ÇFARЁ PO LEXON… Arlinda Guma?…

16 March, 2018

Shtator 2017

-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

Një libër në frëngjisht për Van Gogh-un. Ma kanë bërë dhuratë. Personi që ma dhuroi dinte pasionin tim për pikturat e tij dhe kur ia kishte zënë syri në bukinistët e Parisit nuk kishte hezituar ta blente. Ёshtë mjaft interesant, sepse fotot e pikturave janë prerë nga diku tjetër dhe janë ngjitur në faqet e librit me shpjegime të detajuara për çdonjërën dhe me nga një historik mjaft të kuruar mbi atmosferën kur Van Gogh-u i pikturoi.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Nga autori. Nëse më pëlqen një libër i një autori të caktuar, do t’ia lexoj të gjitha ato që ka shkruar. Por nëse nuk më pëlqen libri i parë që lexoj nga ai, e kam mbyllur njëherë e përgjithmonë marrëdhënien time me atë autor.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Po.  Madje shumë prej tyre edhe i kam rilexuar… Mos më pyesni sa herë i kam rilexuar… Nuk dua të tremb njeri. Janë vërtet shumë herë…

-Libri i parë që keni lexuar…

Ngaqë dija të shkruaja dhe të lexoja përpara se të shkoja në shkollë, ka qenë në moshën 6 vjeç. “Përralla” nga Hans Christian Andersen. Ndërsa libri i parë për të rritur që kam lexuar, ka qenë “Iluzione të humbura” i Balzac-ut, kur isha 8 vjeç. Ai Lucien-i ka bërë “dëm” të pariparueshëm tek unë. Një “dëm” të bukur.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…

Nuk kam kursyer për të blerë libra. Kam qenë fëmija më i vogël dhe më i përkëdhelur i familjes, ndaj kam patur gjithmonë lekë nëpër duar, të gjithë që më takonin më jepnin nga një lek. (Sa keq që kjo është rralluar fare tani që jam rritur ëëë…) Pastaj merrja dhe libra nga shokët e shoqet, apo nga vëllezërit dhe motrat e mia, shumë më të rritur, ata kishin librat e tyre.

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist/e apo student/e?

Me shoqet dhe shokët e klasës. Madje kur profi i matematikës shpjegonte ato ekuacionet e tij të mërzitshme, unë hapja një roman në mes të librit të matematikës dhe lexoja pa e prishur terezinë.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Po… Në moshen 9 vjeç. Por librat që merrja ishin për të rritur. Kartela ime mbushej me një shpejtesi të frikshme me tituj të rinj, sa një ditë personi që punonte atje, u tha prindërve të mi se nuk do ta linte të shkonte kot një fëmijë të tillë “me prirje kaq gjeniale”. Por i gjithë ky shkëlqim ”gjenialiteti”, zhbëhej fare kur prindërit më qortonin pse nuk isha mirë në matematikë. Gjithë jetën e kam patur kompleks matematikën. Ata më qortonin edhe ngaqë trembeshin mos më ndodhte ndonjë gjë nga të lexuarit, sepse plakat e lagjes sa herë kur sëmurej ndonjë femijë që ishte me dhjeta në shkollë, thoshin gjithë kompetencë:- E more vesh? U sëmur me fruth djali i filanit. E de, u sëmur nga të lexuarit e shumtë.(!)

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Sot jo… Sot i blej librat… Por ritmi i të lexuarit tim tani, nuk është ai qe kisha kur isha fëmijë. Atëherë lexoja gjithçka me një uri “të llahtarshme”, sot jam bërë shumë përzgjedhëse.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër? 

Miqve dhe mikeshave ua kam kthyer të gjithë librat, sepse kam një korrektesë “epike” në çdo lloj marëdhënieje. Por kam patur një zakon të keq, tani më vjen turp ta them, por, kur i merrja motrës ndonjë roman për të lexuar, pasi e mbaroja, i shkëpusja faqen e fundit se ishte material i mirë për të pikturuar. Dhe pikturoja në atë faqe. Nuk jam shumë krenare për këtë keqtrajtim që u bëja librave. Mbaj mend që një libër me tregime të Azis Nesin-it e kisha katandisur sikur të kishte qenë i dënuar me punë të detyruar në Auschwitz. Prindërit, as me vizatimet e mia nuk e kishin punën mirë. Nuk donin te merresha me gjëra fluturake si piktura, ata thoshin se inteligjenca e një nxënësi shkolle duket te matematika dhe u desh nje kohë e gjatë që të dilja nga ai kompleks. Në të vërtetë, kur shihja profesorin e matematikës në gjimnaz që rrinte xurxull gjithë ditën te klubi, gjithçka mund të më dukej ai, vetëm inteligjent jo. Megjithatë, kishte një çast “të lavdishëm” për mua në familje; kur vinte pranvera dhe lyenim shtëpinë. Duhej të hiqnim tubat e sobës. Aty dilja në skenë unë dhe talenti im “i llahtarshëm”, pasi mami më kërkonte ndonjë nga pikturat për të mbuluar atë gropën në mur ku kalonte tubi i sobës. Ai ishte momenti i “shkëlqimit tim artistik”, ndihesha mirë që, për një herë të vetme, edhe pse për çështje krejt pragmatiste, m‘i vlerësonin ato që pikturoja.

