“Xhaketa e botës”
7 February, 2017
Nuk më rri mirë kjo botë…
mëngët më vijnë të shkurtra,
jaka e gjerë,
shpatullat të ngushta,
dhe te zemra më shtrëngon një tegel i qepur keq.
Nuk më rri mirë kjo botë…
astari, akull i ftohtë,
plot xhepa të brendshëm sekretë,
(ku mund të humbas aty fëmijërinë,
ku s’mund të ngroh aty fëmijërinë…)
Nuk më rri mirë kjo botë…
me siguri më kanë ngatërruar masat,
e më kanë qepur në trup xhaketën e oportunistit klasik.
Nuk më rri mirë kjo botë…
po me vret brinjët kjo botë,
ky tekstil polar që do me ç’do kusht të mposhtë,
të vetmen fortesë, ende të ngrohtë në trupin tim;
Zemrën…
©Arlinda Guma
04.01.2017