Njerëzit…

10 May, 2013

Dashuria,
ka trokthin e një kafshe të lirë,

që njerëzit e vrasin,
në pamundësi për ta zbutur,

pastaj i marrin gëzofin e shtrenjtë,
dhe mbështillen me të, në netë Kërshëndellash,
në kolltukun luksoz,
pranë oxhakut ndezur me shkrepëse elektronike…

teksa ndjekin me sy,
stërpikjen e muzgut jashtë xhamit…

Pastaj kujtohen se të nesërmen,
duhet të shkojnë në një tubim…
për të mbrojtur të drejtat e kafshëve…

© Arlinda G.

Advertisements

Drita jote, e butë

20 January, 2012

 
U nis të qe teksti i një kënge.
Volteri ka thëne se gjërat që tingëllojnë paksa “stupid” kur thuhen; këndohen.
Shpresoj të jem “budallepsur” mjaftueshëm aq sa të bëhet këngë.
Deri atherë, mbeten vetëm disa fjalë të hedhura nxitimthi;ashtu kuturu.

Ne jemi dy marioneta,

në këtë teatër kukullash,

nga salla, fëmijët qeshin me frikën tonë,

e n’a tregojnë me gisht,

tregojnë këtë dashuri,

që si zog i trembur na ka rënë në pëllëmbë…

…dhe kemi frikë t’i hapim, se mos ikën,

…dhe kemi frikë t’i mbyllim, se mos i marrim frymën,

dhe nuk dime ku ta lëshojmë,

dhe nuk dimë ç’të bëjmë me të…

ah, ti…

dhe gjithë dritat e galaksisë që ke mbledhur në sy,

kur më sheh,

kur më flet:

fjalë kaq pa kuptim,

ndërsa drita jote, e butë,

rrjedh udhës së shpirtit tim.

…ti…

dhe kjo dëshirë e llastuar për të ndjekur me sy një re, të bardhë,

me kokën mbi supin tënd…

… dhe kjo trokitje hapash,

që pa e kthyer kokën pas, do ta njihja në njëmijë…

… ne jemi dy marioneta,

në këtë teatër kukullash,

në skenë n’a kanë ngjitur të luajmë veten,

nga salla, fëmijët n’a tregojnë me gisht,

kërkojnë një happy-end për historinë tonë…

për këtë dashuri,

që si zog i trembur n’a ka rënë në pëllëmbë,

e nuk dimë ku ta lëshojmë…

e nuk dimë si ta rrisim…

e kemi frikë mos e mbysim…

Arlinda G.

Lumturia

13 June, 2011

Dikush duhet të lajmërojë kur vjen lumturia…
të paktën,
një pusullë e ngrënë cepash,
një telegram i rronitur,
“lajmërohet ardhja”,
ti, dil prite ne stacion,
merri valixhen,
sajdise,
pyete: – si të shkoi udhetimi?

Dikush duhet të lajmërojë patjetër…
se ti ke kohë që e ndjek siç ndjek një balonë harrakate,
që filli t’i ka bërë duart gjak,
prej përpjekjeve për ta mbajtur përgjithmonë mes pëllëmbëve…

Dikush duhet të lajmërojë kur ajo vjen e të ulet tek pragu,
se ti s’mund t’ia hapësh derën kaq lehtë,
se ti, që andej nga brenda,
sheh dyshimtaz vragat në pëllëmbët e shëruara të duarve,
prej frikës se mos sërish t’i përgjak,

oh… lumturia… është fare e pa-takt…

 
Ti qesh… e hareshëm, më sillesh përqark,
buzë greminës ku unë kam ndalur këmbët,
e shoh fikurazi atje poshtë, në humbëtirë…
ku pres të rrëzoj veten time…
 
po ti, menjëherë ul prej qiellit një diell të kuq,
e ma sjell para syve…
 
dhe përreth bëhet kaq dritë…
dhe përreth bëhet kaq ngrohtë…
dhe hareja jote e shpenguar,
mbështjell si kuvertë e butë dimrat e mi…
 
