Shfryva ca nëpër dhëmbë, kur sot në mëngjes mbrrita në punë, si zakonisht, teksa kërkoja dhe nuk gjeja çadrën që kisha lënë poshtë sirtarëve, një ditë më parë. Ç’është e vërteta, çadra nuk ishte dhe aq e re, por ama, as aq e vjetër nuk ish. Kështu që më erdhi vërtet keq që nuk po e gjeja, por jo për arsyet që mund të vërtitësh ndër mend ti lexues.
Ti me siguri do më përgjigjesh tani: – ku e di ti ç’mendoj unë? Dhe ke të drejtë, ka mundësi që të mos e di, por ama asgjë nuk më pengon mua të hiqem sikur e di. Ne këtu në metropol, gjithmonë hiqemi sikur dimë dhe marrim me mend gjithçka.(vë bast se edhe për këtë që thash, ti tani do tundësh kokën dhe do thuash shpërfillës: – e di, e di… dhe s’ka gjë se vetëm sa do hiqesh sikur…)
Pasi kërkova e kërkova, me minuta të tëra, ende pa pirë kafen e mëngjesit, u ula në karrigen time të punës, dhe siç më është bërë zakon së fundmi, u përpoqa t’i gjeja një anë pozitive kësaj humbje.
Është kjo një mënyrë përshtatje me “të keqen”, e kam shpikur vetë. Funksionon gjithmonë. Të këshilloj ta përdorësh dhe ti.
Që të sqarohem njëherë e mirë; unë fare mirë mund ta zëvëndësoja atë me një çadër të re. Por nuk e kam bërë deri tani, pasi kam një lidhje, gati të sëmurë, me sendet e mia, të vjetra. E kam tmerrësisht të vështirë t’i hedh, apo zëvëndesoj ato me të reja, pasi çdo-njëra prej tyre më duket se ka nga një copë ditar, pak histori modeste nga jeta ime e deri-tanishme, e cila, së fundmi ka filluar të më trembë nëse tentoj ta marr seriozisht…
Tirr e tirr, me mendjen time të freskët dhe ende të pa-kafeinizuar… më në fund i dhash dum: nga kjo humbje unë dal e fituar. Madje, madje, në gjithë këtë klimë ambientimi, arrita deri aty sa të mendoj se personi që ma kish vjedhur: “vetëm sa më paskesh dashur të mirën”. (kujdes “paskërkajorja”!).
Sepse nëse ti lexues jeton në Shqipëri, duhet ta dish mirë se ç’ngarkesë emocionale mbart këto ditë fjala; “çadër”.
Të mbash çadër, kohët e fundit është bërë shumë, po shumë herë më e rrezikshme, se të mbash; të themi: një snajper.
Me një çadër në dorë ti mund të jesh i aftë të kryesh lloj-lloj veprimesh që më parë mund të të jenë dukur të pamundura. Ajo mund të të shërbejë ty në vend të qilimit fluturues, anijes kozmike, apo, për të kryer një atentat, live, në “high definiton”. Dhe menjëherë pasi ta kryesh atentatin, të rrish po aty, në vendin e ngjarjes dhe ta përdorësh bishtin e çadrës si shkop për t’u mbështetur nëse të dhëmbin kockat nga pleqëria.
Ditët e fundit, fëmijët e vegjël nuk i trembin më me; “gogolin”, por me “burrin me çadër”.
Tani më vjen ndër mend, një skeç, gati filozofik, diku andej nga fund-vitet e socializmit të zbutur. Nga ai me kujtohet një batutë: “Gjermanët u maskuan si gjermanë”.
Ehh, po ç’nuk mund të ndodhë tjetër po pate një çadër ndër duar, o njeri! Përveçse ta hapësh kur bie shi, kuptohet, funksion i cili këto ditë e ka humbur krejtësisht kuptimin…
E ke vënë re sa është shtuar këto ditë numri i njerëzve që pranojnë të bëhen qull në shi, vetëm e vetëm që të mos mbajnë çadër?
Për mendimin tim, ka ardhur koha që çadrat të jepen vetëm me leje të posaçme, si armët e gjahut përshembull. (sugjeroj që fantazia të mbahet nën fre aty ku përmendet fjala “gjah”).
Ja pra, sa shume ma paskesh dashur të mirën hajduti i çadrës, mua. E meqë ra fjala: – pastë dorën e mbarë!
Siç thash më lart, unë kam mënyrat e mia të të ambientuarit me “të keqen”.
