Botuar më 9 Mars 2013, në gazetën “Shqiptarja.com”

Të urdhërosh veten të ndjekësh Big Brother-in nga fillimi deri në fund, (pa dëshirën e saj), është një vuajtje e madhe. Po, lexues, mos huto ashtu. Ёshtë një përvuajtje e tillë, si të ta shpjegoj? Ke parasysh atë këngën masterpiece te bbf-ja; kjo fatkeqesi që na ndodhi/na shkatëroi? Një melodramë e ngjashme. Sidoqoftë dhimbja sikur zbutet paksa kur prezantuesja deklaron se sheshet janë zbrazur të gjithë, se nëpër rrugë s’ka mbetur këmbë njeriu pasi të gjithë po ndjekin emisionin në fjalë, dhe ti më në fund kupton arsyen pse një protestë për qumështin e helmuar, e zhvilluar sot, ka grumbulluar aq pak vetë; njerëzit kanë shkuar të gjithë të shohin se si Big Brotheristët vazhdojnë ta pinë qumështin pa ditur gjë mbi helmimin. Tek e fundit kanë firmosur një kontratë ku u ndalohet të marrin vesh ç’ndodh jashtë, qoftë ky një apokalips apo sulm alien.

Por, me ç’të filloj më parë në këtë emision? Me prezantuesen që ngjan me ato mësueset e filloreve që kanë patur prindërit tanë dikur, dhe që u binin duarve me shkop thane kur s’mësonin? Ёshte aq intimiduese sa duket sikur do dalë nga televizori e do qëllojë edhe duart e mia. Duket sikur thotë gjatë gjithë kohës; unë jam më e mira, më inteligjentja, më e bukura, ju urdhëroj të më ndiqni, urdhri nuk diskutohet, përndryshe…(pastaj duket sikur mendohet pak dhe na bën një lëshim që nuk e meritojmë;-ok mund të mos jem më e bukura fare, por sidoqoftë, ju urdhëroj të më ndiqni). Vazhdojmë me psikologen me një barrë kualifikime që kandiset të bëjë profile psikologjike në Big Brother. Një rast i mirë për të veshur një fustan te kuq, mbase. (nuk kuptoj çfar i ka gjetur femrat shqiptare me këtë të kuqen e ndezur që bërtet? a ka ndonjë në këtë vend që pëlqen të kuqen e thjeshtë, atë të pabujshmen? Krasta do thoshte “të kuqen e tërhequr”, ndërsa komiteti për shpëtimin e tij do indinjohej sërish se mos po e kritikoj). Emisioni vazhdon, gjithmonë nën nota intimiduese, ndërkohë që ata të shkretë janë mbledhur si përpara zyshës (me thupër thane) dhe e shohin në dritë të syrit. Ja nje dialog intelektual (!) që zhvillohet midis një vajze bionde (flokët e së cilës të kujtojnë furkat e plakave qëmoti) dhe një djali;-Publiku mendon se ti e përdor E-në. Djali:-Jo, s’është e vërtetë! Kthehet nga vajza dhe i thotë:-Je viktimë ti E? Dhe E-ja, e cila duket se i ka lënë të gjithë neuronet në pasarelë, përgjigjet me bindje:-Jo, unë nuk jam viktimë! (e kështu, me këtë dialog brilant shuhen të gjitha dyshimet). E kur ndonjëherë viktima është e ndërgjegjshme për statusin që ka? Kalojnë disa minuta dhe i njëjti dialog zhvillohet midis një vajze dhe një djali tjetër, teksti, po i njëjti:-Ti po e përdor atë! -Kush unë? Ja ta pyesim:-Po të përdor unë ty? Dhe vajza ia kthen:-Jo ti nuk më përdor mua, unë të përdor ty! Teksa ndjek këtë dialog kaq të sofistikuar (ku secili shtiret sikur ka një strategji për të mos u dukur humbameno), ty lexues-shikues të duket vetja sikur je kthyer në fillore dhe po zgjedhon foljen “përdor”; t’përdor, m’përdor, na perdorin (m’fal per zhargonin, pasoja prej shkrimit për “lalin”).

Më tej, kamera fokuson një vajzë me origjinë veriore, dhe prezantuesja na drejtohet neve dhe asaj; asaj:-tani ti do përlotesh! (s’ke rrugë tjetër, për të mos thënë-të urdhëroj!), dhe neve:-teleshikuesit do emocionohen! (urdhri nuk diskutohet!). Ndërkohë vajza fillon të tregojë historinë e saj; vërtet prekëse, të cilën e shoqëron sukseshëm me lotë po aq të vërtetë (megjithëse, të vërtete apo fallco, detyrimisht duhej të qante për të mallëngjyer publikun). Ato emocionet njerëzore që përdoren për të rritur audiencën, por më e tmerrshmja nga këto, duket auto-përdorja e tyre nga vetë vajza për të ngjallur empati te publiku. Një lloj viktimizimi manipulues. Me tej prezantuesja na përmend një fakt që duket se e sheh me keqardhje, por që nuk i shpëton egzaltimit komercial; në filmin: “Falja e Gjakut” të ngujuarit ndiqnin Big Brother-in. “Oh boy”, asaj i duket kaq prekës ky fakt, në një kohë kur mundet që regjisori ta ketë përdorur si një figuaracion, një lloj paralelizmi, ironik e i hidhur; ngujimi primitiv dhe ngujimi modern; thelbi jo dhe aq i ndryshëm.

Ka mundësi që dhe ti lexues, njëlloj si unë, këtë punën e famës duke ngrohur divanin apo gromësirë nuk e kupton dhe aq. Këtë punën e famës në përgjithësi  unë nuk e kuptoj fare. Përshembull; fama mund të jenë edhe dhjetë gra llafazane poshtë pallatit që të ngulin sytë si projektorë kur ti lexues kthehesh në shtëpi. Ato të bëjnë një intervistë në formë pyetsori nëse ke qenë në ndonjë takim, dhe ti ua kthen se ke qenë te kepucari, bie fjala… Por jo, ato jane të bindura që ti ke qenë në një takim dhe jo te këpucari (i cili, nga ana e tij dhe ky të ka pyetur nëse vjen nga ndonjë takim? cila është pema jote, gjenealogjike? apo; nëse je i fejuar? nëse po; pse s’je i martuar? dhe nese je i martuar;pse s’ke fëmijë? dhe nëse ke një fëmijë: pse s’ke dy? etj), e ti, ashtu i sugjestionuar prej sigurisë së timbrit të zërit të tyre, ndërkohë që ngjit shkallet apo merr ashensorin, fillon dhe pyet seriozish veten se mos ke qenë vërtet në ndonjë takim dhe nuk e di, se siç i thonë një fjale:-I zoti e merr vesh i fundit!

