin që merr përsipër ta anlizojë, – që të mos vrasin fort mendjen se me cilin autor ngjet stili i gjallë, dinamik, përsiatës e shpesh poetik i Arlinda Gumës, e cila bën një letërsi ndryshe,

– kultura e gjerë dhe prirja për ta pasuruar e përcjellë lexuesit jo përmes kolazheve të mençurisë si ngjet rëndom, te gjinsi i fejsbukistëve, që qëmtojnë nëpër libra e blogje fjalë të urta e bëhen kësisoj krejt “të zotë” për shkak të këtyre publikimeve, por i jep në mënyrë origjinale e të tretësuara në tekst, vetvetiu si çdo letërsi modern të bën të vrasësh mendjen për domethënien e tyre;

– mencuria e zgjuarsia e autores, humori i këndshëm e befasues, ironia e sarkazma e saj, që sa i ka dhënë dorë “lënda e parë” e romanit, brenda dhe jashtë spitalit psikiatrik, aq dhe nuk ka abuzuar, kur i ka dhënë krahë fantazisë;

– ndjeshmëria spikatëse, delikatesa e brishtësia në trajtimin e kësaj teme të vështirë e, në përgjithësi të ideve substanciale që ngre përgjatë veprës, si ç’është lumturia për njeriun, raportet e talenteve me lirinë, me famën etj,

-aftësia e saj në zhbirimet psikologjike të atyre personazheve që janë brenda kangjellave dhe të atyre jashtë saj, po janë nën kërcënimin e vazhdueshëm të këmishës së forcës së shoqërisë, për t’ia veshur gjithkujt që e gjen të ndryshëm, ku një vend të veçantë zë figura e Bashkiakut ose e Kryebashkiakut, mjaft groteske dhe tepër përfaqësuese për realitetin shqiptar, (Jam i sigurtë që nëse Shoqata e Kryetarëve të Bashkive të Republikës do të njihet me portretin e këtij Kryebashkiaku në romanin e Arlindës, keni për të parë po nuk zgjodhi ndonjërin prej tyre (sotpër sot rreth 390 të tillë), më tipikun, ta nderëzojë atë me ndonjë dekoratë të lartë, mundësisht presidenciale, siç ngjet rëndom e të thonë “Ja si i kemi ne kryetarët e Bashkive e jo ashtu siç është vizatuar në atë “Bulevardin…” e asaj çupe”.

– zotërimi i plotë i lëndës së romanit (vini re shënimin përmbyllës të librit tetor 2008-tetor 2012, botimi në 2014-en, çka duket se autoren nuk e josh aq suksesi e fama e menjëhershme, po mbi të gjitha i intereson vepra, vepra që mbetet) dhe aftësia e veçantë e plot finesë e thurjes së romanit, për të cilën në ndonjë rast tjetër, do të shprehem më gjerësisht për risitë që sjell, si përshkallëzimin e shpërfaqjes së subjektit, të karaktereve e zhvillimin e tyre, asocimet mjeshtërore, shmangia e trajtimeve tradicionale të një proze të rëndomtë e përshkruese, duke krijuar kësisoj një mozaik narrativ funksional e një procedim narrativ të larmishëm e të zhdërvjelltë, të ndërthurur me mjeshtëri, plot finesë e me dy-tre mënyra të treguari: i drejpërdrejt i autores, ditari, e-maili, retrospektiva etj,

Në këtë renditje të vetëm përkitjes së mbresave lashë enkas për në fund galerinë e pasur të karaktereve dhe aftësinë e saj të veçantë për t’i krijuar ato.