Ja përshembull: këto ditët e fundit, ku çdo metropolitan: rishtar dhe den-baba-dens, komenton pa-fund ngjarjen e së premtes me; komentet e komenteve, të komenteve, qetësisht ose jo, borgjezisht ose jo, pas një flixhani kafeje apo gotë konjaku, unë jam duke sugjestionuar veten së jam duke jetuar; një ditë normale, në një shtet normal, me çadra normale.
Dhe më beso, që kam filluar ta besoj vërtet këtë auto-sugjestion të frytshëm. Gati them, se pastaj vjen mbrëmja dhe të gjitha këto siguri më përmbysen krejtaz, pasi fillojnë ambientime të tjera.
Ambientimi im me të keqen e për-mbrëmshme, fillon me lajmet.
Kështu ditën e premte, dikush në facebook, i cili jeton jashtë Shqipërise, lutej e përgjërohej t’i gjenim një link, televizioni, “të pa-anshëm”(epo, kësaj i thonë të kërkosh dëborë në gusht, nuk të duket?). Ai nuk po merrte vesh asgjë nga ajo që po ndodhte: lajmet e dy televizioneve kryesorë të vendit, kundërshtonin pa fund njëri-tjetrin.
Për ta vazhduar më tej këtë ambientim, me ligjëratat e opininion-bërësve nëpër showe-t përkatëse, mediatike, të cilët, ashtu brishtësisht, me pak grim; pudër nuancë pjeshke përmbi mollëza, diskutojnë vazhdimisht, këmbë mbi këmbë, për rënien “aspak skenike” që bëri të premten që kaloi, njëra nga viktimat e demonstratës. Në të njëjtën kohë kur prezantuesi i emisionit, nga ana e tij, nuk përmbahet dot së hakërryeri, për faktin se vdekjen live, e transmetoi më parë, një tjetër media që thotë se ajo është lajmi dora vetë.
Asgjë për t’u çuditur, jetojmë në epokën e “high definiton”, kur ndodh një aksident, më parë e filmojmë se sa thërrasim ambulancën.
Unë nuk e di nëse është ndikimi i pudrës apo i ndonjë substance tjetër, narciztike, por këto ditë opinion-bërësit, kane filluar të merren gjerësisht e gjatësisht, me analizën e objektit: çadër. Ata analizojnë ngjyrën, formën, sofistikimin e butonave.
Përfundimi? Nëse keni hem çadër, hem në ngjyrë të roztë, thjesht, ia keni bërë vetes. Keni dy të keqija njëherazi.
Në mënyre që të qëndrojnë komodshëm tek nuancat e ndërmjetme, edhe opinion-bërësit betohen të japin shembullin e tyre, personal, që do të thotë se zotohen të mos mbajnë kurrë çadra. Madje, edhe atherë kur do i’u duhet të bëjnë në këmbë ndonjë copëz udhë, nën shi, ndërsa do dalin nga makinat e tyre, të  ngrohta, luksoze, blerë me honoraret e studiove përkatëse, televizive.
Por në këtë sakrificë unë nuk besoj dhe aq. Imagjino si do tretej pastaj, pudra ngjyrë pjeshke në mollëzat e tyre, të brishta… Si do varej poshte në rrëpira, e do zgërlaqej e gjitha, nëse ata do i ekspozoheshin shiut.
Por, e ka një zgjidhje edhe për këtë. Për të evituar gjithë këtë pa-rehati, aspak skenike, është e këshillueshme që opinion-bërësit të mbajnë një lloj tjetër, çadre, pikërisht ate llojin e çadrave “të lehta”, e të pa-dëmshme, plot ojna e tantella, që mbanin dikur “madmazelat”, diku andej nga shekujt e 17-të, 18-të, gjatë shëtitjeve nëpër puhizat lozonjare që u ledhatonin fytyrat e përskuqura me të njëjtën nuancë. Ca çadra delikate, të lehta; pupël, që do harmonizoheshin edhe me nuancën pjeshkë të pudrës mbi mollezat e opinion-bërësve.
(Ndërsa qeshë duke shkruar rreshtat e mësipërm, më kaloi përpara syve një sekuencë nga një video-clip i një kënge të Pink që tani po jepet në televizor. “Stupid girls” titullohet kënga. Dhe fabula e sekuencës është pak a shumë kjo: Personazh/ja shtyp një njeri me makinë dhe duket se më pas kërkon t’i vije në ndihmë. Ajo ndalon makinën, drejton pasqyrën, dhe… lyen buzët… kjo është ndihma)
Por le të vazhdojmë më tej.
