Për Elaine

13 October, 2012

(shkruar më 13 Korrik 2011)

Këto ditë që populli im është duke vërtitur vështrimin si një qen i rrahur sa mbi një fytyrë diplomati europian, në tjetrën, në përpjekje të dëshpëruara për të zbuluar atje një qëndrim të kthjellët mbi ato që janë duke i ndodhur së fundmi, jo për faj e zgjedhje te tij, me shpresën naïve se ata, (diplomatët) duhet të kenë se s’bën një etalon të së drejtës… këto ditë kur popullin tim e kane zbuar me shqelma nga skena, protagonistët e rradhës të show-eve të mbrëmjes që shtyjnë përgjatë gjithë kohës njëri-tjetrin me brryla… këto ditë kur buzëqeshjet e largëta e të pa-deshifrueshme të këtyre diplomatëve europianë, ekuivokohen lehtësisht nga kamerat e televizoneve “të angazhuar” nëpër barrikadat përkatëse, si simpati në favor të x apo apo y-politikani… këto ditë kur në editorialet kryesore të gazetave më të rëndësishme në vend zë vend me super-bold lajmi se nga ç’cili kah politik e gjerbi kafen x- ambasador… pikërisht këto ditë… mua më duhet të ndalem, të ulem e të shkruaj disa rreshta…

E quajnë Elaine dhe është ndoshta “ndërkombëtarja” më simpatike e këtyre qarqeve, edhe pse ka një buzëqeshje aspak “europiane”, dua të them; aspak nga ato të  largëtat e të pa-deshifrueshmet, të cilat ndonjëherë janë thjesht e vetëm kortezi e ftohtë formale pa kurrfarë emocioni apo sentimenti.

Oh jo, Elaine për të cilën po shkruaj unë është krejt tjetër. Është kaq e përzemërt dhe diellore, thua se ka lindur në Palma de Mallorca dhe jo në Britaninë gri me mjegullën që asnjëherë s’i shqitet kryeve.

Punojmë në të njëjtën ndërtesë; të lartë, shumë të lartë, dhe ka kohë që m’është bërë një prani e dashur. Pas disa ditësh përfundon afati i qëndrimit të saj në Shqipëri  dhe unë, e pakta që mund të bëj për të sot, është që t’i kushtoj disa rreshta.

Është ca e vështirë t’i shkruaj të gjitha ato që më vijnë nëpër mend tani, prej kujdesit për të mos ngjarë patetike (ti lexues do t’më falësh nëse ndodh kjo)

Por po tentoj, nuk jam e sigurt nëse do ia dal;

E tepërt të them se do më mungosh Elaine!

Do më mungojë përshëndetja jote e hareshme çdo mëngjes ende pa u futur mirë tek dera, dhe përqafimi yt i ngrohtë. Komentet e tua për lulet e mia dhe adhuruesit “sekretë e publikë”, ku herë-herë nxirrte krye humori simpatik anglez. E meqë jemi tek lulet. E di? Unë nuk do ta haroj kurrë një ditë… Qenë fillimet e mia të para në këtë ndërtesë… ti kalove aty pranë dhe ashtu e vëmendshme siç je ndaj të tjerëve, vure re ca lotë që rrotulloheshin brenda syve të mi, e që unë po përpiqesha të mos i rrëzoja poshtë.

Por që u rrezuan menjëherë sapo ti me pyete ç’kisha.

Nuk e mbaj mend përgjigjen që të dhash, por mbaj mend fjalët që më the ti:

– Po dal tani – më the, – por kur të kthehem, të premtoj se do të sjell një rreze dielli që të të rikthejë buzëqeshjen.

Pastaj kaloi më pak se një orë dhe ti u ktheve vërtet; me një tufë me lule në ngjyrë dielli… Sepse ti ke mënyra kaq të thjeshta e të vërteta për t’u futur në zemrat e njerëzve

E mban mend atherë kur të dhurova “Prillin e thyer” të Kadaresë, dhe të shkrova disa fjalë brenda kapakut të librit për bukurinë e dhimbshme të atij romani, pse jo, mbase për bukurinë e dhimbshme të gjithë Shqipërisë sime.

-Oh, ti lexon…lexon shumë? – më pyete. Dhe unë ta ktheva se ndonjëherë edhe shkruaj. (në të vërtetë, menjëherë u pendova për këtë, të shkruarit gjithmonë kam dashur ta mbaj larg gjërave të tjera, të përditshme, pasi nuk është se të shkruarit ka shumë lidhje me natyrën e punës që bëj), por ti këmbëngule se doja t’i lexoje shkrimet e mia…

E kam akoma e-mailin ku ti komentoje thellësisht e prekur shkrimin për djalin e vogël që shet ankeplastë rrugëve të Tiranës (versioni modern i shitëses së vogël të shkrepëseve). Midis shumë fjalësh të tjera, të bukura e prekëse, ti më kishe shkruar diçka mbi talentin… por unë vazhdimisht e vë në dyshim këtë… mbase është një mënyrë për të mbijetuar e për t’u mos iluzionuar veten në një vend si Shqipëria…

Që atherë, ti u flet të gjithëve për shkrimet e mia. Unë dua të të them; – mos e bëj… ndonjëherë më bën të skuqem dhe s’di ku të çoj sytë prej drojës, pasi e di mirë që nuk i meritoj të gjitha ato që thua për mua. Aq sa ndonjëherë për të shpëtuar prej syve kurioze të tjerëve tek të cilët ti më prezanton, të them duke qeshur; – Je një agjente marketingu më e mira, e mundshme.

