Dimri që shkoi…

24 February, 2017

Dimri që shkoi qe i egër e idhnak…
lulja në verandë i ngjethi sythet,
e degët e reja i mblodhi rreth vetes,
si nëna që mbështjell të vegjlit e saj për t’i ngrohur…

Dimri që shkoi qe i egër e idhnak,
dhe për vajzën që u hodh nga kati i 17-të,
e u përplas rëndë në asfalt…

njerëzit i kalonin pranë,
indiferentë nxitonin në punët e tyre të përditshme…

arrije t’ua dalloje qartë kallinjtë e akullit,
që u vareshin prej zemrës…

ndërsa autoritetet theksuan,
se viktima nuk kishte marrë leje në bashki për të ushtruar aktivitetin,
se viktima kishte uzurpuar hapësirën publike,
se viktima nuk kishte liçencë për të vdekur!

Dimri që shkoi qe i egër e idhnak…
pallton time ia hodha një statuje të pikëlluar në park…

Dimrin që shkoi…

©Arlinda Guma
20.02.2017

Leave a comment