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Ah, po. Por libri që më ka pikur në shpirt ka qenë “Pyesni pluhurin”, të cilin ia huajta një “kanibali” që nuk ma ktheu kurrë.

-A lexonit dikur libra të ndaluar? Mund të na përmendni ndonjë titull dhe si i siguronit?

Në kohën kur unë lexoja shumë, kam qenë e vogël për këtë perceptim. As e kisha idenë e këtyre librave. Por mund të them se ata librat rusë me kolkoze me dukeshin aq të mërzitshëm. Edhe sot e kësaj dite e kam këtë lloj distance me letërsinë ruse, pikërisht prej tyre. Eh, Balzac-u me Lucien-in interesant, mbrujti tek unë një shije tjetër. Rusët edhe sot më duken ca butaforikë. Woody Allen-i e përmbledh mirë këtë mendim timin, tek nje fragment filmi, ku ai futet në skenë duke kërcyer një valle tradicionale ruse (të potershme) dhe rrëzohet keq…

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

E vlerësoj shumë, por kur duan të më dhurojnë libra, në fillim më pyesin cilin autor pëlqej, pasi e dinë që jam shumë xanxare (kapriçoze) në shije.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Shtrirë në kurriz. Dhe kam një zakon që nga fëmijëria; I mbaroj librat së lexuari për një ditë, apo maksimumi dy. Por më vonë i rilexoj sërish.

-A lexoni në banjë?

Jo. Nuk më duket vend i denjë… Por lexoj kur ulem në ndonjë bar dhe personi që pres vonohet. Ndërsa të gjithë janë duke bërë selfie me celularë, duke fryrë buzet apo baluket, unë jam ajo “alienia” që lexoj dhe nuk e nxjerr fare celularin nga çanta.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Në gjuhën angleze dhe atë italiane. Ndonjëhere përpiqem në frëngjisht, por nuk jam në stad shumë të avancuar me frëngjishten.

-Mbani shënime kur lexoni?

Po, nënvizoj ndonjë fragment. Pas shume vitesh, kur e rilexoj, kuptoj se më pëlqen njëlloj si atëherë kur e kam lexuar për herë të pare.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Proza… por edhe poezia nuk mbetet pas. Kur pëlqej një autor/e lexoj gjithçka prej tij/saj. Kur një shkrimtar ka stil, mbetet tek unë përjetë.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Nuk më pëlqen të imponoj shijet e mia. Por thjesht po përmend ata autorë që më pëlqejnë:Migjeni, Rreshpja, Camaj, Kadare, Alicka. Nga autorët e huaj: Goethe, Kafka, Böll, Mann, Joyce, Salinger, Fante, Kundera, Ricos, Camus, Aragon, Bosquet, Prévert, Ahmatova, Turgeniev, Eluard, Dante, Buzzati, Jerome. (Murakamin jo… tepër i lehtë për shijet e mia.)

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Besoj se veprat e letërsise antike greke. Totalisht të vetëmjaftueshme…

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi cilët do ishin?

Do ishin më shumë se tre. Nuk di, do përpiqesha t’i merrja të gjithë dhe kam frikë se do ta përmbysja fare varkën. Nuk jam dhe aq e zonja në menaxhimin e krizave.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisn shpesh…

Ёshtë diçka që e kam thënë edhe në një intervistë tjetër. Kur lexon libra për të rritur në moshë të papërshtatshme, edhe pse nuk kupton shumë sepse je fëmije, ata veprojnë brenda teje pa e ditur ti, si ajo pika që gërryen gurin, që të laton e që  përcakton piketat e ndërtesës tënde si njeri, nëse do të bëhesh një kështjellë e hijshme apo një karakatinë.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…

Qetësohu avion i lashtë i rapsodive

Ёshtë ndarja njerëzore që ulërin qiejve

Ndjekur nga kavaleria e shiut.

Titulli i poezisë: “Shqiponja”-Frederik Rreshpja

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

I papërsëritshmi Arturo Bandini, tek “Pyesni pluhurin”- John Fante.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Nuk kam libra me autografë. Vetë libri është nje autograf i autorit për lexuesin.

-Çfarë po lexoni?

Jam duke shkruar një roman, dhe kur shkruaj jam shumë e kujdesshme që te mos lexoj libra që do më ndërhynin në pavetëdije e do ma nxirrnin romanin nga binarët. Kështu që kur pushoj së shkruari, rilexoj “Tre vetë në një barkë. (Pa përmendur qenin)”, sepse i një stili të tillë është edhe romani që jam duke shkruar. Janë shumë argëtues të dy: romani që jam duke shkruar dhe rileximi i një autori hokatar si Jerome…

 

 

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: