Botuar te Gazeta “Dita”

Vajza, ju ka qëlluar ndonjëherë të hyni papritmas në një dhomë të mbushur plot me zëra femërorë që “fjalosin” pa pushim, dhe sapo në derë shfaqesh ti, bie heshtja? (si ata abazhurët që fiken me një të përplasur të pëllëmbëve)

Po? Të ka qëlluar, ty? Edhe ty, po? Ndërsa ty; sigurisht? Ah, e dija që lexueset e shkrimeve të kësaj natyre janë edhe empatike përvçse janë inteligjente

Ti seç ke një ndjesi bezdie, përzier me faj, për atë heshtje që bie beftë, kjo edhe pse nuk kujtohesh të kesh përplasur pëllëmbët për ta bërë të bjerë ashtu, aq akullsisht, dhe ndërsa u kthen atyre shpatullat dhe kap dorezën  e derës me të shpejtë për t’u larguar, ato ndërkohë duket sikur kanë marrë të gjitha nga një lupë në dorë dhe janë duke të analizuar çdo milimetër e pore në lëkurën tënde.

Del duke tërhequr derën pas vetes, dhe lëshon një psherëtimë lehtësimi teksa atje brenda si me komandë fillojnë të normalizohen zhurmat.

Kjo që përshkrova më lart vajza të dashura, duhet të jetë vetëm një nga situatat e shumta që duhet të keni përjetuar (shpesh ndoshta) të së ashtuquajturës ″luftë brenda llojit”. Si t’iu them, përtej emrit pa shumë fantazi, ajo është kaq e vjetër, e mërzitshme, dhe kohët e fundit në këtë qytet monoton po bëhet edhe tejet e parashikueshme.

Zakonisht këtë luftë e udhëheqin vajzat që në lojën me kukulla të fëmijërisë; ″lojë shtëpirash”, ″lojë zyrash”, apo ndonjë lloj tjetër loje,  bëheshin gjithmonë; ose mamaja që duhej të qortonte domosdoshmërisht vajzën e vogël, (ty gjithmonë të takonte të bëheshe vajza që duhej qortuar), ose shefja që duhej të qortonte vartësen, (edhe këtu ti vartësja ishe…  rolet e tjera ishin zënë të gjitha; brenda kësaj loje, dhe jo vetëm,  s’mund të bëjë karrierë).

Ashtu tek bënin sikur rrufisnin kafen ″gjasme″, nëpër filxhanët po aq, “gjasme”, ato, që atherë ngjanin si ca gra të vogla kur rrumbullakosnin buzët; ca gra të vogla që kishin djegur etapat dhe qenë katapultuar në një rol të bërë enkas për to, pa e njohur kurrë rolin tjetër; atë rolin e qashtërt të të qenit vetëm një vajzë e vogël.

Ato kishin një lloj autosigurie dhe autoriteti aq manipulues, themelet e të cilit u hodhën përgjithmonë aty, në atë “lojë shtëpirash”. E ti, qysh atherë, me një ndjesi lehtësimi munde të kuptosh që ke një “handicap”, i cili nuk do të të bëjë asnjëherë njërën prej tyre.

Me kalimin e viteve, ato vetëm sa u rritën fizikisht, sepse gra ishin bërë qysh sa kishin lindur; ca gra “të vogla″ por ca luftëtare “të mëdha”…

Këtu në kryeqytetin tonë, “të gjitha” luftojnë me “të gjitha” dhe nuk lodhen kurrë me këtë. Ndërkohë që kur këto luftaraket takohen rastësisht në rrugë, bibliotekë (këtu ka fare pak gjasa), parukeri (këtu ka më shumë gjasa), nuk i kursejnë njëra-tjetrës lloj-lloj afeksionesh idiomatike.

Si fillim biseda mund të nisë me një pathos të llojit; – Uaaa “zemra ime”, dhe ti këtu? Sa më bëhet qeFi… se merr dot me mend!(meqë ra fjala s’e kuptoj pse kësaj fjale ia heqin gjithmonë një shkronjë, po mbase nga qeJfi ku i dihet. Për të mos folur pastaj për togfjalëshin “zemra ime”, që në ditët e sotme është zhvlerësuar aq shumë, sa që mund të ta thotë fare lehtësisht edhe ai tipi që mbledh hekurishte nëpër koshat e plehërave (me gjithë respektin për ″profesionin” e tij), sepse në këto kohë moderne, ti mund të quhesh “zemra” “mëlçia” apo “veshka” e gjithkujt, përveçse e atij “gjynahqarit” të duhur, i cili ligjërisht është i vetmi që duhet të ta thotë këtë fjalë, apo siç i thonë ndryshe: mr.Right One). E keni vënë re që sa më shumë shtohen njerëzit që të drejtohen me: “O zemra ime!”, po aq pakësohen edhe miqtë e vërtetë?…

