Botuar tek “Gazeta”, dt 22/04/2010

Si të gjithë ata që e kanë zakon të hedhin ndonjë rresht, në një file të çfarëdoshme kompiuteri, titulluar provizorisht si; document 1, e më pas, formëzuar e rradhitur në ndonjë faqe gazete ( në faqe të fundit ose të parafundit, pasi kreun e gazetave e uzurpon gjithmonë ideologjia ), më ndodh edhe mua të lexoj herë pas here përshtypjet e lexuesve.
Dua t’i lë mënjanë polemikat, debatet apo vrullet nevralgjike të atyre, të pickuarve keqaz prej ndonjë fraze a ndonjë rreshti gërvishtës e çapraz, e të merrem pakëz me përshtypjet pozitive, të llojit; “uhh, sa kam qeshur me shkrimin tënd !”.
Natyrisht, vlerësimet bëjnë mirë e përkëdhelin sedrën e çdokujt që merr mundimin të hapë një file të re, me titull; document 1“,  në kompiuterin e tij. E sigurisht që edhe sedra ime nuk ka se si të bëj përjashtim nga e gjithë kjo, në të mijtën e çastit ajo do ndihet e përkëdhelur. ( edhe pse e ka zakon të fluturojë ulët… pasi për fluturimet e ulëta nuk nevojitet biletë e shtrenjtë e klasit të parë ).
Por vetëm në të mijtën e çastit ama…
Më pas gjithçka shfryhet si një tullumbace e çpuar, e cila i lë vendin ndonjë pyetjeje me mëndjen time; – Po mirë që u gajase sa të dolën lotë, por në fund, a e rrudhe ndopak ballin ?
Sepse nëse qëllimi i shkrimit tim, me titull provizor; document 1“, do të ishte thjesht e vetëm; gajasja e lexuesit, unë, fare mirë mund të gjeja mënyra të tjera, më të lehta, e shumë më zbavitëse se qëndrimi “spoliatrozik” mbi ekranin e laptopit, si përshembull; të vishesha me rroba me kuadrata, “të mballosja” një hundë të kuqe si klloun dhe; “u kry”; edhe ashtu do arrija ta gajasja lexuesin, komodshëm madje…
Ose, ose, një mënyrë tjetër, mund të qe edhe të vizatuarit e një palë mustaqeve mbi buzë, e hyrja në parlament për të plotësuar kuotën e tridhjetë përqindëshit, të grave shqiptare në vendim-marrje.
Sigurisht edhe ashtu do arrija t’i gajasja lexuesit unë.
Sepse siç edhe e dimë të gjithë, për të qenë përfaqësuese e denjë e gjinisë së ashtuquajtur; “delikate”, në parlamentin tonë, kusht themelor janë dhe mbeten; mustaqet.
Pyetja që bëra diku më lart mbi vetull-rrudhjen, është një pyetje që më përsëritet vazhdimisht në tru, e që po vazhdimisht më bën të mendoj se ndonjëherë, document 1″  nuk ia ka arritur qëllimit. Por nuk dua të hallakatem këtu e të merrem me luftën që i ka shpallur vetull-rrudhjes, botoksi, sepse ndoshta për këtë mund të flas më poshtë…
Ndoshta them… se ndoshta jo…ose-ose, në ndonjë shkrim tjetër… ku i dihet…
Por sidoqoftë, që të mos e haroj; ja një ide se si mund të formulohet një slogan publicitar, i suksesshëm mbi këtë produkt kaq frytdhënës; ” – Me botoks, juve nuk ju duhet të mendoni” – do të ishte slogani, shkruar me gërma të mëdha, mbi ballin e hekurosuar të një gruaje, e cila duket sikur nuk mendon qyshkur ka lindur. Ndërsa pas shpinës së saj, duket një turmë e stërmadhe njerëzish, edhe ata me ballë të sheshuar, e që nuk mendojnë gjithashtu…
Kështu pa e zgjatur shumë, sot, o i dashur lexues, unë kam vendosur t’i thërras mendjes e të ndryshoj mënyrën e të shkruarit.
Po, po, mos më shiko si i çoroditur nëpër germa. Sot, unë kam vendosur të të bëj me çdo kusht të rrudhësh vetullat ose të qash. Ndaj bëj gati për çdo rast, një shami të madhe, me të cilën të shfrysh hundët e të fshish lotët njëherazi.
Prit…priiit…. më ndiq pra… ku po ikën ? Kafja e mbasdites dhe uji pa gaz në tavolinën vegjetative, të barit që frekuenton ti, apo pamja që shihet përtej xhamave, e cila me që ra fjala, ashtu si mua, të ka ardhur në majë të hundës, mund të presin. ( e me që ra fjala sërish; sa e shtrenjtë kafja atje… )
Prit pra ! Kemi gjëra më madhore për të zgjidhur ne, o bashkëvuajtës ! Unë nuk mund të të lë të ikësh pa më lexuar deri në fund. Unë nuk mund të të lë të ikësh pa të bërë, për një herë të vetme, të qash, apo të  rrudhësh vetullat.
Mjaft më me të qeshura !
Pra, ku e e lamë, o bashkëvuajtësi im, lexues ?…
-Tek shamia – do thuash ti i bezdisur.
Dhe nuk mund të them se nuk ke të drejtë. Ti sidoqoftë, mbetesh një ndjekës i vëmendshëm.
Mirë e ke ti, por puna është se unë akoma nuk kam vendosur për çfar të të flas. Më prit të mendohem pakëz. Po mendoj për ty, si për veten time. Ja përshembull; çfar teme do më bënte mua të qaja pa shumë mundime?
Hmm…
Më duket se e gjeta.
Do të të flas për qentë. Dhe pikërisht për qentë e rrahur.
I ke vrejtur ndonjëhere sjelljet e një qeni që e kanë rrahur për vdekje ? E ke vënë re si sillet ai kur merr goditjen e parë ? Se si, në fillim i kundërvihet me aq dinjitet rrahësit, e pastaj, me goditjen dytë, të tretë, të katërt, ai vetëm sa kuiset mbyturazi, e dinjiteti i rrëzohet i gjithi përtokë, atje ku ai përplas putrat nga dhimbja e nuk arrin t’i rezistoje më rrahësit? E ke vënë re ?
Nëse ndonjë studies kafshësh do të vëzhgonte kujdesshëm sjelljet e tij, të mëvonshme, ai do arrinte në dy përfundime që dihen, që të dy të vërtetë, por krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri;
Rasti a;
– Pas rrahjes, qeni do t’i lehë egërsisht çfarëdolloj qënijeje që do t’i afrohet, e sapo t’i jepet mundësia do ta kafshojë…
Rasti b;
– Pas rrahjes, qeni do t’i tundë bishtin gjithë përulje e do t’i serviloset çfarëdolloj qëniejeje që do t’i afrohet, e madje do t’i lëpijë edhe këpucët.
Sudiuesi do arrinte në përfundimin se të dy rastet; edhe ai a, edhe ai b, janë shenja të pastra, dalluese, të shformimit të personalitetit të qënies.( kujdes këtu; qënies dhe jo qenit ).
Natyris
ht, ti bashkëvuajtës do më pyesësh përhumbur, nëse të qënit shqiptar përfshihet tek qënia.
– Po, sigurisht – do të të përgjigjem unë, – edhe pse kjo mund të të ngjajë si një lojë fjalësh për të të hutuar ( në të vërtetë është… pse mos të të manipuloj njëçikë ?. si komb historikisht kemi dhënë prova se dimë mjaft mirë të manipulohemi, e vetë-manipulohemi, ashtu si asnjë komb tjetër. ).
Kështu ji i duaruar e më lër ta vazhdoj manipulimin…
Po pse, a nuk ke parë ti lexues, kur ke shkuar jashtë shtetit, ndonjë tabelë ku shkruhej; “- Ndalohen qentë dhe shqiptarët”? Po ç’them dhe unë, të pyes për jashtë shtetit, kur ti fare mirë, mund ta kesh vënë re këtë gjë, edhe këtu; brenda shtetit. Edhe këtu “shqiptarët” nuk është se i kanë dhe aq qejf “shqiptarët”.
Kështu nëse do e pyesnim atë vëzhguesin e sjelljeve të qenve, se në cilin rast bëjmë pjesë ne, ( shqiptarët që nuk i durojmë dot shqiptarët ), ai do përgjigjej pa u menduar shumë; – tek rasti b. Për ta shpjeguar më saktë; studiuesi  do n’a klasifikonte tek rasti i bisht-tundjes.
– Të rrahur nga gjithfarë ideologjish – do thoshte ai, –  nga ideologjia komuniste, ( rasti a, – qeni që i leh gjithkujt ) dhe nga  një  mish-mash, anestezik, i mëvonshëm, ( rasti b – qeni që i tund bishtin të gjithëve ), shqiptarët kane arritur në një fazë ku i japin të drejtë gjithkujt që u kërcënohet me një rrahje të re… ose edhe mund të mos u kërcënohet fare, por sidoqoftë, tashmë, nuk rrinë dot pa e tundur bishtin.
– Pa prit pak, unë ende nuk të kam bërë të qash ? Po si është e mundur ? Mua gjithmonë më vjen për të qarë kur dëgjoj përfundimet e studiuesve për qenin e rastit b… dhe një dëshirë e çuditshme për ta braktisur apo dhuruar dikujt, nëse ai është qeni im…
Por nëse do të rrekeshim të shpjegonim bisht-tundjen me shembuj konkretë, një shembull bindës do të ishte ky zelli ynë i madh për t’iu bisht-tundur të huajve.
Ja përshembull; kohët e fundit u tha nëpër media se një studiues i huaj e ka quajtur gegnishten dialekt seksi. Me sa duket, nuk n’a ka qenë kurrë e mjaftë gegnishtja  elegante e Martin Camaj-t për të n’a bindur për këtë gjë ne shqiptarëve.
Jo, duhej me çdo kusht të vinte një i huaj e të n’a e thoshte këtë, që pas kësaj, ky fakt të tingëllonte lehtësisht i besueshëm në veshët tanë, shumë më i besueshëm se opinioni i ndonjë shqiptari “të parëndësishëm”. ( po aq “të parëndesishëm” saç, ndoshta, ai studiuesi i huaj në atdheun e tij ).
E menjëherë pas kësaj o lexues, duhej të shkuleshin me qindra krijues e krijuese ( zot, sa e urrej këtë fjalë, a thua se të vetë-quajturit e kanë rrëmbyer me dhunë eskluzivitetin e saj ) e të shkruanin derisa t’u këputeshin gishtat në gegnisht, madje nga shkruesit e zellshëm, pati plot dhe nga ata që u bënë qesharakë në sytë e botës, pasi këtë dialekt nuk e kishin “të mëmës” siç i thonë një fjale në toskërishte.
Upss… më fal që shkrova; “toskërishte”, në vend që të shkruaja; “tosknishte”, sipas modës së fundit.
Gjithashtu, pati plot dhe nga ata që kërkuan ta bënin gegnishten gjuhën tonë, zyrtare. Aq sa një ditë, në tirat përkthyese të një filmi në një stacioni shumë të dëgjuar, televiziv, vura re që qe shkruar; “troq” në vend të fjalës; “troç”.
Duhej të n’a e thoshin të huajt këtë, ashtu siç duhej të n’a thoshin që atdheu ynë ka vajza shumë të bukura. Që kur e thanë të huajt këtë, djemtë shqiptarë filluan t’i shohin me më vëmendje vajzat rrotull tyre, por e theksoj, edhe një herë; kjo ndodhi vetëm se këtë n’a e thanë të huajt…
Pa duhej të n’a thoshin gjithashtu që ne kemi alpe të bukura. Menjëherë u shkulën shqiptarët siç e kërkonte moda, të gjithë nëpër kampingje malore, edhe këtë duhej të n’a thoshin ata, se ç’është e vërteta ne kujtonim se male kishin vetëm të huajt, sepse ashtu siç n’a duket se ata dinë e kanë gjithçka… ata fare mirë mund të kenë edhe male…
Pa duhej të vinte në një studio televizive, shqiptare, Fabrizio Corona, një kapadai i pagdhendur, e ta gjunjëzonte intervistuesin shqiptar mu aty në shtëpinë e tij, e askush nuk do t’i thoshte gjysëm fjale, por vetëm do ta duartrokiste me duartokitje entuziaste; të blera e të pa-blera, e mbas duartrokitejve, publiku do t’i lëshonte një “uuuuuu”, ulërimë ekzaltuese, e miratuese, të stërzgjatur, kapadaiut, çdo herë që ai i kthente një përgjigje fyese intervistuesit, dhe s’ka gjë se prezantuesi shqiptar mund të kishte lexuar rafte të tëra me libra, më shumë se ai.
Ç’është e vërteta lexues, ato çaste nuk di pse pata një dëshirë të fortë të merrja telekomandën e të ndëroja stacion, dhe po ta mendosh hollë-hollë, ndjesia që pata, ishte e ngjashme me dëshirën për braktisje, ndaj qenit në rastin b ( lexo  më sipër ).
 