E ke menduar ndonjëherë lexues se ç’të mirë do i sillte komunitetit sikur këta njerëz që parazitojnë gjithë ditën mbyllur në një shtëpi luksoze, t’i vendosnin në një punë të detyruar; të fshijnë rrugët apo të mbjellin pemë, përshembull? (nëse jo, shpresoj që ta kenë menduar ideatorët) Por le të kthehemi te mesazhet e pretenduara që Big Brother (ky triller kaq intelektual) u përcjell të ngujuarve nga gjakmarrja. Hm, po jo vetëm atyre, edhe një Shqipërie të tërë të ngujuar në boshësi. Këtu ndërhyn dhe psikologia, e cila s’kuptohet qartë se ç’kërkon të thotë (vështirë të të marrin seriozisht kur flet për gjakmarrjen e ngujuar në kolltuk, veshur me fustan ngjyrë të kuqe, të ndezur). Janë kaq mallëngjyes mesazhet e mbrritjes në majë, ndërsa gjatë rrugës, këtë mbrritje e shoqërojnë brryla e manipulime për të larguar të tjerët nga udha e fitores, pastaj këto mesazhe xhungle, të rinjtë i përcjellin në shkollë, në punë, në mardhëniet e tyre, personale. E kush nga ju nuk e ka provuar atë ftohtësirën që të lë në stomak përballja me një luftë të tillë, brrylash? Eveniment për t’u shënuar në CV (nën termin e vuajtur:”i aftë për të punuar nën presion”) në këtë Shqipëri të qorollepesur. Thua të jetë ky ai kapitalizmi sharmant siç na dukej nga reklamat e Rai-t? Dikur kemi patur një thënie idealiste në lëndën naïve të edukatës morale; kush i ben gropën shokut, bie vetë brenda, ndërsa në kohërat moderne kemi; kush i bën gropën shokut, fiton Big Brother-in. Ky është dhe ai morali aq i shumëpritur kapitalist (që ne lindorët ish-komunistë, mezi prisnim ta shijonim) me të cilin, duket se bota nuk është aspak e lumtur, deri te vetë fituesi i pasur në majë që ndërkohë i ka humbur të gjithë miqtë.

Po le të vazhdojmë me dramacitetin e folësve që reklamojnë çdo lëvizje si prej  shpikësish bombe bërthamore; X-i ka vënë beretë se tani po bëhet gati të lajë banjën! Suspence! Mbani frymën! Y-i ka shtrirë flokët se tani do gromësijë! Z- eta ka veshur taka dhjetë centimetërshe se tani do presë thonjtë!…

Ju ftojmë të zbrazni sheshet! Ju ftojmë t’i braktisni protestat! Ju ftojmë të ngujoheni!

© Arlinda G.

“T’ka lali xhan!”

12 April, 2013

Botuar më 4 Mars 2013, në gazetën “Shqiptarja.com”

Ti lexues mos thuaj që nuk e ke dëgjuar këngën e “lalit” se s’do e besoj. Si? Nuk e ke dëgjuar? Dhe e pohon kështu? Po kjo këngë është bërë një lloj bible apo himni për çdokënd që ka një makinë dhe një kasetofon (si? as makinë nuk ke? edhe këtë e pohon kështu?) Ke parasysh atë tipin që ndryshe nga ti, ka makinë dhe kasetofon, e që zbret nga makina në fjalë duke lënë derën hapur me volumin ngritur në kupë të qiellit në mënyrë që gjithë audienca përqark të ketë një shpërfaqje sa më të plotë të estetikave të tij, kulturore? (hë, t’u kujtua?)

Pa “lalin” jeta do dukej e zbrazët, i gjithë universi po ashtu. E ç’mund të donit më tepër nga jeta ju vajza përveçse “një lali”? “Një lali” mund të të ndryshojë jetën dhe konceptin filozofik mbi të. Je në depresion? Ti duhet të dëgjosh “lalin”. Ke probleme ekonomike? “Lali” është gati të të ftillojë mëndjen. Të ka lënë e dashura? Me “lalin” duket gjithçka fushë me lule. Një ndër admiruesit e “lalit” mund të qëllojë të jetë edhe shefi yt, apo deputeti’ zonës. Një nga ata shefa që libri i parë dhe i fundit që kanë lexuar në jetë ka qenë menuja e restorantit (paçka se edhe atë mund ta lexojnë me rrokje), apo një nga ata deputetë që kushtetutën e lexojnë (kanë) si menu restoranti, me po aq rrokje sa dhe kafshata.

Deri sa të vendosja të ulesha e të bëja shkrimin, nga kënga kisha dëgjuar ndonjë tingull aty-këtu, që më ka bërë të fik televizorin menjëherë prej agresionit të papërballueshëm. Por me të marrë vendimin për të shkruar, e pash t’udhës ta dëgjoja nga fillimi deri në fund. Për ta bërë këtë, për një kohë të gjatë m’u desh të vija rrotull me telekomandë në dorë, me një tendosje të tillë nëpër muskujt e gishtave, prej frikës se mos e shtypja. Gjithmonë e shtyja atë çast (kjo edhe prej turpit se mos më dëgjonin fqinjët), duhet të përgatitesh strategjikisht për të dëgjuar lalin! Sikur të më jepnin një lopatë dhe të më thoshin të gërmoja tokën për të mbjellë një pemë, do t’qe më e lehtë, por të dëgjoje “lalin” nga fillimi deri në fund qe një mynxyrë më vete.