E di? Nëse ndonjëherë do të përpiqesha të skicoja mënyrën se si qëndron portreti yt në pa-vetëdijen time, mbase do të të paraqesja si një zanë me flokë të gjatë, të verdhë, me një fustan të gjatë, të bardhë dhe me një shkop magjik në dorë. Sepse ti ke qenë vërtet zana ime magjike.

I gjithë qëndrimi yt në këtë vend do të përmblidhej bukur nën sloganin; -Si t’i fitosh zemrën shqiptarëve vetëm në disa hapa të thjeshtë… Sepse janë pikërisht këto hapat e thjeshtë për të cilët kanë nevojë sot shqiptarët…

Mos qesh tani. Mund të tingëllojë groteske, por unë jam shumë serioze kur them se ti ke qenë e suksesshme pikërisht atje ku diplomatët europianë kanë dështuar me shqiptarët.

Dhe sigurisht nuk do të jem vetëm unë në këtë ndërtesë që do të ta ndjejë mungesën.

Haresë tënde do ia ndjejmë mungesën të gjithë.

Shpesh mëngjeseve kur ti kalon këtu të them duke qeshur se ndonjë ditë do të të shtrojmë një tapet të kuq mbi të cilin të ecësh si një “diva” e vërtetë.

Tani po ta them me të gjithë seriozitetin e mundshëm;

– Ti tapetin e kuq e ke merituar më shumë se çdo diplomat europian me buzëqeshje të ftohtë, të largët, të përmbajtur, e lehtësisht të ekuiovkueshme.

p.s.

Është një skenë tek filmi; “Love actually”; personazhi i kryeministrit sapo ka marrë detyrën e re dhe është duke u prezantuar me stafin. Kur i vjen rradha sekretares ajo i thote; – Shpresoja shumë të fitonit ju, zotëri, jo ai tjetri. Jo se do te isha sjellë keq me atë tjetrin, por do t’i jepja biskota pa çokollatë…

Dhe unë; jo se do sillem keq me personin që do të të zëvendësojë, por ama tapetin e kuq; ta harojë…

p.s1.

qesh tani…

3 Responses to “Për Elaine”

  1. dea Says:

    Une u gezova, shume u gezova, prandaj nuk munda te rrija duke te menduar vetem ne heshtje.U gezova dhe doja qe ti ta dije kete.Nuk me mjaftoi te flisja me veten, te gezohesha me veten.Mendova me egoizem,thashe: eshte dhurate edhe per mua.
    Preka nga afer fjalet e tua, mu lagen syte,thashe: po ndahemi, por edhe pak, edhe pak impulse me shume, lexova, e ndava gezimin, u bera dhurate prinderve si te ishin mendimet e mia te pathena, u kenaqa qe u dhashe mundesine atyre te njohin dhe te vleresojne shpirtin tend, te shkrova edhe ty, te kritikova si gjithmone, qesha me pergjigjen tende, qava me fjaline e fundit, pastaj heshta…mendova…e kam lenduar…thashe…i kam dhene shprese….prisja te ma thoje dhe ma dhe pergjigjen…e vetmja gje qe te mos mendoja me ishte te flija…me vone desha te flisja me ty, te te thoja…nese disa rreshta te miat i quan shprese, po une si ti quaj miliona shkrime te tuat ? Me bere te mos jetoj dot pa kete komunikim dhe une i prek idete e tua si syte e njeriut rrezet e diellit, po ti pse nuk perpiqesh te ndjehesh teper i madh si dielli e te mos dallosh hollesite ? ….sepse nuk di cfare te bej nese me ndodh te gezohem perseri…Nuk di sa kohe do vazhdoj keshtu dhe perpiqem te gjej nje zgjidhje…..them: ata, ne fakt nuk jane ai…, por lexoj dhe me duket sikur gjej mendimet e mia te thena me qartesine e fjaleve te tua dhe me forcen e analizes tende, pastaj shikoj, degjoj autoret dhe me humbet harmonia. Perpiqem te krijoj me ane te figurave ndjesine qe me japin fjalet e lexuara dhe portreti me ben te ul syte.

  2. flokënaja Says:

    Nuk kuptova asnje fjale nga ato qe jane shkruar me lart.
    Me duket se ke ngateruar teme, blog ndoshta…

  3. dea Says:

    Ke te drejte, te kerkoj te falur, por nuk di si te fshij postimin.


Leave a comment