“Zdrukthoni” fantazinë!

23 December, 2014

Gazeta Dita, 3 Dhjetor 2014

Ndërsa po ecja një ditë, disi e ngutur, në një rrugicë, një djalë i vogël përpara meje, i cili mezi mundte të mbante nën kontroll, për rripi, një qen shtatlartë (gati më i lartë se djali), ndaloi hapat, dhe i foli qenit; – Duhet të lejojmë zonjushat të kalojnë të parat!… Pastaj më bëri rrugë mua…

I buzëqesha xhentëlmenit të vogël, teksa ai, mezi arrinte të mbante qenin (më pak xhentëlmen) që turfullonte i paduruar, ndërsa mendova me vete; – Po mbase ka ende ndopak shpresë për këtë vend!…

Gjatë javës së luftës kundër dhunës ndaj gruas, m’u kujtua një tjetër xhentëlmen i vogël, i cili në një emision televiziv të përpara disa kohëve, u shpreh midis të tjerash se mësuesja e kishte këshilluar që t’u dilte në mbrojtje shoqeve të klasës, dhe se ai, ashtu bënte gjithmonë…

I njëjti mendim optimist më shkoi nëpër mend edhe atëherë. Respekt për mësuesen fisnike!

Por, ç’duhet të mendojnë vallë këta xhentëlmenë të vegjël, shpresa e mekur e një Shqipërie të ardhshme, të emancipuar (e fatkeqësisht; ende të largët), kur shkojnë në shtëpi dhe u del në televizor, një reklamë, në të cilën, një vajzë bionde u thotë me zë provokues disa djemve të dembelosur në një zyrë; – Shfrenoni fantazinë! Dhe ata, pa një pa dy, i binden urdhërit të biondes… aq shumë e shfrenojnë atë… sa nuk e mbledhin dot më…

A e mendojnë ndonjëherë këta konceptues reklamash, se te fëmijët, për shkak të dendurisë së transmetimit, ato ndikojnë pavetëdijshëm; më shumë se edhe të gjitha mësimet e edukatës që një mësuese mund t’u japë?

Konceptuesi i kësaj reklame (me siguri duhet t’i përkasë gjinisë tjetër… kuptohet qartë këndvështrimi), ndoshta ka marrë një shuk parásh për realizimin me sukses të një reklame aq seksiste, dhe ka ikur në Maldive, pa i shkuar aspak ndër mend se ajo që krijoi, një ditë do t’i kthehet mbrapsht, sepse, edhe ai duhet të ketë, apo do të ketë një fëmijë, jo vetëm për ta ushqyer, por edhe për ta edukuar.

Ja, e zëmë se ai ka një fëmijë, që u krenohet shokëve të vegjël se reklamën e ka realizuar “babi” (edhe më e tmerrshme do të qe sikur atë ta ketë konceptuar një “mami”), dhe teksa shokët e pyesin se ç’kuptim ka reklama, pasi edhe ata nuk e kanë tepër të qartë, fëmija ngre supet dhe shkon e pyet të atin, ende të ekzaltuar prej shukës së paráve… Përgjigja? Me siguri i ati përtypet gjatë përpara pyetjes se; “Përse ajo biondja ka hipur në atë kalin prej lodre?”… “A nuk është e madhe për të luajtur me lodra?”. “A nuk i merren mendtë?”(gjithmonë nëse ka mend!)… “Pse ajo biondja bën si bionde?”, mund të shtojë ndokush, por le të tregohemi politikisht korrekt me pak sforcim.

Në këtë vend sureal nuk ekziston asnjë institucion mbikqyrës për reklamat. Këtu reklama ndërtohet trashë e vulgarisht, qëllimi i vetëm është të shesë produktin, e përtej kësaj nuk ka më asgjë; as parime e as estetikë. Mënyra se si në këto reklama kërkohet vëmendja prej konsumatorit, është gati e babëzitur… me çdo kusht, e fare pa u kokçarë për efekte të tjera, jo pak anësore, që reklama mund të lërë në nënvetëdijen e shikuesit.

Edhe pse biondja është veshur bukur, edhe pse djemtë kanë një pamje moderne, reklama në koncept mbetet aq primitive, sa të jep një ndjesi të pakëndshme çdo herë që e sheh. Madje, unë mendoj se këtë reklamë duhet ta raportojnë në javën e luftës kundra dhunës ndaj gruas, sepse edhe kjo është një lloj “dhune” që fare pak e ndan cakun me atë dhunën tjetër; fiziken.

Në një shoqëri tejet maskiliste si kjo e jona, një reklamë ku femra shihet si objekt dhe jo si një qënie njerëzore, është vetëm fotografia e saktë e mendësisë së saj. Tepër e thjeshtë… Ёshtë e gjitha çështje lodrash! (Një “lodër” hipur në një kalë lodër…) E mendësisë së një vendi që ka dhjetëra konkurse idiote bukurie të llojit “Paqe në botë”, dhe pak fare ose aspak, konkurse që edukojnë vlerat e vërteta të femrës.