“Lali” ka në qafë një zinxhir të trashë floriri, aksesori më i domosdosshëm për t’ia identifikuar statusin, në kokë ka një kapele si prej kartoni që bën grusht me rrobat që ka veshur, ndërsa ai herë pas here qëllon kraharorin te vëndi i zemrës me gjeste prej politikani. Vajza ka veshur pantallona lëkure që një Zot e di si do t’i heqë më pas se duken shumë të ngushta, si dhe një qylaf që dhe ky bën grusht me ato që ajo i quan pantallona. Pastaj se nga futet në një shtëpi luksoze (për të treguar mirëqënie, gjithë klipet xhirohen në shtëpi të tilla, për të mos thënë në të njëjtën) por tani ka veshur një pellush dhe në qafë mban një zinxhir po aq të trashë sa ai që mban “lali”. Të dy hidhen e përdridhen nëpër dy vargje të vetme; gjeniale, të cilave u duhet vendosur urgjentisht copyright-i se asnjëherë s’i dihet plegjiaturës;”t’ka lali shpirt/t’ka lali xhan. Pastaj vargjet që pasojnë të ashtuquajturën këngë janë thjesht ndërim vendi i kryefjalës dhe kallzuesit. Në skenën përfundimtare “lali” heq kapelen, ndërsa vajza ka veshur një fustan në ngjyrë të kuqe të ndezur që bërtet. Tonaliteti i duhur i së kuqes do e kish shndëruar atë në një princeshë, ndërkohë që ky i gabuari, i ndezuri që bërtet, le ta themi me diplomaci që i jep një identitet disi vulgar, këtë e vulosin një palë rexhipeta të bardha që vajza ia ka “mballosur” fustanit për sipër. Në fund të klipit, dikush ka patur guximin të shkruaje; lyric;2step, të cilët me ç’duket e kanë lodhur shumë veten me ato dy fjalë, dhe x- hair styling, që i bie të jetë salloni që ka llangosur vajzën, e cila në pamjen e saj natyrale nuk duket vulgare.

“Lali”tashmë është bërë pasqyra e hidhur e zgërlaqjes sonë kulturore, mjerimit tonë të përbashkët kolektiv. Kur dëgjon “lalin” të ndodh si në atë thënien e Anjshtajnit; dy sekonda vë dorën në zjarr dhe të duket sikur zgjat një jetë, sikur të kanë lyer me benzinë dhe pret të të vënë flakën, një pritje e tmerrshme; kënga duket sikur zgjat në pafundësi, ndërsa këngëtari përdredh zërin sikur e ka zënë korrenti.

Po si mbrritëm deri këtu lexues? (dhe unë ç’pyes ty që për më tepër nuk ke as makinë!) Nga kënga aq elegante;”Ku t’ka lala mi boj esmere”, deri tek “lali”, ka një humnerë të frikshme në mes. Aq mjeshtëror interpretimi i Merita Halilit, po aq sa të gjithë përpunimet e tjera, artistike që i kanë bërë me zërin apo notat e tyre artistët e Ansamblit Kombëtar folklorit tonë; përpunime elegante e të harmonishme, të cilat gjatë periudhës komuniste kanë mahnitur botën nëpër turne. Ndërsa tani kam përshtypjen se do dilte një numër i frikshëm po t’i numëroje makinat luksoze që mbajnë “lalin”në kupë të qiellit, si dhe koketat që tunden e shkunden në vëndin e parë, mundësisht me nga një qen si mì në prehër. (sa më të rënda bizhuteritë, aq më i shëmtuar qeni, i cili përveç të tjerash shërben edhe si një lloj njësie matëse e shkallës sociale)

Pyes veten; si ka mundësi që një popull që ka krijuar një perfeksion të tillë siç janë këngët dhe vallet çame, të ketë krijuar edhe një “lali”? I kemi kritikuar aq shumë bunkerët e regjimit komunist, por ka ardhur një kohë që t’i meremetojmë e t’i vëmë sërish në përdorim… për t’u mbrojtur prej agresionit të këtij orientalizmi vulgar që po na gjunjëzon shijet e fyen inteligjencën… për t’u mbrojtur prej “lalit”…

© Arlinda G.

Botuar më: 25 shkurt 2013, në gazetën “Shqiptarja.com”

Pop Channel. Një emision dinjitoz dhe ironikisht, nga më seriozët për mesazhet që përcjell. Vështirë të gjesh gjërat që nuk shkojnë, pasi në sytë e shikuesit vjen bindshëm. Vetëm se tani më duhet të ndal te paralajmërimi në hyrje:”Ky emison i dedikohet një publiku specifik!”. Do sugjeroja; “i kushtohet një publiku të caktuar”, termi “specifik” duket tepër teknik dhe jo-letrar për një shikues të pamësuar me gjuhët e huaja, i cili, ashtu naivisht edhe mund të pyesë:-Duhet CV për të ndjekur këtë emision? Ose:-Bën punë masteri në Zimbabwe?

Kalojmë tek sigla; mjaft e arrirë, një duartrokitje realizuesve. Muzika, sekuencat filmike, të bëjnë të kesh një kauzë edhe nëse je njeriu më individualist në botë (fqinji përballë po bën punime dhe një zhurmë të tmerrshme? ti mund të ngrihesh nga kompjuteri, të shkosh e t’i thuash;-Mjaft!, sepse ti e ke një kauzë!). Por po ndal pak tek sekuencat e demonstratave brenda siglës. S’është çudi që fjalët apo pamjet me revolucion dhe domonstrata të hiqen ndonjë ditë nga fjalorët apo arkivat filmike. Duken tepër të kompleksueshme për Shqipërinë ish-komuniste që ka arritur deri aty sa t’i mohojë vlerat e revolucioneve në përgjithësi, madje edhe të atij francez në veçanti (një shembull emancipimi për gjithë Europën). Këtu më kujtohet një dialog i shkëlqyer nga filmi “Postieri”. Prifti:-Kam dëgjuar se komunistët i hanë fëmijët. Postieri:-Jo, s’duhet të jetë e vërtetë! Prifti:-Atherë si e shpjegon faktin që Neruda është i martuar dhe nuk ka fëmijë? Postieri:- Hm, dhe sipas teje, Neruda i ka ngrënë fëmijët?

Kalojmë më tej; tepër e gjetur fjalia; “Në këtë emison ju nuk do te ndiqni”… dhe më pas; sekuencat nga ekzibicionizmat e shumtë të politikanëve shqiptarë që nuk vlejnë të ndiqen. Në fillimet e emisionit, lajmet lexoheshin me një shpejtësi masakër, fjalitë përshkoheshin nga një ironi e këndshme, por qe e pamundur t’i kapje të gjitha fjalët (shikuesi vërtitej si macja që kërkon të kapë një zog që është duke fluturuar ultaz). Së fundmi duket se edhe kjo hollësi frenetike është rregulluar; folësi lexon me një shpejtësi të metabolizueshme që publikut nuk i bie ngjeshur në stomak. Edhe, grimi… vendoseni njëherë e mirë si do ia rregulloni flokët këtij djali, çdo model i ri në treg mund ta shpërqëndrojë shikuesin prej fjalëve që ai thotë…

Vazhdojmë më tej; emisioni, ndryshe nga paralajmërimi në hyrje edhe nga shumë emisone shqiptare që duken se janë shkëputur plotësisht nga njeriu i thjeshtë, protagonist të kronikave të tij ka atë; njeriun e thjeshtë. “Nuk e kam idenë mbi idenë” se e kujt ka qenë, (mundet, arsye buxheti) por më duket një përpjekje e suksesshme, dhe ca e mundimshme mendoj, pasi duhet të bësh bingo për ta gjetur esëll rojen e një parkingu pranë selisë së televizionit, pijedashësi në fjalë është edhe një nga protagonistët kryesorë të kronikave të Popit. Në këtë kontekst, ti lexues-shikues mos u çudit aspak nëse një ditë hap televizorin dhe sheh dajën, hallën, tezen apo gjyshin duke bërë analistin, sociopatin, gjithologun, me një lehtësi të papërballueshme.