Përtej gjithë harmonizimit skenografik, të lart-përshkruar, opinion-bërësit sidoqoftë, përpiqen të jenë gjakftohtë e të pa-anshëm, ashtu siç thuhet se duhet të jetë një profesionist i vërtetë në lëmin publicistik, i cili nuk përzihet kurrë emocionalisht me lajmin, apo me viktimën, sidomos kur kjo e fundit ka kryer “rënie jo-skenike”…
Sepse kohërat e profesionalizmit modern nuk lejojnë asnjë emocion. Në këtë pikë ata janë të gjithë profesionistë. Madje, për këtë punë kaq të vështirë, unë jam gati të propozoj që ata të marrin edhe “extraordinary”, (pagesë shtesë) përveç honorarëve… ndërkohë që ambientimi im me të keqen vazhdon…
Diku, në një libër të Leo Buscaglia-s, kam lexuar një fragment të bukur; një pjesë ku autori tregon se si nëna e tij hiqte mënjanë rezerva të tëra, ushqimesh, dhe i ruante për ditët e urisë kur familja mbetej trokë. E pikërisht në ato dite të vështira ajo gatuante  gjellët më të mira në mënyrë që fëmijët të mos i ndjenin as psikologjikisht efektet e urisë.
Diçka e ngjashme kjo me auto-sugjestionin tim.
Por, vetëm se unë tani kam frikë se një dite do më mbarohen të gjitha këto rezerva… Kështu, pastaj do detyrohem ta lë këtë vend, i cili kushton më pak se një honorar opininon-bërësi, në show-n e rradhës.
Ta lë, e te iki diku tjetër, atje ku njerëzit ndihen të lire të ecin, të këndojnë, të bërtasin, të kundërshtojnë, të qajnë, të përqafohen, poshtë çadrave të tyre.
Këtë mendoj në ditët e javës…
Pastaj vjen e diela… dhe ti sheh se si të rrëzohen përpara syve të gjitha skenat e imagjinuara.. Të dielën ti ndjen se duhet të bësh një vizitë në varreza, të vendosësh atje një trëndafil të bardhë, për të qetësuar turbullirat brenda…
Sepse ti mund të ikësh, mund të harosh, mund të mbartësh në krahë, gjithë jetën tënde; kujtimet, fotografitë, lodrat e fëmijërise, por nuk mund të mbartësh me vete ata që nuk janë më…
Sepse atdheu… është aty, ku ti, ke “të rënët e tu”…
 
        
          shënim:
1-     kush e ka gjetur çadrën, le ta mbajë… le ta përdorë si anije kozmike…
2-     ky nuk është shkrim për gazetën: “Tema”,  lutemi të mos e “vjedhë”, ajo, le ta kërkojë gjetkë shtatë përqindshin e saj.
 
© Arlinda G.
Advertisements

Botuar tek “Gazeta”, dt 22/04/2010

Si të gjithë ata që e kanë zakon të hedhin ndonjë rresht, në një file të çfarëdoshme kompiuteri, titulluar provizorisht si; document 1, e më pas, formëzuar e rradhitur në ndonjë faqe gazete ( në faqe të fundit ose të parafundit, pasi kreun e gazetave e uzurpon gjithmonë ideologjia ), më ndodh edhe mua të lexoj herë pas here përshtypjet e lexuesve.
Dua t’i lë mënjanë polemikat, debatet apo vrullet nevralgjike të atyre, të pickuarve keqaz prej ndonjë fraze a ndonjë rreshti gërvishtës e çapraz, e të merrem pakëz me përshtypjet pozitive, të llojit; “uhh, sa kam qeshur me shkrimin tënd !”.
Natyrisht, vlerësimet bëjnë mirë e përkëdhelin sedrën e çdokujt që merr mundimin të hapë një file të re, me titull; document 1“,  në kompiuterin e tij. E sigurisht që edhe sedra ime nuk ka se si të bëj përjashtim nga e gjithë kjo, në të mijtën e çastit ajo do ndihet e përkëdhelur. ( edhe pse e ka zakon të fluturojë ulët… pasi për fluturimet e ulëta nuk nevojitet biletë e shtrenjtë e klasit të parë ).
Por vetëm në të mijtën e çastit ama…
Më pas gjithçka shfryhet si një tullumbace e çpuar, e cila i lë vendin ndonjë pyetjeje me mëndjen time; – Po mirë që u gajase sa të dolën lotë, por në fund, a e rrudhe ndopak ballin ?