Pastaj ne shqiptarët surealë, indinjohemi kur një këngëtare shqiptare, shkon dhe zhvishet gjatë një evenimenti të bujshëm në Amerikë. Edhe ajo, këngëtarja, s’ka si të mos jetë veçse fotografia e kësaj mendësie, ku vajzat quajnë suksesin më të madh, nëse çajnë në jetë duke u konsideruar si objekte, si copa mishi në kasaphanën e rradhës së gjësë së gjallë.

Më jep trishtim ajo këngëtare… duket se ka zgjedhur formën më të dëshpëruar për të na treguar të gjithëve, apo ndokujt, se ajo vlen… Duket ekstremisht e dëshpëruar të na e demonstrojë… Kur në të vërtetë, njeriu i vetëm, të cilit meriton t’ia demonstrojë këtë, madje t’ia plasë në fytyrë që ajo vlen, është vetëm vetja e saj dhe askush tjetër! (Të lutem Bleona, mos u zhvish më… ne të besojmë!…)

E akoma më të trishta më duken vajzat në rrjetet sociale, të cilat kanë marrë të gjitha, gjithë ligësi, nga një vizore në dorë dhe janë duke matur një pjesë strategjike të trupit të këngëtares, nëpër analiza e stër-analiza estetike te llojit; “sa keq që ngjan ëëë”, “sa e zhdrejtë”, “sa e rame” etj, etj. A thua se këto vajza, kur dalin në realitet, jashtë koracës së virtualitetit, janë nga një metër e tetëdhjetë, dhe të gjitha mishëruese të perfeksionit të këtyre formave? Sipas tyre, nëse këngëtarja do t’i kishte format të përkryera, i gjithë ai ekzibicion do të ishte në rregull(?!)

Qarkullojnë nëpër televizione të ndryshme disa reklama të ndërtuara aq keq, aq sa ndonjëherë, në vend që ta afrojnë konsumatorin, e largojnë… për të mos thënë e lemerisin… Të mos flasim pastaj për gabimet gjuhësore që hasen rëndom… Në një televizion të njohur, i bëhej reklamë bujshëm dikur, një spitali privat. Midis të tjerash në reklamë theksohej se atje garantohej “steriliteti”… në çdo ambient të spitalit…. Dikush duhet t’i thotë konceptuesit të asaj reklame, se fjala e duhur duhej të qe “sterilizim”, jo “sterilitet”(!). Nëse askush nuk ia ka thënë deri tani, atëherë s’është çudi që këmbë njeriu të mos ketë shkelur në atë spital, për shkak të konfuzionit të madh që mund të ketë shkaktuar lapsusi Frojdjan; “Ju garantojmë sterilitet!”. Uroj që mjekët nëpër ato spitale, të mos jenë po aq “profesionistë” sa edhe tekstshkruesit e reklamës… sepse, ashtu siç tekstshkruesit ngatërrojnë “sterilizimin” me “sterilitetin”, ashtu mund të ngatërrojnë ndoshta edhe ata; zemrën me ndonjë organ tjetër.

Koncepti i pasurimit të shpejtë, të menjëhershëm dhe pa largpamësi, duket obsesioni më i fortë, gati i sëmurë i bizneseve shqiptare. I pasurimit sot për sot, pa menduar më larg. Duket se ne nuk mendojmë fare për të ardhmen, duket sikur mosha jonë mesatare është pesëmbëdhjetë vjeç; shtrojmë ca pllaka trotuari që thyhen menjëherë, vendosim kosha plehërash që zhduken sa hap e mbyll sytë, shkatërrojmë ndërtesa të vjetra historike për të ndërtuar përbindësha të lartë, me moshë 0 vjeç, që më vonë prishen si ndërtime pa leje, thua sikur kërkojmë t’i torturojmë me çdo kusht brezat që do të vijnë pas nesh, që ata të mos gjejnë asgjë të ndërtuar nga duart tona…

Edhe esenca e reklamave i përshtatet po kësaj babëzie, këtij kaosi… Ajo nuk duket fare e ndërlikuar, kurrfarë fantazie nuk ka në to (fantazi krijuese, të shëndetshme, dua të them). Pothuajse në të gjitha shfaqet një vajzë e zhveshur… dhe më tej fjalë horror si; – Më pi! – Më ha! – Më mbllaçit!