pastaj qesh…
e qesh…
e qesh…
 
…e hareshëm vazhdon të më sillesh përqark…
 
më largon prej buzëve,
bishtin e cigares që unë përtyp bashkë me humbjet,
dhe cipën e përgjakur të buzëve,
dhe… e lëshon atje poshtë…
në greminë… ku unë dua të shkoj pas saj…
 
por ti, m’i shkatëron gjithë planet,
e unë,
nuk di, si përfundoj ngatëruar nëpër flokët e tu,
që lëshohen poshtë si lule-dredhëza,
për të më shpëtuar…
 
oh, une nuk di…
e them se as ti nuk di,
pse kërkon të më shpëtosh me çdo kusht…
 
di vetëm që kam kaq frikë nga kjo lehtësi e papërballueshme,
dhe ky diell i kuq…
 
më lër të rrëzohem atje poshtë,
mirë?
të copëtohem atje bashkë me humbjet,
është më pak e frikshme,
se ky shpëtim i bukur…
 
Arlinda G.

… dhe do t’ikësh…

17 February, 2011

 

 … dhe do t’ikësh… këtë e di…
pengun do hedhësh në kurriz,
si tregëtari’ vonuar, mallin e pa-shitur…
 
“me të kuqe”, do të duash të kalosh në kryqëzim semaforësh…
pastaj do t’grindesh me policin rrugor,
që nuk ka asnjë faj,
për dashurinë që s’të dhash…
 
për dashurinë e munguar që si në një kasetë sigurie…
e kyça mes muresh të lartë…
 
… dhe do t’ikësh… këtë e di…
këmbët do të çojnë në mejhanen e afërt,
atje ku do t’flirtosh me bionden e parë në qoshk, që me sy do t’kërkojë shoqëri…
e pastaj, përmbi bulëza,
do t’duash t’i rrëfesh asaj,
një mijë e një, të zeza shkencore, mbi kode kasetash, sigurish…
 
… se do t’ikësh… këtë e di…
për dashurinë që s’të ngrohu,
i zemëruar, do të duash t’i gjuash me gur hënës…
 
…por më parë… prit!…
mbërtheje xhaketën!…
mbështillu mire!…
se netët kanë filluar e ftohen…
 
 © Arlinda G.

Mos e vrit fluturën!

20 January, 2011

Ti nuk je më,
nuk thurr më triko pranë sobës…
shtizat janë ngulur fort ndër lëmsha,
si thikat e humbellave brenda meje,
që më vënë përfund,
mbrëmjeve,
kur një flutur e bardhë, i përvidhet murit, në qoshk,
e i kujton tim eti se ka haruar të ushqejë macet,
teksa ai dënes me sytë nga nata: -e morri shiu!… 
 
ajo pështjellon e shqetësuar ajrin mbi krye,
si të dojë të më kujtojë “të mos fle pa darkë”…
me flatrat e bardha… të dashura…
si tantellat e tua,
që më ndërmendin t’ëmbëltat ngjyra të zërit tënd:
-zgjohu!
-mos fli pa darkë!
 e që mpijnë gjymtyrët krejtaz,
 
teksa im at’ ndal këmbët e thotë:
-mos e vrit fluturën!
 
© Arlinda G.
Ti do, të dehesh…
e urdhëron veten të të bindet,
 
var dhimbjen nëpër nyjet e kockave,
brenda garderobës tënde të mërZisë,
e lëshohesh brenda gotës,
me shpresën se ajo do mpikset…
se pas pak, gjunjët do këputen,
e në vesh, s’do të gjëmojnë më,
rrahjet e atij çekiçit të tmerrshëm, ndër kocka…
 
e vetja, nuk bindet…
ti kapesh pastaj me cilësinë e whisky-t që nuk deh,
dhe xhambazët që të kanë taksuar dhimbjen…
 
vetes i jep një urdhër të dytë…
e rrëkllehesh dhe njëherë brenda gotës,
me shpresën e papërvojë,
se të paktën, do të mjegullohet vështrimi…
 
sepse gjithçka duket e lehtë, kur sheh përmes bulëzash…
sepse…  sepse…  ohhh…  është kaq e helmët,
e plumbtë,
dhe e përfundtë,
ikja jote, e pa-lajmëruar Ma’…
 