Ndër elementet e tjera; të arrira dhe të menduara mirë në këtë emison janë reklamat; një shpotitje e këndshme mbi suspensen e sforcuar që kërkojnë të krijojnë një lloj i caktuar folësish televizivë mbi atë që e pret shikuesin (e gjorë) në vazhdim, me një dramatizëm që më shumë se të të grishë, të bën t’ia mbathësh me të katra. Po kaq i arrirë edhe dialogu i heshtjeve të karrigeve të ftuara në debatin televiziv apo kronikat e pazëvëndësueshme të “Martin Pemes”. Në të vërtetë, Popi duket një nga ato emisione që pak nga pak, po e kalit veshin e shqiptarit të parrahur me ironi. Rezultati nuk është menjëherë i dukshëm për atë shqiptarin që për një fjalë goje, e ka më të lehtë të shkrepë armën se të kthejë një përgjigje ironike, por sidoqoftë, është si ajo pika e ujit që gërryen gurin në heshtje. Kushedi, ndoshta pas njëqind vjetësh, do të jetë vetëm fjala, ashtu siç në fillimet e njerëzimit qe e para, dhe qytetërimet do të jenë aq të sofistikuara sa do t’i nxjerrin armët jashtë qarkullimit. Amin!

Pra, duket se Popi i ka hedhur mirë themelet, duket se ai po krijon një lloj shteti brenda shtetit, një shtet të vogël, me rregullat dhe ligjet e veta, brenda një stacioni të madh. Një lloj shteti ku çdokush lejohet të jetë shtetas; rojen e parkingut përfshirë, e që ndoshta ndonjë ditë, s’është çudi të bëhet: një lloj Popi, më i intonuar se Topi.

© Arlinda G.

Botuar më: 16 shkurt 2013 në gazetën”Shqiptarja.com”

Kur isha fëmijë dhe qëllonte të ndiqja në televizor ndonjë këngëtare që këndonte në natyrë, e kënga fillonte përpara se ajo të hapte gojën (gjë që ndodhte rrallë, por ndonjëherë ndodhte), përpiqesha të imagjinoja se ç’magji duhej të kishte pas kësaj, duke provuar me vete të nxirrja ndonjë tingull ndërsa mbaja gojën mbyllur. Por nuk arrija të nxirrja asnjë për be, edhe pse përpjekjet e mia kishin një seriozitet dramatik për t’u admiruar. Mund që këtë vështirësi ta kesh patur edhe ti lexues, por nuk po zgjatem shumë me ty, pasi redaksia ka një limit mbi gjatësinë e shkrimeve, (por do e gjejmë, sidoqoftë, një rrugë komunikimi, mbase duke përdorur fjali si në telegrame të tipit; -X-i vdiq, shesim shapka!)

U desh të kalonin kohë, derisa të vinte kënga magjike, aty ku të gjithe ia arritën ditës të bëhen këngëtarë e të këndojnë me play-back, ndërsa unë ia arrita ditës të qartësoja magjinë në mëndjen time; quhet kënga magjike, pikërisht se këngëtarët këndojnë si me magji; kënga fillon atherë kur s’e pret, ndërkohë që ata janë duke rregulluar flokët, fustanin, duke i bërë shenjë ndonjë shikuesi në rradhën e parë; “kur do e lëmë për kafe?”, kur janë në tualet…

Për të vazhduar pastaj me skenografinë. Pa prit, si ishte ajo puna e atij skenografistit italian që kishte lënë Sanremon për këngën magjike? Këtu ti lexues, kthjellohesh dhe ke dëshirë të hidhesh nga dritarja nëse e ke patur me dy mëndje vetëvrasjen.Vështirë për ta besuar por nëse vërtet ai e ka lënë Sanremon për këtë gjë, skenografisti i paska bërë një shërbim të madh kombit italian, sepse mënyra se si është konceptuar e gjitha, e ashtuquajtura këngë magjike duket vërtet; too much! Që do të thotë; E tepruar! (në Shqipërinë tonë të kompleksuar, një “i jashtëm” është kurdoherë një njeri i jashtzakonshëm, një lloj pasaporte hyjnore). Pastaj nuk kuptoj; ç’është kaq e nevojshme që këngët të shoqërohen me efekte? (Zajminën që e ngrenë në krahë, e ulin, e ngrenë prapë… gjithë ato efekte për ta shpërqëndruar shikuesin prej faktit që ajo s’di të këndojë). Një lloj kopje e pabukur e festivalit europian, edhe pse ai, për nga natyra është mjaftueshëm i pabukur, vetë. Aq më tepër në rastin kur një këngëtar ankohet se ka dalldisur, dhe balerinat i bien kokës për të përforcuar idenë. Një koreografi të tillë mund ta bëjë fare mirë edhe djali i komshijes sime që është tre vjeç, ai gjithmonë e ka zakon t’i bjerë kokës, asnjëherë s’e kam kuptuar pse, ku i dihet, mbase kërkon të bëhet edhe ai koreograf, fëmijët e sotëm shkruajnë CV edhe për kohën që kanë ndenjur në barkun e nënës. Çdo herë që më bie rasti që në ndonjë stacion muzikor të ndesh këtë këngë, më kujtohet një sekuencë nga një film; gjyshja është duke gatuar, nipi i afrohet dhe i thotë; kam marrë një vendim, do bëhem artist! Pas kesaj, gjyshja i bie kokës (së vet) me tigan!