Një agresion i tmerrshëm. Një qasje barbare. Aq sa nëpërmjet atyre sekuencave të shkurtra, unë arrij t’i bëj një profil psikologjik të detajshëm, nënvetëdijes së personit që e ka konceptuar atë… (Më kujtohet fjalimi i një deputeteje në Parlamentin italian përpara disa muajsh. Midis të tjerash ajo tha; – Ndal përdorimit të trupit të femrës për të reklamuar produkte që nuk kanë kurrfarë lidhje me mirëqenien e saj! Italia duket se ka ende shpresë… pas të gjitha llojeve të mundshme të krizave që është duke kaluar.)

Pse dreqin qenka kaq e vështirë në këtë vend që një reklamë të jetë edhe edukative? Pse qenka kaq e vështirë që një reklamë të jetë estetike? Artistike edhe?

Kush nga ju e kujton një reklamë të “Calzedonia”-s?… Ajo fillon me një vajzë të vogël që kërcen mbi këmbët e të atit dhe në sfond dëgjohet lehtas kënga që fillon me fjalët: “She can kill with a smile”. (Ajo mund të vrasë me një buzëqeshje). Ndërkohë që pak më tej, vajza është bërë një zonjushë, ndërsa është duke zgjedhur plot hir çorapet e saj prej të rriture…

E gjitha një poezi! Aq elegante, aq femërore, aq artistike, dhe mbi të gjitha, pa asnjë grimë vulgariteti. Një reklamë që të bënte të blije njëqind mijë çorape! (edhe pse mund të mos u vinte kurrë rradha për t’i veshur).

Atë, konceptuesit e reklamave shqiptare, ndoshta duhet të mbajnë në vend të Biblës… thjesht e vetëm që të mos ua sabotojnë punën mësueseve të atyre dy xhentëlmenëve të vegjël për të cilët fola më lart…

E kështu, në vend që këta konceptues “ta shfrenojnë” fantazinë, do të ishte e udhës ndoshta, që, shumë kortezisht t’u kërkonim atyre… “ta zdrukthtojnë” fantazinë…

*“Skip”↔ “Skipëria”?

Rubrikë e përjavshme kushtuar “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”

Advertisements

Panairi i kotësive

23 December, 2014

Gazeta Dita, 28 Nëntor 2014

Ditët e Panairit të Librit, kërkoja një vend për t’u fshehur, lexues… Më duhej një bunker… E kjo nuk ishte aspak çështje snobizmi, siç mund ta quajë ndokush. Më duhej një bunker për t’u mbrojtur prej televizionit, radios, gazetave, që promovonin pafund, libra dhe autorë; tmerrësisht të suksesshëm, që në minutën e parë kur libri kishte dalë nga shtypshkronja.

Problemi është se këtu bunkerët i kanë kthyer; ose në qebaptore, ose në parukeri, ose në shtëpi botuese, duke i zhveshur ata krejtësisht prej atij funksioni dinjitoz e aq të respektueshëm në sytë e mi, mbi të gjitha; ato ditë.

Kishte gjithandej një ekzaltim nëpër ajër; disa shkrimtarë, seç kishin një ngërthim të brendshëm, të papërmbajtshëm, ndërsa reklamonin veten nëpër slogane si; – Më gjeni në X – stendë, në orën kaq e aq, atje do jap autografë që vetëm penda ime di t’i qëndisë… – Më shihni në X – emision, në orën kaq e aq, atje do jap intervistën e shekullit… E, për ju që nuk do të keni mundësi të më shihni, apo të më dëgjoni se sa bukur flas, mund ta gjeni intervistën time në facebook… Mos e humbisni! Do t’ju lërë me gojë hapur! (Nëse do të kesh sukses me një libër, hapi i parë që mund të bësh përpara se ta shkruash atë, është të blesh një televizion… Apo, në pamundësi të kësaj, të hapësh një gazetë. Kështu ti mund të botosh një libër çdo herë që ke prerë një fustan të ri apo ke ndëruar modelin e flokëve.)

Pati gjithandej tituj librash tronditës si; “Dashuria -kjo gjë e mirë!”, “Dashuria-kjo gjë e keqe”, “Dashuria-as mish as peshk”, “Njeriu që s’dinte të dashuronte”, “Njeriu që dinte të dashuronte”, “Njeriu që nuk ishte i sigurt nëse dashuronte”, etj.

Për ty lexues që as që e di (nuk ke si ta dish), edhe unë isha një ndër autorët modestë të Panairit të Librit, si autorja e një romani, por që, tejet e veleritur prej gjithë atij grotesku që përmenda më lart, zgjodha të “bunkerizohem” e të mos shkoj fare në panair ose, siç kam filluar ta thërras me vete; “në tregun e gjësë së gjallë”. Sigurisht që kjo mund të dëmtojë shitjet e romanit tim, por, përkundruall dordolecizimit ekran më ekran, rënia e shitjeve më duket gjëja më pak shqetësuese. (Në këndvështrimin tim, ndoshta subjektiv, integriteti i një artisti, duhet të ecë paralel me artin e tij.)

