Nga Ardiana Shala Prishtina

Botuar ne Gazetën Koha Jonë

11.07.2017

Nji lexim i kandshëm më rastësi këto ditë. Meqenëse nuk besoj në rastësi, e vërteta asht që kur doli libri “Terma humanitare si fjala bombardim” e Arlinda Gumës, sapo kisha lexu titullin nëpër faqe të facebook-ut, prita kur ka me me ardhë edhe në Prishtinë e me ngajtë me e ble. Termat humanitare rrallë gjinden në nji titull kaq bukur të paketum si bombë që ia dëgjon tik-tak-at e kohës.

Prita pak, por shpejt e kuptova që libri nuk e kish ndërmend me ardhë ma frik në Prishtinë. Kjo temë tjetër tash, por ia vlen me thanë kaq në këtë pikë: kufini ma i madh që na ndan po bindem çdo herë e ma shumë nuk asht ai ku polici të korrupton ose jo për me me të lanë me kalu andej ose këndej, asht ai në mendjen tonë që nuk i shkep librat andej e këndej në momentin që dalin në dritë, e pse jo nëse më lejoni pak poetizëm në këtë rresht, me i shkepë me shpejtësinë e dritës. Nejse, tejkalova mllefin që nuk e gjeta librin në Prishtinë, tue i shkrujtë autores direkt. e cila u tregu e gatshme menjiherë me ma nisë librin dhe përmes nji mikeje që gjindej në Tiranë, e arranzhumë dyqysh ardhjen e librit në Prishtinë enkas për mu.

Me kurreshtjen ma të madhe iu qasa librit. Sikur dojsha me gjetë brenda tij humanizmin që e përthekon botën e bombardume çdo ditë prej turli budallallëku njerëzor. Atij budallallëku që asht po aq veçori humane, nëse me humane në këtë rast nënkuptojmë nji altruizëm njerëzor kundrejt tjetrit. Sepse, edhe budallëllëku asht njifarë forme e altruizmit. Në kuptimin që tue mos ta ndi për tjetrin, në fakt nuk ta ndinë për veten, e tue ba diçka egoiste, pa pasë konsideratë për vete natyrshëm je altruist.

Përderisa prita, si hatër prej fjalës bombardim, që libri ka me ma shpalos nji rrëfim plot vuejtje njerëzore të krizave të mëdha të disa popujve në Afrikë, u befasova kandshëm, kur libri para meje shpalosi njerëzisht nji histori dashnie të lanun në gjysë por jo të shkëputun; nji dashni të re që mund të lindte, por nuk ish e sigurtë në i pëlqente bota ku do rritej; dhe nji ikje prej hijes së përditshme prej po asaj bote të krizave të mëdha të popujve ku ndihmat humanitare u gjuhen si bomba mbi pafuqinë e tyne, pavarësisht që nuk asht qielli yt që nxihet prej këtij maskarllëku.

Përderisa fillimisht, personazhi kryesor i librit, H-ja, duket sikur asht në kërkim me e rigjetë veten në vendin e tij, i cili pasi që ishte kthy prej nji misioni humanitar ku kishte taku njeriun ndryshe, kishte taku njeriun tue e njoftu jo përmes dëshirave, por ma së pari tue ia prek ashtin që i thehet përditshëm shpresave për nji ditë ma të mirë, gradualisht autorja mjeshtërisht ta shpërqëndron vëmendjen me imazhe piktureske të nji qyteti që ngjan ndoshta ma pak me pikturën sa me famën të nji piktori të famshëm ose turistëve që vijnë me jahta të shtrenjta me ble art të lirë imitues pranë portit të qytetit; me nji mbramje ekstravagante ku janë të ftuem “krem dë la krem” e shoqnisë dhe ditëve plot punë të pakryme, por që nuk ndjekin asnji qëllim. Kur ditët nuk ndjekin ndonji qëllim tue e ndjek njana tjetrën të shpalosen ashtu, realisht e kupton që H. nuk asht kthy akoma në vendin e tij. Përderisa tregimi që ai mban brenda vetes nuk gjen moment të çlirimit me u rrëfy në letër dhe me u nda me botën, ai mund të jetë kthy fizikisht, por përderisa vendi i tij në fakt nuk ka ndryshu aspak, dhe mban mbi kurriz të njajtët qenie njerëzore që ndjekin po të njajtat interesa e dëshira jete, asht ai që ka ndryshu aq shumë sa nuk e njeh ma as atë e as veten brenda tij, ashtu sikur e kishte lanë. Sepse, bagazhi i randë i dashnisë që po linte mbrapa, nji lidhjeje që ishte nda, por s’ishte shue, nji dhimbje që kishte marrë me vete kur ishte nisë për Afrikë në mision humanitar, tani ishte dukshëm ma i randë që ishte kthye. Sepse mbi të tashti randonin edhe eshnat e njerëzve të pafajshëm që u shtypën me paketa humanitare që u binin prej qiellit si bomba. Për rrëfimet e dashnisë të të cilëve nuk kishte vend në këtë botë. Por ndoshta as për dashni. Krejt kjo, sepse stafi ndërkombëtarë duhej me u kthy sa ma shpejt në vendlindjet e rahatshme, me i ba gati dhuratat, humanitare pa dyshim, të nji humanizmi ndyshe natyrisht, për njerëzit e mirë të afërm e të dashtun të tyne. Ringjallja e Krishtit nuk do u’a falte vonesën. Sepse Krishti ishte në radhë të parë kapitalist. Asht fjala për aq vonesë sa do njeriu kohë me mendu mirë nji veprim prej fillimi deri në fund. Aq vonesë, sa do kohë mendja me paramendu veten në vend të tjetrit.