… … …
ti do, të dehesh,
var dhimbjen nëpër nyjet e kockave,
si celefonë të zbardhëllyer,
që rrjedha e lumit i nxjerr,
mbi kërcunjtë e pajetë të pemëve,
e kërkon të dalësh nga kremastarët e pikëllimit….
 
© Arlinda G.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Pa titull

25 September, 2010

 
Avionët lënë një vijë të mprehtë në qiell,
që çpon, tej për tej, vrundujt e reve,
si çpime hipnotike, dervishësh, që kërcejnë përreth flakës…
 
Po ti,
me cilin nga ata, u ngute me mjegullën?
me cilin prej tyre, i therre qiejt e mi?
 
©Arlinda G.
 
 
ag11.jpg 

Muz’(g)

6 September, 2010

 

Ajo është aty,
mbështjellë kulpër në trokthin e tastierës,
 
flokë-ngecur ndër metafora,
lakuar përmbi retiçenca,
gjunjë-vrarë nëpër njëmbëdhjetë rrokësha,
 
psherëtin brenda kllapës… e s’ngopet me frymë,
ndërsa tej dritares, një yll i vetmuar,
luan një jazz të panjohur, ndër partitura galaksish,
 
e ai, kërkon t’i ruaj ritmin,
ashtu i humbur nëpër brinjë-tastot e saj,
që thërmohen ndër gishta,
e stërpikin dhimbtaz, si krahë të dërmuar, fluturash,
pluhur poezish…
 
Ajo është aty,
ende aty,
 
flokë-ngecur ndër metafora
stërkëmbëshur pikëpyetjesh të gërmuqura,
kruspulluar përmbi presje paranojash,
 
dhe e friguar për vdekje
se mos rrëzohet në kosh…
 

 

©Arlinda G.

Sumbulla

2 December, 2009

 191c008f.jpg

Një ditë, ti do të duash të ikësh,
e unë do të kuptoj, sigurisht,
( ndonjëherë dhe unë dua t’ia mbath nga unë…)
 
pastaj do vijë një ditë e zakonshme,
e ftohtë, me shi, dhe pa poetikë,
si kjo e sotmja,
ku ti do më shpjegohesh
se vetëm sa të ra rruga këtej…
 
unë do t’ul sytë mbi pllakat e trotuarit,
e do gëlltitem lehtaz…
kur një currilëz e mekur,
do fillojë të pikojë prej një ulluku të ndryshkur,
mbi jakën e palltos tënde,
e që andej,
do përplas stërkala të sumbullta në qerpikët e mi,
(që do rraskapiten ankthshëm,
të friguara, se mos rrëzohen mbi mollëza…)
 
pastaj, të dy do gjejmë një strehë aty pranë,
ku ti do me pyesësh,
e pyesësh,
e pyesësh…
pa qenë i interesuar të dëgjosh përgjigjet e mia…
 
(dhe unë do të kuptoj, sigurisht,
ndonjëherë, as unë nuk dua t’i dëgjoj ato)
 
dhe do t’ikësh,
pa haruar të theksosh për të fundit herë,
ftohtësirën  vrastare që do mbjellësh në stomak;
“vetëm sa më ra rruga këtej”…
 
e unë do mbetem aty,
me sytë ngulur mbi pllakat e plasaritura, të trotuarit,
me shuallin e këpucës që do fillojë të fusë ujë,
e me sumbullat në sy…
 
ndërsa tej,
atje… në trotuarin tjetër,
një mace rrugësh, e bërë qull,
do jetë duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtët…
 
© Arlinda G.