Muz’(g)

6 September, 2010

 

Ajo është aty,
mbështjellë kulpër në trokthin e tastierës,
 
flokë-ngecur ndër metafora,
lakuar përmbi retiçenca,
gjunjë-vrarë nëpër njëmbëdhjetë rrokësha,
 
psherëtin brenda kllapës… e s’ngopet me frymë,
ndërsa tej dritares, një yll i vetmuar,
luan një jazz të panjohur, ndër partitura galaksish,
 
e ai, kërkon t’i ruaj ritmin,
ashtu i humbur nëpër brinjë-tastot e saj,
që thërmohen ndër gishta,
e stërpikin dhimbtaz, si krahë të dërmuar, fluturash,
pluhur poezish…
 
Ajo është aty,
ende aty,
 
flokë-ngecur ndër metafora
stërkëmbëshur pikëpyetjesh të gërmuqura,
kruspulluar përmbi presje paranojash,
 
dhe e friguar për vdekje
se mos rrëzohet në kosh…
 

 

©Arlinda G.

Advertisements