Nën flamujt e melankonisë

26 September, 2009

 
Migjeni
 
Në vendin tonë
kudo valojnë
flamujt e një melankolie
të trishtueshme…
… dhe askush s’mund të thotë
se këtu rron
një popull që ndërton
diçka të re.
Aty këtu në hijet
e flamujve
mund të shifet
një mund, një përpjekje
e madhe përmbi vdekje
për të pjellë diçka të madhe,
për të qitë në dritë një xhind!
Por, (o ironi)
nga ajo përpjekje lind
vetëm një mi.
Dhe kështu kjo komedi
na plas dellin e gazit,
nsa prej marazit
pëlcasim.
Në prakun e çdo banese
ku ka ndoj shenj jetese
valon nga një flamur
melankolie të trishtueshme
Advertisements

BALADË QYTETSE

19 September, 2009

Kjo është një poezi të cilën çdo herë që e lexoj, më pëlqen edhe më shumë.  Pas “Poemës së Mjerimit”, mbetet një ndër poezitë më të fuqishme në historinë  e letërsisë shqiptare. Sa keq që nuk janë bërë përpjekje ndër qarqet e përkthyesve shqiptarë për ta bërë të njohur nëpër botë këtë vullkan të letrave shqipe.

Mbramë
qiella dhe hyjt e vramë
një ngjarje të trishtueme panë:
Hije… jo! – por një grue
me ftyrë të zbetë edhe me sy
të zez si jeta e saj,
me buzën të vyshkuna në vaj,
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
me hije grueje,
një kens këso bote,
një fantom uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.
Dy hapa para, dy hapa mbrapa
me kambë të zbathun,
me zemër të plasun.
Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,
me flokë të thime,
me ndjesi të ngrime.
(Dikur,
kur gjit’ e saj me kreni
shpërtheheshin n’aromë,
kur ish e njomë –
atëherë e dashunojshin shum zotni.
E sot?)
Jeta e saj asht kjo vall’ e çmendun
në rrugat e qytetit tonë,
një jetën e fikun, një jetë e shterun,
shpin i molisun, zemër e therun,
një za vorri, një jehonë
që vallzon natën vonë
nëpër rrugat e qytetit tonë.

Bukuria që vret..

2 September, 2008

 Migjeni

Hana e zbetë, si fytyra e nji të vdekuri, kundron nga kupa e qiellës.Kundron botën e maleve të kristalizueme nga bora.Kundron kasollat e kristalizueme të katundit, të cilat as frymë nuk marrin.Të gjitha janë mbështjellë në bardhsin e borës.Vret shpirtin e malsorit siç vret shpirtin e artistit shtatorja e barshë e nji grue së lakuriqët.
E në kasolle, e cila gjëmon nën barrën e borës,derdhen dy ngjyra kuq e zi. I kuq zjarmi i votrës në mes të kasolless, e i zi rrethi. Të zeza, t’errta janë skutat e kasolles, nga ndigjohet blegrim i mekun i ndoj delja ose kumbona e lopës. E dhe ato i vret buluria e bardhë. Nga goja u del avulli i afsheve që ngrihet n’ajr, bjen mbi qimet e tyne si brymë dhe kristalizohet. Heshtje. Gjithçkafja e kristalizueme .Nji dorë shtrihet, zen nji dru e shpupurish zjarmin. Rropos nji ”botë gacash”. Flaka lëpin errësinën e shkëndijat kërcejnë nën tra dhe nëpër fëtyra rreth votrës. E trupnat e njerzve dridhen,nëpër korriz u përshkohet të ftoftit, që vjen nga skutat, andej nga errsina. Brrr…uf..andej mbrapa shpinet përpijnë errsina me të ftohtit e saj.
-Po shiko mos ngrinë Laroja??
Dhe çohen, i lëshojnë vend rreth zjarmit Larojës, lopës së shtëpisë. Të nxehet dhe ky pjestar familje në kasollen e kristalizueme. E Laroja din si duhet me u shtrimë rreth zjarmit. Po me trupin e saj të math, gati shtypi dy vocrrakë, të cilët i kish zanë gjumi pranë zjarmit.
E kur, andej nga mesnata , acarimi arrin dhe kulmin e vet, atëhere ndër bagëti fillon nji lëvizje.Po ,nji lëvizje. Nji nga nji u aviten njerëyve e me syt e vet si me u lutë:”na lëshoni dhe neve të ngrofemi pak rreth yjarmit, se u ngrimë”. Dhe njeryit kundrejt njerzve s’kanë mëshirë, po kundrejt shtazve -po. Prandej çohen, ua lëshojnë bagëtis vendin rreth votrës, e ata vetë shkojnë n’errësinë që përpinë.
…..Dhe agimi zbardhë me bukurinë e bardhë që vret. Çohen njerzit me trupnat e mpime dhe me kujtim në ndërgjegje se u kalua dhe nji natë e vështirë. U çuen , por nuk çohet nji vocrrak. Dora e s’amës shtrihet bi të dhe mÇat çast nji britmë e tmerrshme shpoi zemrat e kasolles. Dhimba e nji nanës i shkrinë zemrat në vaj, por ç’e do kur nuk shkrin zemrën e vocrrakut.
Po, ishte ngrimë lokia e nanës. Gjaku i tij i kuq dhe i purpurt ish ngrimë ndër dej dhe në zemër, ish bamë kristal, ish ba rubis, për gjerdhanët e metresave. E trupi i vocrrakut, i lokes së nanës, ishte bamë nji shtatore e ngurët e yhgulun nga gjini i nanës.
Merrnje dhe çonje në qytet kët shtatore. Vendosnje në nji shesh! dhe si përmendore kushtonja ndokujt. Kushtonja atij që ka ma shumë merita për kët vend! Po, ndoj ministrit o deputeti, o ndokuj tjetër… E në rasë se nuk gjeni ndoj njeri që ka merita të mjaftueshme ,atëherë kushtonja atij që ka merita ma pak: perëndis klasike.