Intervistoi Alda Bardhyli

A mund të jetë letërsia autobiografike?

Arlinda Guma: Letërsia mund të jetë gjithçka. Nuk ka rregulla në art. Të vendosësh caqe dhe rregulla në një vepër arti, është sikur t’ia qethësh asaj kokën zero e pastaj ta dërgosh në një shkollë riedukimi. (Mungon aty vetëm një himn naziskinësh.)
Pra, letërsia mund të jetë autobiografike. E gjithë çështja është se, kur merr të shkruash diçka për veten, logjika nuk është e ftohtë. Ёshtë sikur të përpiqesh të mbash ekuilibrin, duke ecur mbi një tel.
Për mendimin tim, letersia autobiografike është një çark për të rënë në diletantizëm. Një kurth, i cili të detyron, ashtu si pa kuptuar, ta pikturosh veten me penelata të ndezura. Duhet një guxim i madh të shkruash për veten. Mua më duket tmerrësisht e vështirë për të gjetur një ekuilibër të shëndetshëm në gjithë këtë. Nuk je i kthjellët. Të duhet edhe një pasqyrë tjetër, e ndryshme nga ajo me të cilën sheh veten çdo mëngjes. Një pasqyrë e ftohtë, e jashtme, disi e shkëputur, e papërfshirë emocionalisht, të cilën, jo të gjithë shkrimtarët arrijnë ta gjejnë.
Ka edhe diçka tjetër në letërsinë autobiografike që mua më step. Të kufizon lirinë e krijimit artistik në vepër, pasi do të të duhet t’i përmbahesh asaj që ka ndodhur në realitet. Nga ana tjetër, ekziston vështirësia që, jo gjithçka e marrë nga realiteti mund të shndërrohet në art. Përndryshe ç’do të na duhej arti?
E pranoj, në realitet mund të gjesh diamante mu në mes të baltës, por nuk mund t’i vendosësh ato, ashtu bruto në një vepër letrare, pa i pastruar, pa i limuar, pa i rregulluar më parë. Pra letërsia autobiografike, për mendimin tim, nuk mund ta kryejë me sukses misionin e saj, pa pak përpunim artistik. Por, ky përpunim, në këtë lloj letërsie, duhet të jetë tejet i ndershëm.

Sa e sheh jetën tënde në atë që shkruan?

Arlinda Guma: Nuk e shoh dhe aq. Në romanin Bulevardi i Yjeve ngjarjet rrotullohen rreth një çmendine dhe unë, kurrë nuk e kam parë nga afër një çmendinë. Nuk e di si është. Shumë njerëz nuk e besojnë këtë. Madje disa kanë arritur deri atje, sa më kanë pyetur se mos kam patur ndonjë të afërm të shtruar në një spital të tillë. U jam përgjigjur se nuk kam patur askënd. Ndoshta ndonjë kusheri me IQ të ulët, edhe mund të kem patur në pemën e familjes, ku i dihet, por një të çmendur nuk kam patur fatin ta kem… (pas kësaj që thashë, gjysma e rrethit fisnor nuk do më flasë me gojë e gjysma tjetër do përpiqet të gjejë kush është ai me IQ të ulët… Duhet një fytyrëz e buzëqeshur këtu.)
Dhe duket se përgjigjja ime nuk ka kënaqur as lexuesit. Ka diçka që më bezdis, disa lexues interesohen më shumë për gossip-in, për jeten private të shkrimtarit, se për veprën e tij. Por nuk është edhe aq faji i lexuesit, media e bombardon atë përditë me lajme thashethemesh rozë, për çdo teshtimë apo gromësimë celebrity-je. Disa blogje janë bërë si ato gratë në një pallat, të ulura nëpër stolat e oborrit, të cilat analizojnë, kush hyri e kush doli. Madje mund të them se ato (gratë), i ruajnë më shumë lartësitë se gazetarët e blogjeve.

Ata shkruajnë libra për mua, në vend që të lexojnë librat e mi, ka shkruar Kundera, tek “Pavdekesia”.