E, si për ta vulosur të gjithë këtë izolim, ato ditë m’u bllokua edhe telefoni (Zoti është fantastik ndonjëherë) dhe shumë njerëz që më kishin telefonuar e nuk u isha përgjigjur, u mërzitën me mua. Ata më quajtën “një nënë që e ka lënë fëmijën e saj-libër, në mëshirën e fatit, atje, të vetmuar, si fakir, në stendë”, fjalë, të cilat me të vërtetë më bënë me dhimbje koke. Pyetje të tilla mora edhe prej disa lexuesve, të cilët m’u duk se u zhgënjyen nga përgjigja se unë nuk do të isha në stendë. Po si t’ua shpjegoja unë atyre njerëzve, se nëse unë, autorja e librit, do të shfaqesha ekran më ekran, e shtyhesha me bërryla stendë më stendë, libri im tani do më kishte hedhur në gjyq mua autoren po të kishte gojë, me akuzën e drejtë; – Përse nuk më lejon që të flas unë për ty?…

Kështu, ato ditë, tejet e ndërgjegjshme për të gjitha këto, zgjodha izolimin prej botës se tam-tamëve zhurmatikë, dhe e “skipova” panairin, ndryshe nga shumë autorë të tjerë, të cilët shfaqeshin ngado ku në panair kishte kamera, aq sa mua m’u duk sikur ata kishin marrë jorganin me vete, kishte ngritur çadrën e flinin në panair… E menjëherë pasi mbyllej panairi, ata, të pakënaqur ende me protagonizëm, shfaqeshin edhe në talk show-et e mbrëmjeve, atje ku ndonjë syresh lavdëronte parreshtur “50 Hijet e Grey-t”, si edhe më të madhin ndonjëherë të shkrimtarëve sharlatanë; Coelho (e di që pas kësaj që shkrova disa shqiptarë surealë do ngrihen në demonstrata në mbrojtje të Coelhos, sidoqë, ata po njëlloj do të ngriheshin në demonstrata edhe nëse në këtë shkrim do lëvdoja; Kadarenë… siç thashë; çështje të surealizmit!)

Grotesku arrinte kulmin kur kamera e një televizoni të njohur, fokusonte vetëm stendën e shtëpisë botuese të po këtij televizoni, duke u kujdesur që të mos kapte asnjë stendë tjetër. Aq shpesh e përsëriti titullin e librit gazetarja, saqë unë tani e veleritur prej reklamës bezdisëse, vendosa mos ta blej, edhe sikur ai libër të jetë libri më i mirë në rruzull. (Shpëtoni ushtarin Rajan prej reklamave fantastiko-shkencore!). Në atdheun tonë surreal besohet vërtet se libri mund të reklamohet si një thes me qepë, pa u druajtur fare se kjo reklamë agresive mund të kthehet në një bumerang.

Më tej, një tjetër gazetar, në një gazetë e cila edhe ajo ka të njëjtën përkatësi pronësie sa edhe një shtëpi botuese, rendiste në një shkrim: “Shtatë libra që nuk duhet t’i anashkalojmë në panair”… Rezultantja? Të gjithë librat që ai numëronte qenë botuar nga shtëpia botuese, e cila kishte në pronësi edhe gazetën në të cilin kishte botuar artikullin gazetari që i bënte fresk. Një konflikt i pastër interesi!

Akoma më tej, një televizion tjetër, i bënte reklamë një showman-i të natëpërnatshëm, të cilit me ç’dukej nuk i mjaftonte fakti që u fanepset shqiptarëve çdo ditë të javës, por duhej t’u shfaqej edhe në panair. Në këto reklama u dëgjua për herë të parë, një fjalë e çuditshme; fjala“egzil”, të cilën filluan ta kopjonin mendjelehtësisht të tjerë gazetarë, sa për të ngjarë ndopak të zgjuar…

Por, asgjë për t’u çuditur! Pasqyrimi i njënashëm i informacionit duket kushti themelor për t’u bërë një televizion kombëtar në këtë vend.

Ato ditë të panairit qenë ca parodi unike, të cilat nuk kishin fare nevojë për përpunim artistik; (Ja përse e dua këtë vend të çmendur! Gjen kudo material të gatshëm për të shkruar).

Parodi si;

– Romani i shkrimtares X, tepër i suksesshëm që në minutën e parë të daljes nga shtypshkronja, ka shitur pesëdhjetë mijë kopje,

nga ana tjetër;

– Libri me esse i shkrimtarit Y, ka shitur të pesëdhjetëmijë kopjet e tij; që në sekondat e para,

ndërsa një tjetër libër me esse;

(kur nuk bën dot letërsi, do shkruash esse, tek e fundit nuk nevojitet ndonjë talent i madh… – Talenti? – No, no, no… Mjeshtër… pije freskuese!)