Pastaj ndahen duke i dhënë njëra-tjetrës nga një puthje në faqe, si ato puthjet “gjasme” gjatë shkëmbimit të vizitave në “lojën e shtëpirave”, dhe sapo tjetra largohet, me shumë gjasa i drejtohen personit që kanë në krah, i cili ndonjëherë mund të qëllojë të jetë thjesht një i porsanjohur aksidental; – E njeh ti atë kush është? S’e njeh? Po atë e njeh gjithë Tirana… si ka mundësi që nuk e njeh ti? E pastaj, në vetëm pak minuata, ajo fillon t’i bëjë të saponjohurit të mos-interesuar tejskajshëm, një skaner të sterrosur të biografisë së tjetrës.

Megjithë mosinteresimin, në të shumtat e rasteve qëllon që i porsanjohuri ta besojë plotësisht këtë lloj skaneri, sepse e thënë midis nesh dhe me shumë diplomaci, gjinia e kundërt në këtë drejtim ka qenë dhe është gjithmonë viktima më e suksesshme e manipulimeve të gjinisë së “ashtuithënçin”; delikate; manipulim, i cili shpesh i kapërcen edhe kuotat standarde të tridhjetë përqindshit (por nuk po vazhdoj më gjatë me këtë se druaj se tani ata do më akuzojnë për diskriminim gjinor→ J)

Është një situatë e ngjashme me një shfaqje televizive, një nga ato më të kotat e historisë së televizoneve; “Big Brother”, ku në finale mbeten gjithmonë djemtë, pasi vajzat eliminojnë dhe e shesin fare lehtë njëra-tjetrën gjatë rrugës…

Siç thashë; ca luftëtare të mëdha… kotësish….

Në këtë shoqërinë tonë egocentrike, ku të gjithë vrapojnë e duan me çdo kusht të mbërrijnë të parët, shtyhen me bërryla (duhet të jetë patjetër një garë?), këto ″te gjithat”që tregohen kaq mizore në luftën brenda llojit, shpesh i gjen si nëna të dhimbsura, bashkëshorte të përkushtuara, saqë ti ngre supet dhe pyet veten se cila nga anët e medaljes është fytyra e tyre e vërtetë.

Dhe vetja, të përgjigjet pa shumë entuziazëm; të dyja! Bota femërore duket shumë më shumë e ndërlikuar se për ta pikturuar vetëm me dy ngjyra, as me tre…por as me dhjetë, jo…

Kjo shoqëri konsumi, që nëpërmjet reklamash, shpeshherë të dëmshme për pavetëdijen e popullatës, shpreh përditë me arrogancë se gjithkush e gjithçka mund të shitet e blihet, i ka dhënë femrës këtë rol absurd për të qenë gjithmonë “në treg”, për të mbërritur në majë, për t’u kacavirrur deri në majë, për të mbetur në majë, me çdo kusht, qoftë edhe duke shkelur mbi të tjerë, për të mbetur përherë; e paraqitshme, joshëse, e dëshirueshme, intriguese, misterioze, fatale, sensuale, konkuruese, edhe atëherë kur asaj i duhet të mbajë një mal mbi shpatulla.

Ndërkohë që shoqëritë e emancipuara i kanë kaluar me kohë këto probleme të llojit të xhunglës, shoqëria shqiptare ka mbetur ende këtu, tek e fundit nuk i duhet vënë dhe aq faj; nëse në Shqipëri, brezi mbi të tridhjetat, përveç të lexuarit cilësisht, ka patur model frymëzimi stacionet televizive mjaft edukative të Rai-t, periudhë kjo e cila lidhet pazgjidhshmërisht me  bumin kulturor të këtij vendi në ato vite,  brezi nën të tridhjetat, ka patur si model frymëzimi stacionet televizive të mediaset-it, e thënë me shkoqur; stacionet komerciale të Berlucson-it, të cilat, njëlloj si ai vetë, e këndvështrojnë femrën si një copë mishi me afat të përafërt skadence (afat ky i shkruar me bold në çertifikatën “veterinare”).