Si lexuese, parapëlqej ta njoh shkrimtarin nga vepra që ka shkruar. Për mua, jeta e shkrimtarit është tërësisht dytësore, e parëndësishme do të thosha. Edhe atëherë kur romani nuk është autobiografik, unë arrij ta njoh shkrimtarin, që nga mënyra si ka ndërtuar një personazh, që nga menyra si ai ka strukturuar veprën, që nga mënyra se sa i lidhur është me të.
Kohët e fundit, lexuesit i është edukuar mania e të kërkuarit të realitetit kudo. Ai e blen librin vetëm nëse aty është shkruar biografia e dikujt, mundësisht e ndokujt që është tepër i mediatizuar, gjë që unë do ta përktheja; e blen librin vetëm nëse aty ka ndonjë thashethem.
Kjo puna e të kërkuarit me çdo kusht realitet në një vepër arti, nuk është vetëm çështje lexuesish. Do të thosha që është çeshtje edhe e një takëmi kritikësh. Po ju jap një shembull; një kritik ankohej në një shkrim, se në librin tim gjente disa dialogje, pak si shumë poetikë e të rafinuar, të cilët nuk ia mbushnin mendjen, pasi personazhet e librit jetonin në provincë. Këto gjëra nuk ndodhin në një provincë, shkruante ai, kur përveç paragjykimit për provincën, shpërfaqte edhe të gjithë mendjeshkurtësinë e tij për të kërkuar realitet në çdo fjalë të romanit tim.
Por një vepër letrare mund të ketë realitet, ashtu, siç mund edhe të mos ketë fare. Nuk ka asnjë rregull për këtë. Vetëm njerëzit mendjembyllur kanë kufizime të tilla perceptimi. (Për fat, unë nuk i marr shumë parasysh, as kritikat vlerësuese dhe as kritikat e tjera, pasi në Shqipëri nuk ka kritikë të besueshme letrare, lëre pastaj; profesionale.)
Për t’u kthyer te pyetja.
Në romanin tim të dytë, që kam mbaruar një vit më parë, ende të pabotuar, kam një personazh, i cili ka shumë qëndrime dhe ide të ngjashme me mua. Por romani nuk është autobiografik. Unë e evitoj të shkruarin për gjëra që më përkasin nga afër, pasi druhem se mos e zbukuroj veten, ashtu siç po aq, druhem se mos i bie asaj në qafë më shume se ç’i takon. E këtu humbet ekuilibri.
Më kujtohet diçka nga koha kur kisha nisur të shkruaja Bulevardin e Yjeve. Gjatë një evenimenti familjar, nëna ime më tha: “Kur do shkruash diçka për familjen tënde?
“Epo… unë nuk ju bëj dot heronj… Po shkrova, do shkruaj ashtu siç jeni me të vërtetë”, ia ktheva.
Ndërhyri im vëlla e tha: “Ç’ia shtin ndërmend të shkruajë? Apo do që të na nxijë fare?”
Qeshëm… dhe nëna ime nuk bëri më pyetje të tilla.
Ishte koha (dhe ende është) kur shkrimtarët shqiptarë e kishin me merak të madh të shkruanin libra për biografinë e familjes së tyre dhe në ato libra, të gjithë dilnin legjendarë, por edhe me biografi aristokrate, me më shumë shërbëtorë, se sa pjestarë të familjes.(!)
Ёshtë kaq groteske e gjithë kjo. Për këtë arsye ua kam frikën penelatave të tilla. Për këtë arsye i largohem vazhdimisht kësaj letërsie.
Por, ndoshta unë e shoh kështu, ngaqë, edhe kur më duhet të hartoj një Curriculum, gjysmat e gjërave që di të bëj, nuk i përmend fare, ndërkohë që me të tjerët ndodh krejt e kunderta; i fryjnë e stërfryjnë, pikërisht ato që nuk dinë të bëjnë.
Unë ndihem më mirë kur e krijoj vetë fabulën dhe nuk e marr të gatshme nga realiteti. Kur e krijoj vetë të gjithë strukturën e veprës. Kur filloj të mbrujt personazhin e parë, kur kuptoj se në ç’paragraf kam filluar ta dua atë personazh. Kur personazhi, pasi e kam jetësuar, fillon të më mësojë mua shumë gjëra që nuk i di.
Por, edhe kur nuk e krijoj vetë, më pëlqen më shumë të rrëfej historitë e të tjerëve, se sa ato të miat.
Jam më e ftohtë dhe besoj, edhe më e drejtë.
Ke konflikt interesi kur shkruan për veten. Duhet ndershmëri… shumë ndershmëri…