Nuk të bie shpesh rasti që brenda faqeve të një romani të të mbeten në mendja kaq shumë personazhe korelacioni i tyre, qofshin qëndrorë si “grupi i të pestëve” (me shtesën e papërfshirë në to, Noan) herë-herë en bloc e individualisht, Siria, gazetari L.E, studentja-aktore, Lejla etj e ato episodikë, nëse do t’i përmbahemi përkufizimeve tradicionale, pasi mjeshtërisht, – do të duhej ta përdorja më shpesh këtë fjalë, – për shkrimtaren e talentuar janë të gjithë të barabartë, pavarërisht peshës së tyre në roman, si arkitekti R., Fritzi, trupa e infermierëve e dallueshme për brutalitetin, po dhe poshtërsitë e tyre (shih fundin e romanit, drama e dyfishtë me Klarën etj) prej mjekëve të tjerë. Siç e ceka më lart me Bashkiakun e Kryebashkiakun e qytetit Arlinda sjell një ndihmesë në pasurimin e galerisë së personazheve me tipa të tillë.

Advertisements

–Behar Gjoka

Romani “Bulevardi i yjeve”, ndonëse shënon librin e parë të autores Arlinda Guma, përfaqëson një tekst që duhet lexuar vëmendshëm. Nisja e shtegtimit në qiellin e letrave, përmes shkrimit të romanit, bart sprovën dhe kërkimin, për të hyrë me jo pak seriozitet në këtë hapësirë. Metafora letrare që përçon romani, bashkëshoqëruar me rriskun e fillimit, lajmëton për një prozë ndryshe, të formësuar në shumicën e parametrave shkrimorë. Materia e tekstit, ofron një realitet letrar të ndërlikuar, ku pranëvihen dhe përplasen dy pamje, nga njëra anë ajo çfarë ngjet në një spital psikiatrik (me gjasë në një çmendinë), në anën tjetër jetësorja e përditshme që ngjet jashtë spitalit.

Këto pamje të parapëlqyera, jo se kanë të bjënë me shenja personale, shpesh ndërrohen me njëra-tjetërën, madje ndërrojnë vend, si pa të keq. Imagjinarja e romanit, pavarësisht ngjizjes bazuar në realitetin jetësor, realizohet duke i vënë përballë, si me thënë në kontrast, dy pamjet thelbësore, mbase dy anët e të njëjtës medalje, të qenies njerëzore, madje duke shpërfillur kohën dhe hapësirën, sepse njerëzia dhe spitali psikiatrik mundet të vendoset në secilën pikë të horizontit. Sugjerimi i Gjergj Lukaç, se romani është një lloj letrar në proces, që formësohet dhe shformësohet ende, bën që ta shohësh tekstin e romanit të A. Guma, madje edhe të rrokësh botën romanore, në konceptin e vetë, si një rast që përcjellë një situatë të tjetërsojshme, përgjithësisht të ndyshme nga shkrimi i prozës së sotme.

Dëshmi e të qenit paksa ndryshe, gjithnjë simbas shijes së leximit, në mënyrë të veçantë, është struktura dinamike kompozicionale. Teksti i romanit përbëhet nga 12 krerë, kryesisht të gjatë, që shënohen me numra romak. Megjithatë, vihet re se hapësira tyre, ndahet në dhjetëra episode, më të vogla, të cilat emërtohen me fjalë, duke realizuar kështu një përmbysje të strukturimit klasik, si dhe një tekst të natyrës modern dhe postmoderne, porse episode e shumta, ndonjëherë krijojnë ndjesinë e një hallakatje strukturore.

Po ashtu, në hapësirat tekstologjike ndeshim formën e ditarit, që në letrat shqipe, ka një fillesë të jashtëzakonshme, me romanet Pse të Sterjo Spasses dhe Sikur të isha djalë të Haki Stërmillit, por këtu përgjithësisht vjen i funksionalizuar. Pjesë e strukturës formësuese të tipologjisë romanore, është edhe situata shkrimore me anë të email-it, që më parë ka gjetur vend në prozën e Ritvan Dibrës dhe të Bashkim Hoxhës, porse edhe këtu ka peshë specifike organike. Natyra sinkretike e prozës, me gjasë e sendërgjimit të romanit, social dhe psikologjik, realist dhe të gërshetimit të llojeve të ndryshme letrare, ku ndeshim në hapësira të përfillshme dialogu, pra të një drame brenda romanit, ndërkaq edhe të pranisë së ngjyresave të dramatikës së Ibsen-it, Bechet-it, që shërbejnë si shtysë e inversit letrar, na e përforcon idenë se romani si tipologji shkrimi vijon të jetë në proces të hapur.