– Ai tjetri i kishte shitur ato të pesëdhjetëmijëta; ende pa dalë libri nga shtypshkronja (me ç’duket, kopjet i kishin blerë të gjitha, punonjësit e shtypshkronjës, prej frikës se do mbaronin, apo për të mbështjellë bukën, ku ta dish… Vend surreal→punëtorë surrealë!).

Po të kesh parasysh numrin e banorëve të Tiranës, lexues, me një llogari të thjeshtë, ato ditë panairi i binte që të gjithë banorët t’i kishin blerë këto libra, (nga dhjetë kopje secili), vetëm kështu del numri i kopjeve të shitura për banorë, përndryshe Tirana është bërë dhjetë milionë banorë dhe unë nuk e paskam marrë vesh. Me fjalë të tjera edhe unë duhet t’i kem blerë ato libra si banore e Tiranës, patjetër, sipas këtyre llogarive, edhe pse unë nuk isha fare në panair… Por, ku ta dish, mund të jem ngritur natën si somnambul dhe mund të kem shkuar t’i kem blerë dhe nuk e mbaj mend… Çfarë nuk ndodh në Shqipërinë tonë sureale. Ose, ose; mund që t’i kem blerë në ndonjë dimension tjetër paralel…

Këtë verë të rinjtë shqiptarë mësuan se të lexosh libra është “cool”. Këtë verë ata lexuan libra, pikërisht për faktin se “libri është në modë”. Pamë gjithandej nëpër facebook, të rinj që pozonin me libra ne duar në anë të detit, pastaj seç kisha përshtypjen se, menjëherë pasi shkrepej fotoja, libri hidhej tej pa kujdes.

Ndërsa këtë vjeshtë, këtë panair, këta të rinj, mësuan se të jesh shkrimtar është “cool” vetëm sepse del në televizor dhe jep autografe në panair. Ky është edhe modeli që këta të rinj duan të arrijnë. Për fat të keq, atyre as që u shkon nëpër mend se gjëja e fundit që i intereson një shkrimtari serioz është të shfaqet natë për natë në televizor.

Diku lexova disa rreshta për shkrimtarin francez që mori çmimin Nobel këtë vit. Ka kohë që nuk lexoj shkrimtarë nobelistë, sepse mendoj se ky çmim ka dalë me kohë prej kontekstit letrar, por, më duhet të them se ajo që lexova për këtë shkrimtar, më bëri që të dua ta lexoj librin e tij, pasi në biografinë e tij ishte një fjali që më tërhoqi; “marrëdhënie të ftohta me mediat vizive…”. Por, këtë as që do arrijnë ta kuptojnë të rinjtë tanë. Nuk kanë faj, jane edukuar ndryshe; jetojmë në një shoqëri spektakli, në shoqërinë e bërrylave dhe ekzibicionit. Intrigon më shumë një autograf se libri vetë. Kur unë dola njëherë në një emision televiziv (megjithë ato ngurime), edhe shitësja poshtë pallatit më shërbeu pa rradhë! A thua se pas asaj daljeje unë isha bërë një tjetër person, e nuk isha ajo e njëjta që shitësja linte në rradhë duke më përsëritur herë pas here; – Duro, se nuk po të qajnë kalamajtë!

Ndër paroditë pafund të Panairit të Librit, ishte edhe juria me gazetarë. Si mund ta gjykojë një gazetar, librin artistik? Një njeri që kurrë nuk ka shkruar diçka letrare në jetën e tij? Enigmë me shumë të panjohura kjo për mua. Këtu vjen parodia tjetër; shumica në këtë vend (nga ata njerëz që kanë të bëjnë me librin); botues, anëtarë jurish, studiues e kritikë, kanë qëlluar për dreq; adhurues të flaktë të Coelhos. Imagjino lexues, se sa e tmerrshme do ishte sikur këta adhurues të të dorëzonin një çmim. Të të japin çmim adhuruesit e Coehlos, për një libër ku ti ke shpotitur shkrimtarë po të këtij lloji. (Vend surreal→çmime surreale!)

Më datën 1 tetor, më erdhi një e-mail ku shkruhej se libri im qe sugjeruar për çmimet e panairit. “Bulevardi i Yjeve” (kështu titullohet romani im), ishte në fund të një liste me tituj librash të tjerë, dhe këta të tjerët ende nuk ishin botuar! Ky fakt më la me gojëhapur, si e paeksperiencë në këto fusha gjithë bregore. M’u duk aq e habitshme… Si mund të sugjerohej për çmim një roman që ende nuk ka dalë në librari? A nuk duhet një kohë e caktuar që libri të përballet me lexuesin? (Apo, për këtë mjafton opinioni i punonjësve të shtypshkronjës?). Kësaj i thonë të kandidosh për çmim, një libër që autori e ka në kokë. Unë i kam nja pesëdhjetë të tillë ende të pashkruar… pse të mos më kandidonin edhe për ta?