Po sa shkoi ora ? Pse nuk thua që qenka bërë vonë…
Tani, më, unë nuk di ç’të të them tjetër, pasi më duhet ta ndryshoj këtë qëndrim spoliatrozik mbi kompiuter, se nuk dua të sakrifikohem deri në këtë pikë për hir të një manipulimi.
Po nëse nuk të kam manipuluar deri tani, e nëse nuk të kam bërë sadopak të vetull-rrudhesh, do të thotë që do e lë këtë mision për shkrimin tjetër.
Në shkrimin tjetër, në document 2“, ndoshta do të të flas për Big Brother-in, për ngohësit e divanëve dhe gromësimat e tyre, “artistike”.
Ndoshta them… ose ndoshta jo… ku i dihet…
Po deri atherë, tani, përpara se ti t’ia mbathësh në atë kafenenë e mërzitshme, me pamje po të mërzitshme, por që kushton shtrenjtë,  ngrihu e dil njëherë përpara pasqyrës dhe kqyre me kujdes atë boshllëkun tënd midis vetullave; – hë, a është rrudhur ndopak ?
Nëse jo… me kë merrem dhe unë…
 
©Arlinda G.
 
 
Shënim i autores:
Ka shumë të ngjarë që edhe ky shkrim, njëlloj si shumë shkrime të tjera, të shkaktojë ndonjë valë të re, protestash, të cilat shprehin “vullnetin e tyre, të lirë” duke i vendosur gjithfarë epitetesh autores.
Por kjo është fare e parëndësishme.
E rëndësishme është që; -Me botoks, juve nuk ju duhet  të mendoni !
Advertisements

 Ndonjëherë Tirana më ngjan si një kotec, një kotec i madh e i zhurmshëm, ku të gjithë kakarisin, askush nuk e dëgjon kakaritjen e tjetrit, e çdokush beson që kakaritja e tij është më interesantja, më melodiozja, më luftarakja, më autoritarja, më shpartalluesja…
Për të kuptuar këtë mjafton të ndezësh televizorin; të hënën-mbrëma, të mërkurën-mbrëma, të enjtenˉmbrëma, të premten-mbrëma, hmm… po ç’them dhe unë, e thënë shkurt; në të gjitha “mbrëmat” që ka java, për të parë, thuajse në çdo stacion, të rehatuar këmbë mbi këmbë, nëpër kolltuqet luksozë, me nga një bllok shënimesh krejt të bardhë, e stilograf përpara sa për skenografi televizive, e ndoshta, edhe syze pa numër mbi hundë për të plotësuar figurën intelektuale; ata, të shumë-kërkuarit; kakaritësit televizivë.
Gjatë viteve modeli i flokëve të tyre ka ndryshuar dukshëm. Janë prerë të djegurat, janë xhelosur baluket, apo janë mbjellë flokë të tjerë, aty, mu në pjesën strategjike të kapakut të kokës, nga ku elaborohen analizat e tyre, të çmuara, sepse, tek e fundit, edhe estetika ka rëndësinë e saj.    
Gjatë viteve edhe ngjyrat e kollareve të tyre janë bërë më “soft”, ato ( të paktën ato ) nuk bërtasin siç vite më parë e nuk bëjnë më grusht me sfondin e këmishës apo pigmentin e kostumit.
E vetmja gjë që nuk ka ndryshurar tek ata gjatë viteve, është mënyra e kakaritjes. Kakaritësit po njëlloj vazhdojnë të fyhen e shahen, përkatësisht, me të kundërtit e tyre, duke u treguar me gisht, dhe të shpupulosen po aq egërsisht, siç atherë kur i kishin flokët e djegur, të pa-xhelosur apo të rënë në çaçkë të kokës. E padyshim, çdo betejë e ashpër shpupulosjeje mediatike, shoqërohet më pas, me një mbjellje të re, urgjente, puplash po aq të krekosura në kapak të kokës, siç të mëparshmet.
Ndonjëherë ngjyra e puplave ndryshon ( nga rozë në blu dhe anasjelltas ) në varësi të komoditetit akustik të sfondit në të cilin janë vendosur kolltuqet luksozë në të cilët ata janë ulur, por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie, e rëndësishme është që ata janë gjithmonë aty, të gatshëm për t’u shpupulosur në betejat e emisioneve të mbrëmjes, të cilat n’a futen dhunshëm në jetët tona, pa u kujdesur të n’a kërkojnë leje më parë, ndërsa jemi duke zier një çaj për gripin, ndërsa shtrydhim limonin, ndërsa gatuajmë për një të ftuar për darkë, ndërsa bisedojmë me njerëzit e dashur…
E ndërkohë, bashkë me ilaçin per gripin, pashmangërisht, ti je duke gëlltitur edhe një dozë të frikshme helmi, të cilin e mbjellin, edhe në ajër, këto beteja. Ti e gëlltit atë, ashtu heshturazi, me ca gjeste të dorëzuara që tashmë nuk të çudisin më…
Sepse asgjë nuk të çudit më në këtë vend.
Për të mos folur për fëmijët, së fundmi ata i kanë lënë lodrat e kanë filluar t’i imitojne, duke praktikuar me njëri-tjetrin të gjitha versionet e mundshme të kakaritjeve dhe shpupulosjeve, edhe këta, me të njëjtën përkujdesje për elementin skenografik; bllokun bosh, stilografin pa bojë, syzet pa numër etj, etj.
E duket kaq e pamundur për ne, që një të enjte mbrema, ndërsa nëpër këto televizone shpalosen të gjitha versionet e mundshme të këtij grotesku tragjik, t’i bojkotojmë duke e fikur televizorin për disa orë, siç bëri e gjithë bota kur fiku dritat në shenjë proteste ndaj ngrohjes globale. ( ndoshta druhemi nga fjala bojkot, edhe pse ndërkombëtarët ende nuk na e kanë hequr nga fjalori… dhe për pak… ).
Për t’u bërë një kakaritës i suksesshëm, televiziv, nuk është se ka një seri kushtesh për t’u plotësuar. E keni gabim nëse mendoni se ka.
Gjërat janë tepër të thjeshta në këtë kotecin tonë.
Kështu kushti thelbësor është një dhe i vetëm; për t’u bërë një kakaritës televiziv duhet të kesh një injorancë enciklopedike në gjithçka.
E sapo shtyp pultin e televizorit kjo injorancë të vërshon e pakursyer brenda në shtëpi; “e veshur me frak”, – do të thoshte një këngë e shumë-dëgjuar e të madhit Adriano Çelentano. ( natyrisht, ata ende nuk kanë mbrritur tek fraku, por sidoqoftë gjysma e së keqes që nga kostumet prodhim turk kane hequr dorë njëherë e mirë )
Sigurisht që ka dhe një sërë nën-kushtesh të tjera, sa për garniturë, ndër të cilët njëri është të thuash fjalën:”normalisht” dhjetë herë rresht, brenda një fjalie, dhe pikërisht atje ku flitet për gjëra krejt anormale. Madje, mundësisht ta shqiptosh atë me tonin më të qetë, të mundshëm, ndërsa je duke folur për një ngjarjen e rëndë: “…dhe normalisht qyteti do të përmbytej…”, “… dhe normalisht X-in e ekzekutuan…” etj, etj… 
Por le të kthehemi tek koteci.
Besoj ju kujtohen të gjithëve ato filmat shqiptare të epokës së realizmit socialist, mbushur plot me efekte akustike, të tepruara. Besoj ju kujtohet që në çdo film të prodhuar nga Kinostudio Shqiperia e Re, ka patur nga një fragment, ( i njëjti gjithmonë ) me shi e suferinë, ( asnjëherë nuk e  kam kuptuar përsenë ) ku era ulërin hiperbolikisht, e ku diku, në një fshat të largët në të cilin zhvillohen ngjarjet e filmit, kakarit një gjel ( edhe ky, i njëjti gjithmonë, siç duket edhe për Kinostudion ata kanë qenë me tollonë ) për t’i treguar botës e shikuesve të filmit që agu është duke mbrritur. ( mbrritje figurative, një paralelizëm propagandesk me dritën e partisë. )
Të gjithë këtë parantezë e shkrova për t’iu kujtuar edhe një herë, në rast se e keni haruar, kakaritjen normale të një gjeli të zakonshëm në një kotec tradicional. ( Edhe mund ta keni haruar, në ditët e sotme gjelat ushqehen me koncentrate, e si rrjedhojë kanë ca zëra të çuditshëm transgjinorë. )
Që t’i biem shkurt, gjeli i vërtetë, kakarit vetëm një herë, diku aty rreth orës pesë të mëngjesit për t’i lajmëruar agun të zotëve të shtëpisë.
Ndërsa kakaritësit televizivë, duken shumë  herë më të papërtuar se ai gjeli i mirë, në fshatin e largët, në filmin e largët, të epokës po aq të largët, të kohërave socialiste. E keqja është se këta ( kakaritësit pra ! ) e lajmërojnë mëngjesin për gjatë gjithë kohës së mundshme. Në mbasdite, në darkë… gjithkur… Në çdo orë ata janë gati të të bëjnë be e rrufe, e të të argumentojnë me analiza të hollësishme këtë mbrritje.
Dhe as mos guxo t’i kundërshtosh. Nese po, ata do heqin këmbën nga mbi këmbë, do të ulin edhe më, syzet mbi hundë,  do rrëzojnë me arrogancë stilolapsin skenografik, që nuk shkruan, mbi tavolinë, njëlloj sikur hedhin dorashkën për të të ftuar në d
uel, dhe do të kërcënojnë serbes që do të të bojkotojnë në analiza…
E pastaj… jeta jote o shikues… ç’kuptim do të kishte ?…  
E mos thuaj tani që je duke nuhatur nota prej snobeje në këto rreshta. C’grotesk ! Pa më thuaj pak, si mund të jesh snob në një kotec ?
Brenda këtij koteci, ti shumë-shumë mund të jesh një pulë e trullosur që shastiset prej analizave të çdo orë e çastit/një individ i thjeshtë që ka dremitur paksa mbi divan me telekomandë në dorë, e që zgjohet papritur prej kakaritjeve e britmave që vijnë nga ekrani, dhe hedh sytë jashtë dritares, në terr, me shpresën se ka mbrritur agu, por që i duhet shumë pak të permendet e të kuptojë që agu do dhe shumë  kohë që të mbrrijë. E ndërkohë vitet e tua më të rëndësishme i harxhon atje, e rrasur në kotec, me fytyrën puthitur fort pas deriçkës së vogël, me shpresën se do dallosh ndonjë fijëzë të mekur shprese, se dikur, një ditë, ai do të mbrrijë…
Por siç dhe e thash më lart, për gjithë këtë anormalitet brenda këtij koteci shumë-pupëlsh, i cili stërbetohet nëpër kakaritje luftarake që agun e kemi vetëm një hap larg derës, ( ndokush mund edhe të guxojë të thotë qe ai ka ardhur por ne nuk jemi në gjendje ta shohim ), duhet ta ketë fajin ushqimi koncentrat, sepse, siç vazhdoj ta them, ditët e sotme nuk gjenden kollaj prodhime bio ( është e njëjta shterpësi si e kohërave të tollonave ).
E deri sa të mbrrijë agu, le të mirëpresim përnatë injorancën enciklopedike… “të veshur me frak”….
 
©Arlinda G.
 
 

        
       Botuar tek “Gazeta”
 
