… dhe do t’ikësh…

17 February, 2011

 

 … dhe do t’ikësh… këtë e di…
pengun do hedhësh në kurriz,
si tregëtari’ vonuar, mallin e pa-shitur…
 
“me të kuqe”, do të duash të kalosh në kryqëzim semaforësh…
pastaj do t’grindesh me policin rrugor,
që nuk ka asnjë faj,
për dashurinë që s’të dhash…
 
për dashurinë e munguar që si në një kasetë sigurie…
e kyça mes muresh të lartë…
 
… dhe do t’ikësh… këtë e di…
këmbët do të çojnë në mejhanen e afërt,
atje ku do t’flirtosh me bionden e parë në qoshk, që me sy do t’kërkojë shoqëri…
e pastaj, përmbi bulëza,
do t’duash t’i rrëfesh asaj,
një mijë e një, të zeza shkencore, mbi kode kasetash, sigurish…
 
… se do t’ikësh… këtë e di…
për dashurinë që s’të ngrohu,
i zemëruar, do të duash t’i gjuash me gur hënës…
 
…por më parë… prit!…
mbërtheje xhaketën!…
mbështillu mire!…
se netët kanë filluar e ftohen…
 
 © Arlinda G.
Advertisements

Mos e vrit fluturën!

20 January, 2011

Ti nuk je më,
nuk thurr më triko pranë sobës…
shtizat janë ngulur fort ndër lëmsha,
si thikat e humbellave brenda meje,
që më vënë përfund,
mbrëmjeve,
kur një flutur e bardhë, i përvidhet murit, në qoshk,
e i kujton tim eti se ka haruar të ushqejë macet,
teksa ai dënes me sytë nga nata: -e morri shiu!… 
 
ajo pështjellon e shqetësuar ajrin mbi krye,
si të dojë të më kujtojë “të mos fle pa darkë”…
me flatrat e bardha… të dashura…
si tantellat e tua,
që më ndërmendin t’ëmbëltat ngjyra të zërit tënd:
-zgjohu!
-mos fli pa darkë!
 e që mpijnë gjymtyrët krejtaz,
 
teksa im at’ ndal këmbët e thotë:
-mos e vrit fluturën!
 
© Arlinda G.
Ti do, të dehesh…
e urdhëron veten të të bindet,
 
var dhimbjen nëpër nyjet e kockave,
brenda garderobës tënde të mërZisë,
e lëshohesh brenda gotës,
me shpresën se ajo do mpikset…
se pas pak, gjunjët do këputen,
e në vesh, s’do të gjëmojnë më,
rrahjet e atij çekiçit të tmerrshëm, ndër kocka…
 
e vetja, nuk bindet…
ti kapesh pastaj me cilësinë e whisky-t që nuk deh,
dhe xhambazët që të kanë taksuar dhimbjen…
 
vetes i jep një urdhër të dytë…
e rrëkllehesh dhe njëherë brenda gotës,
me shpresën e papërvojë,
se të paktën, do të mjegullohet vështrimi…
 
sepse gjithçka duket e lehtë, kur sheh përmes bulëzash…
sepse…  sepse…  ohhh…  është kaq e helmët,
e plumbtë,
dhe e përfundtë,
ikja jote, e pa-lajmëruar Ma’…
 
… … …
ti do, të dehesh,
var dhimbjen nëpër nyjet e kockave,
si celefonë të zbardhëllyer,
që rrjedha e lumit i nxjerr,
mbi kërcunjtë e pajetë të pemëve,
e kërkon të dalësh nga kremastarët e pikëllimit….
 
© Arlinda G.
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

Pa titull

25 September, 2010

 
Avionët lënë një vijë të mprehtë në qiell,
që çpon, tej për tej, vrundujt e reve,
si çpime hipnotike, dervishësh, që kërcejnë përreth flakës…
 
Po ti,
me cilin nga ata, u ngute me mjegullën?
me cilin prej tyre, i therre qiejt e mi?
 
