… dhe do t’ikësh…

17 February, 2011

 

 … dhe do t’ikësh… këtë e di…
pengun do hedhësh në kurriz,
si tregëtari’ vonuar, mallin e pa-shitur…
 
“me të kuqe”, do të duash të kalosh në kryqëzim semaforësh…
pastaj do t’grindesh me policin rrugor,
që nuk ka asnjë faj,
për dashurinë që s’të dhash…
 
për dashurinë e munguar që si në një kasetë sigurie…
e kyça mes muresh të lartë…
 
… dhe do t’ikësh… këtë e di…
këmbët do të çojnë në mejhanen e afërt,
atje ku do t’flirtosh me bionden e parë në qoshk, që me sy do t’kërkojë shoqëri…
e pastaj, përmbi bulëza,
do t’duash t’i rrëfesh asaj,
një mijë e një, të zeza shkencore, mbi kode kasetash, sigurish…
 
… se do t’ikësh… këtë e di…
për dashurinë që s’të ngrohu,
i zemëruar, do të duash t’i gjuash me gur hënës…
 
…por më parë… prit!…
mbërtheje xhaketën!…
mbështillu mire!…
se netët kanë filluar e ftohen…
 
 © Arlinda G.