Por le të kalojmë tek lotët. Oh, po jo ato të vërtetët, le të kalojmë tek lotët skenografikë. Seç ka dalë një modë e çuditshme në këtë spektakël, ku këngëtarët duhet të qajnë, medoemos… Atyre ua sprucojnë lotët pikërisht në vendet ku nuk u prishet grimi Ja përshembull; një këngë që këndon Era Rusi ndërsa një djalë e shoqëron me kitarë; mjaft e bukur! Komplimente kompozitorit, më pak tekstshkruesit. Por loti i Erës nuk të emocionon, pasi dalllohet fare qartë që është ujë i sprucuar dhe jo lot i vërtetë. Në të njëjtin festival, një vit më vonë, Rozana Radi do t’këndonte; “Ti s’ke zemer”. Po t’i krahasosh këto dy këngë me njëra-tjetrën; të dyja të bukura për nga vija melodike, ajo që më përfshin më shumë emocionalisht është kënga e Rozanës, sepse ajo nuk ka nevojë të qajë me lotë skenografikë për të mashtruar publikun empatik. Radi edhe pa lotë, di t’ia dalë mrekullisht, sepse vendos shpirtin në këngë, dhe kam përshtypjen se ajo vendos shpirtin në gjithçka që bën, një artiste me personalitet të fortë qe ka guximin të mos shtiret në një vend ku farsa është kthyer në vlerë…

E meqë jemi tek lotët, tani më kujtohet një tjetër sekuencë nga një film tjetër. Një gazetar interviston një femër të keqtrajtuar dhe gjatë rrëfimit kamera inkuadron fytyren e tij, të përlotur. Kolegia e tij, e punës preket aq shumë nga ky fakt saqë fillon të shoqërohet me gazetarin. Në fund të filmit zbulohet që gazetari nuk kishte qarë vërtet por i kishte sprucuar lotët. Gazetarja e lë sapo e merr vesh këtë. Por ky është vetëm një film amerikan, i dashur lexues, këngëtarët ende nuk i kanë kaq skrupuj parimorë në ndërgjegjet e tyre, sa të ndahen për gjëra të tilla, kështu që vazhdojnë të lirë të thonë me krenari, poshtë e lart, nëpër intervista, që kanë qarë me lotë skenografikë.

Tani kalojmë tek prezantuesit. Duket humbje kohe që Arditi bën prezantuesin, ndërkohë që është humbje e madhe për muziken shqiptare që Arditi nuk bën kompozitorin, atë që ai di të bëj më mirë. Shkojmë tek vajzat prezantuese të festivalit të fundit; brunja të lë krejtësisht indiferente, i mungon vetëm fjalia; “Paqe në bote”, për të plotësuar kuadrin, ndërkohë që biondja, ka mundësi të jetë e talentuar si aktore, por unë seç kam një vështirësi kur dëgjoj zërin e saj; më shumë se për një aktore ai zë do përshtatej për të kënduar himne naziskinësh, sikur vajza të kish jetuar në atë epokë, me siguri që do e merrnin në rininë fashiste.

Sigurisht që unë vazhdoj të mos kuptoj ç’është kaq e nevojshme që në një festival kënge të theksohet vazhdimisht se qeveria është e pranishme në rradhën e parë, me një egzaltim të tillë, njëlloj sikur theksojnë praninë e Zotit, ndërkohë që prezantuesit u servilosen, (për të mos thënë; u jargosen) duke i bërë me zor personazhe si; Roemo, Brad Pitt, etj.

Vazhdojmë më tej; tekstet e këngëve kur nuk janë të thata, janë patetike, ndonjë deri në grotesk. Në të vërtetë në të gjitha këngët pas 90-ës ndihet mungesa e poezisë së bukur, asaj dinjitozes edhe pse ka poetë shumë të mirë (që për fat të keq s’i hyjnë në punë as dreqit në këtë vënd), ndërkohë që Skënderaj vazhdon të qajë e të marrë çmime duke vuajtur. Ai qan, Era qan, një tjetër që s’ia di emrin po kështu. T’i biem shkurt; të gjithë ngashërehen në këngën magjike!

Për të mos përmëndur këtu faktin kur njëra vendos t’i bëj flokët kaçurrela, të gjitha të tjerat turren t’i bëjnë si ajo, apo buzkuqin, që duket i njëjti për të gjitha.(krizë gjithandej; kozmetiko-kozmike)

Sidoqoftë, disa nga këngët janë vërtet cilësore. (psh.Gjokës i duhet gdhendur në ballë; Pasuri kombëtare, ruhet nga shteti!). Siç dhe e theksova më lart, mirë do të qe që këngët të këndoheshin kur në skenë të ishte i pranishëm edhe këngëtari, por kjo është një hollësi e vogël dhe e papërfillshme, krahasuar me faktin që skenografinë e ka bërë dikush që ka refuzuar Sanremon.

“My fake plants died because I did not pretend to water them”. Lulet e mia, të shtirura, u thanë se unë nuk u shtira se i ujita” është një thënie.

Përfytyro lexues si do të qe, nëse, ndërkohë që këngëtarët shtiren sikur këndojnë, publiku të shtirej sikur i duartoket.

 © Arlinda G.

Botuar më 9 shkurt: 2013, në gazetën “Shqiptarja.com”

Ja ku jemi, sërish bashkë, lexues; unë përballë kompiuterit duke u përpjekur të gjej si mund të stilohet një jelek anti-plumb për femra (do më nevojitet, përderisa bëj një rubrikë të tillë, në një vend si ky, ku, në sy, të gjithë, lavdërohen reciprokisht, deri në veleritje) dhe ti, në atë kafen me çmim të arsyeshëm (sa shtrenjtë kafja te bari përballë, ë?), me xhama të veshur, duke shfletuar pa dëshirë gazetat, e duke rrufitur me gllënjka të vogla bashkë me të, edhe lajmet makabre në editoriale. Sepse në këtë vend i rrufisim tragjedite si të jenë kafja e mëngjesit.

Por, mos! Sot duket se qenka ditë pushimi. Sot duket se s’paskan vrarë njeri. E tmerrshme! Kohë për të mos vrarë është kjo?

E meqë qenka ditë pushimi për kronikën e zezë, (le të bëjnë pak pushim gazetarët e kësaj kronike se s’mbahet mend që kur kanë bërë; që në kohën e Enverit, mbase?) tani po “të tërheq” për dore lexues  (arsyen e thonjëzave do e kuptosh më poshtë), drejt argumentit tim, të përjavshëm; sot do shkojme në “A Show“. Më ndiq, pavarsisht xhamave të veshur që të shpërqëndrojnë vëmëndjen drejt njerëzve që nxitojnë përtej bulevardit, e në veçanti, nëse je duke pritur ndokënd që nuk kalon kurrë.