©Arlinda G.
 
 
ag11.jpg 

Muz’(g)

6 September, 2010

 

Ajo është aty,
mbështjellë kulpër në trokthin e tastierës,
 
flokë-ngecur ndër metafora,
lakuar përmbi retiçenca,
gjunjë-vrarë nëpër njëmbëdhjetë rrokësha,
 
psherëtin brenda kllapës… e s’ngopet me frymë,
ndërsa tej dritares, një yll i vetmuar,
luan një jazz të panjohur, ndër partitura galaksish,
 
e ai, kërkon t’i ruaj ritmin,
ashtu i humbur nëpër brinjë-tastot e saj,
që thërmohen ndër gishta,
e stërpikin dhimbtaz, si krahë të dërmuar, fluturash,
pluhur poezish…
 
Ajo është aty,
ende aty,
 
flokë-ngecur ndër metafora
stërkëmbëshur pikëpyetjesh të gërmuqura,
kruspulluar përmbi presje paranojash,
 
dhe e friguar për vdekje
se mos rrëzohet në kosh…
 

 

©Arlinda G.

Pikëllim zëdhënësesh

12 August, 2010

 (Poezi, “prozaike”, “komunitare”, “e angazhuar”)…
 
U fik edhe një ditë në pallatin në formë U-je,
me mure si letër kalk,
ku fqinjët, me flet’za karboni,
nxjerrin, si modele çentrosh,
sekretet e tjetrit…
 
Aromë tavë peshku, stërpik një dritare,
me zërin e folëses së lajmeve të mbrëmjes,
që zemërohet keqaz me baluken jo-skenografike,
teksa lexon lajmin e vdekjes së një minatori…
 
Galeria është shembur sërish
e sërish, dora shkon te baluke’pabindur…
(ah, galeria,
kjo sabotuese’ tmerrshme, skenografish)
 
Tavë peshku,
kronikë e një vdekje të lajmëruar,
dhe duel në baltë, zëdhënesesh sensuale,
që as një presje nuk dalin prej skenarit,
teksa rrëzojnë njera-tjetrën brenda lyrës së llojit…
Ajo, sërish u kthye vonë-,
thonë gratë në bordurën e parukerisë,
tek limojnë themrat e plasaritura,
të pa-shqetësuara për baluket jo-skenografike,
e natyrisht, as për vdekjen e minatorit…
 
shënjestra ka mbetur tek ajo,
fqinja e re, trokth-trembur,
që: –sonte.. kishte qarë… më duket-…
 …
U fik edhe një ditë,
nëpër qepenat që ulen me vrik,
djemtë,
do shohin ndeshjen me çehre analistësh,
ndërsa vajzat,
do t’i ndjekin me pikëllim zëdhënësesh që nuk dalin dot pej skenarit…
 
Në pallatin në formë U-je…    
U, si: –Ule automatin e pompës Sanije!
 
© Arlinda G.
 

Retinë

18 March, 2010

 

Hëna somnaumbulet mbi qiejgërvishtës,
kuaj të ngrirë në dëborë,
më vështrojnë me sy të pikëlluar…
 
Ecjakem labirintheve,
t’i shpëtoj pikëllimit të tyre,
gjuhët e akullta të natës,
më lëpijnë tëmthat që therrin fort,
e jastëku i ëndrrës, më shënon mbi fytyrë,
dizenjot e tij, të shqetësuara…
 
Oh… nuk të gjej dot…
ka njëmijë drita ky qytet,
ky qytet që kurrë nuk dita ta bëj të më dojë…
njëmijë drita të çmendura,
e njëmijë suprina indiferente,
që rrezëllijnë ftohtë,
e më copëtojnë shëmbëlltyrën…
 
Lënë peng mbi qelq,
sytë e mjegulluar,
gjysmë-mollëzën; rrëzuar një qerpik,
e fijëza flokësh pafund…
 
që ti kërkon t’i ngjisesh,
si copëzat e grisura të një fotografie…
 
Oh… unë  e di,.
e vështirë t’i ndërtosh fytyrën pengut,
në mes të vitrinave…
 

Hëna somnaumbulet mbi qiejgërvishtës,
pikëllim i ngrirë në retinë,
përndjek udhëtimin tim, të pamundur,
drejt teje…
 
© Arlinda G.