Ja, i dashur lexuesi im, bashkëvuajtës, për të gjitha këto unë e “skipova” Panairin e Librit. Por do të kisha shkuar atje, nëse gjatë ditëve të këtij Panairi do të flitej për;

Abuzimet me të drejtën e autorit…

Nëse do të flitej për botues që nuk u përmbahen kontratave…

Për botues që ta piratojnë librin, ta hedhin në treg pa dijeninë tënde, ta shesin dhe lekët i fusin në xhepat e tyre, ndërsa kopjet e tua i deklarojnë si të pashitura…

Do të kisha shkuar në Panair, nëse atje do të flitej për “punën e zezë” të përkthyesve “të paguar me mëditje”…

Do të kisha shkuar atje nëse do flitej për botues që promovojnë autorë për konjuktura politike e aspak për talentin e tyre…

Për botues që promovojnë bujshëm ca libra të mjerë, vetem se autori është i pasur dhe i paguan mirë…

Për botuese femra që e kanë kaq të vështirë të promovojnë autore femra;

Për korrektorë të paaftë që të bëjnë me dhimbje koke, kur të zëvendësojnë një fjalë shqip, me një fjalë turke, vetëm për faktin se shohin telenovela në këtë gjuhë.

Për autorë të brishtë që heshtin e nuk i kërkojnë të drejtat e tyre, vetëm se botuesi “i gënjen” duke i nxjerrë nganjëherë në televizor (sikur suksesi i një shkrimtari të varej nga ky lloj ekzibicioni).

Ja, për të gjitha këto do kisha shkuar, por meqë në gjithë atë farsë, nuk u përmend asgjë nga këto, unë shtypa “Po”, në atë kutizën ku Google Earth-i më pyet me ngarkesën e përhershme emocionale; – A do ta skiposh Panairin e Kotësive?…

*pop-esseistikë – kështu e quajti një lexues shkrimin e parë të rubrikës…

* “Skip”↔ “Skipëria”?

Rubrikë e përjavshme kushtuar

“emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”

Gazeta Dita, Datë 19 Nëntor 2014

Me një udhëtim sureal në Google Earth, do zbulojmë lexues se;

Presidenti Amerikan sot e rrufiti kafen djathtas,

ISIS-i ri-zbuloi revolucionin seksual… Alzajmerin gjithashtu (ai nuk mban mend më për çfarë është duke luftuar),

Putini sot pastroi faqet për të kushedisajtën herë prej bezdisë së të puthurës pasionante të presidentit serb; katër herë në faqe, një muaj më parë,

Diplomacia Europiane në Bruksel, sot, edhe një herë i kërcëlliti dhëmbët prej të ftohtit, ndërsa fantazma e Führer-it, u vërtit përqark godinës së Komisionit Europian duke nënqeshur e mërmëritur në gjuhë fantazmash; – Dhoma gazi apo furnizime gazi? Kjo është çështja!

Por, le të largohemi që andej lexues dhe të drejtohemi për…

Pa prit… Pikërisht këtu del një kutizë dhe Google Earth nxjerr një paralajmërim të vockël; – Do you want to skip Albania? (A doni ta kapërceni Shqipërinë?)

Seç ka një nëntekst të çuditshëm në këtë pyetje që duket sikur mban edhe përgjigjen brenda, duket sikur të thotë plot delikatesë; – A do ta kapërcesh Shqipërinë?, në vend që të të thotë troç; – A do ta injorosh Shqipërinë? Me siguri duhet të jetë e njëjta kutizë që i del edhe Zotit ndërsa ai është duke naviguar në internetin qiellor, e duke parë rezultatet me këtë vend, me siguri që Zoti klikon gjithmonë atë kutinë ku shkruhet “Yes” (Po, unë dua ta “skipoj” -“injoroj” Shqipërinë.)