– Nga facebook-u mësova që i kishe kaluar bukur pushimet.
– Nga facebooku u bëra merak…u bënë kohë që ti nuk poston gjë…
– Nga facebook-u e mora vesh që ata të dy u ndanë… dhe që u ndanë po në facebook…  
E ja kështu, u bënë thuajse dhjetë muaj që edhe unë i jam shtuar këtij revanshi të makthshëm postmodern, me gjithë rezervat e një njeriu që nuk e përqafon lehtësisht të renë pa u bindur mirë, e pas disa refuzimesh kryeneçe, të cilat më në fund u kandisën e u dorëzuan.
Pra u bënë dhjetë muaj që unë kam një adresë në facebook, e gjithë – gjithë, kam vetëm shtatëdhjetë e katër friends dhe dyqind e ca kërkesa grupesh, ftesash individësh, të cilave nuk u jam përgjigjur, e që shpesh i kqyr dyshimshëm, njëlloj si të jem duke përfytyruar një bombë të fshehur në trupin e një kamikazeje me fytyrë të mbuluar.
Përfundimisht është zyrtare, në komunitetin virtual unë duhet të jem njeri asocial.
E si të mos mjaftonte kjo, si natyrë e ndërlikuar që jam ( edhe kjo po bëhet zyrtare ), edhe nga ata të shtatëdhjetë e disa miq që kam, seç kam një dëshirë të pashpjegueshme t’i fshij nja dhjetë a njëzetë prej tyre. Të kuptohemi këtu, nuk kam asnjë qejfmbetje me ta, për më tepër, atyre nuk u ndihet zëri i gojës, rrinë urtë si shurdhmemecë e nuk shqetësojnë askënd. Problemi im qëndron vetëm tek sasia. Seç kam një lloj stepie të çuditshme e mos-besuese përballë sasisë. Kam një teori timen në këtë rast: nëse numri i miqve të kalon, e shumta nga pesëdhjetë, atherë duhet të marrësh automatikisht statusin e njeriut të dëshpëruar. Zyrtarisht të dëshpëruar.
E di që ti lexues që tani je duke më lexuar ( më lejo të të flas me ti ), do jesh duke ngrysur vetullat duke shprehur mos-aprovimin tënd  me këtë teori timen, por mos më kërko më tepër shpjegime, tek unë kjo është më shumë e  pavetëdijshme. Pavetëdije e koklavitur  e një njeriu të koklavitur, do e quaja unë, zyrtarisht e koklavitur !
Një element thelbësor në facebook është opsioni “like”. Ti mund të shprehësh mendimin tënd, të debatosh, të argumentosh, të kundër-argumentosh, duke përdorur këtë opsion. Për ta bërë këtë nuk është e nevojshme të formulosh fjali argumentuese sipas një rrjedhe llogjike. Jo ! Teknologjia ka përparuar aq shumë sa ti mjafton ta çosh “miun” tek fjala “like” dhe… “u kry”. ( të kuptohemi, me “miun”, nuk e kam fjalën për atë të pandehurin e pacipë që hëngri kabllin e stadiumit ). Në këtë mënyrë, vetëm me nje klik, ti ke dhënë një mendim intelektual, tepër të çmuar për shoqërinë E natyrisht për ta bërë këtë nuk të nevojitet asnjë neuron, lëri të digjen ata !
Së dyti: harmonia jote me miqtë e tu të facebook-ut, varet padyshim nga denduria e  “like”-ve që u dhuron atyre. Gjithçka varet nga parimi: “Bëj një të mirë që ajo të të kthehet mbrapsht”, që do të përkthehej: jep ndonjë “like” që dhe ty të të lajkosin me të njëjtin pathos. ( A nuk iu duket intriguese ngjashmeria e fjalës “like” në gjuhën angleze, me fjalën “lajka” në gjuhën shqipe ? )
Ja të marrim një shembull: dikush, një ditë kishte postuar në wall-in e tij, në facebook, një lajm mbi vdekjen e një regjisori të famshëm. Ky lajm rezultoi lajmi më i suksesshëm i ditës. – Pse ? – do pyesësh ti lexues,  po sepse rrëmbeu dhjete “like” përnjëherë, e kupton apo jo, ç’do të thotë të rrëmbesh dhjetë “like” që në gjuhën konkrete jo-virtuale mund të përktheheshin fare mirë: – Bëri mirë që vdiq !  
– Në facebook duhet të mendohesh mirë përpara se të bësh një koment në wall-in e ndokujt. Këtu e kam fjalën për ato komentet pa bojëra të stisura, ashtu siç të vijnë ndër mend ty. Që ta sqaroj më mirë, përpara se të bëni komentin, duhet të merrni parasysh, detyrimisht, ndjenjat e lënduara të qindra adhuruesve të individit apo individes, të cilët, të indinjuar nga komenti yt, janë gati të ngrihen e të formojnë: “Komitetin për Shpëtimin Kombëtar të të Dëmtuarit” prej opinionit tënd të drejtpërdrejtë…
Por ama në facebook mund të gjesh edhe shume “benefite” të tjera ( do shprehej “benefitikisht” një politkan i mirënjohur ).
– Të martohesh përshembull. Po si mund të ndodhë kjo ? Po ja, përveç flirteve të mundshme që ai t’i ofron bujarisht, nën sloganin: “Të gjithë flirtojnë me të gjithë “, ti mund të bëhesh fan edhe i ndonjë agjencie martesore, e cila është në gjendje të të organizojë gjithçka në lidhje me ceremoninë. Ajo merret me të gjitha, me të gjitha – me të gjitha, aq me të gjitha, sa ti edhe mund të mos jesh fare i pranishëm në dasmen tënde… ose, ose: mund të jesh i pranishëm vetëm virtualisht apo platonikisht…
– Të vdesësh komodshëm duke u bërë, po fan, i ndonjë agjencie funeralesh, edhe këtu prania jote mund të jetë e diskutueshme…
– Të botosh një roman sharlatan me ndihmën e një shtëpie botuese,  gjithashtu sharlatane, duke u mjaftuar me bërjen fan të saj, e derdhjen e pagesës në llogarinë bankare, e natyrisht, shtëpia botuese nuk e ka të nevojshme që me parë ta lexojë librin tënd. Në këtë mënyrë ti bëhesh VIP, e më pas u tag-on miqve të tu, intervistën tënde, të bujshme në gazetën Paloma. ( besoj ju kujtohet të gjithëve ajo e lajthitura… e mos u turpëroni që i keni parë çdo seri telenovelës në fjalë, sindromës sonë kolektive të atyre kohëve )
– Në facebook do gjendet patjetër edhe ndonjë “benefit” që të të shuajë etjen. Kujdes këtu, mos e shpartalloni fantazinë, fjalia e mësipërme ka vetëm kuptim të drejtpërdrejtë. Ja  përshembull:  një ditë lexova këtë fjali ( të drejtpërdrejtë ) në wall-in e dikujt që nuk jeton në Shqipëri; ” X-i  u be fan i  Alo Ujë”. Pastaj një fjali hakërryese që m’u drejtua mua me një ngarkesë emocionale inatçore:    – Po ti ç’pret ? Tundu ! Bëhu edhe ti fan i:” Alo Ujë”.
Sigurisht që është më se e kuptueshme për mua që jetoj në Shqipëri, të behem fan i “Alo Ujë”, dihet që në këtë vend uji dhe dritat mungojnë me orë e pa orë, po jam kurioze të di për atë që nuk jeton në Shqipëri; në ç’mënyrë do t’ia shuajë etjen kompania ? Ç’është e vërteta Kam haruar ta pyes… Po do kujtohem ta bëj këtë gjë në ditët në vijim
Sa për dritat, dini gjë eshte hapur ndonjë kompani me tirullin: “Alo OSSH” ? Nëse po, më dërgoni urgjentisht një ftesë për t’u bërë fan e saj.
 
Por çudia më e madhe ndodh me komentet që bëhen në fotot e anëtarëve:
– Oh, m’u morr fryma nga bukuria jote. – Ah, nuk gjej fjalë për të të përshkruar sa e bukur që je. – Eh, m’u prenë këmbët, rash përtokë, nuk mbaj më, ti qenke perëndi dhe jo grua, etj etj.
Duket se këta njerëz bëjnë shërbime fotografike ekstra, me qëllimin e vetëm për t’i vendosur në facebook. Për të mos përmendur këtu photoshop-in. Edhe pse ata duken të vetëdijshëm që në realitet nuk janë aq të hijshëm, saç i transformon photoshop-i, apo një shërbim i shtrenjtë fotografik, kjo nuk i pengon të ngazëllehen prej komenteve të komplimentuesve, të cilët, të shumtën e rasteve nuk i kanë takuar asnjëherë .Vetë-gënjeshtrim frytdhënës ? Ku i dihet, ndoshta dhe kjo gjë e ka një të mirë: Motivimin për të bërë foto edhe më të shtrenjta !
Për të mos folur pastaj për poetët. Uhhh… Një ditë më dërguan një ftesë për t’u bërë pjesë e një grupi me titull melodramatik:”Femra, romanca, letërsia”.  Më duket se themeluesja qe një vajzë, një tipe e cila ka vite të tëra që bën poezi në facebook e nëpër forume nën të njëjtën temë: “Unë të desha, ti më ike, unë qava, po nuk do qaj më, do dashuroj prapë dhe kësaj rradhe nuk do gaboj…” Nga kjo e ashtuquajtur autore mund të lexosh vëllime të tëra mbi këtë temë. Është si të shkosh deri në Kinë, të kthehesh sërish,  dhe atë, po duke qarë mbi urë do e gjesh. Por gjysma e së keqes do qe sikur të qe vetëm ajo. Facebooku gëlon nga poetët, ose më saktë, për të mos e fyer fjalën poet, dhe për të mos qenë diplomatike apo politikisht korrekte, siç unë adhuroj të jem, po i quaj me emrin e  tyre të vërtetë: po i quaj bejtexhinj.
Poezitë e pretenduara duket se nuk janë gjë tjetër veçse ca vargje ( edhe për këtë fjalë do rezervohesha) me rimë. AA. BB apo të alternuara AB. AB, asgjë më shumë se kaq. Të vjen të shkulësh flokët kur lexon komentet poshtë tyre.
– Ti qenke poet i vërtetë. – Ti ia kaloke edhe Majakovskit vetë. – Wow ne do bëjmë çmos të të sponsorizojmë që talenti yt të mos kalojë pa u vënë re.
Dhe bejtexhinjtë ngazëllehen e marrin hov për të bërë gjëra edhe më të hatashme. Thua se janë në një koopertivë bujqësore, thua se u është caktuar një normë për ta realizuar çdo ditë. Ata mbledhin forcat dhe e realizojnë atë 100 për qind,  me një fjalë nuk u ikën  asnjë ditë pa postuar, të paktën një bejte patetike në wall-in e tyre. E ndonjëherë edhe e tejkalojnë atë…
– Në facebook ti mund të bëhesh një  bujk i vërtetë; një bujk i lumtur në Farmville. Mund të kullotësh gjedhët, mund të punosh tokën, mund të prashisësh të mbjellat, mund të adoptosh dele të zeza e të vetmuara, mund të shkëmbesh punë vullnetare duke i kullotur gjedhët fqinjit etj etj. Vetem t’i shikoni fermat në Farmville; te gjitha të lulëzuara e me prodhimtari të mbarë, nga ato duhet të marrin shembull urgjentisht shqiptarët që kanë tokë dhe e lënë atë djerrë.
– Në facebook ti mund t’i demostrosh botës që ke njohje të rëndësishme e që nuk je njeri dosido. Përshembull: ti mund të bësh miq; aktorë, poltikanë, shkrimtarë, etj, etj.
Ja, këto ditë une kam ndër mend t’i dërgoj një kërkesë për friend Papës. Po, po ! Ne këtë mënyrë unë mund t’i krenohem njerëzisë që kam njohje me përfaqësues zyrtare të rrugëve qiellore, e pse jo, mbasi ta bëj friend, duke kqyrur mirë profilin e tij, ndoshta mund të gjej edhe Zotin ndër miqtë, kështu mund t’i dërgojë një kërkesë për ta bërë mik dhe atë. Uroj vetëm që atë ditë Zoti të mos jetë i zënë duke parë ndonjë ndeshje futbolli. Nëse po, uroj jo nga ato të kampionatit tonë, pasi ai di të jetë sarkastik ashtu siç vetëm ai.
 
E për ta mbyllur;
Këto ditë, një shkrimtar i shkëlqyer u nda nga jeta, një shkrimtar mit, i cili me një roman të vetëm u bë idhulli i adoleshentëve në të gjithë botën, një autori imi i preferuar: Jerom David Salinger. Ky njeri kishte vite i arratisur nga të gjithë; të njohurit, miqtë, të afërmit, e futur në një skutë larg të gjithëve. Ndoshta në atë skutë ku qe fshehur për t’u mbrojtur prej agresionit mediatik, të paskrupullt, të kohërave tona, moderne, i cili nuk merr parasysh asgjë kur vjen fjala per lajme që të dhunojnë e të shkelin pamëshirë privacy-në, ai nuk dëgjoi kurrë për këtë shpikje të re, të njerëzimit, facbookun, dukurinë-makth që i ka përpirë të gjithë.
Salinger vdiq i arratisur nga bota, i lënduar dhe i tradhëtuar nga të gjithë, po ndoshta vetminë e facebokut tonë jetësor, atij facebook-ut ku gjatë gjithë kohës je i rrethuar me njerëz që të flasin me zë të lartë, të qeshin gurgullueshëm përpara syve, qajnë  ose mundohen t’ia arrijnë… diçka e tillë, të rrahin shpatullat babaxhanërisht, e prapëseprapë, të bëjnë të ndihesh edhe më i vetmuar, thua të kishte vite që e kish kuptuar ?.
 
©Arlinda G.
 
 
 

Requiem për një natë…

23 December, 2009

Botuar tek “Gazeta”, dt.23.12.09

Duhet të kenë qenë Krishtlindjet e shtatë viteve më parë.
Ato kohë ishte bërë e modës që nëpër gazeta e revista të flitej dendurazi për të dashurën e re të kryeministrit të athershëm. Gazetat shkruanin me një zell të ethshëm për hollësira nga më të habitshmet, ato përshkruanin me imtësi ngjyrën e flokëve, modelin e fustanit, madje edhe perimetrin e pulpës së saj.  
Ato kohë ishte bërë gjithashtu i modës, festimi i Krishtlindjeve “me aheng” prej disa të ashtuquajturave “elita” të kryeqytetit… ndonjë zhvillohej pikërisht me zërin e Altin Shirës në sfond, ky i fundit, në gjithë atë përndezje elektrizuese, dukej më politikisht korrekti me festën, pasi qe i vetmi që mbante në trup një veshje në ngjyrë të kuqe siç e kërkon tradita ( më saktë këmishë sintetike, të kuqe, së cilës i ishte nxjerrë jaka sipër xhaketës së zezë ).
 
Duhet të ketë qenë ora nëntë e mbrëmjes ose diçka më shumë se aq, e diku, në një ekran të madh qe duke u transmetuar live urimi i presidentit.
Ishte një natë e kthjellët me një të ftohtë therës nga ai që të shkon deri në kocka. Ishte dhe një hënë rrezëllitëse atje lart… që shndriste me një bukuri të çmendur, e që në netë të ftohta si ajo, nuk di pse e urrej e nuk dua ta sodis, pasi sa më e bukur bëhet, aq shumë ftohet ajri përreth teje….
Golfi im ishte ngjitur deri lart tek buzët, e mëngët ishin tërhequr mbi kurrizin e duarve të cilat ishin bërë akull të ftohta e gati-gati nuk i ndieja.
Neonët… dhe ata kontribonin në atë miksim perfekt elementësh dimërorë, ndriçimi snob i tyre, ajo drita e largët, fekëse, sikur më ngjante me nga ato ofertat e llojit: “merr tre e paguaj vetëm një”.
 