“A Show”, Krasta e ka merak të n’a e përsërisë vazhdimisht, e vazhdimisht, (deri në torturë) se nuk ka facebook. Deri këtu gjithçka është tejet e kuptueshme, pastaj vjen një çast ku ai fillon të citojë të preferuarin e tij; një intelektual “të tërhequr” (Krasta e ka merak ta përsërisë shpesh këtë fjalë; “i tërhequr”, edhe pse këtu nuk e ka fjalen për faktin se sa tërheqës është Lutfi Dervishi, por për mungesën e tij, të protagonizmit), nëpërmjet statuseve që ai shkruan, po në facebook. Krasta i shfaq një e nga një këto statuse në ekranin e madh, duke përsëritur pas çdo fjalie; “unë nuk kam facebook“, “unë nuk do kem facebook“, “unë, kurrë, nuk do kem facebook“. Por ai shkon edhe më tej; ai komenton; komentet e komenteve, të komenteve që bëhen pas shfaqjes së këtyre statuseve, natyrisht në facebook, pikërisht në atë facebook-un që ai nuk ka, dhe që është aq i vendosur të mos e hapë kurrë.

Pastaj mbrrin i ftuari dhe Krasta ndërhyn kështu; – Po atherë, kur ti shkrove atë statusin, dhe u hodh x-i e tha kështu e ashtu… etj, etj…

– Por, Krasta; kur ti nuk ke facebook… nga i di të gjitha këto?

C’est pas grave – thonë francezët, që në shqipen tonë do të qe: – S’është ndonjë gjë e madhe! Edhe Papa e ka bërë këtë. Kur në jetët tona u shfaq facebook- u, Papa bëri një apel me titull; “Të rinjtë po varen shumë prej internetit”, dhe këtë apel, Papa e bëri po në facebook. Ke parasysh lexues, atë rrethin vicioz, ku ti je mbërthyer fort, për të cilin fola në shkrimin e një jave më parë?

Në mënyrën e tij të të bërit spektakël, Krasta ka një lloj dyzimi mjaft zbavitës. Në të shumtën e kohës ai përpiqet të sillet e të flasë si një gentleman anglez, duke berë intervista; më shumë promovuese se sa provokuese, por ka herë kur pas këtij petku nxjerr krye Krasta i vërtetë, i cili tingëllon shumë herë më interesant dhe i vërtetë se sa ai gentleman-i i përmbajtur që flet  me superlativa (aspak veleritëse, për hir të së vërtetës më duhet ta thekesoj këtë) gati për të gjithë të ftuarit e show-t të tij.

Ja përshembull; në emisionin e tij, të fundit (kujdes, jo “puntatën”!) ai kishte të ftuar një prezantuese moti, së cilës s’mungoi t’i vendoste përballë faktin se si kishin qarkulluar disa e-mail-e në adresë të saj. (Krasta, e dimë pra që nuk ke facebook!) Dhe e ftuara ndërkohë filloi të tregojë diçka rreth këtij fakti.  Dukej se qëllimi i tij, për ta vendosur vajzën në një dritë të mirë, promovuese, përballë teleshikuesit, po funksiononte për mrekulli. Deri në çastin kur ai i bëri pyetjen fatale se si ajo vendosi të prezantonte festivalin e fundvitit.

Vajza shkundi njëherë flokët plot krenari, e sigurt për atë që po thoshte dhe tha pikërisht kështu; – Keli më tha; Unë kam nevojë për ty!

Ky është edhe çasti kur ti lexues, si shikues (edhe), “me dy pare mend në kokë”, mund të kesh patur një dëshirë të brendshme, të natyrshme, gjenuine, për… të shkulur flokët, mbase?… Apo, për të gromësirë… (vetëm se gromësima jote nuk bën lajm si ajo e kryeministrit). Në të njëjtën mënyrë si ty edhe Krasta, (dhe këtu vjen edhe çasti më interesant), doli nga petkat e gentleman-it dhe i tha vajzës aty për aty; – Si është e mundur që të gjithë prezantuesit televizivë gënjejnë njëlloj! E pikërisht këtu, kam një duartrokitje për ty, Krasta, ose një like, edhe pse e di që nuk ke facebook, se ti s’pushon së e përsërituri.

Pra, për të prezantuar një festival të rëndësishem; ngjarjen kulturore, ndoshta më të rëndësishme të vitit (edhe pse militantizmi dhe dallkaukizmi e ka kthyer atë në mejhane qoftesh) duhej eksperienca e çmuar, e vyer, e pazëvendësueshme; e një; prezantueseje moti!…

Ndër meraqet e Krastës në kohëra, ka patur zënë vend dukshëm edhe një merak i madh; të përsërisë vazhdimisht fjalën; “aristokrat”, “sjellje aristokratike”, “aristokracia”, etj si këto. Dhe dukej sikur këtë punën e të qënit aristokrat, në mëndjen e tij e asocionte me një lloj sjelljeje të lëmuar, elegante, që për hir të së vërtetës duhet thënë se nuk është gjithmonë, detyrimisht, kështu. Të gjithë e dimë që me pak fat dhe me ndihmë të pemës… →(gjenealogjike), mund të të qëllojë në jetë të jesh; dukë, kont, princ, mbret madje, edhe duke qenë idiot njëherësh. Historia botërore dhe letërsia artistike është e mbushur plot me personazhe të tillë… apo idiotër në fjalë… Nga ana tjetër le ta themi pa shumë diplomaci që ne shqiptarët nuk vijmë prej të kaluare artistokrate, gjë të cilën kombet fqinjë me të cilët kufizohemi (në të vërtetë ne më shumë kufizohemi me veten, por kjo është një temë tjetër) n’a e kanë quajtur gjithmonë si pikën tonë, të dobët për të cilën shpesh n’a luftojnë. Por unë do thosha modestisht që kjo është edhe pika jonë më e fortë si komb, sepse pikërisht prej kësaj të kaluare jo-aristokrate, ky komb nxorri njeriun më të përunjur, (humble), të planetit; Nënë Terezën. E kush më mirë se ajo i prezantoi në botë karakteristikat e një kombi jo-aristokrat si ky i yni, një kombi të vogël por shumë të madh në shpirt? Të këtij kombi që tani është çoroditur kaq shumë nga agresioni i mbështjelljeve, të shkëlqyeshme në dukje, me të cilat e bombardojnë mediat televizive, saqë kompleksohet me ato që duhej të krenohej. Ashtu siç do krenohej çdo komb tjetër, perëndimor ose jo, me vlera të skalitura fort, i cili ka më shumë nderim për dikë që është ngritur nga hiçi, se për një dukë apo kont që i ka gjetur rrugët shtruar, sidomos kur ky është edhe idiot njëherësh.

