Kinema e vjetër

3 July, 2009

 Ismail Kadare
 
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Ku prej kohësh më s’lozin filma të përsëritur,
Ku s’bëjnë më zhurmë njerëzit me karriget,
Ku në pushimet e seancave
S’shesin kikirikë.
Ekrani me njolla,
Megafonët prishur,
Stolat janë boshe si radhë të pashkruara;
Këtë poemë stolash të gjatë, të braktisur
Nga dera e vështroj
Plot mall e i menduar.
Kinema e fëminisë,
Kinema e rrëmujës,
Kam parë aq vende,
Kam parë aq salla,
Por n’asnjë prej tyre s’kam hyrë me aq bujë,
Sa tek ti,
E shtrenjta barakë,
E rralla!
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani.
 
Për të njëjtin film tek njëra afishe
Shkruhej titulli ndryshe,
Te tjetra.
Por kjo asnjeriu punë s’i prishte.
 
T’i falnin ty të gjitha,
E dashura,
E vjetra.
 
Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore.
 
Bota fund s’kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.
 
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane.
 
Kinema e vjetër,
Kinema e braktisur,
Stola ku janë ulur varg
Ditët e fëminisë,
Cicëronjëse gjithmonë
Si një rresht zogjsh
Mbi një tel telefoni.
Kinema e vjetër,
 
Kinema e braktisur,
Stola të rëndë, të gjatë, të vithisur.
Në çdo moshë që të hyj,
Në çdo vend që të vete
Si hamall këto stole
Do t’i marr me vete.
 
Advertisements

Naten ne Helsinki

16 May, 2009

Shiu befas pushoi,
Vrapojne njerezit.
Streheve,
Dancingjeve,
Futen me rradhe.
Vetem statujat s’i lene piedestalet,
Sikur tremben mos ua zene vendin.
Te gjallet.
 
Ne rruge vrapojme ne te dy
Le te shkojne statujat te pushojne pak,
Ne vendin s’ua zeme kurrsesi,
O, mbi piedestale eshte merzi,
Nen shi, jemi te perjetshem
Sonte bashke.

EDHE KUR KUJTESA

28 August, 2008

 Ismail Kadare

Edhe kur kujtesa ime e lodhur
Ashtu si ato tramvajet e pasmesnatës
Vetëm në stacionet kryesore do të ndalojë,
Une ty s’do të harroj.

Do të kujtoj
Mbrëmjen e heshtur, të pafund të syve të tu,
Dënesën e mbytur, rrëzuar mbi supin tim
Si një dëborë e pashkundshme.

Ndarja erdhi
Po iki larg teje…
Asgjë e jashtëzakonshme,
Veç ndonjë nate
Gishtat e dikujt do të mpleksen në flokët e tu
Me të largëtit gishtat e mi, me kilometra të gjatë…

Kristal

27 August, 2008

 Ismail Kadare

Ka kohe qe s’shihemi dhe ndiej
si te harroj un’ dalngadale,
si vdes tek une kujtimi yt,
si vdesin floket dhe gjithcka
Tani kerkoj une posht’ e lart
nje vend ku ty te te leshoj.
nje strofe a note a nje brilant
ku te te le, te puth, te shkoj.

Ne s’te pranofte asnje varr
asnje mermer a morg-kristal.
mos duhet vall’ prap te te mbart
gjysem te vdekur, gjysme te gjalle?

Ne s’gjetsha hon ku te te hedh
te gjej nje fushe a nje lulnaje
ku butesisht porsi polen
gjithkund, gjithkund te te shperndaj.

Te te mashtroj ndoshta keshtu
dhe te te puth e t’ ik pa kthim
dhe nuk do te dime as ne, askush
harrimi ish ky, a s’ish harrim.

TI ISHE PËR MUA

27 August, 2008

 Ismail Kadare

Ti ishe për mua e pamposhtur si Troja
Troja që unë dot s’e pushtoja.
Ti ishe për mua e pakuptueshme,
Më e pakuptueshme se mbishkrimet etruske

Vetëm në ëndrra, ah, në ëndrra
T’i përqafoja flokët e dendura.
Gaz më shumë ndjeja tek të pushtoja
Se gjithë grekët kur ra Troja.

Vetëm në ëndrra m’ishe e kuptueshme,
Ti, e shtrenjta ime etruske

 
 

Ti qave

26 August, 2008

Ismail Kadare

Ti qave dhe me the me zë te ulet
Se une te trajtoja si prostitute.
Athere loteve te tu s’ua vura veshin
Te desha, pa ditur se te desha.

Vec nje mengjes te befte kur u gdhiva
Pa ty dhe bota krejt e zbrazet m’u duk,
Athere kuptova c’kisha humbur,
C’kisha fituar kuptova gjithashtu.

Me rrezellinte si smerald merzitja,
Dhe lumturia ngrysej si nje muzg me re…
Nuk dija ke te zgjidhja nga te dyja
Sepse seicila m’e bukur se tjetra qe.

Se ish i tille ky koleksion bizhush
Qe drite e terr leshonte njekohesisht,
Qe njeqindfish etjen per jeten shtonte,
Por dhe qe vdekjen ndillte njeqindfish