Teksa përshpejtoja hapat në trotuarin pranë ish-piramidës, këpuca ime u pengua diku. Ula sytë menjëherë dhe pash një karton të shtruar përtokë, mbi të clin qenë shtrirë dy fëmijë. I madhi kishte mbështjellë të voglin në një mënyrë të tillë sikur të donte ta ngrohte. Pa dyshim qenë vëllezër.
Flinin.
I vogli duhej të ishte jo më shumë se gjashtë vjeç, ndërsa i madhi aty tek tetë.
Nuk kishin hedhur asgjë përsipër, asnjë mbulesë, asgjë prej gjëje.
Flinin të përqafuar nën qiell.
Kishin në trup ca rroba të vjetra dhe këpucë të shtrembëruara.
 
Njerëzit kalonin me nxitim, ndonjë shpejtonte për të blerë dhuratat e fundit, ndonjë tjetër për të shkuar “në aheng”…
Askush nuk ua hidhte sytë…
 
Qëndrova disa çaste, pa lëvizur, në këmbë përpara tyre, sikur të kisha frikë mos i zgjoja, ndërsa një adoleshent me kufje në vesh që u shfaq befas përbri meje, e gjuajti me këpucë shtrojën e tyre prej kartoni…
Ata nuk u zgjuan. Vazhduan të flinin, ashtu; njëri-tjetrin, mbështjellë fort.
 
Qe një pamje që të shkulte kraharorin.
Por skena nuk mbaroi aty, diku më tej pash të ndalonte një makinë. Një grua e veshur bukur e qe e spërkati rrugën, të gjithën me parfum, zbriti vrulltaz prej andej dhe drejtoi hapat drejt hyrjes së televizionit Top Channel.
Ajo më kishte rënë në sy edhe më parë, nëpër emisione, ku tregonte me pathos rreth bamirësive që kryente fondacioni të cilin ajo drejtonte.
 
Edhe pse thonë se nuk është mirë t’i shohësh fëmijët kur flenë, i hodha edhe njëherë sytë mbi fytyrat e tyre. Ata vazhdonin të flinin… dhe qenë pranë…fare pranë rrugicës ku duhej të kalonte ajo; “zonja mediatike”, e cila u ecjak hijerendë me gjithë pellushin e saj, të ngrohtë e të shtrenjtë, pa e kthyer kokën nga fëmijët që flinin përtokë (një zot e di se si ata arrinin të flinin në atë të ftohtë …) dhe një derë që u hap e u mbyll menjëherë, e gëlltiti “zonjëzën”brenda.
 
Vazhdova të ecja… duke e përfytyruar ndërsa hiqte pellushin ( poshtë tij pa dyshim duhej të kishte veshur ndonjë fustan prerë te stilistja, enkas për atë ditë ) e duke folur me të njëjtin pathos përpara kamerave mbi aktet e bamirësisë…
 
Ca orë më vonë banorët, besimtarë të kryeqytetit do të mbushnin rrugët ,në mesnatë, në ritualin e tyre të shkuarjes në kishë…
Por unë nuk e mësova dot nëse ndonjë prej tyre i drejtoi sytë mbi  fëmijët fatkeqë, apo ndonjë tjetër i qëlloi me këpucë…
 
Nuk mësova dot më asgjë mbi fatin e tyre…
Di vetëm të them që atë natë sikur më rëndonte diçka në kraharor, ndoshta qe pengu që nuk munda të bëja asgjë…
Di të them gjithashtu që të nesërmen, e kapa veten duke lëvizur nëpër duar, me nervozizëm telekomandën, ndërsa dëgjoja ri-transmetimin e urimit të presidentit, e gishtat u drodhën të tronditur, kur folësja u ndal tek lajmet e kronikës së zezë…
 
Ca vjet kanë kaluar që atherë…
 
Çdo herë që afrohen Krishtlindjet, mua më del përpara syve përqafimi i atyre fëmijëve, si një logo sarkastike që të mbrrin befas prej nënvetëdijes për të tejçuar një kumt e për të të shqetësuar të përditshmen…
 
Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, të mos ketë fëmijë të braktisur që flenë trotuarëve…
Le të shpresojmë që këtë fund-vit, të paktën për atë natë, “zonjëzat mediatike” të mos kenë asnjë fustan për të reklamuar…
 
 Le të shpresojmë… të paktën…
 
©Arlinda G.
  

 Botuar tek “Gazeta”, dt. 09/12/09

E nderuar Lartmadhni,

Pikësëpari ju kërkoj falje të përunjura pse mora guximin e pacipë t’iu shkruaj këtë letër e t’iu prish rehatinë këto ditë të trazuara, kur të gjithë ne, besnikët Tuaj, të devotshëm, kemi drejtuar vëmendjen dhe përkushtimin e pakursyer drejt Jush.

Edhe një herë më ndjeni për guximin, por këto ditë e pash t’udhës t’iu shkoqisja ca informacion të hollësishëm rreth disa ngjarjeve, në dukje sporadike, që po i ndodhin padenjësisht e në mënyrë të njëpasnjëshme Mbretërisë sonë.

Siç dhe Ju e dini fort mirë, një ndër shkaqet e shumta të trazirave të vazhdueshme e pakënaqësive në popull, është edhe shkrimi  i disa letrave të hapura prej disa shkronjësish, kopukë e sharlatanë, të cilët kanë vënë në shënjestër, Lartmadhninë Tuaj.

Këto letra të hapura, botuar nëpër gazetat kryesore dhe ato lokale, të distrikteve të ndryshme të Mbretërisë sonë, kanë ndikuar jo pak, në psikologjinë e individëve të thjeshtë.

Ato po i shkaktojnë jo pak dëme Mbretërisë, ndaj për këtë arsye, unë, si besniku Juaj, i devotshëm, ( nëse do më kërkohej edhe jetën do e jepja ), zhvillova disa hetime paraprake, të pavarura, e diskrete, në disa zona të rëndësishme, të Mbretërisë, të cilat janë quajtur me të drejtë nga zbulimet sekrete si vatra të revoltave.

Doja t’iu informoja se udhëtimin e kreva të gjithin në sajë të shpenzimeve të mia. Kisha hequr mënjanë për këtë ditë, disa të holla, ndaj mos u shqetësoni të më shpërbleni për këtë. Jo ! Këtë as që desha ta përmendja, pasi unë për Lartmadhninë Tuaj jap më shumë se kaq. Fundja për një ditë të madhe i kisha ruajtur ato të holla, dhe kjo e sotmja është me të vërtetë një ditë e madhe për mua.

Por që të mos zgjatem e hallakatem më shumë nëpër hollësira të vogla e të parëndësishme, të cilat ka gjasa të më largojnë nga qëllimi i shkrimit të kësaj letre, menjëhere po filloj t’iu rrëfej si më poshtë;

I

Në lidhje me letrën e hapur, botuar në të përditshmen, për fat të keq, prestigjoze e të shumë-lexuar, me titull; “Gazeta e qebapëve”, shkruar me aq mllef në adresë të Mbretërisë, prej shtetases me inicialet; D.B., unë zbulova disa detaje tepër  interesante, siç do të vijojnë në mënyrë të përmbledhur më poshtë;

Në sajë të zbulimeve dhe rrëfimeve të bazuara në fakte, ( të vërtetuara nga vetë unë ) thuhet se shtetësja D.B., gjatë zhvillimit të veprimtarive për festën tonë kombëtare, u është shprehur disa miqve të saj se kishte ditë që mendonte “të qëndiste” ( pikërisht kështu është shprehur ajo, me një pezm mjaft të dukshëm ) një letër të hapur drejtuar Lartmadhnisë Suaj.

Dhe kur informatorët e mi, të paguar jo keq, ( nuk doja ta përmendja këtë fakt ) e kanë pyetur për qëllimin e shkrimit të kësaj letre “bombë” ( kështu e ka cilësuar shtetësja D.B., ndërsa ka përfytyruar skenën sy-mbylltaz ), ajo ka rrëfyer se kohët e fundit ka qepur një fustan në ngjyrë të kuqe, të fortë, dhe që i rri mjaft mirë në trup, por që nuk ka patur asnjëherë ndonjë ngjarje mondane për ta veshur e për t’ia treguar botës.

Dhe kur informatorët  e mi, të paguar jo keq, ( ah, përsëri e theksova këtë fakt ! ) kanë ngritur supet dhe e kanë pyetur se ç’lidhje ka kjo me Lartmadhninë Tuaj D.B., ka  nënqeshur lehtaz, ka kruar zërin dhe ka shpjeguar se me shkrimin e një letre të tillë, “bombë” ( siç vazhdoi ta quante ajo ) shpreson të tërheq vëmendjen e televizioneve më të rëndësishme, të Mbretërisë, duke u ftuar nëpër emisione të ndryshme e duke dhënë intervista.

E në të gjitha këto, ajo mendon të shfaqet e veshur me fustanin e saj, të ri, të porsa-qepur, në ngjyrë të kuqe, të fortë, të cilin më në fund do ketë rast t’ia tregojë botës dhe në veçanti, dy meso-grave, gojëmëdha, fqinjave të saj, të cilat nuk paskërkeshin lënë gjë pa thënë në adresë të saj.

Për hir të së vërtetës më duhet të theksoj këtu që ngjyra e fustanit të shkronjëses nuk ka lidhje aspak me bindjet e saj, politike, pasi në të vërtetë, shtetësja D.B., nuk ka fare bindje të tilla, kjo u vërtetua një mbrëmje të vonë, kur ajo është parë nga dritarja, duke ndenjur gjatë… shumë gjatë… përpara pasqyrës, pasi ka provuar disa herë fustanin e saj, të kuq, e duke i thirrur vetes me zë të lartë; – Unë eksiztooooj…

II

Në lidhje me letrën e dytë, të hapur, shkruar nga shtetasi S.L., informatorët e mi do rrëfenin siç do vijojë, përmbledhtaz, më poshtë;

Shtetasi S.L., i cili kohët e fundit ka shkruar një letër të hapur, në të përditshmen tjetër me titull; “U-Turr-ima“,  së cilës në fundjavë i shtohet dhe një suplement me titull; “U-Tur-akë, mësohet se nuk ka shumë kohë që është divorcuar nga e shoqja…

Ndarjen ky individ duket se e ka përjetuar keqaz, pasi për nje muaj të tërë është mbyllur brenda të katër mureve të shtëpisë së tij duke folur me vete.

Hmm… e turpshme vërtet Lartmadhni… një dobësi e tillë… vetëm për shkak të një femre… por vazhdojmë më tej…

Informatorët e mi kanë zbuluar se pas një muaji të tërë, mbyllur brenda të katër mureve, pikërisht atherë kur të gjithë fqinjët mendonin që shtetasi S.L., nuk do dilte kurrë prej andej, apo dhe në se po, do dilte i damllosur krejt, S.L. është shfaqur befas në derë si kokrra e mollës. Me të dalë prej andej, ai i është shprehur dikujt se ka vendosur t’i shkruaj një letër të hapur Lartmadhnisë Suaj. Dhe kur ky dikushi, ( i cili më pas do bëhej informatori im, i besuar ) e ka pyetur se ç’lidhje ka divorci i tij me Lartmadhninë Tuaj, ai i është përgjigjur me të njëjtën fjali me të cilën është përgjigjur pak më lart edhe shtetësja D.B., dmth., që me anë të kësj letre ai shpreson të tërheqë vëmendjen e televizioneve të ndryshme, ftesave nëpër emisone dhe që andej… kujdes Lartmadhni, se këtu rrëfimi i tij ndryshon kryekëput nga ai i shtetëses D.B., pra dhe që andej, ai ka vendosur që në fund të intervistës, papritur e pakujtuar, t’i bëj thirrje publike ish-gruas së tij për ri-kthim pranë vatrës familjare.

Sipas informatorëve të mi, të besuar, ai i ka parashikuar të dyja anët e medaljes, nësë ajo do refuzojë, ai po njëlloj do t’u drejtohet kamerave duke e sharë si; bukëshkalë e të përdalë ( ç’është e vërteta ai ka përgatitur për çdo rast, një listë të gjatë me sharje ose lavdërime përkatëse, të shkruara në një flete të verdhë e të zhubrosur, të cilën e fsheh herë pas here në mëngën e xhaketës ).

III

Në lidhje me letrën e tretë, të hapur, të shkruar nga shtetasi M.M., informatorët e mi, do të shpjegonin siç më poshtë;

 

Edhe shtetasi M.M.,  i cili gjithashtu ka botuar një letër të hapur, në gazetën e përjavshme me titull; “Qejfi dhe qefini”, ashtu siç dhe shtetasit e mësipërm, thellë-thellë nuk ka asnjë lloj pakënaqësie kundrejt Mbretërisë apo Lartmadhnisë Suaj.

Informatorët e mi të besuar tregojnë se këtij shtetasi i është vënë nofka; shkencëtari, pasi thuhet se për vite të tëra, ai po përpiqet të kryejë një shpikje të rëndësishme.

Për fat të keq informatorët e mi nuk arritën ta zbulonin për çfar bëhet fjalë edhe pse i vizituan dhe i panë me sytë e tyre, imtësisht, të gjitha veglat e tij, të punës Por gjithashtu thuhet që eksperimenti i tij nuk ka dalë ashtu siç ai e parashikonte dhe kjo e ka bërë shtetasin M.M., të bjerë në një depresion të thellë.

E meqë sipas informatorëve të mi, tani që me shkrimin e asaj letre të hapur ai është bërë edhe person publik, ka vendosur që pas një ftesë në emisonin argëtueso-edukativ të fundvitit me titull; “Blungjill” ( blu+ ungjill )i cili pritet të jepet këtë ditë, në fund të intervistës të vrasë veten, live duke u hedhur nga dritarja…

Këto E Nderuar Lartmadhni, janë informatat që unë mblodha me përkushtim të madh në të mirë të Mbretërisë dhe Figurës Suaj, Të Nderuar.