Sepse nëse qëllimi i shkrimit tim, me titull provizor; document 1“, do të ishte thjesht e vetëm; gajasja e lexuesit, unë, fare mirë mund të gjeja mënyra të tjera, më të lehta, e shumë më zbavitëse se qëndrimi “spoliatrozik” mbi ekranin e laptopit, si përshembull; të vishesha me rroba me kuadrata, “të mballosja” një hundë të kuqe si klloun dhe; “u kry”; edhe ashtu do arrija ta gajasja lexuesin, komodshëm madje…
Ose, ose, një mënyrë tjetër, mund të qe edhe të vizatuarit e një palë mustaqeve mbi buzë, e hyrja në parlament për të plotësuar kuotën e tridhjetë përqindëshit, të grave shqiptare në vendim-marrje.
Sigurisht edhe ashtu do arrija t’i gajasja lexuesit unë.
Sepse siç edhe e dimë të gjithë, për të qenë përfaqësuese e denjë e gjinisë së ashtuquajtur; “delikate”, në parlamentin tonë, kusht themelor janë dhe mbeten; mustaqet.
Pyetja që bëra diku më lart mbi vetull-rrudhjen, është një pyetje që më përsëritet vazhdimisht në tru, e që po vazhdimisht më bën të mendoj se ndonjëherë, document 1″  nuk ia ka arritur qëllimit. Por nuk dua të hallakatem këtu e të merrem me luftën që i ka shpallur vetull-rrudhjes, botoksi, sepse ndoshta për këtë mund të flas më poshtë…
Ndoshta them… se ndoshta jo…ose-ose, në ndonjë shkrim tjetër… ku i dihet…
Por sidoqoftë, që të mos e haroj; ja një ide se si mund të formulohet një slogan publicitar, i suksesshëm mbi këtë produkt kaq frytdhënës; ” – Me botoks, juve nuk ju duhet të mendoni” – do të ishte slogani, shkruar me gërma të mëdha, mbi ballin e hekurosuar të një gruaje, e cila duket sikur nuk mendon qyshkur ka lindur. Ndërsa pas shpinës së saj, duket një turmë e stërmadhe njerëzish, edhe ata me ballë të sheshuar, e që nuk mendojnë gjithashtu…
Kështu pa e zgjatur shumë, sot, o i dashur lexues, unë kam vendosur t’i thërras mendjes e të ndryshoj mënyrën e të shkruarit.
Po, po, mos më shiko si i çoroditur nëpër germa. Sot, unë kam vendosur të të bëj me çdo kusht të rrudhësh vetullat ose të qash. Ndaj bëj gati për çdo rast, një shami të madhe, me të cilën të shfrysh hundët e të fshish lotët njëherazi.
Prit…priiit…. më ndiq pra… ku po ikën ? Kafja e mbasdites dhe uji pa gaz në tavolinën vegjetative, të barit që frekuenton ti, apo pamja që shihet përtej xhamave, e cila me që ra fjala, ashtu si mua, të ka ardhur në majë të hundës, mund të presin. ( e me që ra fjala sërish; sa e shtrenjtë kafja atje… )
Prit pra ! Kemi gjëra më madhore për të zgjidhur ne, o bashkëvuajtës ! Unë nuk mund të të lë të ikësh pa më lexuar deri në fund. Unë nuk mund të të lë të ikësh pa të bërë, për një herë të vetme, të qash, apo të  rrudhësh vetullat.
Mjaft më me të qeshura !
Pra, ku e e lamë, o bashkëvuajtësi im, lexues ?…
-Tek shamia – do thuash ti i bezdisur.
Dhe nuk mund të them se nuk ke të drejtë. Ti sidoqoftë, mbetesh një ndjekës i vëmendshëm.
Mirë e ke ti, por puna është se unë akoma nuk kam vendosur për çfar të të flas. Më prit të mendohem pakëz. Po mendoj për ty, si për veten time. Ja përshembull; çfar teme do më bënte mua të qaja pa shumë mundime?
Hmm…
Më duket se e gjeta.
Do të të flas për qentë. Dhe pikërisht për qentë e rrahur.
I ke vrejtur ndonjëhere sjelljet e një qeni që e kanë rrahur për vdekje ? E ke vënë re si sillet ai kur merr goditjen e parë ? Se si, në fillim i kundërvihet me aq dinjitet rrahësit, e pastaj, me goditjen dytë, të tretë, të katërt, ai vetëm sa kuiset mbyturazi, e dinjiteti i rrëzohet i gjithi përtokë, atje ku ai përplas putrat nga dhimbja e nuk arrin t’i rezistoje më rrahësit? E ke vënë re ?