H. gradualisht po kuptonte, që nuk ishte në ikje prej dhimbjes së ndarjes me Lisën kur u nisë për Afrikë, edhe pse atë kohë ashtu e kishte përjetu, sa ishte atëherë në kërkim të nji kuptimi të ri mbi jetën e veten e dashninë. Ku me i gjetë krejt këto ma mirë se në nji mision humanitar?
Me kthimin e tij në vendlindje, tu shpresu me gjetë Lisën, ai në njifarë mënyre shpreson me gjetë veten ashtu si ishte para se me shku në Afrikë, veten pa bagazhin e përvojës atje. Tue shpresu që rreshtat që nuk po gjente forcë me i shkru do të baheshin të panevojshëm me i shkru, sepse krejt çka kishte ndodh do të shfaqej që nuk kishte ndodh.

H. asht dëshmi e vogëlsisë të njeriut në luftë të shurdhër me kujtesën, kohën e ndërgjegjjen.
Dhe në krejt këtë rrëfim, autorja na sfidon termin humanitar qëllimshëm, edhe nji herë, ma shumë kalimthi, me fatin e nji qeni në duer të nji bishe. Nji qen që ndjen për nji grue që asht viktimë e dhunës së nji burri, i cili kur nuk arrin me thy pasqyrimin e pavlefshmënisë së vetes si qenie njerëzore, që e sheh edhe në sy të atij qeni që bashkëndjen me njeriun, aq ma dobët që shfryhet me grushta e shkelma ndaj nji grueje ose nji qeni, aq ma burrë ka nevojë me u ndje. Nji burrë që kërrkon validim për burrninë e tij në të drejtën e vet ekzistencës, por kur ekzistenca e vetes nuk i mjafton, kërkon pushtet në shkatrrimin e nji ekzistence tjetër.

Kjo histori që na sjell Guma, të ballafaqon pashmangshëm me pytje mbi natyrën e njeriut. Natyrën e brishtë të tij. Brishtësinë ku ti si njeri në udhëtimet që ban në botë, len nji copë të vetes për me u kthy në vendin tand nji tjetër. Jo ma pak, por as jo ma shumë se që ishe i lumtun ose i vuejtun, por nji tjetër së paku në dyshime për të dyjat. Dhe nën rreshta gjithashtu ky libër të fton me mendu se çka janë bombat që vrasin njerëz me të vërtetë? A do na kishte indinju nji bombë mbi njerëz, sikur që na idinjon sot ato mbi Siri ta nxamë, po aq sa nji paketë humanitare plot ushqime që i vret njerëzit si bombë? Por kush i vrau me të vërtetë, paketa apo budallëllëku i njeriut? Sikur të ishte ba publike kjejt kjo, a do i kishim ba këto pytje? Po pse nuk u ba? Ndoshta s’ishte as budallëllëk, por thjeshtë nji formë tjetër e humanitetit njerëzor që nuk do bahet lajm, sepse kush ka kohë pastaj të vë në dyshime qëllimet e ndihmave humanitare, që me gjasë ekzistojnë ma shumë për me i shërbye egos së atij që i shkepë se sa, sikur në këtë rast të nji katundi në Afrikë, varfnisë në emën të së cilës grumbullohen. Ndoshta këto dyja kanë lidhje kauzale që fillon me secilin prej nesh. E në radhë të parë ndoshta me zhurmën tonë përballë ndihmave humanitare si matës i përgjegjësisë morale të ndërgjegjjes së shoqnive të civilizume sikur tonat, e me heshtjen tonë përballë përgjegjësisë tonë për krizat atje që shkaktonë nevojën e tyne për tepricat tona.

Dhe për mungesën e këtij ndërgjegjësimi flet libri me nji mjeshtri të rrallë e me nji sarkazëm të hollë, që të ngacmon logjikën e trajnume me i pa sendet veç prej nji kohe e hapësine të caktume. Ma shum se ftesë për sfidim kandvështrimesh, ky libër i shkrumë me nji gjuhë të thjeshtë që të fton në mendime të thella, pa fjalë që ma shumë se me të thanë diçka kanë qejf me të tregue që dijnë diçka, asht edhe ftesë për sfidim të logjikës mbi ndërgjegjjen humane, në nji botë ku ndodhin kaq shum gjana jo-humane të shkaktume prej njerëzve.

“Dy meteorë digjen mërzitshëm … atje në qiell,

Si për të përmbushur kotësisht,

dëshirën e nji idioti, shprehur … atje në tokë…

”(nga: Terma humanitare si fjala bombardim, A.Guma, 2016)

 

http://www.kohajone.com/2017/07/10/reflektim-leximi-terma-humanitare-si-fjala-bombardim/

Advertisements