Por, ndryshe nga Zoti, kjo kolonë e përjavshme që nis sot në këtë gazetë, nuk ka për qëllim aspak ta “skipojë” Shqipërinë… E kështu, le ta lejojmë Google Earth-in t’i afrohet ngadalë, si kamera e një profesionisti, këtij vendi sureal, ku e mundura bëhet lehtësisht; e pamundur… Këtij vendi ku të duhen përpjekje si ato të Gjeto Basho Mujit për të mbijetuar…

Ja ku jemi në Tiranë, në një ditë të zakonshme vjeshte…

Diku, në një stol, një çift të moshuarish janë duke iu gëzuar diellit bujar e ende edhe për pak të ëmbël të fundvjeshtës. Çifti seç ka një ndriçim të paqtë në fytyrë, dhe ty, teksa i sheh aq të patrazuar, të vjen një pyetje ekzistenciale në mendje; – A do mundem të plakem edhe unë si ata? Pastaj vetja të kthen një përgjigje shpotitëse të llojit; – Ti do bëhesh një plakë noprane, e cila do jetë gjatë gjithë kohës duke iu hakërryer me vrasësen e mizave, fëmijëve të lagjes. (nëse mizat nuk do jenë zhdukur deri atëherë, me shumë gjasa jo, me gjithë këto papastërti nëpër rrugë, mizat nuk do kenë asnjë gjasë të bëhen insekte në zhdukje e sipër). Por edhe fëmijët, pas aq vjetësh, sado të modernizuar e me iPhone të gjithfarëllojshëm, do jenë njëlloj duke thirrur me zë të çjerrë; “AnDallim loje”, po aq gabim sa ç’e kam thënë edhe unë dikur kur kam qenë fëmijë (edhe mua mund të më ketë përzënë me vrasësen e mizave ndonjë plakë zevzeke).

Fundvjeshtë… që sjell gjithfarë aktivitetesh kulturoro-çkulturore, artistike, historike, komerciale, etj… Panarin e fruta e perimeve përshembull… Ups, më fal lexues; panairin e librit desha të shkruaja… Lapsus Frojdjan? Përse jo? Prej një takëmi tregëtarësh, edhe domatet do ndiheshin të fyera… lëre pastaj ata; të gjorët libra… E meqë jemi këtu; – Shqiptarë, ju duhet të blini patjetër librin me rëndësi historike (e lëmë; epokale) mbi ngjyrën e të brendshmeve të të dashurave të Mbretit Zog, është çështje ekzistenciale patriotizmi, ndërkohë qe ende jeni duke u grindur për gjermanin e fundit, varrezat e dëshmorëve i keni copë-copë dhe njëherazi ëndërroni surealisht për Shqipërine e Madhe, një pjesë të së cilës, ua shiti ky mbret.

Të bëjmë Shqipërinë e madhe, që pastaj një tjetër mbret të na e shesë me çmim të arsyeshëm… mundësisht si pjesë këmbimi…

Ja, ky është nëntori ynë historik… Shqiptarët festojnë festën e flamurit, ndërkohë që futbollistëve shqiptarë në Zvicër u ndalojnë të bëjnë shenjën e shqiponjës me duar. Ka një mungesë koherence, diçka që nuk shkon këtu lexues, apo vetëm mua më duket kështu? Duket sikur për botën ne jemi duke festuar një festë të paligjshme, të një flamuri po aq të paligjshëm… Po mbase do duhet t’i pyesim më shkoqur ndërkombëtarët për këtë… Ashtu siç jemi mësuar që për çdo gjë të pyesim ata, edhe atëherë kur e bardha është e bardhë, dhe e zeza është dukshëm e zezë. Seç kanë ca shije të ngatërruara ata… Shumë herë për ta e bardha është e zezë dhe e zeza; e bardhë, gjë që na bën lëmsh ne shqiptarët e na bën ta quajmë veten; daltonikë (të paaftë për të dalluar ngjyrat). Ku i dihet, ndoshta ndonjë ditë ata do na sugjerojnë edhe që në vend të shqiponjës, në flamur të vendosim… një pulë përshembull. Ose, ose, të na bindin me diplomaci, që pula është shqiponjë… vetëm se ne nuk jemi në gjendje ta shohim si duhet… Belá e madhe do jetë me futbollistët tanë pastaj, ec e merre vesh se si do t’i kryqëzojnë duart për të treguar pulën… simbolin tonë të ri kombëtar…

Por, ndërkohë që ne jemi duke bërë shqiponjën (apo pulën e ardhshme), krenarisht, me duar të kryqëzuara në kraharor, Monumentit të Pavarësisë ia kanë shitur disa pjesë për skrap. Jam e sigurt që mbasi i ka dorëzuar pjesët për skrap, edhe hajduti i ka kryqëzuar njëlloj duart në kraharor në formë shqiponje, me një patriotizëm që nuk ka të sharë…

Por, edhe ai tipi, që tani Google Earth po e tregon qartaz se është duke kryer nevojat personale poshtë urës, edhe ai do i ketë kryqëzuar një herë në jetë duart në kraharor në formë shqiponje (shpresoj jo pas procesit në fjalë).