Gjysma e së keqes që Krasta tani konceptin e fjalës:”aristokrat” e ka zëvëndësuar më: “i tërhequr”, edhe pse në kohërat e largëta të luftës nacional-çlirimtare ka patur një fjalë tjetër, më pak të bukur, mbi të tërhequrit; (“dezertor”, më duket). Por s’ka gjë, tani në kohërat e demokracisë jemi mjaftueshëm të lirë ta përbuzim sa të duam këtë luftë, ashtu siç po bëjmë, dhe gjithashtu të ndryshojmë edhe kuptimin e fjalës në fjalë.

E kështu, në këtë vënd,  mbetëm të gjithë duke u tërhequr! Ndërkohë që ata, të cilët duhet të tërhiqen vërtetë, as që e kanë ndër mend ta bëjnë…

Në fillim ata erdhën për komunistët, por unë nuk fola, se nuk isha komunist, pastaj erdhën për të tjerët, por unë përsëri nuk fola, se nuk isha ata, në fund ata erdhën për mua, dhe unë kuptova që askush s’kish mbetur të fliste për mua…”

Sidoqoftë uroj të mos ndodhë që një ditë “ata” të vijnë për Krastën, se duket në rrugë të mirë, sidomos kur prezantuesit në stacionet rivale janë copë.

Pra, Krasta; You rock… sepse skuadra kundërshtare është e dobët?…

Si thua sikur ta shkruajmë në një billboard që ti nuk ke facebook?… Kështu biem rehat të gjithë…

p.s.

lexues, e mbarove kafen ti?

p.s1.

as sot nuk kaloi, ë?

© Arlinda G.

http://www.shqiptarja.com/blogs/high_definition/a_show_nje_kritike_e_terhequr_mbi_terheqjen-430-6.html

Botuar më 2 Shkurt 2013, në gazetën “Shqiptarja.com”

– “Shamikuqja”, filmi që rrëmbeu zemrat e shqiptarëve në vitet 80-të, ri-kthehet në “High Definition”, në televizionin Klan – deklamon folësi me një timbër zëri të ekzaltuar. Duket se ai e beson vërtet këtë, se aty këtu, zëri i dridhet nga emocioni, ndërkohë që në sfond përhapen disa tinguj.

Egzaltimi do të qe diçka e zgjidhshme, nëse folësi do ketë atje pranë ndonjë shtyllë… ai fare mirë mund t’ia fusë me kokë, me shpresën se do kthjellohet, llogjika do t’i ftohet e do t’i ikë dalldia që e ka kapur.

Për lexuesit që nuk e dinë, bëhet fjalë për një film të dobët, turk, që ato mbrëmje mjerane, të kohërave; po aq mjerane, shijet e shumicës së shqiptarëve të asokohëve, i kishin dhënë çmimin “Oscar”. Një “Oscar” alla shqiptarësh të izoluar deri në absurd.

Po të mendosh mentalietin e athereshëm shqiptar, izolimin total dhe vakumin shpirtëror lënë nga agresioni ideologjik, është më se e kuptueshme që ky film të pëlqehej nga disa shtresa te caktuara, edhe pse atherë pothuajse të gjithe ishin unifikuar  dhe idiotizuar në një shtresë të vetme.

Ndokush që njeh mirë kinematografinë, mund të mos arrijë të kuptojë se si është e mundur që ky film të arrijë të pëlqehet në ditët e sotme? Dhe vetëm sa kemi hyrë në vitin 2013.

Por… asgjë për t’u çuditur, mentaliteti shqiptar  ka mbetur në vend numëro, për të mos thënë ka pësuar regres. Televizioni na orienton shijet, ai televizion, i cili, edhe ai, nga ana e tij, orientohet për vete; nga marketingu…

Një rreth vicioz ku shikuesi është mbërthyer fort e nga i cili nuk ka si të dalë.

Sigurisht, i gjithë ky elektrizim duket se është edhe efekt nostalgjie për disa njerëz, të cilët, vitet më të mira të tyre i kaluan nëpër mbrëmje kinemash, nën tingujt e kolonës zanore të “Shamikuqes” e të tjera si keto, por le të mos ngatërojme nostalgjinë, me cilësinë, apo më saktë; me atë që ne e quajmë rëndom art, edhe pse, ai i vërteti, mund të jetë gjithçka njëherësh, por kurrsesi, i rëndomtë si filmi në fjalë.

Kështu, duket qartë se atë që s’mundi ta bëjë Perandoria Osmane, fare mirë sot po arrijnë ta bëjnë televizionet.

Nëse në kohën e telenovelave meksikane, shqiptarët filluan t’u vinin emra meksikanë fëmijëve, tashmë që telenovelat turke kanë pushtuar thuajse të gjithë televizionet, refuzoj të mendoj se ç’far emrash do fillojnë t’u vendosin. Sidoqoftë, një ide e kam. Me siguri në top-listën e emrave më të kërkuar mbetet “Halil” për meshkujt, dhe “Hajrije” për femrat.

Po e keqja më e madhe në këto telenovela është mënyra se si kënd-vështrohet figura femërore dhe mesazhet aspak emancipuese që japin ato në lidhje me këtë figurë.

Gjëja që më bën përshtypje më shumë në vetë-reklamimet groteske dhe bombastike që bëjnë disa televizone, është reklamimi i herë-pas-hershëm i teknologjisë së përparuar.

Si kudo, këtu në Shqipëri, në botën e biznesit, (s’kishte si të mungonte edhe ajo e televizoneve), shpenzohet kaq shumë për teknologjitë luksoze, por asnjë dyshkë për trajnimin apo ngritjen profesionale të të punesuarve.

Një fjalë e mençur e popullit italian thotë; “I soldi non fanno la classe”,  që në shqipen tonë përkthehet; “Paraja nuk e bën klasin”. Por le të vazhdojmë më tej.

Si thua lexues sikur ta anashkalojmë pjesën ku kryeminstri na përshëndet nga ekrani i këtyre televioneve për çdo vakt? Po? Jo? Oh, po ai na përshëndet edhe për “zemër” madje.(vaktin e zemrës e kam fjalën)

Folëset e lajmeve janë kaq të ekzaltuara, ndërsa deklamojnë që; – Kryeministri bëri një xhiro në Dajt, – Kryeministri hëngri një pulë të tëre, të pjekur, – Kryeministri gromësiu…

“Oh boy”, ato duken kaq të lumtura që kryeministri ka gromësirë…

(“oh boy”- shprehje habitore që nuk ka asnjë lidhje me djemtë)

S’kemi nga t’ia mbajmë, jetojmë në shoqërinë e të dukurit. Gjithçka ndodh në funksion të kësaj, gjithçka vërtitet rreth saj. Si do t’i duket botes X veprim? Ndërgjegja është bërë bota! Ne mund të bëjmë një gjest human, por me kusht që ajo të na shohë, bashkë me projektorët dhe kamerat drejtuar mbi ne, dhe kur ajo (bota pra), i fik këta projektorë, atherë dhe ne e fikim (pseudo)ndërgjegjen.