Lirshmëria e rrokshme e pranvënies së situatave të ndryshme dhe të përkundërta letrare, të prozëshkrimit, të gjendjeve të mirëfillta dramatike, si dhe të pranisë së lirizmit tronditës në marrëdhëniet ndërpersonale të pjesës dërrmuese të personazheve, që rreken të shpalojnë karaktere, e thellon dhe përplotëson aktin e eksperimental, madje duke shprishur disa rregulla të fiksuara të konceptimit të romanit. Dinamika strukturore e tekstit, ndërkohë bashkëshoqërohet nga një shumëzëshmëri dhe jo pak ngjyresa rrëfimore. Në hapësirat e romanit, kemi të pranishëm poetikën e rrëfimit autorial, si gjithdije, që zbulon universin e botës makabër, por që në jo pak raste, rrëfimtari zbulohet, sidomos kjo identifikohet në rastet kur rrëfimi ndahet me kllapa.

Përveç rrëfimit autorial, në pasazhe të caktuara të romanit, kemi të pranishëm edhe rrëfimin e personazheve. Ndërmjet autorit dhe perzonazheve, ngjet kalimi natyrshëm dhe pa u ndjerë, por në një episode nga fundi i romanit, ngjet edhe braktisja e rrëfimit, pra lënia e situatës si libër i hapur, që grish lexuesin të bëhet pjesë integrale e botës romanore. Sprova romanore e autores, me kahje të përfillshme të një eksperimenti strukturor dhe rrëfimor, megjithatë nuk ka ndikuar që të lihen jashtë vëmendjes personazhet. Ato, pavarësisht se janë protagonistë ose figura anësore, pothuajse janë skicuar në të gjithë treguesit e vetë. Të mbeten ne mendje figurat e të pestëve, personazheve të spitalit, ku megjithatë si më të skaliturit, veçohen Maksi dhe Klara.

Po ashtu personazhet që janë jashtë, pra në hapësirën e lirisë, të cilët janë konceptuar në antitezë më të parët, dhe në morinë tyre vijnë të gdhendura, figura e shkrimtares dhe gazetarit, bashkëshortja Maksit, Lejla dhe arkitekti, aktorja dhe teatri i gjallë i jetës së secilit qytet të botës. Jetët e këtyre personazheve ecin paralelisht, por dikur edhe kryqëzohen, mbase liksht. E në rastin e pikave të kryqëzimit të fateve dhe jetës së tyre, shpërthen plotësisht rrezatimi jetësor, i dramës ekzitenciale të qenies. Teksti i librit të parë të autores Arlinda Guma, përveç të tjerash më ka bërë përshtypje, për përkujdesjen gjuhësore, sidomos në sjelljen në tekst, të fjalëve që merren në magjenë e popullit ose krijohen nga ajo vetë, që shkon në mbi pesëdhjetë fjalë të tilla.

Sa për të krijuar idenë, fjalët: parehati, syqeshje, mirësjellshëm, përtoka, fjollëzojë, farekrejt etj. , që kanë zgjeruar rrethanat e komunikimit gjuhësor dhe letrar. Ky aspekt të ndërmend sugjerimin e hershëm të Tomas Eliotit, për detyrën e poetit/shkrimtarit, që ta ruajë gjuhën dhe ta pasurojë me veprën e vetë. Krahas këtyre shenjave shkrimore autoriale, ndeshet edhe një situatë e shkapërderdhjes subjektore, që duket se e vështirëson kumtin, po kaq një prani monotone e formës së ditarit, si dhe një grimcim skajor i personazheve, që i kthen në hije, dritëhije të cilat nuk zbehin aspak vlerën e tekstit romanor, jo vetëm pse është libri i parë, por se me këtë sprovë ka hyrë me këmbë të mbarë, sidomos në lavrimin e romanit. Pra, romani “Bulevardi i yjeve”, lexohet me endje, veçmas për qerthullin që ka zgjedhur, qenien e mënjanuar në rrethana spitalore, e po kaq për shqiptim etik dhe estetik të fatit të qenies njerëzore.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 20 Korrik 2014.