Ju kërkoj ndjesë përunjësisht që po marr guximin t’iu sugjeroj t’i merrni parasysh, por theksoj edhe një herë që këto informata kanë shumë rëndësi për të ardhmen e Mbretërisë.

Tani po e përfundoj këtë letër, Lartmadhni… e në dallim nga kopukët, sharlatanë, e shoh të nevojshme të përdor zarf…

Ja tani do lag ngjitësen tek kapaku, jo me pështymë Lartmadhni, por me esencë trëndafilash, ashtu siç Ju e meritoni,  E Nderuar… që marrshi nga pështymat tona…

Ai u zverdh në fytyrë kur lexoi ç’i shkroi dora…

Nuk desh të besojë që në të vërtetë kishte shkruar; “marrshi nga pështymat tona”, në vend të; “marshi nga jetët tona”.

Por e mblodhi veten shpejt, pasi hodhi edhe një herë sytë rreth e rrotull dhomës, si të sigurohej që fjalinë fatale nuk arriti ta lexonte njeri, ( gruaja e tij po pastronte bishtajat qetësisht ).

Menjëherë pasi u sigurua që gafën nuk e vuri re njeri, i hoqi fjalisë një vijë me stilograf dhe e ri-shkroi atë, bukur dhe në versionin e duhur.

E mbylli zarfin, pasi e ledhatoi mirë e mirë me gishta, e puliti sytë përgjysëm me një shprehje prej ëndërimtari në fytyrë, duke përfytyruar veten përpara kamerave, ndërsa jepte intervista të ndyshme e njerëzia s’pipëtinte, duke e dëgjuar plot vëmendje, teksa ai rrëfente, jo pa krenari, se si me anë të asaj letre të mbyllur, ai kishte arritur të shpëtonte një mbretëri të tërë.

 © Arlinda G.

Botuar tek “Gazeta” 25/11/09
(shkrim i parekomandueshëm për lexues me stomakë të dobët)

“Hapim dhe mbyllim varre”, u qesh kalimtarëve një tabelë në anë të njërit prej bulevardëve kryesorë të Tiranës. Më poshtë është shkruar një numër celulari dhe një togfjalësh i futur ngutshëm në kllapa, i cili patjetër duhet të ketë të bëj me ndonjë zbritje çmimi, të llojit, “ofertë”.
Tabela është shkruar me ngjyra optimiste. Çdo fund-viti, ajo zbukurohet me drita shumë-ngjyrëshe (optimiste edhe këto), të cilat fiken e ndizen me rradhë. Po aq me rradhë, fiken e ndizen edhe dritat në xhamat e errët, pas të cilëve reklamohen zakonisht kurora të variacioneve të ndryshme, madhësia e këtyre të fundit, duket se është gjithmonë në varësi të cilësive, jo rrallë-herë, hiperbolike, të klientëve të kompanisë, të cilët, siç dihet, e kanë gjithmonë një herë të parë…
Por të gjitha këto të marra së bashku nuk më çudisin aq sa pjesa e dytë e fjalisë publicitare në tabelë; …dhe mbyllim…
Duket se me gjymtyrën e dytë të fjalisë, shoqëria që garanton shërbimin, si t’ua ketë kuptuar me një të kërcitur të lehtë, të gishtit, paranojat, sikletet dhe frikërat, të afërmve të të ndjerëve, i siguron këta të fundit se ajo i gropos mirë klientët e saj.
– Ju s’duhet të bëni gjë tjetër, përveçse të vdisni… me të tjerat merremi ne, – sikur të garanton tabela me sloganin e saj, promocional. Në dukje është fare e thjeshtë… tek e fundit, – vdekja është e vetmja punë që mund ta bësh i shtrirë, – ka thënë diku Woody Allen.
Një burrë i vjetër me fytyrë të munduar, ka ndalur hapat përballë tabelës dhe rrokjëzon heshturazi përbrenda buzëve të fishkura përbetimin publicitar, si të jetë në një dilemë ekzistenciale; të vdesë këto kohë që ka dhe zbritje çmimi, apo më vonë… Ai mendohet e mendohet me sy të pulitur përgjysëm, thua se është në dilemë për cilësinë e shërbimit…
– Me ne nuk do ta ndieni fare udhëtimin, – sikur buzëqesh gëzueshëm tabela që nga lart, si në një nga ato reklamat, prej të cilave, bota duket gjithmonë një fushë me lule ngjyra-ylberëshe, e njerezia duket aq e dlirë… po aq e dlirë… gati e budallepsur prej dlirësisë.
Burri vazhdon të mendohet…
Në të vërtetë tabela nuk të lë shkas për ekuivoke apo mëdyshje të paparashikuara, si nga ato të çasteve të fundit, ajo e thote qartë, saktë, gëzueshëm madje, që ata, jo vetëm që i hapin por edhe i mbyllin…
Atje ngjituarazi, ndarë vetëm prej një faqeje muri të hollë, i bën gjitonllëk një byrektore. Edhe ajo zbukurohet në fund-vit me drita shumë-ngjyrëshe (optimiste natyrisht) që fiken e ndizen, (me rradhë dhe ato), e me një tabelë ku shkruhet me të njëjtën lyrosje të bollshme ngjyrash; Pranojmë bakllava me porosi, byreqe me mish të grirë, spinaq, qepë etj.
Në dallim nga tabela promocionale e shoqërisë së shërbimeve funerale, tabela e byrektores nuk ka të shkruar ndonjë numër celulari, por ama edhe slogani i saj, publicitar, i menduar kushedi në sa e sa netë të pagjuma, nuk të lë vend për ekuivoke.
Burri i vjetër vazhdon të qëndroje mëdyshas përballë tabelës së funeralëve, ndërsa shitësja e byrektores në kthinën tjetër, e cila ka vetëm një dhëmb kryeneç në gojë, është duke folur me disa nxënës shkollash, të cilët janë duke e pyetur nëse byrekët janë të freskët. Shitësja i siguron ata që byrekët janë të sapo-nxjerrë nga furra. Fëmijët kënaqen. Ata duken kaq të patrazuar për praninë, vetëm një mur më tej, të shërbimit funeral, sa mua fillon të më krijohet, pak nga pak, ndjesia që ky i ashtuquajtur anormalitet gjendet vetëm në kokën time.
Këtë ma përforcon edhe më shumë fakti që burri i moshuar, më në fund, mbasi u ka dhënë fund dilemave të tij, ekzistenciale, vendos të futet në byrektore e të blejë edhe ai dy byrekë… si gjithë të tjerët…
Njëlloj si të tjerëve do ia mbështjellë byrekët, shitësja, me të vetmin dhëmb kryeneç te mbetur në gojë, ndersa burri do marrë rrugën heshturazi, duke u përtypur ngadalë ( bashkë me byrekët do vërtisë nëpër mendje edhe shifrën e discount-it ) derisa, diku më tej, t’i zënë sytë një tjetër ofertë shërbimesh funerale…
Ka kaq shumë çudira në këtë qytet të përgjumë, me ëndrra të paralizuara, të cilin ironikisht, ose jo, vazhdojmë ta thërrasim “metropol”… Në këtë qytet, ku zor se mund të gjesh një banjë publike, por ama, për çdo bulevard, mund të gjesh nga një shërbim funeral… A thua se qëllimi i zyrtarëve të cilët japin leje pa kurrfarë kriteri për biznese të tilla, eshte të n’a kujtojnë që ajo, ( vdekja ) është gjithmonë aty, duke n’a përgjuar me pritjen e saj, të palodhur ? Apo për të n’a kujtuar se duhet të jetojmë çdo dite si ta kemi të fundit ?
Hmm… të ofron kaq shumë shërbime të tilla ky qytet, ashtu siç, panevojshmërisht të ofron; kaq shumë parti… politikanë… analistë… këngëtarë… sa mua më vjen ta quaj; qyteti i një mbi një funeralëve…

©Arlinda G.

Shteti i nënqeshur

14 October, 2009

( Botuar tek: “Gazeta”, 14.10.09 )

Zoti e kishte ngarkuar me një detyrë të rëndësishme. Detyra ishte sa e veçantë aq edhe delikate. Nga përmbushja e saj me sukses varej ngjitja e shkallëve të karrierës së tij, të ardhshme.

Ai kishte pak kohë që kishte filluar punë në Departamentin Qiellor. I kishin dhënë një vend pune modest, e të parëndësishem, por si fillim nuk ishte keq. Atë punë ai e kishte fituar me djersën e ballit, me mund, përkushtim, servilizëm ( ky i fundit, në Tokë, çante detrat, ndërsa atje lart; qiejt ).

Siç ndodh rëndom gjatë prezantimit të një punonjësi të ri, ( aq më tepër kur ky i fundit emërohet në një vend pune, aspak të rëndesishëm ) kolegët e kishin pritur ftohtë. Edhe në ajër ndihej shpërfillja e hapur ndaj tij.

Tek porta e hyrjes qe vendosur një tabelë e shkruar me gërma të mëdha e të ndritshme: ″ADMINISTRATA E PUNËVE QIELLORE″.

Kurrë nuk ia kishte marre mendja që Administrata e Punëve Qiellore të ishte aq e madhe në numër. Punonjësit e kësaj administrate punonin të gjithë me fytyrën fshehur pas kompiuterave, ( këta ishin të gjithë modernë, siç dukej edhe Zoti ia luante fenë  piraterisë qiellore ). Që nga dita kur kishte filluar punë në Departamentin Qiellor, ai nuk e kishte takuar asnjëherë Zotin. Për Të, flitej gjthandej, por ai thjesht nuk e kishte patur fatin. Sa zili i kishte disa syrsh që komunikonin gjithë ditën me Të.

Por çasti i shumë ëndëruar më në fund kishte ardhur.

Një ditë të lumtur për të, Zoti e thirri në zyre për t’i komunikuar detyrën delikate. Ai deshi t’i puthte duart, kësaj here jo për servilizëm, por për faktin që vetë  shefi i madh e kishte  begenisur, por ishte përmbajtur e nuk e kishte bërë.

Zoti kishte një fytyrë të palexueshme…

I komunikoi detyrën në mënyrë të qartë, e të koncentruar, pa lëvizur asnjë muskul në fytyrë. Do përgjonte ëndrat e grave. Sipas Zotit, atje në Tokë, disa krijesa ishin duke kurdisur lloj-lloj komplotesh. Departamenti Qiellor duhej të ishte gjithmonë i informuar rreth trilleve tokësore, e ato mund të mësoheshin lehtësisht, nëpërmjet ëndrave të grave të komplotistëve.

Ai hapi bllokun dhe mbajti shënim çdo fjale të Zotit.

Me një shprehje solemne në fytyrë ai shkruante në kllapa: “heshtje”, në rastet kur Zoti bënte pushim midis fjalive.

Më vonë doli nga zyra e Tij me kokën lart, duke u hedhur një vështrim shpërfillës të tjerëve që prisnin në rradhë përpara zyrës së Tij.

Filloi menjëhere nga puna. Shfletoi me vëmendje të gjithë materialin që i kishte dhënë njëri prej asistentëve të Zotit. Në materialin shumë-faqësh lexoi një listë të gjatë emrash femërorë. Ai vuri kufjet në vesh. ( Departamenti Qiellor kishte një program të veçantë për përgjimin e ëndrave ). Nga zelli i madh që e karakterizonte, ai filloi njëherësh përgjimin e dy individeve femra, në dy kontinente të ndryshme: Afrikë dhe Europe.

Rezultati e la gojë-hapur…

Të dyja ato individe, në dy cepat më të largëta të Tokës, ëndëronin të njëjtën gjë. Të dyja shihnin në ëndër një tavolinë të mbushur plot e përplot me gatime të bollshme. Ai mund të kuptonte individen që jetonte në Afrikë, ishte më se normale që ajo të shikonte një ëndër të tillë, dihej nga i gjithë Departamenti Qiellor (edhe ai që ishte i ri në detyrë, e kishte mësuar këtë gjë qysh në ditët e para të punësimit të tij ) që Zoti e kishte lënë disi pas dore atë pjesë të Afrikës. Por ai nuk arrinte të kuptonte individen që jetonte në Europë. ( Edhe për këtë kontinent, qysh në ditët e para të punësimit të tij, kishte mësuar që Zoti, në mënyrë sistematike, vazhdonte t’i kushtonte një përkujdesje te veçantë ).

Ai u thellua më shumë në detaje për të gjetur një shpjegim… dhe shpjegimi i ndriçoi në mendje si një meteor i beftë.

Individja që jetonte në Europë, kishte qenë vazhdimisht në dietë. Profesioni i saj, ishte modele. U lumturua. E kishte gjetur më në fund. Kjo e shpjegonte edhe babëzinë e hershme në ëndrat e të dy individëve, të cilat nuk kishin asgjë të përbashkët në mënyrën e jetesës, me përjashtim të mos-ngrënies. Natyrisht shkaqet e mos-ngrënies ishin të ndryshme, por rezultati, sidoqoftë, ishte i njëjtë.

Por çasti i lumtur nuk i zgjati shumë.

– Çfar mund të zbulonte Zoti për komplotet e të pa-feve nëpërmjet babëzisë së hershme të këtyre dy individeve ?

Asgjë !