E kështu, falë frymëzimeve të kësaj natyre, ne jemi edhe një nga vendet e vetme të varfëra në botë që sponsorizojmë çdo lloj konkursi të mundshëm bukurie, me të gjitha derivatet e mundshme të idiotizmit në titujt e tyre, në një kohë kur fare mirë ato fonde mund t’i shpenzonim për të mirëmbajtur monumentet kulturore në të cilat sot dergjen bagëtitë, për të financuar një shfaqje teatri, për të sponsorizuar një libër të mirë etj. Por jo, ne vetëm sa duhet t’i tregojmë botës medoemos se sa të bukur jemi… të tjerat nuk kanë pikë rëndësie…

Por le të kthehemi tek ″lufta brenda llojit”,  apo ajo brenda tenxheres me presion.

Vajza, i keni parë me vëmendje fotot e prindërve tuaj kur kanë qenë të rinj? Ata mbase kanë patur flokë të çrregullt në formë të çuditshme kaçubeje degë-degë, rroba banje qesharake që mbërrinin deri te kërthiza, kostume dopiopetë me ngjyrat e kopësave që bënin grusht, por një gjë kanë patur më të vërtetë; marrëdhëniet shoqërore solide.

I keni parë nënat tuaja në fotografitë bardh e zi, me shall aksioni, të përqafuara me shoqet aq qashtërsisht? Kanë një lloj hareje gjenuine ato foto…

Provoni që pasi të keni parë ato foto, të shihni fotot tuaja të tanishme… E mos t’iu vijë turp ta pranoni që në fotot tuaja e keni nga një shoqe që ka bërë një buzëqeshje ″gjasme” si te ″loja  e shtëpirave”, një shoqe që ndërsa të përqafon apo të thotë ″zemra ime″, ato çaste do të donte të të kafshonte veshin, aq shumë të urren…

Mos t’iu vijë turp, të gjitha e kemi nga një të tillë… Po se mos vetëm një… Kjo është çështja… dhe kjo të deprimon paksa… Po ç’them dhe unë? Paksa? “Shumsa” do ishte fjala më e përshtatshme, dhe pse ky deprimim do të ishte  një shkak i mirë që ato ta pushonin luftën (probleme sipërfaqësore↔zgjidhje sipërfaqësore)… Tek e fundit a nuk është ky deprimimi yt edhe shënjestër-aspirata e tyre?

Po si t’ia bësh që pavarësisht kësaj ato nuk ngopen e vazhdojnë të duan të të tërheqin me çdo kusht në këtë luftë? Në këtë ring? Në këtë garë? Ndërkohë që të gjitha janë duke vrapuar, duke u shtyrë, duke u penguar, duke u zhgrryer në duel balte.

Sigurisht që ty të tmerron e gjithë kjo dhe do me çdo kusht të bësh mënjanë, kërkon t’u sqarosh se aq të bën të luftosh, u përsërit e përsërit deri në sfilitje se ty të pëlqen t’i lësh ato të fitojnë, se ti je një ″perfect looser″, se ke zgjedhur të bësh humbësen me vetëdije të plotë, se do pranoje të merrje pjesë në njëqind luftëra të tjera, të përgjakshme, se do pranoje të jetoje në një kazermë, në një llogore, por kurrsesi të përbalteshe aty, sepse… sepse… është kaq e frikshme të lëvizësh brenda kësaj lufte, gare, balte kotësish, sepse ndihesh kaq e pamësuar, kaq e pastërvitur, dhe e ke fare të pamundur ta parashikosh se nga do të të vijë goditja…

Ndërkohë që askush s’të dëgjon… të gjithë janë të zënë duke vrapuar, luftuar, duke u penguar…

Teksa që të gjithë harrojmë që jeta është tepër e shkurtër për ta parë si një garë, teksa harrojmë të ndalojmë të shohim e të vlerësojmë ç’kemi përreth.

Sepse harrojmë ta shohim  femrën,  para së gjithash si një qënie njerëzore, dhe jo si një mall “veterinar”, apo si nje objekt me afat të përafërt skadence. Nëse do e bënim këtë, ndoshta edhe kjo garë e çmendur, ky vrap idiot, kjo luftë xhungle do pushonte së ekzistuari… e mes femrash do kish më shumë solidaritet dhe empati…

Sepse në shoqëritë e emancipuara, vlerat e vërteta dhe idealet që revolucionarizojnë mendësitë, asnjëherë nuk kanë afat skadence.

E për ta plotësuar këtë dekor utopik, padyshim, do të ndihmonte edhe një shall aksioni prej cohe të thjeshtë… dhe një buzëqeshje e pa-shtirur që nga fotografia…

 Arlinda G.