“Bulevardi i Yjeve” dhe “Librat e Verës”, Gazeta IDEA

libriKëto ditë të nxehta, ku “nëpunësit e librit” këmbëngulin vazhdimisht të na sugjerojnë që poshtë çadrës të lexojmë “Libra Vere”; letërsi komerciale; rozë, nga ajo e lehta, pupël, të cilën çmenden njerëzit në facebook duke e cituar dhe glorifikuar, pra nga ai lloji i letërsisisë që nuk të bën të mendosh, redaksia jonë kërkon t’ju sugjerojë krejt të kundërtën…

Ne duam t’ju sugjerojmë pikërisht një libër që të bën të mendosh, quajeni edhe “Libër Dimri” nëse doni…

Sepse ku është e shkruar se nëse ke ikur me pushime, edhe trurin duhet ta dërgosh me pushime?

“Bulevardi i yjeve” është një nga ato romanet që kur të ktheni faqen e fundit, do trishtoheni se e mbaruat shpejt.

Ёshtë një roman që ka sfiduar çdo lloj rregulli të romanit klasik, një roman jashtë kornizave, i cili vjen në një strukturë të lirshme e të pazakontë.

Romanin e përshkojnë dy linja kryesore.

1.Janë jetët paralele të disa personazheve që takohen në një spital psikiatrik, për shkak të të afërmve të tyre të shtruar atje, dhe për shkaqe të tjera.

2.Janë jetët e disa pacientëve, brenda këtij spitali, të cilët në roman emërtohen si “grupi i të pestëve”, ca jetë unike që të mbeten gjatë në mendje për nga mënyra e skalitjes. Ca shpirtra të bukur e të lirë që qëndrojnë vazhdimisht nën presionin e këmishës së forcës së spitalit psikiatrik, prej të cilës nuk shpëtojnë dot as personazhet që qëndrojnë jashtë spitalit, atje në shoqërinë ku jetojnë.

Ёshtë një roman që ka kaq shumë degëzime, nën-ide dhe nën-tituj, saqë nëse i riktheheni për ta rilexuar, do zbuloni çdo herë diçka që u ka kaluar pa u vënë re më parë.

“Bulevardi i Yjeve”, ashtu si jeta, i mbart të gjitha; dramën, absurdin, groteskun, ironinë, tragjizmin, ky i fundit i sjellë me sportivitet dhe delikatesë njëherësh.

Natyrisht këtë roman nuk e sugjerojmë dot për lexuesit e Danielle Steel, dhe as për ata të ndonjë autori të ngjashëm me të.

Por ndihemi të sigurt e të lirë ta sugjerojmë për të gjithe ata lexues seriozë që këtë verë nuk duan ta kyçin trurin dhe ta fusin në sirtarin ku mbajnë rrobat e banjës.

Për të gjithë ata lexues që nuk u ka rënë ende dielli në kokë prej telenovelave, e që e kërkojnë këtë diell prej artit pakompromis, ky është romani që kërkojnë.

Por mos e kërkoni këtë roman nëpër reklamat e bujshme të fryra prej sloganeve apo gjuhës së drunjtë të pseudokritikëve, se nuk do ta gjeni, ai ka veç një qoshe të vogël e të parëndësishme në ndonjë cep librarie të Tiranës, me shitës të dembelosur prej vapës.

“Bulevardi i yjeve”, përveç kënaqësive estetike, dhe ngjarjes që të rrëmben e të mban pezull deri në faqen e fundit, është një roman që edhe të bën të mendosh bukur.

“Libër Vere” apo “Dimri” u klasifikoftë, ju, vetëm mos u trembni nga të menduarit.