Zuri kokën me duar. Nëse nuk zbulonte ndonjë gjë bombastike, të paktën duhej ta shpikte, përndryshe i lante duart nga karriera e shumë ëndëruar. Ai vuri përsëri kufjet. Do ta gjente patjetër një komplot. Planeti Tokë, ishte i mbushur plot e përplot me komplote. Ato gëlonin gjithandej dhe ishin te gjithfarëllojshme. Nuk kishte si të ishte aq i pamundur zbulimi i një komploti, aq më tepër nga ana e tij, që ishte aq virtuoz kur bëhej fjalë për karrierë. Ai vetëm duhej të tregohej i shkathët në interpetim, i shkathët dhe i zgjuar, për të paraqitur një komplot çfardo, si një komplot të rrezikshem kundër vetë Zotit.

Gishti i ndaloi në një pikë të vogël në hartë.

– Shtetet e vegjël prodhojnë ëndra të mëdha – përsëriti me vete.

Në të vërtetë  këtë thënie e kishte dëgjuar nga një funksionar i rëndësishëm në Administratën e Punëve Qiellore, ndërsa kishte qenë duke pritur në rradhe para derës së zyrës së Zotit. Ai kishte hapur bllokun me të shpejtë dhe menjëherë e kishte mbajtur shënim shprehjen. Më vonë, kur ishte gjendur i vetëm në zyrën e tij, ia kishte përsëritur vetes shumë herë me zë të lartë, në mënyrë që ta mbante mend dhe ta shqiptonte me intonacionin e duhur, sikur ta kishte krijuar vetë.

Ai madje, kishte mbajtur shënim në bllok edhe shprehjen që kishte marrë në fytyrë funksionari i lartë, ndërsa ishte duke e thënë…

Afroi lupën, emri i shtetit vështirë se lexohej. I bëri përshtypje fakti që emri i këtij shteti mikroskopik, ishte më i gjatë se hapësira që zinte vetë shteti në hartë.

Shkrimi i emrit kishte kaluar ca kufij, ai ishte zgjatur pafajshëm dhe kishte rrëmbyer pak det të përbashkët nga shtetet fqinjë.

–         Shqipëria.

Sa herë që shqiptohej ky emër, nënpunësve qiellorë u përvijohej lehtë në buzë një nënqeshje shpërfillëse. Nënqeshja ishte e stilit të zhargonit qiellor. Asaj nënqeshjeje, edhe ai vetë ia kishte provuar shijen në fillimet e tij si nënpunës i thjeshtë në Administratën e Punëve Qiellore.

Ai kishte degjuar tek-tuk, nëpër zyrat që hapeshn e mbylleshin me shpejtësi, se Zoti ishte duke bërë një eksperiment shumë të rëndësishëm me këtë të ashtuquajturin shtet. Kishte dëgjuar gjithashtu se për shkak të mos-mbarëvajtjes së suksesshme të këtij eksperimenti të rëndësishëm, ishin pushuar nga puna disa titullarë, jo pak të rëndësishëm në Departamentin Qiellor. Por ai nuk e dinte me saktësi se për çfar bëhej fjalë.

Ai vendosi t’i përqëndronte kërkimet në këtë shtet. Vetë nënqeshja e nënpunësve, e grishte për ndonjë komplot të mundshëm. Tek e fundit, nga një vend i nënqeshur nga Administrata e Punëve Qiellore, padyshim që do mundte të zbulonte informacione të rëndësishme. Përderisa të gjithë nënpunësit e kësaj administrate e nënqeshnin këtë vend, fare pa drojë, kuptohej lehtësisht që Zoti nuk e kishte me sy të mirë. Natyrisht Atij, do t’i vinte shumë për shtat, nëse zbulohej ndonjë komplot i mundshëm prej këtij shteti.

Por sa vuri kufjet në vesh dhe në ekran u projektua ëndra e një shtetaseje të këtij vendi, menjëherë u pendua që kishte shpresuar se aty do të gjente ndonjë gjë interesante.

Shtetësja në fjalë nuk ishte duke parë në ëndër, as ndonjë tryezë gatimesh, siç shihnin dy të tjerat në dy koninentet e ndryshme, as ndonje sfilatë mode, e për më tepër, as që i bëhej vonë të kurdiste ndonjë grusht-shteti kundër Zotit. Shtetësja në fjalë nuk shikonte fare ëndra. Ekrani mbetej bosh që nga çasti kur ajo binte të flinte, e deri në çastin kur ngrihej nga shtrati. Duke pyetur veten se si ishte e mundur kjo, ai u fiksua me ditë të tëra, mbas shtetasve e shtetaseve të këtij vendi.

Asgjë. Asnjëri e asnjëra nuk shihte ëndra

Mbasi kaluan ca kohë ( njësia matje e kohës në Departamentin Qiellor ishte thjesht kohë… as orë, as minuta, as ditë…), ai iu ri-kthye përgjimit të ëndrave të shtetëses në fjalë.

Përsëri asgjë. Shtetësja, paturpësisht, vazhdonte të mos shikonte ëndra.

– E pamundur – foli me vete ankthshëm. – Ç’është kështu me mua… as një komplot çfarëdo nuk zbulokam dot ? Ç’ështe ky vend i çuditshëm që nuk prodhon ëndra ? Ç’dreq njerëzish jetojnë atje ? 

Në ato pak ditë eksperiencë si ëndër-përgjues, kishte zbuluar se edhe miliarderët, edhe njerëzit më të pushtetshëm të rruzullit, shihnin ëndra. Dhe ishte vërtet e çuditshme, ishin aq të thjeshta e të pa-ndërlikuara gjërat që ëndëronin këta njerëz.

– Po si ishte e mundur që shtetasit e shtetaset e këtij vendi, të mos shihnin ?

E mblodhi veten kur një mendim brilant, i shkrepi në kokë. Nxorri në ekran të gjitha ëndrat që kishte përgjuar deri atherë dhe për një kohë të gjatë, i kqyri me kujdes.

Fillimisht shikoi nga kreu deri në fund, ëndrën e modeles europiane, pastaj atë të gruas së varfër nga Afrika, më vonë shikoi vetëm fillimin e ëndrës së një ish-të burgosure kubane, e pastaj, vetëm fundin e ëndres së një kamikazeje.

Rrëmoi në arkiv për të gjetur ëndra të tjera…

Ëndra e një vogëlusheje amerikane që kishte humbur prindërit në 11 shtator, gjithashtu iu duk interesante, ndërsa atë të një ish-prostitute vietnameze, e futi përsëri në arkiv… në vend të saj, zgjodhi ëndrën e një emigranteje serbe, por dhe atë e futi në arkiv pasi e kqyri mirë e mirë, ëndra kishte disa mangësi.  Kuptohet qe ai duhej te kqyrte vëmendshëm dhe nivelin artistik te ëndrës.

Ai nuk kuptoi sa kohë qiellore kishte kaluar, ndërsa ishte duke rrëmuar arkivin e ëndrave të përgjuara, por sa bënte të ngrihej, diku në ndonjë cep, i shfaqej nje tjetër ëndër, tejet intriguese, gjë që e bënte të ulej përsëri dhe të ri-fillonte punën nga e para.

Për kohë të tëra u mor me arkivin e ëndrave të përgjuara, duke i parë e ri-parë me qindra herë, e duke i shoshitur me mendje, derisa në fund arriti të përzgjidhte top-listën e ëndrave më të mira.

Nga top-lista zgjodhi vetëm gjashtë ëndra të përgjuara me merak, ato, për nga ndërtimi ishin më cilësoret.

Mbasi i ri-shikoi të gjashta për të fundit herë, ai filloi të priste nga ato sekuenca të ndryshme ( programi ëndër-përgjues kishte një opsion  montazhi, tejet të sofistikuar ).

Ai preu fillimin e ëndrës së ish-të burgosurës kubane. Disa sekuenca të vogla i preu nga ëndra e modeles europiane dhe nga ajo e gruas afrikane. Nga ajo e vogëlushes amerikane që kishte humbur prindërit në 11 shtator, preu pjesën më të madhe të ëndrës. Disa detaje të parëndësishme ( sa për sfond ), i shtoi nga ëndra e ish-prostitutës vitenameze  dhe ajo e emigrantes serbe. Kurse nga ëndra e kamikazes preu finalen. Copat e ëndrave të prera me merak, ai “i qepi” në një ëndër të vetme.

Pastaj shtypi  play  dhe nisi ta shikonte veprën e tij me kujdes.

Iu duk se qe në kinema. Ëndra “e qepur” i rezultoi thjesht; e mahnitshme.

Për nga mjeshtëria me të cilën ishte “qepur” atë do ta kishte zili edhe vetë Spielbergu, atje poshtë në planetin Tokë.

Ndërkohë ishte brenda afatit që i kishte lënë Zoti për të dorëzuar ëndrën e përgjuar, kështu që pjesën tjetër të kohës qiellore, u ngroh në diellin qiellor, i qetë dhe i sigurt se kishte bërë një punë të paqme.

Zoti as që do arrinte të merrte vesh që materiali i dorëzuar, s’ishte gjë tjetër veçse një montazh ëndrash të prera. S’kishte se si ta merrte vesh… kurrsesi…“qepja” ishte perfekte…

Ai ndihej krenar.

Tashme dyert e karrierës Qiellore i kishte të hapura. Ishte i sigurt se rezultati i punës së tij do t’i impononte respekt edhe nënpunësve nënqeshës. Gjithë ajo shpërfillje, do të shndërohej në frikë, ankth dhe pasiguri, kur ai të emërohej shefi i tyre.

Gjatë kohës që ngrohej në diell, ai përgatiti në një file të veçantë në kompiuterin e  tij, fjalimin që do t’u mbante vartësve ditën e shumë-pritur të ngritjes në detyrë. Në fjalim shtoi edhe ndonjë shprehje të shënuar qyshkur në bllok, të dëgjuar aty këtu, nga titullarë të ndryshëm. Ata, pikërisht nëpërmjet atyre shprehjeve, gëzonin te vartësit admirim të padiskutueshem. Sa mirë që e kishte mbajtur me vete atë bllok ngado që kishte shkuar. Tashmë kishte ardhur koha që t’ia mblidhte frutat farës që kishte mbjellë.

Mbas disa kohësh qiellore, më në fund, Zoti e thirri në zyrë. Ai hodhi hapat i qetë nëpër korridor, i ndjekur nga shikimet kureshtare të nënpunësve nënqeshës. Rregulloi jakën e xhaketës dhe trokiti me klas, vetëm dy herë, në derën e zyrës së Tij. Sigurisht që klasin në trokitje ia imponoi siguria se Zoti do ta pëlqente punën e tij.

Derën ia hapi njëri prej asistentëve të Zotit… i cili doli menjëherë, pasi ai u fut brenda.

Zoti i bëri shenjë të ulej. Pastaj i tha buzë-gaz: – Të shohim çfar ke sjellë !

Ai hapi çantën me krenari dhe nxorri prej andej kryeveprën e tij.  E lëmoi për pak me gishta, pastaj i qetë, ia zgjati Zotit.

Zoti shtypi play, ndërsa ai i vëzhgoi fytyrën.

Zoti e pa ëndrën nga fillim deri në fund, pastaj e ktheu e ri-ktheu, duke parë, e ri -parë disa sekuenca, të cilat i ishin dukur interesante. Për një çast qiellor, ai pati dyshimin se mos Zoti i zbulonte trukun. Por dyshimi iu largua menjëherë, kur Ai, shend e verë, vuri buzën në gaz. Zoti e përgëzoi për punën e kujdesshme, pastaj i foli për emërimin në një detyrë të re.

Ai futi barkun brenda dhe fryu kraharorin, ndërsa i premtonte të njëjtin përkushtim dhe devotshmëri edhe për detyrën në vijim.

Ndërsa largohej me hapa të sigurt duke përfytyruar fytyrat e ziliqarëve nënqeshës, Zoti i thirri të ndalte.

– Harova të të pyes, se në cilin shtet e ke përgjuar këtë ëndër, kaq të frytshme për të gjithë Departamentin tonë.

– Në Shqipëri – i tha me zë të lartë ai, ndërsa hapi derën të dilte, i paduruar, për të parë fytyrat e nënqeshësve mbas gradimit të tij.

Në korridor shpërtheu një e qeshur me zë të lartë, kurse fytyra e

Zotit u nxi prej zemërimit.

– Je i pushuar ! – i ulëriti.

Ai nuk diti ç’të thoshte, nuk po kuptonte asgjë, një minutë më parë e kishin ngritur në detyrë, ndërsa tani po e pushonin !!!

Me këmbët që i dridheshin, e duke u mbajtur mureve të korridorit mbrriti në zyrë. Ndërsa mblidhte sendet e tij;( kapëse letrash, kapëse ëndrash, blloqe shumëngjyrësh, disqe, etj ) njëri prej nënpunësve nënqeshës iu afrua dhe i tha:

– Si nuk e dije ti… që Zoti atij shteti ia ka hequr funksionin e të ëndëruarit ? Si është e mundur që të paska shpëtuar kjo gjë, ty, virtuozit, të pazëvëndësueshëm ?

Ai e pa nënpunësin i hutuar, pastaj në çast iu kujtua eksperimenti i famshëm.

– Ky paskësh qenë eksperimenti i famshëm – mendoi me vete. Dhe ai budallai që shënonte çdo gjë në bllok, sa keq që nuk ishte thelluar të pyeste, ç’ishte ai eksperiment.

E kishin pushuar nga puna ditën që e kishin ngritur në detyrë.