Nëse ndonjë studies kafshësh do të vëzhgonte kujdesshëm sjelljet e tij, të mëvonshme, ai do arrinte në dy përfundime që dihen, që të dy të vërtetë, por krejt të ndryshëm nga njëri-tjetri;
Rasti a;
– Pas rrahjes, qeni do t’i lehë egërsisht çfarëdolloj qënijeje që do t’i afrohet, e sapo t’i jepet mundësia do ta kafshojë…
Rasti b;
– Pas rrahjes, qeni do t’i tundë bishtin gjithë përulje e do t’i serviloset çfarëdolloj qëniejeje që do t’i afrohet, e madje do t’i lëpijë edhe këpucët.
Sudiuesi do arrinte në përfundimin se të dy rastet; edhe ai a, edhe ai b, janë shenja të pastra, dalluese, të shformimit të personalitetit të qënies.( kujdes këtu; qënies dhe jo qenit ).
Natyris
ht, ti bashkëvuajtës do më pyesësh përhumbur, nëse të qënit shqiptar përfshihet tek qënia.
– Po, sigurisht – do të të përgjigjem unë, – edhe pse kjo mund të të ngjajë si një lojë fjalësh për të të hutuar ( në të vërtetë është… pse mos të të manipuloj njëçikë ?. si komb historikisht kemi dhënë prova se dimë mjaft mirë të manipulohemi, e vetë-manipulohemi, ashtu si asnjë komb tjetër. ).
Kështu ji i duaruar e më lër ta vazhdoj manipulimin…
Po pse, a nuk ke parë ti lexues, kur ke shkuar jashtë shtetit, ndonjë tabelë ku shkruhej; “- Ndalohen qentë dhe shqiptarët”? Po ç’them dhe unë, të pyes për jashtë shtetit, kur ti fare mirë, mund ta kesh vënë re këtë gjë, edhe këtu; brenda shtetit. Edhe këtu “shqiptarët” nuk është se i kanë dhe aq qejf “shqiptarët”.
Kështu nëse do e pyesnim atë vëzhguesin e sjelljeve të qenve, se në cilin rast bëjmë pjesë ne, ( shqiptarët që nuk i durojmë dot shqiptarët ), ai do përgjigjej pa u menduar shumë; – tek rasti b. Për ta shpjeguar më saktë; studiuesi  do n’a klasifikonte tek rasti i bisht-tundjes.
– Të rrahur nga gjithfarë ideologjish – do thoshte ai, –  nga ideologjia komuniste, ( rasti a, – qeni që i leh gjithkujt ) dhe nga  një  mish-mash, anestezik, i mëvonshëm, ( rasti b – qeni që i tund bishtin të gjithëve ), shqiptarët kane arritur në një fazë ku i japin të drejtë gjithkujt që u kërcënohet me një rrahje të re… ose edhe mund të mos u kërcënohet fare, por sidoqoftë, tashmë, nuk rrinë dot pa e tundur bishtin.
– Pa prit pak, unë ende nuk të kam bërë të qash ? Po si është e mundur ? Mua gjithmonë më vjen për të qarë kur dëgjoj përfundimet e studiuesve për qenin e rastit b… dhe një dëshirë e çuditshme për ta braktisur apo dhuruar dikujt, nëse ai është qeni im…
Por nëse do të rrekeshim të shpjegonim bisht-tundjen me shembuj konkretë, një shembull bindës do të ishte ky zelli ynë i madh për t’iu bisht-tundur të huajve.
Ja përshembull; kohët e fundit u tha nëpër media se një studiues i huaj e ka quajtur gegnishten dialekt seksi. Me sa duket, nuk n’a ka qenë kurrë e mjaftë gegnishtja  elegante e Martin Camaj-t për të n’a bindur për këtë gjë ne shqiptarëve.
Jo, duhej me çdo kusht të vinte një i huaj e të n’a e thoshte këtë, që pas kësaj, ky fakt të tingëllonte lehtësisht i besueshëm në veshët tanë, shumë më i besueshëm se opinioni i ndonjë shqiptari “të parëndësishëm”. ( po aq “të parëndesishëm” saç, ndoshta, ai studiuesi i huaj në atdheun e tij ).