Sumbulla

2 December, 2009

 191c008f.jpg

Një ditë, ti do të duash të ikësh,
e unë do të kuptoj, sigurisht,
( ndonjëherë dhe unë dua t’ia mbath nga unë…)
 
pastaj do vijë një ditë e zakonshme,
e ftohtë, me shi, dhe pa poetikë,
si kjo e sotmja,
ku ti do më shpjegohesh
se vetëm sa të ra rruga këtej…
 
unë do t’ul sytë mbi pllakat e trotuarit,
e do gëlltitem lehtaz…
kur një currilëz e mekur,
do fillojë të pikojë prej një ulluku të ndryshkur,
mbi jakën e palltos tënde,
e që andej,
do përplas stërkala të sumbullta në qerpikët e mi,
(që do rraskapiten ankthshëm,
të friguara, se mos rrëzohen mbi mollëza…)
 
pastaj, të dy do gjejmë një strehë aty pranë,
ku ti do me pyesësh,
e pyesësh,
e pyesësh…
pa qenë i interesuar të dëgjosh përgjigjet e mia…
 
(dhe unë do të kuptoj, sigurisht,
ndonjëherë, as unë nuk dua t’i dëgjoj ato)
 
dhe do t’ikësh,
pa haruar të theksosh për të fundit herë,
ftohtësirën  vrastare që do mbjellësh në stomak;
“vetëm sa më ra rruga këtej”…
 
e unë do mbetem aty,
me sytë ngulur mbi pllakat e plasaritura, të trotuarit,
me shuallin e këpucës që do fillojë të fusë ujë,
e me sumbullat në sy…
 
ndërsa tej,
atje… në trotuarin tjetër,
një mace rrugësh, e bërë qull,
do jetë duke kërcitur dhëmbët nga të ftohtët…
 
© Arlinda G.

Pakt

15 October, 2009

aa008666.jpg

Ne flasim për motin,
ekspresin e mëngjesit…

shtojmë pak politikë,
sa për të trembur metaforat dhe retiçencat,
që flatrojnë turbulltaz nëpër fjalë…

pastaj heshtim…

unë gjithmonë shtirem se nuk i dëgjoj,
ato goditje të mbytura,
që të shurdhohen brenda kraharorit…

e ti, asnjëherë nuk më thua,
që aty,
brenda një poezie,
je duke më mbytur, e dashur, njëherazi…

kuptohemi kaq mirë, në heshtje ne të dy,
ndërsa vrasim ditët nga pak,
nën këte pakt të pashkruar…


Ne flasim… për motin,
trenat e humbur,
gështenjat e pjekura…

shtojme pak politikë,
sa per të zh’bërë ngrohtësinë e pasofistikuar të frymëve,
që veshin suprinën e akullt, të xhamit…

Pastaj heshtim…

e ashtu heshturazi,
une kam kaq frikë të të mbështes kokën në krahor,
e të mësoj ç’shkruan për mua atje brenda…

© Arlinda G.

Kohë për të vrarë

18 July, 2009

painted-woman-window-frame.jpg
 
Po bëhet vonë,
më duhet të të vras tani,
qyteti meit, përgjon pas dritareve,
fjalët e fundit…
 
ka kohë që projektoj vdekjen tënde,
shënoj me mend një nyjë në tëmthin tënd, të djathtë,
atje ku duhet të mbështes armën,
që të të vras…
 
 e pastaj të iki…
se nuk kam kohë të të mbyll sytë,
se nuk kam kohë as të të qaj…
 
e ti, ti nuk ke si ta dish ç’përtyp në mendje,
unë, xhelati yt ,
ti vetëm ngre supet pafajësisht,
e po aq pafajësisht,
më sy-qesh…
 
po unë kështu nuk të vras dot…
i haroj në çast planet e ekzekutimit,
dhe shprish me buzë nyjëzën mbi tëmth,
gjaku çlirohet nga ngërçi,
e ç’mpiket prej ngrohtësisë…
 

e megjithatë, sonte më duhet të të vras,
patjetër…
ç’pres akoma ?
katedralet e kumbuan gongun final,
erdh’ koha ta shkrep këmbëzën,
ndaj, të ndaloj të më qeshësh…
 
erdh’ koha të të vras,
pa zhurmë… pa bujë…
me slienciator të harresës…

© Arlinda G.