Karriera e tij qiellore kishte zgjatur vetëm një minutë, pastaj ishte shkatëruar nga një detaj i vogël, të cilit, nuk i kishte kushtuar rëndësi.

E kishte pësuar prej një pike të vogël në hartë, prej një shteti të vogël e të parëndësishëm, i cili, për më tepër, ishte edhe i nënqeshur.

 
©  Arlinda G.

 

 

( botuar tek “Gazeta” dt: 30.09.2009 )

Televizori ka mbetur në kanalin që transmeton emisionin: “Zonë e lirë”. Gishtat e mi bëhen gati të shtypin telekomanden e të ndërojnë menjëherë stacion, por diçka më ndalon, gishtat për disa çaste mbeten pezull mbi të, derisa dorëzohen dhe e lënë diku telekomandën.

Personazhi i parë, i ftuar në emision, është një regjisor i Tearit Kombetar, i porsa-pushuar nga puna. Prezantuesi i emisionit, vetëm sa e përmend këtë fakt, thuajse shkarazi, ai nuk bën komente dhe nuk ndalet gjatë në detaje.

Regjisori ulet në karrige, buzëqesh, pi pak nga kokteili që i ofron bujarisht prezantuesi i emisionit, buzëqesh sërish, por nuk e mban gjatë buzëqeshjen, menjëherë bëhet i menduar dhe ul sytë mbi tavolinë. Ndërkohë që prezantuesi i emisionit vazhdon të prezantojë,

personazhin e dytë;

Ajo është këngëtare. Vjen me një ecje triumfuese. Thuajse e zhveshur. Një veshje nga ato skeniket, disi e papërshtatshme për emisonin në fjalë dhe mbi të gjitha, për karriget tepër sportive, mbi të cilat i duhet një farë kohe të rehatohet. E kote të përmend këtu që ajo i ka dhënë një rëndësi të madhe look- ut; flokëve dhe grimit. E tradhëton peneli disi i rënduar, oriental, mbi kapakët e syve, por asgjë për t’u habitur, tek e fundit elementi oriental, është bërë si i shtëpisë këto kohëra, trendy i rradhës në muziken ( të themi, të lehtë ) shqiptare.

Ajo më në fund rehatohet në karrige e buzëqeshur, ndërsa prezantuesi i emisionit i ofron edhe asaj një kokteil, ndërkohë që vazhdon të prezantojë,

personazhin e tretë;

Ai është një personazh i çuditshëm, një njeri i cili pretendon se arrin të parashikojë motin. Edhe ai i papunë. Edhe ai rehatohet mbi karrige dhe rrëmben kokteilin e tij, ndërkohë që vjen,

personazhi i katërt;

Një tjetër këngëtare. Edhe ajo ka veshur një fustan mbrëmjeje, natyrisht, me një dekolte të guximshme. E si mund të mungonte ky element kaq i rëndësishëm në karrierën e një këngëtareje ? Kohët e fundit duket se këngëtaret shqiptarë dinë më mirë të këndojnë me to, se sa me zë. Ulet pranë regjisorit, ky i fundit e përshëndet me buzëqeshjen e tij, “flash”, që për dreq nuk i qëndron gjatë mbi fytyrë.

Ja ku vjen,

personazhi i pestë;

Një tip i palestruar, – “i cili vjen të promovojë video-klipin e tij” – thotë prezantuesi me një shprehje skeptike në fytyrë.

I palestruari ulet në karrige lehtësisht dhe menjëherë pas tij mbrrijnë edhe,

personazhet e fundit;

Ata janë disa këngëtarë të rinj, shqiptarë, nja dy, të ardhur nga jashtë Shqipërisë sa për garniturë. Edhe ata rehatohen mbi karrige… dhe, ja ku e kam të plotë skenën me të gjithë personazhet.

Fillon të flasë njeriu që parashikon motin, madje dhe më gjerë se kaq, meqë së fundmi në vendin tonë kanë filluar të bien shpesh tërmetet, ai ka menduar t’i shtojë edhe ato në curriculumin e tij. – E pse jo ? – duket sikur thonë pafajshëm sytë e tij, të gjelbërt.

Prezantuesi i emisionit e pyet “parashikuesin e motit dhe më gjerë” rreth metodikes së parashikimeve. Ai kruan zërin dhe fillon të japë ngadalë disa shpjegime me nuanca akademike, të cilat i bëjnë kontrast me dritën naïve që ka nderur në sy. Pak më tej thekson se është duke kërkuar një punë. Prezantuesi e pyet se çfar pune është në gjendje të bëj, ndërsa ai i përgjigjet: – Çfarëdolloj pune ! Këtu, nuancat akademike i rrëzohen përtokë të gjitha.

Qëndron i ulur pranë këngëtares gjysëm të zhveshur, hedh ndonjëherë, ( gati pafajshëm ) sytë mbi kurrizin e saj, pastaj rrëkllen gotën e kokteilit.

Tani prezantuesi i drejtohet pikërisht këngëtares. Ajo fillon të flasë rreth klipit të saj, të ri, të porsa-dalë në treg, por ka një peng të vogël; disa kanale muzikore nuk kanë pranuar ta shfaqin, pasi e kanë quajtur tepër “hot”. Prezantuesi e pyet këngëtaren për partnerin e saj, në klip dhe ajo i shpjegon se e ka njohur atë vetëm ditën e xhirimit të klipit, sqaron gjithashtu që, atë, së bashku me sendet e tjera, ia ka sjellë trupa prej 100 vetësh e ngarkuar për të xhiruar klipin. Unë ngre supet, nuk arrij të kuptoj ç’duhen 100 vetë për të xhiruar një videoklip për një këngë të llojit : unë të desha/ ti më ike… por le të vazhdojmë më tej…

– Është një klip erotik, – shpjegon këngëtarja ndërsa fillojnë të shfaqen disa sekuenca nga klipi, të cilat nuk duken aspak erotike, me përjashtim të faktit që këngëtarja është me bikini. Po ndoshta asaj i duhet një fjalor për të përkufizuar qartë këtë fjalë. A do e ketë vallë trupa ( prej 100 vetësh ) një të tillë ? Sigurisht që ajo duhet të ketë qenë një trupë që kujdesej për gjithçka, me përjashtim të këngës vetë. Sikur dhe asaj t’i kushtohej po aq vëmendje sa fustaneve dhe trukut…

Pamjet përfundojnë së shfaquri dhe këngëtarja pyet regjisorin e papunë: – Si t’u duk ? Regjisori ndalet një hop dhe thotë: – Fustani ishte shumë i bukur !!!!

Këtu ndërhyn sërish prezantuesi i cili e pyet ngacmueshëm këngëtaren për partnerin e saj në klip. Ajo vazhdon të këmbëngulë ( jo pa keqardhje ) që e ka takuar vetëm atë ditë. Dhe duket se ka të drejtë për këtë. Në klip dallohet mjaft qartë që trupa (prej 100 vetësh) e ka sjellë “sendin-djalë” së bashku me të gjitha sendet e tjera, vetëm për atë ditë, pasi lëvizjet e tyre kanë një lloj ngërçi, ngërçi tipik i dy të panjohurve në situata të sikletshme. Asnjëherë nuk e kam kuptuar pse të gjithë video-klipet shqiptare mbarojnë në fund me dy protagonistët që afrojnë kokat pranë njëri –tjetrit, por asnjëherë nuk realizojnë një puthje. E kane ende tabu këtë gjë këngëtaret tona, nuk u vjen për mbarë sponsorëve të klipeve apo ky ngërç është rrjedhojë e faktit që trupa i prezanton protagonistët e klipit vetëm ditën e xhirimit ?

Ndërkohë “parashkuesi i motit dhe më gjerë” është skuqur i gjithi. Duket se kokteili e ka turbulluar keqaz. Prezantuesi i emisionit e pikas menjëherë këtë detaj dhe këmbëngul djallëzisht që atij t’i mbushet edhe një gotë tjetër.

Kalojmë më tej. Tani flet këngëtarja tjetër, ajo e ulur përkrah regjisorit, të papunë. Këngëtarja ka një emër të huaj, me siguri, emër arti. Praktikë trendy, e njohur dhe e ndjekur nga këngëtaret me emra të pabukur.

Pasi nuk pushon së falenderuari të gjithë kabientin ministror i cili e ka lejuar të xhirojë në tunelin e Kalimashit, ajo vazhdon rrëfimin e saj në këtë mënyrë:

– Rryma ime, – i drejtohet ajo, autoritare dhe shpërfillëse, njërit prej këngetarëve të tjerë pranë saj, – është e ndryshme “na” rryma jote. ( ajo nuk thote “nga” ), videoklipi im, – vazhdon ajo, – është një “mini-filëm”,( ajo nuk thotë “film”)… etj, etj. Nëse këngëtares së parë i duhej një fjalor, së dytës i mungon leximi i klases së tretë.

Tani situata ka dalë fare jashtë kontrollit. Parashkuesit të motit i ka rënë telefoni, ai haron që është në një emision televiziv dhe fillon të flasë me zë të lartë, ndërkohë që kamera fokuson këngëtaren, ndërsa shkruan mesazhe. Duket si reklama e ndonjë kompanie telefonike.

Regjisori i papunë vazhdon të buzëqeshë lehtë, kamera e fokuson herë pas here fytyrën e tij, ndërsa ul sytë si të jetë duke thënë me vete : – ç’dua unë këtu !

I ka ardhur rradha tipit të palestruar. Prezantuesi e pyet rreth tematikës së klipit, ndërsa tipi i palestruar fillon të flasë. Nuk arrin të sqarojë gjë. Regjisori i papunë ndërhyn në çast dhe përpiqet t’ia rregullojë, konturojë e zbukurojë, paksa rrëfimin.

Ndërkohë parashikuesi i motit dhe tërmeteve, i bërë xurxull, ngrihet rrufeshëm nga karrigia dhe puth në faqe këngëtaren me emër trendy.

Të qeshura, duartrokitje dhe gotat e kokteilit që zbrazen me të shpejtë…

A është ky emision një mënyrë bukowski-ane e servirjes së realitetit ? Të gjithë e njohim Charles Bukowski-n, mjeshtrin e madh të letrave, shkrimtarin më të keqkuptuar nga lexuesit shqiptarë, shumica e tyre mjaftohen me gjuhën e ashpër të tij, për të nxjerrë përfundime të padrejta, pikërisht për faktin se nuk arrijnë të shkojnë më tej, tek ajo mënyrë lakuriqe e përcjelljes së realitetit, tek ajo mënyrë gërvishtëse, e cila përveçse ka nën mbështjellje shumë dhimbje dhe dëshpërim prej pamundësisë për ta ndryshuar, ka gjithashtu edhe një qëllim fisnik dhe emancipues; ta bëj lexuesin të reagojë e të mbajë një qëndrim. Sepse i tillë është misioni i letërsisë.

Po media ?

Thua të ketë qëllime të tilla, kaq të lartësuara, edhe prezantuesi i emisionit; “Zonë e lirë” ? Apo qëllimet e tij vërtiten vetëm rreth narcizmit, skupit, suksesit apo dëshirës së uritur për famë ?

Ndërsa unë, shikuesja aksidentale e këtij emisioni, ngre me vete pyetje të tilla, përpara syve vazhdojnë të më dalin gotat e koktejlit që i mbushen e mbushen pamëshirshëm, “njeriut të motit”.

***

Emisioni mbaron. Janë ulur perdet e një teatri absurd, pjesë e të cilit jemi të gjithë. Ngrihen nga karrigia; parashikuesi i motit, i kënaqur që ka puthur në faqe këngëtaren, i kënaqur, më shumë se për ofertën e punës, ngrihet kengëtarja e mini – filëmit, tipi i palestruar, këngëtarja e trupës prej 100 vëtësh, ngrihet dhe regjisori i papunë, të cilit, trupa prej 100 vetësh, ndoshta do t’i hynte në punë më shumë se këngëtares…

( shkruar nga një shikuese aksidentale )

© Arlinda G.