E menjëherë pas kësaj o lexues, duhej të shkuleshin me qindra krijues e krijuese ( zot, sa e urrej këtë fjalë, a thua se të vetë-quajturit e kanë rrëmbyer me dhunë eskluzivitetin e saj ) e të shkruanin derisa t’u këputeshin gishtat në gegnisht, madje nga shkruesit e zellshëm, pati plot dhe nga ata që u bënë qesharakë në sytë e botës, pasi këtë dialekt nuk e kishin “të mëmës” siç i thonë një fjale në toskërishte.
Upss… më fal që shkrova; “toskërishte”, në vend që të shkruaja; “tosknishte”, sipas modës së fundit.
Gjithashtu, pati plot dhe nga ata që kërkuan ta bënin gegnishten gjuhën tonë, zyrtare. Aq sa një ditë, në tirat përkthyese të një filmi në një stacioni shumë të dëgjuar, televiziv, vura re që qe shkruar; “troq” në vend të fjalës; “troç”.
Duhej të n’a e thoshin të huajt këtë, ashtu siç duhej të n’a thoshin që atdheu ynë ka vajza shumë të bukura. Që kur e thanë të huajt këtë, djemtë shqiptarë filluan t’i shohin me më vëmendje vajzat rrotull tyre, por e theksoj, edhe një herë; kjo ndodhi vetëm se këtë n’a e thanë të huajt…
Pa duhej të n’a thoshin gjithashtu që ne kemi alpe të bukura. Menjëherë u shkulën shqiptarët siç e kërkonte moda, të gjithë nëpër kampingje malore, edhe këtë duhej të n’a thoshin ata, se ç’është e vërteta ne kujtonim se male kishin vetëm të huajt, sepse ashtu siç n’a duket se ata dinë e kanë gjithçka… ata fare mirë mund të kenë edhe male…
Pa duhej të vinte në një studio televizive, shqiptare, Fabrizio Corona, një kapadai i pagdhendur, e ta gjunjëzonte intervistuesin shqiptar mu aty në shtëpinë e tij, e askush nuk do t’i thoshte gjysëm fjale, por vetëm do ta duartrokiste me duartokitje entuziaste; të blera e të pa-blera, e mbas duartrokitejve, publiku do t’i lëshonte një “uuuuuu”, ulërimë ekzaltuese, e miratuese, të stërzgjatur, kapadaiut, çdo herë që ai i kthente një përgjigje fyese intervistuesit, dhe s’ka gjë se prezantuesi shqiptar mund të kishte lexuar rafte të tëra me libra, më shumë se ai.
Ç’është e vërteta lexues, ato çaste nuk di pse pata një dëshirë të fortë të merrja telekomandën e të ndëroja stacion, dhe po ta mendosh hollë-hollë, ndjesia që pata, ishte e ngjashme me dëshirën për braktisje, ndaj qenit në rastin b ( lexo  më sipër ).
 
Po sa shkoi ora ? Pse nuk thua që qenka bërë vonë…
Tani, më, unë nuk di ç’të të them tjetër, pasi më duhet ta ndryshoj këtë qëndrim spoliatrozik mbi kompiuter, se nuk dua të sakrifikohem deri në këtë pikë për hir të një manipulimi.
Po nëse nuk të kam manipuluar deri tani, e nëse nuk të kam bërë sadopak të vetull-rrudhesh, do të thotë që do e lë këtë mision për shkrimin tjetër.
Në shkrimin tjetër, në document 2“, ndoshta do të të flas për Big Brother-in, për ngohësit e divanëve dhe gromësimat e tyre, “artistike”.
Ndoshta them… ose ndoshta jo… ku i dihet…
Po deri atherë, tani, përpara se ti t’ia mbathësh në atë kafenenë e mërzitshme, me pamje po të mërzitshme, por që kushton shtrenjtë,  ngrihu e dil njëherë përpara pasqyrës dhe kqyre me kujdes atë boshllëkun tënd midis vetullave; – hë, a është rrudhur ndopak ?
Nëse jo… me kë merrem dhe unë…
 
©Arlinda G.
 
 
Shënim i autores:
Ka shumë të ngjarë që edhe ky shkrim, njëlloj si shumë shkrime të tjera, të shkaktojë ndonjë valë të re, protestash, të cilat shprehin “vullnetin e tyre, të lirë” duke i vendosur gjithfarë epitetesh autores.
Por kjo është fare e parëndësishme.
E rëndësishme është që; -Me botoks, juve nuk ju duhet  të mendoni !