Ah, për pak harrova pjesën më interesante; kronikën e zezë.

– Burri i pret kokën gruas me sëpatë – ndërkohë që folësja na dhuron një buzëqeshje të ëmbël e joshëse…

– Viktima është gjetur e gjymtuar- ndërkohë që folësja shqetësohet për baluken që nuk po i rri mirë…

– Burri ka qëlluar gruan, pastaj ka vrarë edhe veten – këtu folësja  kupton se ngjyra e manikyrit nuk është ajo e duhura.

– Galeria është shembur, dy minatorë janë varrosur së gjalli – folësja më në fund e ka rregulluar baluken… (tani ajo ndihet e çliruar dhe e gatshme të buzëqeshë sërish për lajmin makabër të rradhës) Ndërkohë që menjëherë pas kësaj kronike, lajmërohet vazhdimi i një tjetër telenovele; brenda ekranit apo jashtë tij, kjo nuk ka shumë rëndësi, tashmë të gjithë jemi bërë pjesë e kësaj telenovele të madhe të këtij reliteti grotesk.

Shpesh kur dëgjoj lajmet e Klanit dhe sidomos ato të Abc-së, të cilat na kujtojnë orë e çast se sa populli i lumtur jemi, them me vete; – po për një gjë shërbejnë të paktën, ose më saktë; për dy, e para; për të na bërë të qeshim; çdo njeri me mend në kokë do qeshte me to, dhe e dyta, për të dhënë shembull se si nuk duhet të jetë gazetaria.

Gazetaria… dhe jo vetem ajo…

Por le të shkojme tek: “E diela shqiptare”, në të cilën, e vetmja rubrikë për të qenë dhe e përgatitur me profesionalizëm dhe pse jo; edhe me dashuri, është rubrika që bën dietologia: Blerina Bombaj.

Në të tjerat, batutat vulgare dhe pa finesë, të presupozuara si humor, janë bërë pjesë organike e këtij emisioni. Për hir të së vërtetës, më duhet të shtoj këtu se në këtë emision, më ngjall shumë empati balerina braziliane, e cila trajtohet si një copë mishi, si një objekt, për të mos përmendur këtu epitetet raciste që tani s’mi nxë tastiera t’i shkruaj. Gjysma e së keqes është që ajo nuk e di mirë shqipen. E meqë ra fjala; – Përshëndetje Andreza! Jam e sigurt se ti di të bësh më shumë se një copë mishi që qëndron urtë në tavolinën e kasapit, e gatshme për t’u masakruar, me kushtin e vetëm që të kesh të drejtuara mbi vete projektorët dhe kamerat.

Kush të mundë të ketë mirësinë t’ia përkthejë këtë Andrezës.

Le të kalojmë tani tek bojatisjet apo qokat e ndërsjellta, ku drejtuesit e rubrikave të ndryshme brenda këtij emisioni, i bëjnë njëri-tjetrit nën moton; “Ti lavdëro rubrikën time, ndërkohë që unë po lavdëroj tënden”.

Të vjen për të qarë kur dëgjon; – Oh Ardit n’a pëlqeu shumë pjesa e parë e programit. – Oh, Ardit, n’a pëlqeu shumë e dyta. – Oh Ardit, ti je bota. – Oh Ardit… etj, etj.

E në të gjithë këtë atmosferë, krijohet një ajër veleritës në sfond që të ngjall dëshirën të ndërosh stacion. Po ku të shkosh. Nuk ka shumë zgjedhje në fakt Kjo atmosferë veleritëse është duke shëtitur gjithëpushtetshëm gjithandej.

Por të kthehemi dhe njëherë tek folëset e lajmeve të Abc-së. Si thua lexues?

Teksa i shoh të marrin poza intriguese, ndërsa janë duke folur për viktima, më vjen të pyes veten; për çfare janë duke menduar ato çaste? Me siguri se si te mos përzien emocionalisht me lajmin. Apo jo?

Pyes veten nëse e kanë menduar ndonjëherë veten në rolin e viktimës për të cilën janë duke folur. Por këtu nuk e kam fjalën për rolin fizik, ka një tipologji tjetër viktime në gazetarinë shqiptare; kur dikush të dikton lajmin, kur dikush të dikton mendimet, bindjet, idete, madje edhe endrrat.

Me siguri folëset dhe gazetaret e Abc-së, as që e kanë menduar ndonjëherë veten në rolin e viktimave për të cilat japin lajmet çdo ditë duke marre poza joshëse. Oh, po ky është një realitet që duket se nuk u përket atyre. Ato jane tepër të zëna me baluken, buzëkuqin dhe manikyrin për t’u thelluar më tej, apo ndjerë empati për gjëra që nuk kanë të bëjnë me “të dukurit”. Ato shumë mirë mund të ndjejnë empati për ndonjë kolegen e tyre që sapo i është thyer thoi bie fjala, po për gjëra të tjera, jo, kurrsesi që jo, dhe për më tepër; të menduarit dhe të paturit empati për dikë, dëmton lëkurën e fytyrës.

Si rrjedhojë ato fikin edhe ato pak neurone që nuk i kanë harruar te dhoma e grimit  dhe kridhen në “gjumin e bukurisë”…

E kështu, pavetëdijshëm ose jo, edhe shijet e shikuesve orientohen drejt sipërfaqeve me shkëlqim, njëlloj si ato pakot e mbështjella me letër të bukur që vendosen poshtë bredhit të Krishtlindjeve nëpër institucione apo dyqane, por që të ngjallin një lloj ftohtësire në stomak po të tentosh t’i hapësh, sepse do shikosh që brenda janë bosh, krejt bosh… një boshësi i frikshme, do thosha…

E çdo herë që flitet për boshësi e shkëlqime nga ato që pak po t’i gërvishtesh, del ndryshku, më kujtohet romani: “Brave New World”  i Aldous Huxley-t. Në këtë roman (të shkëlqyer, do thosha, por jo nga ato me ndryshk brenda), personazhet, për të qëndruar përherë të rinj, pinë vazhdimisht një lloj lëngu që quhet “Soma”… Kjo i ndihmon ata të jenë të lumtur gjithmonë e mbi të gjitha të mos mendojnë.

Por le të kthehemi me këmbë në tokë, lexues; tani është thuajse mesditë, pra, ora e lajmeve, shpresoj që folëset ta kenë mbaruar së piri “Soma”-n e tyre.

© Arlinda G