(Çdo përkitje me ngjarje e personazhe realë, është krejt, e parastësishme…)

Çdo herë që në zyrat e prefekturës binte fjala për fshatin e largët, P. nënpunësit gëlltiteshin lehtaz, lëkundnin këputurazi kokat si lavjerrës, pastaj fiksonin me sy ndonjë send të parëndësishëm aty afër, për t’i larguar vëmendjen bashkëbiseduesit.
Përherë ndodhte kështu. Thua se nënpunësit kishin bëre pakt me njëri – tjetrin. E nëse bashkëbiseduesi këmbëngulte fort në atë argument, ata menjëherë nervozoheshin dhe e humbisnin qetësinë. Dukej se nuk arrinin ta menaxhonin siç duhej bisedën.
Për fshatin fliteshin fjalë nga më të çuditshmet. Ai qe ndërtuar në mes të dy kodrave. Kodrat qenë vendosur përballë njëra- tjetrës si në një karshillëk të përjetshëm mes tyre. Flitej se në atë fshat qenë shpikur për herë të parë pasqyrat. Por këto nuk ishin pasqyra dosido, ku mund të shiheshe, të kriheshe, të shtrydhje ndonjë puçërr, t’i shkelje syrin vetes, të mbaje ndonjë fjalim, apo t’i drejtojë tytën e revolverit.
Të gjitha këto ç’thash më sipër i bëjnë njerëzit normalë, përpara pasqyrave, normale, me të cilat, kjo botë është e mbushur plot e përplot.
Por banorët e fshatit, P. nuk ishin aspak normalë, e kuptohet që edhe pasqyrat nuk kishin pse të ishin të tilla….
Sigurisht, meritën për shpikjen e pazakontë, e mbante krenueshëm mbi supe; kovaçi i fshatit.
Pasqyrat ishin ca copa të ndritshme metali në madhësi të ndryshme.
Çdo familje kishte rreth katër pesë të tilla. Më e madhja vendosej në dhomën e miqve. Kovaçi i fshatit nuk prodhonte kurrë dy copë njëlloj. Nëse ishe shumë i zi në fytyrë, ato të zbardhnin, nëse ishe shumë i shëndoshë, të hollonin, nëse ishe i dobët, të mbushnin, nëse ishe i zbehtë, të çelnin…
Pikërisht këtu qëndronte edhe magjia apo çudia e tyre.
Se si ia arrinte kësaj gjëje kovaçi, ky ishte një mister më vete, për të cilin banorët nuk shqetësoheshin shumë, por një gjë ishte e sigurt, ai rrinte gjithë ditën duke bërë eksperimente e duke përzier me njëra – tjetrën, lloje të ndryshme metalesh për të arritur kampionin e duhur.
Mbrëmjeve të verës, banorët e fshatit mbaronin të gjitha punët, mbyllnin bagëtitë me këngën e bulkthave që shpërndahej ëmbëlsisht nëpër puhizë dhe mblidheshin të gjithë në sheshin e fshatit.
Ata kishin pajtuar një poet, i cili për çdo natë duhej të thurrte vargje për ta. Poeti paguhej mirë, me kontributet mujore që jepnin pa më të voglin hezitim, banorët e fshatit.
Banorët e fshatit, P. kujdeseshin shumë për imazhin e tyre, e nuk qe fare rastësi që dhe pasqyrat çudibërëse ishin shpikur pikërisht në atë fshat.
Për çdo natë poeti zgjidhte nga një personazh. Pastaj krijonte, aty per aty, një rrëfenjë në vargje rreth jetës së tij. Nuk ishte aspak e rëndësishme që në to, të flitej për ngjarje reale. Jo, ky ishte një detaj fare i parëndësishëm në kërkesat që i kishin shtruar banorët kur e kishin pajtuar si poet. Poeti për një çast i kishte parë dyshimtaz, duke menduar se po e vinin në lojë, por qe gabuar. Banorët kishin treguar një seriozitet të admirueshëm në çastin e parashtrimit të kushteve. Kështu ai menjëherë kishte nisur nga puna.
Përshembull, nëse personazhi i zgjedhur ishte imcak, i shkurtër, me pikla në fytyrë, me flokë të imët, të ngjitur pas kokës, kjo nuk e pengonte aspak poetin ta përshkruante atë si kreshnik muskuloz, hundëshpatë dhe bukurosh njëherazi.
Po njëlloj veprohej edhe me gratë. Nëse e përzgjedhura ishte një grua me moral të dyshimtë, kjo nuk e pengonte poetin të rrëfente mes vargjesh, dlirësine e saj, të paanë, hyjnore e të kulluar, ose nëse e përzgjedhura ishte një shëmtaraqe që nuk shihej me sy, poeti do rrëfente se si ishin vrarë me njëri – tjetrin, aq e aq burra për ta patur grua.
Banori i përzgjedhur ulej në një kolltuk gjithë harqe e dredha përpara turmës, si të që në skenë dhe, në gjunjë përpara tij, poeti recitonte vargjet.
Nuk zukaste as miza. Banorët dëgjonin plot kureshtje se si i uluri ne kolltuk, i cili gjate gjithë jetës së tij nuk kishte mundur të vriste as edhe një mizë, paskësh luftuar e kishte mundur një ushtri të tërë…
Në fund banorët i thoshin njëri – tjetrit; natën e mirë, dhe binin të flinin duke ëndëritur rradhën e tyre të uljes në karrige, e duke u përpjekur të imagjinonin rrefenjën e rradhës në gojën e poetit.

Por erdhi një mbrëmje e pazakontë, mbrëmje në të cilën poeti nuk mundi më të krijonte asnjë varg.
Turma priste gojë-hapur, i uluri në kolltuk përpëlitej gjithë djersë duke fajësuar veten për këtë vështirësi të papritur të poetit.
Poeti i bërë ujë në djersë edhe ai, përpelitej ankueshem përpara këmbëve të të përzgjedhurit.

Atë mbrëmje banorët ranë herët në gjumë. E këshilluan edhe poetin që të binte herët për të fjetur, ndoshta bllokimin mund ta kishte patur prej lodhjes së tepërt e pagjumësisë apo se ndoshta padashur mund të kishte shkelur ndonjë hije..

Por edhe të nesërmen ndodhi e njëjta gjë. Poeti nuk mundi të nxjerrë dot asnjë varg nga goja.

Atherë turma filloi të fishkëllente e zemëruar, të gjuante me ç’kishte në dorë në drejtim të tij, e të thërriste me zë të lartë e kërcënues;
– Hajde jepi, nuk te paguajmë kot !
Edhe atë mbrëmje banorët ranë herët në gjumë. Pakënaqësia ndihej edhe në këngën e bulkthave.
Të nesërmen u lajmërua sërish grumbullimi në shesh. Nga ç’u pëshpërit lartë e poshtë, u mësua se poeti kërkonte t’u thoshte banorëve disa fjalë…
U ndie menjëherë hareja që i përfshiu të gjithë. U kishin munguar vargjet e tij.
– I paska ardhur muza, eh, po nuk kishte si të ndodhte ndryshe, – bërtisnin hareshëm, gra, burra, e femije. Fjalën; muzë e kishin degjuar prej gojës së poetit, nuk e dinin çfar qe, por për një gjë ishin të sigurt; pa praninë e saj poeti nuk vlente një grosh.
Mbrëmja mbrriti ngadalë ndërsa ata u rreshtuan si zakonisht në shesh.
Poeti doli përpara turmës dhe nisi të flasë. Ai filloi t’u sqaronte banorëve se sa e vështirë kishte qenë për të e gjithe ajo ndërmarje, se si gjithë ato kohë i ishte dashur të shpikte e shpikte pafund ngjarje të rreme, derisa në fund kishte shterrur… dhe kjo ishte aq rraskapitëse…
– Unë nuk mund të vazhdoj pafundësisht t’iu rrëfej asgjënë . Jam i shqetësuar se shoh që edhe vetë ju keni filluar t’i besoni këto gjepura…Pyes veten ç’do mbesë nga ju pas shumë vitesh, ç’histori do i rrëfeni nipërve e stërnipërve ?

Turma qëndroi pa folur për një çast, pastaj filloi t’i afrohej e zemëruar, gjithnjë e më shumë, ndërsa ai bënte hapa mbrapa, derisa u pengua në një gur dhe u rrëzua përtokë. Çdokush prej tyre ( burrë, grua, fëmijë, kishte një dritë të egër në sy ), filloi ta gjuante me shkelma, me grushta… ato nuk pushuan deri sa ai i humbi ndjenjat.
E lanë të shtrirë përtokë dhe u larguan… të fyer…

Të nesërmen u zgjuan si zakonisht… Si zakonisht, u krehën në pasqyrat e gënjeshtërta, pastaj dolën në qytet e pajtuan një poet të ri…

Edhe sot e kësaj dite, banorët e fshatit, P. vazhdojnë të kujdesen imtësisht për imazhin e tyre. Me të njëjtin intensitet vazhdojnë të prodhohen pasqyrat, me të njëjtin intensitet vazhdojnë të pajtohen poetë…. Tashmë u është mbushur mendja top që fshati i tyre ka një histori të mbushur plot e përplot me bëma të mëdha, zana, kreshnikë e gojëdhëna… këto te fundit kanë filluar të mbrohen edhe nga UNESCO….

16.08.09 ( botuar tek “Gazeta” )

© Arlinda G.

Nëse doni të shihni me sytë tuaj, progresin dhe evolimin postmodern ndër vite, të biznesit shqiptar, mos u përpiqni ta zbuloni atë duke dëgjuar e parë reklamat, jo rrallëherë; të rëndomta e fare pa fantazi në konceptim, që përfaqësojnë produktet e tyre gjithkund, nëper afishe të stërmëdha, mbi fasada pallatesh të munduara nga tymi e pluhuri, nëpër autobuza shkatarraqë, nëpër televizione etj., etj.

Për t’i kuptuar të gjitha këto, ju mundeni, fare mirë, t’i kurseni vetes kohë, duke shfletuar gazetën; “Çelesi”.

Diku andej, nga mesi i faqeve të gazetës, qëndrojnë të afishuara ato… të bekuarat, lajmërime për punë. Mjafton të ndalni pakëz sytë atje dhe ju mund të lexoni gjëra nga më të pabesueshmet, xhavahire shqiptare, të servirura, fare pa truk, në sfondin e verdhë të kësaj gazete kaq shpresëdhënese.

Për fat të mirë, vajzat e gazetës në fjalë, të cilat kanë kontaktin e parë me formuluesit e këtyre lajmërimeve, nuk e mundojnë fare trurin për redaktimin e tyre, ato i shkruajnë këto lajmërime; shqeto, ashtu siç i dëgjojnë nga të interesuarit; në telefon apo ne menyrë të drejtpërdrejtë. Kështu, që nga mënyra se si është formuluar lajmërimi, ti mund të kuptosh shumë lehtë, gjendjen e emocionale të formuluesit, euforinë se sa i ka ecur atij së fundmi, apo cili ka qenë libri i fundit që ka lexuar, ( natyrisht, nëse ka lexuar ndonjëherë, ndonjë të tillë në jetën e tij, përveç menusë së restorantit ), etj., etj.

Kushti i parë, i cili sundon në masë, thuajse në gjithë lajmërimet, është fjalia ekzistenciale; të jetë e paraqitshme. Ky kusht kaq i rëndësishem e thelbësor për mbarëvajtjen e një biznesi ( !! ), i sfumon bindshëm të gjithë kushtet e tjera, si p.sh.eksperiencën në punë të tjera, kjo e fundit qëndron si kusht vetëm në nja dy prej tyre, natyrisht, renditur sfumueshëm pas kushtit; të jetë e paraqitshme, ndërsa profesionalizmin dhe seriozitetin në punë, vështirë se do ta hasni si kusht në ndonjë nga këto lajmërime…

Në këtë mori të pafund xhevahiresh shqiptare, ato që mund ta quajnë betejën zyrtarisht të humbur, ende pa e filluar, janë pikërisht gratë me fëmijë.. Të kesh femijë, veçanërisht, femijë të vegjël, është një handikap i pandreqshëm për formuluesit e lajmërimeve.

Por gjeja që më ka bërë të shqyej sytë nga habia, ka qenë një lajmërim të cilin nuk dita ku ta kategorizoja, në të, kushti i parë që kërkohej nga e punësuara e ardhshme, ishte; të qe e gjatë; 1m.75cm, madje në lajmërim thuhej se ajo duhej të qe edhe elegante, mungonte atje, vetëm numri i këmbës… Një çast mendova mos ishte vendosur gabimisht në atë rubrikë. Fare mirë, ai lajmërim mund t’i përkiste njoftimit për ndonjë konkurs bukurie, apo rubrikës; djemtë kërkojnë vajza…. Por jo… lexova më poshtë dhe kuptova që isha gabuar, më poshte sqarohej edhe pozicioni i punes që supozohej të kryente e punësuara e ardhshme.

Kujdes!

Në mënyrë që të jeni sa më të suksesshme gjatë një intervistë pune në Shqipëri, ju duhet të vishni dekoltenë më të guximshme të mundur, të pispilloseni sikur do shkoni në ballo, dhe mundesisht, apo më mirë le te themi kryesisht, të pulisni sytë, ashtu si “pafajshëm”, e të flisni me fjalë e gjeste prej kokete, teksa duhet, detyrimisht të qeshni si të keni dëgjuar batutën e shekullit, me ndonjë batutë të trashë e të pavend, të intervistuesit.

Vetëm kështu ju mund ta fitoni vendin e punës

Ah po, për pak harova, gjatë intervistës ju nuk duhet të fusni ne ligjëratën tuaj asnjë fjalë, të ashtuquajtur; të vështirë, për t’u thithur nga mendja e intervistuesit, nëse e bëni këtë, intervistuesi, thjesht do të rrudhë ballin, do ngrejë pak cepin e vetullës dhe do t’iu pyesë me siklet apo me ironi, sipas rastit ( gjithmonë pa i mbivlerësuar mundësitë e tij për të bërë ironi ) se si përkthehet ajo fjalë.

Në rastin më të keq, ai nuk do t’iu pyesë fare, por thjesht, do t’iu skualifikojë nga gara.

E kështu, falë këtij trendy-zmi të pashoq, përditë e më shumë, janë duke u shtuar lavdishëm, femrat që dinë ta ushtrojnë, zotësisht, profesionin e koketërisë, ( dhe, të paktën në këtë gjë, ato janë profesioniste të vërteta ), se… tek e fundit, ketë profesion dikton tregu.

Kushtet apo modelet për të qenë një njeri i suksesshëm në Shqipëri, tashmë janë percaktuar qartë, ato diktojnë bindshëm gjithkund, janë vetëm dy; nese je tip“i fortë”, quhesh nje mashkull i suksesshem, ndërsa, je femër e suksesshme, nëse e ushtron profesionalisht koketërinë.

Nëse ju, i takoni një kategorie tjetër, të dashur lexues, çfarëdolloj modeli tjetër t’i përkisni, dijeni se do t’iu duhet të luftoni shumë… në këtë; tonin, të shtrenjtin, atdheun e dashur.

©Arlinda G.