Shqiponjën duhet ta ketë bërë me duar, edhe ai vjedhësi i kapakëve të pusetave, njëlloj sikur bën kryqin përpara se të kryejë ekzekutimin… “Ushtarët bien në gjunjë përpara betejës, njëlloj sikur të jenë duke u kërkuar falje viktimave të rradhës (më fal; pusetave të rradhes), ka thënë Volteri…

Shqiponjën duhet ta ketë bërë me duar një herë në jetë, edhe ai tipi që pështyn në tokë… Ajo nëpunësja e shtetit që ikën e ia shtron për shtatë palë qejfe në kafe, ndërkohë që njerëzit presin në rradhë si delet; në dy rreshta të çuditshëm; veç burrat, veç gratë… (E ndërsa ti mban rradhën, dikush pas teje ka një ngutje të çuditshme, një si lloj tiku nervor, impuls konvulsiv, për të dalë përpara teje…)

Të bësh shqiponjën me duar të kryqëzuara në kraharor, lexues, është sikur të rrëfehesh te prifti e të lahesh prej mëkateve…Të lahesh prej përgjegjësive që ke si qytetar… Me këte akt i ke mbaruar të gjitha detyrimet si shtetas… Kur bën shqiponjën me duar, edhe shteti bëhet vetë;

1- Ajo pjesa e Monumentit të Pavarësisë, e vjedhur për skrap, zëvëndesohet brenda natës si me magji,

2- Qytetin do e pastrojë nga jashtëqitjet një dorë hyjnore,

3- Nëpunësja do kthehet shend e verë nga kafja dhe do shohë që nuk ka më asnjë hallexhi te sporteli; papritur, mistikisht, atyre u janë zgjidhur hallet vetë,

4 – Kapakët e pusetave do zëvëndësohen prej Zanës së Përrallave…

E, në rastin më të keq, nëse nuk ndodhin gjithë këto mrekulli (mund që Zana të bëjë një ditë pushim), atëherë shqiptarët do presin që shtetin t’ua bëjnë ndërkombëtarët… Po, po, lexues, pikërisht ata që do na sugjerojnë të vendosim një pulë në flamur… Në flamurin e një vendi, i cili dikur, me në krye Gjergj Kastriotin, u bë mbrojtës i krishtërimit të këtyre europianëve që tani do të qenë duke folur turqisht… Në flamurin e një vendi që u çlirua prej fashizmit me forcat e tij. E kjo, me gjithë sensin e ekzagjeruar të humorit të pilotëve aleatë, anglezë, të cilët, herë-herë asistonin në ndihmë të këtij çlirimi, duke i hedhur këtij vendi që prej andej lart, qiellit, ndonjë duzinë këpucësh; të gjitha palë të së njëjtës këmbë…

Gjysma e së keqes që ky vend i vogël (së shumti pagan), nuk kishte ndonjë pritshmëri të madhe prej andej lart, qiellit, përveç fenomeneve atmosferikë.

(Eh, sa jemi mësuar me këtë, kushedi sa herë na e ka “anDalluar lojen” “qielli” ne shqiptarëve; Konferenca e Londrës, Konferenca e Platinisë, etj.)

Një komb i mbetur historikisht pa këpucët e këmbës tjetër, që, edhe i zbathur, prodhon histori sa për t’ia dhuruar Kubrick-ut e Allen-it njëherazi… Po ndoshta, pa këpucë në këmbë, botës i dukemi edhe më ekzotikë, kështu, ajo na ruan si një park të virgjër prehistorik, për të parë në ne, shëmbëlltyrën e të parëve të saj, e pa u thelluar fare në dramën tonë. Një popull i vogël që sheh ëndrra të mëdha (qofshin këto edhe brenda një rezervati, rrethuar kujdesshëm me gardhe cinikë, buzëqeshjesh të largëta ndërkombëtarësh). Një popull, i cili, në mëngjes zgjohet e pret duarkryq prej të tjerëve, pa bërë asgjë vetë, pa përveshur mëngët që ëndrra t’i dalë…

Oh, është kaq bukur të jesh një shqiptar sureal!

Gjithmonë kam pyetur veten se kujt kombi ia hodhën këpucët e këmbës tjetër, pilotët shakaxhinj anglezë të koalicionit anti-fashist… Gjithmonë kam pyetur veten se si do ishte fati ynë sikur të na i kishin hedhur të dyja këpucët e palës që atëherë… Por këtu mbetem pa përgjigje, sepse kamera e Google Earth-it tani fillon të ngrihet ngadalë; pemët, ndërtesat, rrugët, zvogëlohen, dhe imazhi i fundit përpara se të mbyllet kutiza, janë të moshuarit që janë ngritur nga stoli dhe ecin ngadalë duke u mbajtur tek njëri-tjetri dhe, ai tipi poshtë urës… që ndërkohë e ka mbaruar procesin në fjalë, dhe duket tejet i çliruar…

Po, tani ai është gati të bëjë shqiponjën me duar!

*“Skip”↔ “Skipëria”?

Rubrikë e përjavshme kushtuar “emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri”